Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Ëndrra, shpresa dhe iluzione

| E diele, 05.10.2014, 02:08 PM |


ËNDRRA, SHPRESA DHE ILUZIONE

(Luan Maloku, Bota e ëndrrave magjike, Feniks, Preshevë 2014)

Vjen vjeshta e nostalgjisë, kur poetët meditojnë dhe shkruajnë me gjakun e kalaveshëve të fjalës. Krijimet e tyre i përkëdhelim me shikim, duke ua përshëndetur rikthimin dhe mirëseardhjen mes kopertinave të antologjive dhe librave që botojnë. Molla të pjekura na jep vjeshta, dhe libra me një shije të ëmbël frymëzimesh na japin poetët. Si poet, Luan Maloku është një magjistar zemrash që ëndërron gjithmonë gjëra të bukura. Jo më kot, Schilleri ka thënë se të jetosh don të thotë të ëndërrosh, domethënë të jesh i mençur. Në vëllimin e tij të ri antologjik (Bota e ëndrrave magjike), zbulojmë një ishull të bukur ëndrrash, shpresash dhe iluzionesh të krijuesve tanë që e konsiderojnë gjuhën amtare si katedrala më madhështore e kombit.

Nga Baki Ymeri

Antologjia që po e prezantojmë me këtë rast, është një album poetik vlerash reale të autorëve të seleksionuar për botim dhe afirmim. Poetët e antologuar, dashurojnë, shpresojnë dhe ëndërrojnë për një botë më të mirë, më të mençur dhe më të drejtë. Krijuesit janë femra të talentuara që përfaqësojnë botën shqiptare në totalitetin e saj. Një letërsi e mirë shkruhet edhe tejmatanë kufinjve të atdheut. Anila Dahriu vjen nga Vlora me një spektër inspirimesh erotike të një sensibiliteti të veçantë. Jeton në Kalabri dhe mes tjerash ka botuar edhe një vëllim bilingv (shqip-talisht). Në vargjet e saj defilon etja e bukur shqiptare për dashurinë dhe lirinë e fjalës. Shtati i dashurisë dhe shpirti i ndjenjave “atje ku hedh shtat kjo dashuri”. Buzëqeshjet e fjalës dhe “dielli që po shkëlqen përsëri”. Puthjet magjike në folenë e përkëdheljeve, dëbimi i vetmisë mes qindra mendimesh, “ku ëndrrat përpëliten”, “atje ku gjendem unë,/ si një zog i përmalluar”.

Poezia është bota magjike e një thesari të fshehur në trojet e shpirtit. Vargjet e para, që në moshë të njomë, poetët ia dedikojnë vendlindjes. “Unë jam bijë e qytetit të gurtë/ që ngjan me grushtin e dorës/ shtrënguar nga malet përrreth.// Kur qielli qan mbi qytetin tim”, thekson ëndërrimtarja e frymëzuar Brikena Qama që vjen nga Corovoda e Skraparit. Sipas saj, mëngjeseve të vendlindjes së saj, “fshesarët seleksionojnë ëndrrat”, dhe vetëm tempulli i Zotit, “gjendet në majën më të lartë,/ të qytetit tim.” Vargjet e saj anashkalojnë diferencat krahinore dhe konfesionale, duke i dhënë prioritet sentimentit kombëtar. Drita Nikoliqi Binaj vjen nga Gjakova kreshnike dhe jeton në Vojvodinë. Është shpirt i sakrificës dhe poetesha e talentuar që “Ecë nëpër rrugët e jetës/ Me moral të palëkundshëm”.  Nganjëherë e sheh veten të çuditshme: “Gjithçka më gjallëron e gëzon/ dhe gjithçka më dëshpëron e përloton/ Por dëshiroj gjithçka që dritëson.” (Unë). Sipas kritikës letrare, Drita është e dashur dhe e çmuar. Vargjet e saj janë rrezet e para të Diellit poetik që kjo Ikonë shqiptare me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare”, ia ka ofruar publikut tonë. (Besnik Camaj).

Flora Brovina e famshme vjen në faqet e antologjisë nga Skënderaj. Bijë e Kosovës krenare, Flora Brovina ia ka dedikuar jetën fëmijëve dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Këto aktivitete i përshkojnë edhe vargjet e poeteshës. Sipas kritikës rumune, “poetët shqiptarë nga Kosova janë do kavalierë që kanë konstruktuar përmes poezive të tyre një armaturë fjalësh, shumë më e fuqishme se ajo e armëve, dhe që ndërlidh zemrat e krejt shqiptarëve, duke ua frymëzuar patriotizmin që ua ka shpëtuar shpirtin në luftën identitare. Ja se si takohen në një strofë emocionuse, këto dy simbole: “Liria/ Foshnjë kuqërreme/ Në parzëm nëne” (Liria). Hasije Selishta Kryeziu vjen nga Kamenica e Kosovës. Te “Vallja e krisur”, dhembja e saj duket e zgjuar: “Si valle e krisur fluturon/ Zhurmës së dalldisur/ Pa e kuptuar botën e braktisur”. Imagjinata e saj prish “ligjin e heshtjes”, fluturon në qiell, qielli pret ditën me shpresa, “për të harruar të paharruarën”. Jemi apo s’jemi të vonuar për parajsë? Parandjenjën e pesimizmit e anashkalon optimizmi i një shpirti të brishtë, duke i shpallur luftë (fjalësh), zhgënjimit, injorimit dhe varfërisë, duke i falur të shtypurit, “një grusht dashuri”.

Migena Arllati vjen nga Elbasani dhe jeton në Gjakovën e Drita Nikoliqit, për të cilën poeti Daniel Marian thekson: Kjo është poetja. Përndryshe, të jesh njeri, don të thotë të jesh poezi, ndërsa poezia nuk është tjetër veçse dashuri. Porsi Drita, edhe Migena vjen me shpirtin e hapur për koncepte të reja, personale dhe artistike. Ajo është një frymë e re që ndjen frymëmarrjet e kohës, para se t’i afishojë ato si do deklarata dashurie tejet të qarta. Barnatorja e zemrës dhe sofra e heronjve: “Do të mbledh në një sofër heronj ashtu rënduar me plumba në trup,/ si u copëtua Shqipëria t’u tregoj/ pa Kosovë, Iliridë e Çamëri në trung.” Dhe më tej: “Do t’mbledh trimat e Libohovës bashkë me t’Drenicës dhe Dukagjinit, burrat e Malësisë dhe Maleshovës/ tok me t’Shkodrës, Shkupit dhe Ulqinit.// Në një sofër që flet vetëm shqip/ në shekujt që psherëtijnë me kilometra,/ t’u flas për gllabërimin e pacipë/ për krah’prerën shqipe me dy krena.” Shpirti i saj  digjet për Kosovën kreshnike dhe Shqipërinë hallemadhe: “Në sofër të heronjve me të bardhat ëndrra buka, krypa dhe zemra kurrë nuk sosi,/ si atëhere dhe sot, mbi gjak gjëmon kënga për kombin e Shqipes, që hasmi dot s’e mposhti.” Miradie Zymberi-Avdullahi është e lindur në fshatin Kapit të komunës së Medvegjës. Funksioni poetik del në pah përmes vlerësimit emocional të një segmenti meditativ: “Tek po shikoja yjet, në mendime,/ hapa arkën e ëndrrave të vjetra,/ hapa kutinë me kujtime!” (Bashkimi). Në kutinë e kujtimeve gjen çastet e përjetësisë, në kohën kur, Bashkimi ynë, në dhe thellë rrënjët lëshon, sepse; “jemi një trung me shumë degë.” Sipas Miradies, të gjithë yjet tregojnë një drejtim,  një rrugë të vetme që na shpie drejt bashkimit të madh kombëtar. Ja edhe një argument që dëshmon pjekurinë e saj poetike: “Errësira ngadalë mbështjellë tokën,/ në lartësi rreth hënës yjet vallëzojnë,/ heshtja e natës lehtë pëshpëriste,/ për jetë të re, në shtigje na fton!” (Pas qiellit të pafajshëm). Edhepse jeton tejmatanë brigjeve të Adriatikut, autoja nuk e harron kurrë vendlindjen e saj dhe trojet e bekuara të Arbërisë.

Raimonda Moisiu vjen nga Korça e rilindësve tanë dhe jeton në Amerikë. Ëndrrat e saj ndërlidhen me dëshirën e zjarrtë për të kërkuar ngrohtësi, dritën e dashurisë, dhe “Një shpirt si shpirti im,/ Të më gazmojë, me fol e qesh,/ Ta kthejë hidhërimin në gëzim,/ Ta puth te buza që i qesh.” Besnikëria ndaj aktit poetik, na I përkujton ligjet klasike të jetës dhe të universit meditativ:  “Vdekjes askush në botë nuk mund t’ia ndalë lirinë,/ si mace e zezë vjen, të pret rrugën, ditë a natë/ kur ta ka gjetur derën, e shqyen atë me force.” Në lirika e Raimondës, “Dielli mori rrugën për në perëndim,/ Rrezeharkuar mbi qytetin tim të gurtë.” Seveme Fetiqi vjen nga Vushtria e Kosovës dhe jeton në Gjermani. Vargjet e saj ta përkujtojnë një faktor provokues vuajtjesh që përbëjnë konditën esenciale për lindjen e poezisë. Te “Zemra dhe ëndrrat”, zemra e saj nuk është fushë loje, ku mund të fryjë çdo stuhi. Ëndrrat e saj nuk janë shpellë e errtë,  “ku mund të strehohen egërsirat/ për ta kaluar një dimër të ngrohtë/…/ Ëndrrat e mia janë një ishull magjik/ ku mund të zgjasë pa kufi një mrekulli// Zemra ime është një vend i shenjtë ku mund të zgjasë amshueshëm një dashuri.” Poetesha e ka përvetësuar stlistikën letrare. Sintagmat si, “kurrizi i natës”, “dalje nga labirinthi”, “hëna e pispillorsur”, “dashuri e djegur”, dëshmojnë se autorja ka një bagazh të pasur për vazhdimin e pasaportës së saj letrare.

Zejnepe Alili-Rexhepi vjen nga Tetovva ime. Është një poeteshë e re, e instaluar në brigjet e botës. Lirika e saj meriton një studim të veçantë. Duke i rilexuar vargjet e saj, ajo mbetet si një vlerë e veçantë në memoejen e lexuesit. Zejnepja ka vokacionin e një artisti meditativ. Këtë po e ilustrojmë vetëm me një strofë inspirimesh adekuate: “Në mëngjeset e ditëve tona,/ si trëndafil i posaçelur/ me ngjyrë gjaku të ndezur,/ si zjarr i vrullshëm dashurie./ Je shpresë, imazh lumturie,/ je vetë jeta ime!” (Mëngjeseve të jetës). Antologjia e Luan Malokut e afirmon këtë poeteshë edhe me vargje tjera të frymëzuara si: “U mplak dita në pritjen tënde,/ meteorët e shpirtit u shuan/ si qiri, ngadalë-ngadalë/ shkrihen në vetëflijimin e fatit,/ ku dergjen lotët e pikëllimit.” Faleminderit dhe Gëzuar!