E enjte, 18.04.2024, 02:36 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Kur Papa Françesku erdhi në Tiranë...

E shtune, 27.09.2014, 07:35 PM


Kur Papa Françesku erdhi në Tiranë...

Nga Entela Binjaku

Për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë opinioni shqiptar mësoi në mesin e muajit qershor. Lajmi se personaliteti më i lartë i botës katolike, një  figurë me ndikim botëror, një autoritet i zgjedhur si “Njeriu i vitit” nga mediat më prestigjoze të botës, i gjendur në kopertinat e revistave të autoritetit ndërkombëtar për stilin, karizmën, personalitetin social, do të vizitonte  kryeqendrën shqiptare,  përbënte thuajse një befasi të madhe. Kur kishte vetëm 1 vit e gjysmë në detyrë, ende pa vizituar ndonjë destinacion evropian,  ishte e pabesueshme të mendoje se Papa i Vatikanit do të përfshinte në kalendar vizitën në Shqipëri  ku popullsia mbizotëruese nuk është as e besimit katolik.

Pas befasisë së lajmit të jashtëzakonshëm, në javët që pasuan,  opinioni publik  “u bombardua” nga  mjetet e  komunikimit masiv me pamje dhe komente për çdo pllakë e mur që pastrohej, për çdo pemë që mbillej, një shatërvan që largohej, reklama buzë rrugësh që zhvendoseshin, duke përcjellë një transparencë punësh publike, ndjesinë e së cilës qytetarët shqiptarë kishin harruar edhe ta pretendonin. Zhvatja  për vite të tëra nga taksat e qytetarëve dhe varfërimi i përvitshëm i familjeve shqiptare, me qëllimin e kryerjes së punëve të pakryera publike, ka krijuar bindjen se “kur janë në pushtet,  të gjithë vjedhin” bashkë me pesimizmin që përhap  një psikozë e tillë.

Rregullimet për këtë rast ishin mbresëlënëse dhe të dukshme, sic edhe ndodh në kulturën shqiptare “cdo herë që presim mysafirë në shtëpi”.  Përmes pathosit mediatik, opinioni mori tërthorazi edhe mesazhet  se po të ketë vullnet  “punët bëhen”,  se ka ndryshime që arrihen edhe në një kohë të shkurtër, duke nënkuptuar se qytetarët vetë e miratojnë përdorimin e taksave që paguajnë, kur janë në dijeni të mënyrës së përdorimit dhe kur puna që thuhet se po bëhet me to, është e dukshme dhe e prekshme.

I inauguruar  në 19 marsin e vitit 2013, Papa  Francesku vendosi të vizitonte vendin tonë  këtë fillim  vjeshte sepse  sic e pohoi edhe Ai  vetë “kishte mesazhe për të dhënë”. Ai vinte në një vend që kishte vuajtur shumë dhe dëshironte që të gjitha mediat e botës,  të nesërmen e vizitës së tij, të shkruanin vetëm për Shqipërinë, për këtë vend ku kishte njerëz që ishin martirizuar dhe ndëshkuar sepse nuk i ishin ndarë besimit.

Mbrëmja para vizitës së Papës në Tiranë ishte elektrizuese. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” kishte marrë një pamje që nuk e kishte parë ndonjëherë në këto dy dekada: pa makina, pa zhurmë, mbushur me njerëz te qetë,  prindër e fëmijë që shëtisnin, monitorë të mëdhenj në të dy krahët, rruga dekoruar në atë mënyrë që tregonte vendosjen e njerëzve sipas një rregulli. Kurioziteti i orientonte të gjithë drejt  “Korpusit”, ku  fotografonin dhe fotografoheshin para podiumit ku të nesërmen do të mbahej mesha e shenjtë,  karrige të zeza që vendosesin mbi një tapet të kuq, të huaj që flisnin gjuhë të ndryshme etj. grupe të rinjsh që këndonin diku ulur sëbashku, kamera dhe gazetarë që  mbanin logo nga më të njohurat etj. Në bulevardin  pa makina, mes njerëzve të ndryshëm, dukshëm shfaqej  edhe kryeministri.

E nesërmja e 21 shtatorit ishte një ditë e rëndëishme.  Falë medias u mësua se rreth orës 7.30 Papa Françesku ishte nisur drejt Tiranës. Kur avioni mbërriti në Rinas, për  disa minuta fryma ishte  pezull derisa dera u hap dhe Papa u shfaq në krye të shkallëve. Ishte kaq emocionuese të shihje se një vizitor i rrallë kishte ardhur në vendin tënd, edhe pse ende nuk ishte kuptuar se me ardhjen e tij, njëkohësisht e  kishte vendosur atë  në qëndër të vëmendjes së botës. Ishte emocionuese të shihje se ajo që tre muaj më pare  dukej  e pabesueshme,  ishte tashmë realitet. Papa Francesku i dha 21 shtatorit të njëjtën vlerë për mbarë  shqiptarët: vëmendjen e botës tek mikpritja shqiptare, një  virtyt që e ka lartësuar shqiptarinë.  Falë pranisë aq të madhe të mediave, mesazhet e sakrifikimit në diktaturë i përcilleshin botës sëbashku me ato të të bashkëjetuarit tek shqiptarët pavarësisht se  i përkasin besimeve të ndryshme.

Edhe pse aspirata mbarëqytetare është mirëqënia personale dhe familjare, jeta në Shqipëri është shumë e vështirë. Çdo aspekt i saj, shpirtëror dhe material është një sakrificë më vete.

Mbërritja në standardet evropiane të jetës është vështirësuar aq shumë saqë shpesh duke mos ditur se ku ta gjesh më  shpjegimin për këtë, bën fajtor, me pa të drejtë, vendin ku ke lindur.

Në 21 shtator shqiptarët në mbarë vendin treguan një qetësi të admirueshme, rend e rregull, mirëkuptim për çdo kufizim që ju kërkua, dolën lirisht në rrugë pa imponim e pa dhunë, qëndruan  të palodhur me orë të tëra në këmbë, fotografonin pa fund, duartrokisnin gjatë meshës, i qëndruan shiut dhe treguan një dashuri njerëzore të atillë, që të mbushte me besim. Me mijra njerëz kishin udhëtuar në orët e para të mëngjesit nga qytete të ndryshme të vendit, shumë të tjerë kishin sakrifikuar edhe ato pak para që marrin,  për të blerë një biletë autobuzi drejt Tiranës, të lirë dhe të organizuar njëkohësisht, ata vinin drejt Tiranës në vullnetin e tyre të plotë. Shumë shqiptarë kishin udhëtuar më mijra km që atë të ditë të gjendeshin në Tiranë.

E kam përjetuar shumë emocionalisht këtë vizitë. Jo vetëm sepse dëshiroja shumë që Papa të vizitonte njëherë vendin tonë, por edhe sepse kisha nevojë të besoja se një vizitë e tillë do të shërbente si një ogur i mirë për  të gjithë ne shqiptarët. Ishte emocionuese sesi njerëzit kishin mbushur sheshin e Tiranës pa qënë nevoja të nxiteshin apo detyroheshin nga partitë politike,  pa u depersonalizuar nga përdorimi politik;  ishte mbresëlënëse të shije ata prindër që në këtë dalje masive shoqëroheshin nga fëmijët, sic në asnjë rast nuk kishte ndodhur; ndërkohë që ishte prekëse të shihje sesi një grua nisi të qajë sepse në castin kur arriti në bulevard, Papa sapo kishte mbyllur daljen në mes njerëzve.

Por pashë aq shumë varfëri ndër ta, sa nuk mund të mos prekesha ndërsa kuptoja se për atë gjendje,  nuk ishte faji i  vvendit e as i njerëzve, por ngritja e reduktuar kulturore, që na kishte ndëshkuar të gjithëve.

Jam e bindur se për vizitën e Papës në Tiranë çdo shqiptar ka një përjetim personal,  të heshtur apo të  shprehur, duke qenë  apo jo atë ditë në sheshin “Tereza”. Pavarësisht përkatësisë  fetare, pëvarësisht  besimit apo jo në fe,  ardhja e Papës  në Shqipëri ishte vizitë në çdo shtëpi shqiptarësh.

Disa shkruajnë për të. Sot, kur  ka kaluar një javë nga ajo vizitë, ndjesitë mbeten të njëjta: emocion, besim dhe shpresë!



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora