E marte, 23.04.2024, 03:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Poetët dhe dhembja

E shtune, 27.09.2014, 07:01 PM


Poetët dhe dhembja

Nga Dr. Ilir Muharremi

Vetmia për poetin është e madhërishme sepse dhembja është më reale. Romantikët e kuptonin thellësisht këtë metodë për të nxjerrë origjinalitetin shpirtëror të tyre. Vetmia është e padurueshme, pendesa, revolta dhe mallkimi rrënjosen thellësisht. Të gjithë poetët kanë folur për dhembjen, nuk e kanë tejkaluar asnjëherë, pos me satirë, komedi dhe parodi. Asgjë nuk ndryshon nga ajo që është, vërtitet kah hiçi, poeti këmbëngul duke shpërfaq krenarinë. Poeti rrokullisë shpatat drejt hiçit duke rrënuar vetveten. Kjo e keqe nuk posedon ilaç pos konfliktit shpirtëror metafizik. Nga dhimbja bëhemi poet, mendojmë dhe para se të mendojmë ndjemë, edhe para se të ndjejmë na dhemb. Dhimbja është sfidë, luftë, pushkatim për poetin vetmitar i cili kur sfidon është fitimtar, prapë i kthehet vetes sepse erdhi nga vetja për të vazhduar me veten. Poezia si ngjyra kanë të njëjtin burim, por jo të njëjtin realizim. Të dyja fërkohen rreth shpirtit i cili lozë lojën e artit, shtytjes dhe vazhdimit. Poezia rrjedh nga ekzistenca, është ekzistenca, por sheh realen, prapë më e mirë është ajo që nuk lidhet me realen, sepse imagjinata tejkalon dhe shkon në abstraksion. Një poet i dehur si Bodleri apo si Bukoëski, kulminuan realitetin e ekzistencës asgjë më shumë.   “Ca thonë që duhet të mbajmë ca keqardhje në vetvete nga poezia, të qëndrojmë abstraktë, dhe ka ca kuptim kjo, por Jezus: dymbëdhjetë poezi më ikën dhe unë nuk ruaj kopje dhe ke pikturat e mia, më të mirat; është mbytëse: po përpiqesh të më shkatërrosh si të tjerët?”. Parodike, e thjeshtë, abstrakte, e joshur nga zemra e pa kufizuar, por e shkruar sepse është poezi. Poezia si shkruhet ndalon shpirtin. Këtu shpirti ndeshet me kufirin. Po të mos ishte shkruar kishin me ikur sikur apostuj e Jezusit që marrin formën Bukoëski. Oaza me e thellë është dhimbja, sepse vetëm ajo ekziston. Bota është dhimbje, në momentin kur lindim e ndjejmë. Lindim me këtë ndjenjë, prandaj edhe e kuptojmë. Kuptimi orvatet por jo tamam si duhet. Poeti shkruan të ndjehet mirë, me qëllim të tejkalimit të së keqes.  “Nuk e di sa shishe birrë kam pirë në pritje që gjërat të bëheshin më mirë”, thërret Bukoëski nën ndikimin e Bodlerit. Dehja fuqizon harrimin dhe ngritë lirinë e fjalës, liria është magjike për një poet, i cili kërkon frymëzimin esëll, por ai i dehur e zë menjëherë, sepse fuqizohet me shpirtin, në fakt shpirti mbetet tek vetja për të tjerët. Vetja buron nga hiri për hirin. “Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël për dhimbjet e tua për shtatë plagët e tua për ditët, për netët e tua plot klithje. spitali tepër i vogël i vogël tepër spitali”, rënkon Podrimja përsëritjen e vargjeve nën dhimbjet e djalit Lumi i cili pret tejkalimin dhe vdekjen si panjohuri ose shpërndarëse e së keqes ndaj interpretuesit e botës. Podrimja dergjet mbi dhimbje, Lumi pret vdekjen, lirinë, festën e Nietzches. Poezia kënaqet me dhimbjen, poetin e bënë rrëfyes ndaj jetës, kujtues dhe pendues për atë se çfarë ka bërë. Asgjë nuk mund të ndryshon me këtë. Janë vetëm fjalë. “Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta dhe çdo fund është tragjik.” Thellësia nuk e do kufirin e së vërtetës objektive, thellësia është për veten sikurse Lumi. Shpirti dhe fjala, shpirti pa fjalën ndjehet i ofenduar sepse nuk ka identitet. “Asgjë nuk do të ndryshoj” thotë Miltoni. E vërtetë, sepse gjithmonë ishte dhe është. A nuk triumfon absolutizmi i cili nuk gjen fare thyerje. Çdo poet përpiqet të gjej ekzistencën e vet duke e rigjetur në fytyrat e përditshmes. Pasqyrat reflektojnë veten e tij. Çdo pasqyrë kë errësimin dhe dhimbjen e shpejt, ngaqë vërtitet me të vërtetën, mendja e njeriut rrjedh nga kufizimet, kjo ka rëndësi. Ajo thumbohet nga ngacmimi për të vazhduar pandërprerë qëllimet. Podrimja dërgon dhimbjen kah përsosja, ai lozë jetën e tij sepse nuk mund ta jetojë. “E di vetëm se vuajtja ekziston”, thotë Camusi përtej logjikës.  Dhe më tej: “Se nuk ka fajtorë, se gjithçka lidhet zinxhirë, kalon dhe baraspeshohet”. Gjithçka brenda pafajësisë së vetvetes si një hierarki e balancuar. Dikush vdes për të lindur një i ri dhe më tej....

Poezia lind kur dhimbja dhe revolta zaptojnë mendjen. Por, duhet që mendja t’i takojë të dyja. Më e fuqishme është kur dhembja krijohet kur mbyllim sytë me dashjen tonë, me qëllim të përhumbjes mendore. Prapë mendja i reziston përmes vargut. “Përditë shoh qartë e më qartë. Dhe vuej thellë e më thellë.”  thoshte Migjeni nënë dëshpërimin që nuk e humb qartësinë. Ky agim i mendjes ngritë dritën e bardhë të papërlyer që vizaton çdo emocion të inteligjencës. Poeti më parë zgjedh shkatërrimin dhe apokalipsin se rregullimin e mundur në një botë çfarë është momentalisht. Poeti revoltohet kundër padrejtësisë që i bëhet ndaj vetvetes dhe në esencë njeriut. Atëherë, ai shtyn vargun përpara në formë të përjetshme kryengritëse. “Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme /të cilat ende vuejtja as gëzimi s'i nxori / të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme /me shpërthye, m'u këndue pa frigë e pa zori.” - Migjeni. Poeti është i lindur për t’u sakrifikuar.”Vetë shkrimtari,­ thotë Kafka­, është arti i flijimit”. Migjeni orvatet të bëhet i zëshëm ndaj thirrjes së qenies e cila shterohet në themel. Prirja e tij skllavërore ndaj vuajtjes shpirtërore zgjerohet në botën tonë. Këtu thellësia është identike.

Poezitë e Verlenit gjithmonë janë melankolike dhe tepër sentimentale dëgjohet qartë britma e dëshpërimit, dhembja e një shpirti të ndjeshëm dhe të butë, që ka etje për dritë, që ka etje për pastërti, që kërkon zotin dhe nuk e gjen, që përpiqet t’i dashurojë njerëzit dhe nuk mund. Të zhytesh në këtë siguri pa themel, do të ndjehesh i huaj për botën individuale. Parimi i çlirimit gjendet në dashurinë të cilën përpiqet Verleni ta bëjë për njerëzit. Kjo pavarësi nuk e tërheq përjetësinë, por iluzionin e lirisë tek te cila të gjithë ndaleshin me vdekjen. Te poeti vdekja sikur nuk ekziston, por është dhimbje reale e të ekzistuarit përjetësisht. Jeta në këtë univers nuk ka ndonjë kuptim, apo pasionin e shterimit të gjithçkaje që ekziston. Poeti e di që i është dhënë fytyra e jetës , por nuk i përshtatet. Kërkon të tjerët t’i përshtaten  vargut të tij. Të tjerët kërkojnë shkallëzim vlerash të ngjashme me ato të përjetuara. Të ndajnë fatin me të mbi ngjashmërinë, dhe nëse poeti rrumbullakon universin në një poezi, atëherë ka bërë mrekullinë e përshtatjes dhe përjetimit, në radhë të parë përjetimit. E rëndësishme është ajo çfarë ndjejmë. Poeti Edgar Allan Poe mohon çdo gjë njerëzore e tokësore duke zhyt imagjinatën në dhembjen, imagjinata merr nga dhembja aq sa i duket e vërtetë. Atëherë, përse Poe, mohon çdo gjë njerëzore derisa rrugës merr vete çdo nuancë. Tek “Korbi” obsesioni i vërtetë për  vdekjen nga e cila vuajmë dhe përpiqemi t’i ikim me të jetuarit, ngritë pendesë dhe revoltën për poetin. Ai nuk e largoi vdekjen, por e vuajti. “A do shoh n’ Eden të shenjtë /Vajzën a do kap të shtrenjtë/Q’i thon’ Engjëjt Lenorë /Vajz’ e rrallë dhe rezore /Q’ i thon’ Engjëjt Lenorë? /Thotë Korbi: “Kurrë më.””

Akomodohej me dhimbjen duke vrarë shpirtin. Pastaj lindi vargu. “Një vepër arti është diçka natyrale dhe jo fizike” thotë kryelarti Pol Gogen. Natyrale sepse është një gjendje e qenies njerëzore nga e cila mund të vuaj ose të akomodohet me të vërtetën. Në poezi përveç refuzimit ka edhe pranim dhe afirmimi i shëmtisë totale nuk mund të bëhet. Poeti refuzon realen e dhimbshme, por në të njëjtën kohë lartëson disa aspekte të saj. Shpirti i poetit nuk është i paanshëm. Kjo nënkupton jetën dhe vdekjen. Poeti vuan nga vdekja, por mallkon jetën sepse dëshpërohet nga vdekja. Atëherë, duhet të dëgjohet klithma e shpirtit “Të mos jesh asgjë”. Një vetëvrasje vetanake. Shpirti kupton këtë teori dhe praktikë, por mendja nuk ka gjuhë ta konkretizoj asgjënë. Shpirti nuk duhet ta vrasë mendjen, por ta ndjej dhimbjen, revoltën dhe pendesën. Tingujt do të dëgjohen sepse rrjedhin nga pamundësitë e ekstremitetit zinxhiror të dhembshurisë në vetvete.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora