E merkure, 24.04.2024, 11:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatime Kulli: Viçenc Prennushi, poet i papërsëritshëm

E enjte, 03.07.2008, 06:16 PM


“Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar!” Kjo thënie vlen një qind për qind edhe për poetin Prennushi
Viçenc Prennushi, poet i papërsëritshëm

Nga Fatime Kulli

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë epokë historike pa poetë” (Pjerre Reverd)
Jo pa qëllim e nisa mendimin tim me këtë thënie brilante të Reverdis, për poetët.
NJË, që padyshim e ka skalitur portretin e tij në hije-dritën e epokës historike, është edhe Viçenc Prennushi, të cilin gjatë gjysmëshekullit të fundit të XX-s e anatemuan dhe e ç’vendosën përkohësisht nga harta e krijuesve të letërsisë shqipe.
Për të parën herë njihem me poezinë e Prenushit, nëpërmjet studiuesit Alfred Çapalikut, i cili ka bërë një punë shumë serioze në monografinë e “At’ Viçenc Prennushit” (Shkodër, 1996): Libri i tij hap një dritare nga ku shquajmë qartë kristalizimin shpirtëror të poetit të mohuar. Me obligimin si poete dhe si qytetare e këtij trualli, ngazëllehem e dergjem në shtratin e poezisë së Prennushit, pasi arti i tij më ka gërvishtur plagët e identitetit tim, të të parëve të mi, për faktin se jam nga trevat e Çamërisë.
Pikërisht, në takimin “Fjala poetike Sarda 2005” isha anëtare e jurisë. Një maturante e gjimnazit “Jordan Misja”, Suida Arçi, interpretoi poezinë “Grueja shqyptare” të V. Prennushit, e cila mori çmimin e parë unanimisht.
Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që përjetova gjatë takimit tim, me shpirtin krijues të poetit, ku nëpërmjet zërit të një adoleshenteje derdhej zëri i atdhedashurisë si jehonë legjendash, e përplasej tej faqeve të malit përreth, ku endej shpirti i thellë e i pavdekshëm i poetit që thërriste: “Shqypnia asht e shqyptarëve”.
Nuk mund ta harroj gjendjen e brendshme që fërgëllonte si prush përmes interpretimit të fjalës poetike të Prennushit, m’u shprishën të gjitha qelizat e trupit dhe shpirtit tim. Asnjëherë s’u ndjeva më e mbrojtur sesa fjala e poetit. Në sytë e adoleshentes shkëlqenin lotët e triumfit, si ushqimi më i ëmbël në magjen artistike të fjalës së shenjtë të artit poetik të Prennushit, që do të na mbetet gjatë në kujtesë. Zemra e atdhedashurisë ngrihej lart në qiellin e fjalës. Ky pra, është poeti, kjo është fjala magjike që hyn në brendësi të shpirtit njerëzor me mjeshtërinë e komunikimit në art. Emocionet e jashtme marrin forcë, përmes emocioneve të brendshme të librit që më dridhet ndër duar duke rilexuar...
Në vëllimin me poezi “Gjeth e lule”, spikat timbri leksikor në tërheqjen e gjuhësisë së gegërishtes, me një shprehje të pastër artistike e emocionale.
Poezia e V. Prennushit në përgjithësi është një ligjërim ëndrrash, akt-formash, e besimit tek njerëzorja, tek jeta, me gjetje befasuese brenda origjinës së ëndrrës. Ky ligjërim ndërtohet me shtresa të vendosura mbi nën një ligjërim të lashtë.
Poeti, duke qenë një njeri me dije, i rritur dhe i edukuar në Shkodër, me kulturën e besimit katolik, gjatë aktit të krijimit, tenton efektet për rindërtimin e besimin tek poezia dhe fjala e poetit. Ai ndërton boshtin krijues me tre akse poetike: a) patriotike, b) shoqërore, c) fetare. Të tre akset lëvizin në gjendje të harmonishme, duke finalizuar koncertin e tij poetik me partitura të ndryshme të gjendjes muzikore, pa lëvizur shkopin magjik të dirigjimit, të qëllimit artistik. Këto lëvizje gjendjesh, i gjejmë në shtyllat bazë të ndërtimit poetik, tek poezitë: “Tuj dekë”, “I vorfni”, “Kreni”, “Lulja e reja”, “Shekulli”, “Nana” dhe deri tek poezia “Në rrymë të moteve”, e cila (për mua) është një poezi e pastër emblematike, ku çdo rrokje, çdo fjalë, çdo varg, vallëzon si refren bibliko-artistik. Kjo poezi ka ritëm të lartë shpirtëror-moral-qytetar. Këtu himnizohet madhërishëm në formë artistike PAQJA, që gjithë vendet e kombet e botës e ruajnë si gjënë më të shenjtë e të paprekshme. E gjithë vepra e Prennushit paraqet një tablo serioze, ku burimi i aktit krijues është rrjedhje e gjendjes së brendshme shpirtërore të poetit, me gjetje origjinale të figurave, që Prennushi i gjallon, i madhëron si nevojë e qëllimit të misionit artistik. E gjithë “loja” artistike, epiqendrën e vendos në kufirin e idealit qytetar e njerëzor, për të përjetësuar identitetin e Atdheut, me simbolin e Flamurit, duke paraqitur në krijimtarinë e tij personalitetin e njeriut atdhetar, që rreket për lirinë dhe dashurinë e amësisë (atdheut). Ky koncept i rëndësishëm i Prennushit, është koncepti i përjetësisë së poetit për atdheun e tij.
Arti i Prennushit më kujton një thënie të Gëtes: “Poeti duhet ta dojë atdheun edhe si njeri, edhe si qytetar”. A nuk është edhe Prennushi një poet me vlera të spikatura qytetare të atdhedashurisë në poezinë e tij, si: “Shqypni e s’ke”, “Burri shqyptar”, ku ai ligjëron skenat dramatike që luheshin mbi fatet e Shqipërisë (në atë kohë) gjatë luftërave botërore?
“Por t’ka ruejtë, djalë, Zoti krahët, / t’ka ruejtë krahët e t’ka falë t’shkathët: / Eja, pra e t’shtërngoj n’gji, / Mandej del prapë për Shqypni...”
Kjo tablo, tregon për dëshirën, urtësinë e trimërinë e heronjve në poezinë “Burri shqyptar”. Edhe pse V. Prennushi shkroi vetëm një vëllim poetik, “Gjeth e lule”, ai tregon vlerat e një eruditi, që diti të ngjizë shpirtin me artin e të shkruarit drejt mishërimit të një vepre artistike jetëgjatë, me temë patriotike, duke krijuar një Un të tijin, në ansamblin e poezisë shqipe. Një ndër poezitë (tipike për karakterin e shqiptarit), është: “Ushtari i Vogël”. Është shumë interesant ndërtimi i poezisë me objektet realë, siç janë: veshja e ushtarit, shpata e pushka, që poeti i përdor në imagjinatën e lëvizjes, për t’i vënë si elementet e jashtme në funksionin e elementit bazë të poezisë dhe forma gjeneruese e heroit të poezisë, duke realizuar formën metafizike të poezisë.
Format gjeneruese e heroit të poezisë është “Ushtari i Vogël”, ende fëmijë, që rrit dhe fuqizon qëndrueshmërinë artistike në aktivizimin e aktit poetik me figurën simbolike të nëntekstit, që është elementi themelor (ëndrra), ëndrra për t’u bërë gjeneral.
“Punë fort t’mdha kishem me krye, / edhe anmiqtë kishem me i thye: / Me qindresë e dalë-ka dalë / Gjeneral kishem me dalë”.
Pra, ëndrra e “Ushtarit të vogël” është që të bëhet gjeneral, t’i shërbejë me devotshmëri e trimëri vendit të tij, dhe emocioni rritet në vargun autoritar, pasi:
“General! S’a punë me luejtë: / me ra n’luftë edhe me muejtë, / me drejtu gjith’ at ushtri,por ç’dobi, se ndodh i vogël, / as s’di ç’ujë e ban kët vogël”.

Përpilimi artistik i dëshirës së lindur nga fantazia, e rrit poetin, e çliron nga qenia e pavetëdijes, duke zhveshur elementin e parë në aktin krijues të gjendjes bazë, që është ëndrra. “E them unë pra, sado qi fmi / me dek’ kisha për Shqypni”.
Një gjendje tjetër në këtë poezi, është shpirti human i poetit, ku “loja” e heroit të vogël, në mënyrë krejt naive, si ai fëmija me botë të pastër shpirtërore, di të falë më parë se i rrituri. Ja sprova:
“E, masi, me ndihmë të Zotit / t’siguroj tokën e Kastriotit, / edhe anmiqtë’ un do t’i fali, / Mjaft qi t’thonë: Rroftë gjenerali”.
Ideja e autorit gjatë kontekstit të ligjërimit hap çelësin e aktit krijues, si histori të epokës së poezisë, ku V. Prennushi zë një vend komod, për të udhëtuar gjatë, deri në ditët e sotme, pa shënuar ndonjë eveniment të veçantë në poezi, prej eunukëve vargëzues, edhe pse sytë e poezisë së “djeshme”, janë bebet e syrit të sotëm të poezisë shqipe, si N. Frashëri, Mjeda, Fishta, Pali, Camaj, Migjeni, Prennushi, etj. Pa shkëlqimin e vështrimit të tyre, ne jemi miopë.
Zëri muzikor në poezinë e Prennushit mbështet një vegël të lashtë muzikore, që shfaqet në ditët e sotme, gjatë tingullit kuptimor të tekstit e herë si imazh i lëvizjeve të notave që mërmërijnë në buzët e lexuesit të çdo kohe. Andaj, lexuesi i vëmendshëm përzgjedh të marrë fjalën e shenjtë të poetit, për të interpretuar si mundësi të ligjërimit. Këtë gjë po bëj edhe unë, për të realizuar qëllimin e shijeve të mia, me poezinë e Prennushit.
“Poezia duhet të mëshirojë qenien konkrete që ka karakter kombëtar” (Hegel). Ky koncept për poezinë me karakter kombëtar, ekzistonte poetët e mëdhenj, paqedashës, humanë e njerëzorë. Njëri prej tyre është edhe Prennushi, që meriton vëmendje për artin dhe misionin artistik, që përcjell në letërsinë shqipe. Me të drejtë Alfred Çapaliku, në librin e tij, thotë: “Ai zë një vend që e justifikon piedestalin dhe monumentin prej tingujsh e fjalësh në panteonin e letrave shqipe”.
Struktura e simboleve në poezinë e Prennushit është ngjizur harmonishëm në formën e shpirtëzimit idealist, duke krijuar në trungun artistik, “Gjeth e lule”, rrezatimin e figurave poetike, si nevojë e brendshme për ndërtimin e Unit-Simbol, që mban vulën e Viçenc Prennushit. Dhe këtë përcaktim timin e mbështes në dukurinë e teorisë së poetizimit prennushian me temë patriotike.
Poeti i përket kësaj kategorie njerëzish, ku në mbretërinë e atdhedashurisë përputhen me ata njerëz patriotë, që kanë sakrifikuar gjithçka për lirinë, për simbolin më të shtrenjtë që kanë pasur luftëtarët e lirisë. Gjithashtu, edhe ideatorët e Rilindjes Kombëtare, që mendjen e penën e tyre e vunë në shërbim të njohjes së identitetit të shqiptarëve, si kombi më i lashtë në Ballkan.

