E merkure, 19.06.2019, 04:15 AM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Nusen me franga e mori ''vëllai'' i madh

E merkure, 01.10.2014, 08:30 PM


NUSEN ME GJITHË FRANGA ARI

E MORI “VËLLAI” I MADH

NAG KALOSH ÇELIKU

Shqiptarët, ende vazhdojnë të shpallin “Ilirida” nëpër katunde, qytete e Facebook. Vite më parë e shpallën edhe me referendum në Gostivar. “Guxim”, pas një kohe morën ta shpallin edhe në Tetovë. Armët i nxorrën nga brezi kësaj radhe, e shpallën për së treti herë te “Kali’ i dudumëve. Qytetin e qyqeve, ku Xhaxhi Kuqezi gjatë një fushate parazgjedhore hipur mbi një karrocë hamalli me megafon e shpalli “Shqiprinë Etnike”.

Përçudi, shqiptarët ende merren me lugët dhe enët. Shtëpinë ia kanë lënë “Vëllait të Madh”. Punemadhe, që e djegin edhe letrën e fundit në këtë lojë politike (“pishpirik”). “Xhandarët” i nxjerrin jashtë loje si bixhozxhi në Kazino. Fatin e zgjidhjes së Çështjes shqiptare e kanë vënë mbi tavolinë. Nguten, kush i pari të shpallë nga një shtet shqiptar në katund. Sot për sot, nesër do të nisin të shpallin “republika shqiptare” edhe nëpër lagje.

Merreni me mend, sikur Nevzat Halili me shokë të shpallte Shqipëri Etnike, para këmbëve të Skënderbeut?! Sheshi nuk do t’i nxente shqiptarët. E gjithë IRJ e Maqedonisë do të ngrihej më këmbë. “Vëllezërit”, gurë e dru do të hidhnin mbi shqiptarët se, nuk janë për “vëllazërim – bashkim” (bashkëjetesë). Policinë e Shtetit të “përbashkët” do ta nxirrnin në rrugë me shkopinj gome, armë të lehta e autoblinda.

Ilirida në Sheshin “Skënderbeu” u shpallë “republikë” pa asnjë polic me njëzetë – tridhjetë veta. Çfarë republike është kjo xhadi, ku nuk shkrepet së paku një fishek në ajër, nuk derdhet një pikë gjaku në fushën e mejdanit?! Ngjarje e këtillë historike, nuk ka ndodhur as në kohën e Turqisë, kur nga ballkoni në Vlorë e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë Ismail Qemali. Ilirida, sot shpallet para këmbëve të Kalit të  Skënderbeut pa luftë para kamerave televizive. Tekefundit, Kryetari i Iliridës të kishte hipur në një karrige. Burrit të botës së paku t’i kishin dhënë një megafon në dorë ta dëgjonte edhe Dudumi, në xhami. “Namazin” ta braktiste përgjysmë, thirrjes të Kryetarit të Iliridës t’i bashkoheshte me “xhematë për Vatan, Din e Iman”. Nuk  kërkojmë “salltanate” me lodra si e gjithë bota, që ”Republika e Iliridës” të shpallet nëpër institucionet e Shtetit të “përbashkët” (Kuvend). Ose, siç thoshte Xha Cuti, kur e pyesnim ne hutaçët: pse nuk martohet, nuk e merr një grua në shtëpi?! Përgjigjen na e kthente plumb: shkaku se, kur u martua vëllai im me dasëm, edhe unë dhashë pak pare, kam hise. Njëjtë si me Pavarësinë e Shtetit të “përbashkët”, në Amerikë. Shqiptarët, vërtetë dhanë para me thasë, por mbetën pa grua. “Vëllai” i Madh e mori Nusen me gjithë franga ari dhe e futi në dhomë, Vëllain e vogël e la pas dere me gishta në gojë.

Gjysëm ore më vonë, pasi organizatorët e shpallën “Republikën e Iliridës” dhe u fotografuan krah për krahu para kamerave televizive, dolën dy policë nga qendra tregtare “Mavrovasja” dhe kaluan aty pari mos kanë hudhur “patriotët kuqezi” ndonjë pankartë ose letër të farave e kikirikave. Asnjë gjurmë nga “Republika e Ilirdës” para këmbëve të Kalit të Skënderbeut mes parkingut të makinave.

Shqiptarët, vërtetë janë të “dhunshëm” në protestat qytetare, ama në shpalljen e “republikave” janë paqësor, mos them pula. Nuk ua prishin qetësinë dhe rehatinë “vëllezërve” të Njerkës. “Vëllazërim - bashkimin” e kalitur tradicional, që nga koha e “artë” komuniste. Rrugës për në shtëpi, nuk shkulën asnjë dru, nuk shkelën asnjë lule, nuk kapërdisën asnjë kontenier bërlloku, nuk thyen asnjë xham. Gurë nuk hudhën as tek selia e BDI –së, në Serovë e as te Komuna e Çairit.

Porosia e “vëllezërve”: O shqiptarë, dilni sa herë të doni dhe shpallni republika nëpër katunde e Facebook! Kufirin e dini, deri te “Mavrovasja”. Asnjë ferrë nuk do t’ju hyjë në këmbë. Mund të dënoheni për thyerjen e xhamave të Gjygjit me katër vjet burg dhe me mjete materiale, por jo edhe për shpalljen e “Republikës së Iliridës”.

Punë tjetër është ajo se, nëse e shpallni Shqipëri Etnike, ku do të përfundoni si “patriotë kuqezi”. Dihet, në burgun e Idrizovës. Ndoshta atje, do të mësoni edhe ndonjë zanat, merrni një diplomë universitare. Kutadish, ndoshta dilni si kuadër i ri i partive politike me përvojë pune disavjeçare. Rrufjanë me përgaditje të lartë akademike - policore. Ose, deputetë të popullit. Boksierë të kategorisë së rëndë, që kur të dilni në ring (Kuvend), nokautoni vëllain për një post në Qeveri, një torbë taxhi përqafe.

Dhe, do të mirreni gjithë jetën me “gjykime penale” se, gjoja e keni rrezikuar Shtetin e “përbashkët”. Në Kuvend, jeni mbytur si qentë, përderisa “vëllezërit” u bijnë duarve dhe bëjnë Shtet, ju u mjafton një asht i hedhur në Qeveri. Herë pas here, u nxjerrin në rrugë me proçese të montuar e provokime policore. Nuk i djegin duart, kur i kanë mashat shqiptare në mesin tuaj familjar e parti politike. Kohën e fundit, “vëllezërit” e kanë ndërruar edhe metodën dhe stilin e provokimeve politike. Përmendore u ngrejnë në Shkup pa emra e mbiemra. E, këndej në anën tjetër ua ndërsejnë këlyshët e tyre me zgjebe duke i shpallur si përmendore shqiptare. Rasti i fundit me përmendoren e Nexhat Agollit, aqsa është ironik, është edhe tragjik për një popull historik. Grep të cilin e gëlltitën pa përtrypë shqiptarët si peshku krimbin në hurdhë. Përmëtepër, edhe bëtë “selfie” me “heroin kombëtar” Sharllo Shatarov. Prapë një punë, kur emrin e tij nuk ia përplasët në ballë ndonjë shkolle shqipe, ose rruge në Bit – Pazar. Për së dyti herë e vratë Nexhat Agollin, në Shkup. Duartrokitët legalizimin e përmendores të “vëllezërve”. Edhe njëherë dëshmuam para syve të botës se sa e njohim historinë shqiptare, dëshmorët dhe heronjt kombëtar. Nuk është çudi, kështu siç e kanë nisur “vëllezërit”, që një ditë të na e hipin në kalë edhe Goce Dellçevin, t’i vënë një përkrenare në kokë dhe t’ia japin shpatën namëmadhe në dorë. Turr ne shqiptarët me të katra ta festojmë mirëseardhjen e “Skënderbeut” në Shkup për së dyti herë me mustaqet e Goce Dellçevit.

Interesant, seç ma kujtoni edhe një histori të dhimbshme të vendasëve të mi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Punëtorët që thyenin gurë me dinamit në Bigor – Dolencë të Kërçovës. Shpërthimet e njëpasnjëshme mes maleve, që i dëgjuam për sherr si gjyle të topave. Xha Deharin, që e përhapi nëpër Katund se, vjenë Shqipëria. Trimat rrëmbyen armët dhe e shkatrruan Komunën e atëhershme në Oslome, ia vunë flakën. Papritmas, hordhitë barbare të armatosura deri më dhëmbë, iu sulën fshatit si hakmarrje, i zgjodhën rreth njëzetë burra të pafajshëm dhe i masakruan në mesin e dëllnjave. Vendi edhe sot e kësaj dite, thirret “Te të vramët”. Xha Deharin, ne fëmijët kur e takonim në rrugë i thirrnim pas shpine: Xha Dehar, “Luftë du”! E, ai i zemruar me atë ngjarje shtazarake na përgjigjej: Pritni aty, he nënën e nënës t’ua tregoj qejfin plaku! Hë, plasni: “Luftë du”! Shkopin e ngrente në dorë duke bërtitur rrugës si i çmendur, na trembëte të ikim mos na zë dhe na ndiqte deri te porta, ku ne nga frika strukeshim në lëmë, pas gardhit.

Ditën e nesërme e shihnim Xha Deharin duarlidhur në mesin e dy xhandarëve drejtë stacionit të policisë, në Kërçovë. Kokat i nxirrnim pas portave dhe i jepnim guxim: Xha Dehar, “luftë du”! Plaku, kësaj radhe nuk na ndoqi me shkop, por me buzëqeshje, atë thirrjen e tij kryengritëse: “Luftë du”! Hë, plasni hutaçë! E dinte, se pasi ta fusnin në podrum dhe t’i jepnin një dru të mirë plakut, përsëri do ta lëshonin në shtëpi.

Shpallja e “rebublikave” nëpër katunde, sot sa u gjason atyre ngjarjeve historike?! Metodave dhe provokimeve policore të asaj kohe qorre. Aferave të armëve. Ngjarjeve të Bit –Pazarit. Heqjen e flamurit, në Gostivar. Rastin “Monstra”… Dje me dy sy në ballë, e sot me një sy na ndjek Qoftëlargu, siç e ndiqte dikur Ismail Qemalin historia.

Dhe, përderisa shqiptarët shpallin “Ilirida” edhe nëpër katunde, “Vëllai” i Madh e mori Nusen me gjithë franga ari përqafe në shtëpi. Vëllain e vogël e la pa hise (pasuri të tundshme) pas dere me gishta në gojë…



(Vota: 66 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT