Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pasurinë nuk e bën karta: e bën puna

| E diele, 10.06.2007, 06:21 PM |


Këto janë dy shkrime, që përballin direkt interesat e përditshmërisë së shqiptarëve edhe në ditët tona. As më shumë e as më pak, janë shkruar nga dy prej personaliteteve më të spikatura të jetës shoqërore-politike shqiptare dhe me një akses shumë të madh në trashëgiminë kulturore kombëtare

Faik Konica

Në këtë punë të “lekave” ka disa gjëra që s’jam i zoti t’i marr vesh as pakë. Fjala vjen, na thonë se, me të shtypur të “lekave”, Shteti do t’i afirmojë sovranitetin e tij faqe botës. Nga kjo kuptohet që, në mendje të Shqipëtarëve çdo Shtet duhet të ketë kart-monedhë, dhe që këtë privilegj të bukur (ah sa të bukur) e kanë vetëm Shtetet indipendente. Po ky mendim është plotësisht i lajthitur. Ka Shtete të lira, si Republika e Panamasë, që s’kanë asnjë biletë banke; nga tjatra anë, ka koloni britanike dhe frënge që përdorin monedhë fiduciare të veçantë. Nuk është një nder për një Shtet, të ri a të vjetër, të shtypë kart-monedhë: po nesër do të jetë një çnderim, kur një Shtet, pa borxhe dhe me pasuri latente që pret të nxirret, të ketë bileta banke pa nonjë fuqi blerëse fare. Në dëshëron me të vërtet’ Shqipëria të ketë monedhën e saj si një akt sovraniteti, od të kish bërë shumë mirë ato dollarë që mori nga Amerika t’i kish dërguar në Paris a në London ku, me një komision të vogël, mund të ktheheshin në “napolone” ari me fytyrën dhe emërin e Shqipërisë: dhe ashtu do të ndodheshin sot në pjacë para Shqipërie.
Një tjatër gjë që s’më hyn dot në kokë, është kjo: Guverna, faqe “lekave” prej karte, do të lërë në banka të huaja 3.000.000 franga ar, të cilat do t’a mbulojnë “100 për 100” monedhën fiduciare t’onën. Po këtu na del përpara një dilemë: ose Guverna s’do të lërë në bankat e huaja aqë ar sa ka për të shtypur kartë, dhe ahere gënjen popullin; ose do t’bankojë me të vërtet’ 100 për 100 flori, dhe ahere bën një marrëzi, se në vënt që t’u japë të huajve arin e saj t’a punojnë me 3 a 4 për qint, pse të mos e mbajë në vënt dhe të bëjë ndonjë punë publike të dobishme dhe pjellëse, e cila të japë ndofta 15 për qint fitim?
T’i lëmë fjalët. E vërteta e xhveshur është që Guverna ka nevojë për para; dhe me që nuk është e zonja t’i gjejë duke krrejtur pasurinë latente që ka vëndi, hidhet në nji trik myflizesh: shtyp kartë, me shpresën që do t’forcojë popullin t’a pranojë kartën për ar, - sa do që historia është plot me katastrofet e shkakëtuara nga ky sistem i quajtur cours force ose forced paper currency; po Ekselencat e Tyre vallë a kanë zënë nonji histori serioze të popujve me dorë?
I madhi vjershëtor gjerman Goethe e ka përqeshur në një mënyrë klasike kartën-monedhë. Në pjesë të dytë të Faust-it, e shpie heroin e tij bashkë me Mefistofelesin në hobor t’Imperatorit Gjermanisë: Atje gjejnë mopskënaqësinë më çdo anë dhe kryengritjen gati të pëlcasë, se arkat e Shtetit janë të zbrazura. Mefistofelesi, që të tallet, i këshillon Kryeministrit të shtypë në copëra karte çmime, dhe t’i japë në vënt të parasë së vërtetë. kryeministri bindet, - dhe shikoni çudinë: të gjithë gëzohen, dhe nisin valet dhe këngët, gjer sa tingëllon dita e fatit, kur këto levere s’i pranon më njeri, dhe karta bëhet kartë.
Po s’duhet të dëshpërohemi; se në Shqipëri, në ka shumë analfabetë, ka dhe shumë njerës të kuptuar prej natyre. Munt që t’a shohin lajthimin e tyre dhe të qëndrojnë me kohë në buzë të greminës. Shqipëria ka mjaft reziqe dhe mundime, dhe s’është nevojë t’i shtohet dhe një tjatër: monedha fiduciare. Kriza ekonomike që mbretëron sot në Shqipëri, varfëria që e ka mbuluar vëndin, kanë shkake më të thella se mungesa e kartës-monedhë: e kanë burimin e tyre te fakti që populli harxhon, po s’fiton gjësendi. Zgjidhja është pr ate PUNA. Kur të lulëzojnë punët, do të nisë të dalë në shesh edhe ari. Bujqësia, rritja e kafshëve, industritë nacionale, të lehta për të krijuar në një vënt aqë të pasur me “qymyr të bardhë”, - këto dhe jo “lekat” janë bari i shërimit.
Po që të happen punët, duhet Guverna të ketë një ekspert të mbaruar për financat dhe çështjet ekonomike, dhe atij eksperti t’i vënë nënë urdhër nj’a dhjetë milionë dollarë. Kyçi i shpëtimit është pra, në një hua. Po hua nuk i jep njeri një Shteti që s’ka stabilitet. Sa kohë Parlamenti përbëhet nga njerës pa patriotismë dhe pa ndërgjegjje, të cilët s’kuptojnë rëndësin’ e stabilitetit të Guvernës; sa kohë vendi duron dhe përkrah elemente të turbullta, gati të përmbysin kabinetin për një ambicje personale ose për një kockë që u-hedhin armiqtë, - jo 10.000.000 dollarë, po një kacidhe hua nuk i japin Shqipërisë. Në një fjalim që Peshkop Noli, ahere ministr’ i punëve të jashtme, pati me korrespondentin e Chicago Daily Neës-it, Zotin Moërer, deputeti ynë i tha Amerikanit se Shqipëria është gati të japë gjithë koncesjet e munudra, të vërë peng gjithë pyjtë dhe metalet e saj, pot ë gjejë një hua të madhe. Mirë po pjacat e Neë York-ut dhe të London-it, të vetëmat ku munt të hapet sot një hua, duan përveç koncesjeve edhe një gjë tjatër: duan stabilitetin, i cili për ta është kryegarantia dhe të cilin mjerisht Shqipëria s’duket e zonja t’ua japë.

ABC