Këtë atmosferë idealiste dhe patriotike e gjej në poezinë “Grueja shqiptare”, që për mua është një kryevepër letrare e Prennushit. Po citoj disa fragmente nga poezia, ku autori me intuitë intelektuale, krijon klimën e ankthshme në aktin e krijimit:
“T’bin e vet kshtu e pvet e ama: - Ç’ke, moj bi, qi kjan e fshan?
-Nanë dashtnija m’ka molisë, prandaj kjaj-o tuj qindisë!
-T’u thaftë goja, bi, ç’po thue? A kaq shpejt ti m’je tërbue?
-Jam shqiptare e bi shqyptari, e ato fjalë, nanë, s’mund t’i bari: Zemrën dysh un’s’mund e daj, m’len t’qindisi, m’len të kjaj!”
Ky dialog -amë e bijë-, shënon pikën më të lartë emocionale, shqetësimin e nënës dhe dashurinë e brendshme së bijës, e cila duke qëndisur flamurin kuq e zi, kërkonte të ngrejë lart, kulturën e identitetit kombëtar, madhëron skenën e interpretimit të gjendjes shpirtërore-artistike të fjalës së madhe. Të ndjenjës më të rëndësishme në këtë poezi, ndërtuar me gjetjen e imagjinatës së dialogut nënë e bijë. Shqetësimi i saj nuk e ndaloi dashurinë e së bijës, edhe pse fryma e fundit depërtoi si rreze e artë mbi pëlhurën e qëndisur, që do ta mbështillte trupin e pajetë të vajzës, simbol i përjetësisë së kombit shqiptar.
Se ç’e gjet të zezën nanë, / nën kët diell e nën kët hanë! / Merr pëlhurën, qi pat enë / bija e sajë, kishte pas kenë: / Kuq e Zi e m’të qindis/ gjet dashnin qi e kisht’ molisë./ Për rreth shqypje, m’dorë prarua / Fjalët e hershme, fjalët e të parëve: / Se Shqipnia asht e Shqyptarëve”.

Pikërisht, këtu është dashuria më e fortë, e qëndrueshme, dashuria e ëndërruar e bijës, e cila, pasionin e idealit të madh e realizoi, duke sfiduar dhimbjen e trupit, përmes dritës hyjnore. Këto efekte artistike, shoqërohen me emocione të fuqishme, duke shënuar një përputhje uniteti me gjetjen e fabulës poetike, staturën artistike, “lojën” brilante të personazheve dhe finalizimin e përsosur interpretativ të autorit, kur gjëmon:
“Lidhniu tok, si bashin motit/ ato bijat e Kastriotit, / e broh’ritni n’gzim e n’vajë: / Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i saj”.
Ky është shpërthimi më i fuqishëm i gjendjes së poetit, gjatë deklamimit ligjërues në mbyllje të misionit të tij, i idealeve të poetit patriot, qytetar e fetar.
Shpresoj që krijimtaria e V. Prennushit, si sovran i letrave të zero vendin që meriton, pasi në çdo vend të botës, këtyre modeleve të papërsëritshëm në llojin e vet, iu kushtohen buste mermeri, si kult i fjalës, me ideale të shenjta kombëtare. Po e përfundoj mendimin tim me një sentencë të artë të Naim Frashërit: “Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar!” Kjo thënie vlen një qind për qind edhe për poetin Prennushi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora