E premte, 19.04.2024, 04:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Zef Mulaj

E merkure, 01.10.2014, 06:26 PM


Poezi shqipe nga Italia

 

Zef Mulaj

 

MALET E FËMIJËRISË SIME

 

Atje larg

Deri në kupën e qiellit

Kreshpat e tyre shkojnë.

Mbi to dielli derdhet si ar.

 

NË KRAHËT E ERËS

 

Ecën si era,

Të pa fajshme pemët

I merr përpara.

Vrapon, nuk din ku shkon.

I mjafton udhën të shkeli.

Në hapat e tij

Si fijet e një mendimi

Kur humbim koshiencën...

Vrapojnë të tjerë.

Në fërkemat e tij

Me thonj grryejnë,

Kalanë e hutimit

Nisin ta ndërtojnë

E fjalët në krahët erës

I fluturojnë...

 

POETI

 

I mbeten vargjet

Si lule pa ujë e diell.

Në mendje ia ngrinë.

Në heshtje i këndonte

Ia lexonin në sy njerëzit,

Mbi ëndrrat i binte shi

Shpirti i lagur,

Burgosur në poezi.

Shikonte larg larg

Tymnajën...

 

KA SKADUAR KOHA

 

Akrepat e orës

Era i lëviz

Në horizont.

Njeriu në heshtje.

Orët flejnë.

Koha ka skaduar.

Një ditë e re do vijë.

Me shekullin

Ngarkur në shpinë

Në të vjetrin kalë.

Akrepat e orëve varë

Koha do t'i shtyjë.

 

EJANI TË SHKOJMË

 

Atje ku fryn erë

E ftohtë...

Të thyejmë të gjitha

Dritaret e kullave

Mureve të shkruajmë emra

Njerëzish...

Që përtypin me dhëmbë

Dashuritë...

Mbi kollaret e tyre

Analiza të bëjmë.

Formula kimike

Do gjejmë.

Do zbulojmë parfume

Të reja...

Për hajdutët...

E djeshëm e të sotëm...

Ejani të shkojmë

Udhëtarët e shekullit...

 

SY HAPUR

 

Sytë nuk do t'i mbyllë.

Hapur në përjetësi

Do t'i mbajë

Të shohin kohët

Se si shkojnë e vijnë.

Edhe në gjumë

Mbi krevatin

Pa dhomë

Pa tavan

Në mes të hapësirës

Pa fund

Sytë hapur

Si lypsarë

Në udhëkryqe...

 

EDHE DIELLIN

 

Edhe diellin e kanë blerë,

Dhe hënës rrezet ia kanë marrë.

Ulërima orkestrojnë planetet...

Në kërkim të diellit

Vrapojnë...

Dhe hënës ia fshehin sytë

Në natën e errët...

E pastaj stuhia nis të bjerë.

Ti shet diellin

Atë frymë të Universit

Njeriut që është pjesë

E diellit...

Ndaj ulërimat i orkestrojnë

Planetet...

 

NJË POEZI E NDALUAR

 

Ia lexova shpirtin

Në dy vargje

Mbetur në sy...

Atë ditë kur u nda

Luani me diellin

Dhe me fjalën

Me ëndrrën

Dhe dashurinë.

Atë ditë një rreze dielli

Iu bë kurorë,

U shkulën dhe yjet

E hëna u bë nuse e poetit

Përgjithmonë...

 

MOS HESHT...

 

Kur pemët era i rrëzon,

Zjarri djeg livadhet

Plot blerim.

Kur heshtin

Nga era e furtunës

Mbi kollaret e tyre

Erë kundërmon...

 

E PASHË ATË DITË

 

Fjala e urtë

E fortë si guri...

Flakë ndizej,

Bëhej e kuqe

Si flamuri.

E pashë atë ditë

Kur tokën mëmë

E preku.

Në buzëqeshje

Kishte dhembjen

Për fëmijët që

Do të lindnin...

Me cilën gjuhë do të flasin

Fëmijët që do lindin?

Të gurit apo të atomit?

Ecën kali i vjetër

Ngarkuar, ngarkuar

Me heshtjen dhe zjarrin

Në shpinën e kërrusur

Të shekullit tim.

Në ditarin tim...

 

MBETUR TEK JU

(Vendlindja ime)

 

Sa herë në rrugë dal

Ju kërkoj,

Sa herë hap dritaren

Ju mendoj.

Shikimin e nisi

Nëpër rrugë të pafundme

Mbështjellë në pikën e lotit,

E kthyer në det malli

Për gurin, arën, pemët

Për shkëmbin bukurosh

E krenar...

Më njomen sytë

Mbyll dritaren.

Sa herë buzëqesh

Mbi ty i ndez yjet.

Sa herë pi ujë

Kroni më del në ëndërr.

Në cicërimën e zogjve

Në malet bashkoj këngën.

Sa herë të mendoj

Një afsh përmallimi

Ma përshkon zemrën.

 

YJET KURORË

(Shkodrës)

 

Rrënjë lisash mbi dhe

E gurë,

Kockat e kohëve mbështjellë

Me ngjyrën e syve Tu

Të përjashtuar nga dielli

I stinëve lakuriq

Përtej horizonteve të mjegulluara.

Stuhi, stuhi,

Mbi shpirtërat e lagur

Të përgjumur në fraza narkotike

Duke derdhur fermente

Të nxehta katalitike

Në frymëmarrjet e lodhura.

Brohoritja shpon tejpërtej

Fytyra të zverdhura

Nën rrënjët e lisave

Mbi gërmadha.

O Shkodërlocja ime

Më dhemb shpirti

Sytë nuk të shohin

Ty...

E mbytur në ujë

Ti...

Nusja më e bukur

E të gjitha kohëve.

Dasmorët e Tu

Emrat i kanë nëpër Yje

Dhe yjet, përherë kurora

Do jenë mbi Ty...



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora