Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Meri Lalaj: Kur takohesh me poetë

| E shtune, 27.09.2014, 07:13 PM |


Kur takohesh me poetë

Nga Meri Lalaj

Unë isha ulur tek një lokal për të pirë kafe me mikun tim Përparim Hysi. Drejt nesh erdhi dhe na takoi një mik i Përparimit, Dhori Thanasi. Ai nxori nga xhepi një libër me poezi dhe ia dhuroi Përparimit në ballinën e tij lexova “Dënesa në qiell”. Libri më bëri përshtypje sepse kishte një format të këndshëm të vogël e të thjeshtë, nga ata libra që mund t’i marrësh kudo me vete. Pasi biseduam pak ai pyeti nëse unë lexoja libra dhe më dhuroi librin e tij. E mora dhe e falenderova duke menduar se do t’i hidhja një sy me një të lexuar diagonal.

Kur erdha në shtëpi hapa faqen e parë dhe lexova: “Kjo faqe është për time më që mundësoi botimin e këtij vëllimi poetik.” Aty ishte vendosur edhe fotoja e nënës së autorit me veshje tradicionale të jugut. Ishte diçka shumë prekëse.  Fillova ta lexoj librin dhe nuk po ndalesha: vargjet tingëllonin, fjalët e zgjedhura me kujdes, mendimi i ngjeshur e lexoja përsënjëzaj me drithërimë: “Atdhe: / Tek ti / Isha një pemë me rrënjë në tokë / Krenar si malet / Me shtat tek retë. / Atdhe / Larg teje / Jam një gjethe në degë pa pemë / I zvetënuar si balta / Mesthyer tokës rënë.”

Por shpirti i shqetësuar i poetit nuk mund të anashkalojë ngjarje të veçanta për vendin tonë si viti 1997 apo poezia kushtuar Pavarësisë së Kosovës “17 Shkurt 2008” me vargjet: “Shkriu / Një pikë e ngrirë loti / Prej shtypjes / Prej dhembjes / Kallkanosur ndër shekuj.”

Gjatë leximit të këtij libri poetik, befasia ishte përdorimi i saktë i gjuhës shqipe nga ana gramatikore dhe drejtshkrimore (e theksoj sepse lexojmë lloj e lloj mangësish në këtë drejtim). Në këtë libër të vogël ka shumë dashuri për Shqipërinë, për njerëzit e dashur si në poezitë “Dhimbje”, “Çorapet e leshit”, “10 vjet”, “Vetmia”, “Shushatje”, “Gruas”, “Dashuri e parë”, “Njeriut të mirë”, “Dashuritë” dhe ja: “Gruas / Shkëndijë të mora, / M’u bëre DIELL, / Nuse moj! / Tani venitur / Me dritë HËNE, / Por,… ndrit njëlloj…” apo “Me dredha me ledha / Ma mbështolle trupin / Me fëshe pësh pëshe / Ma shkërmoqe turpin.”

Poezia e Dhori Thanasit rrjedh e qetë, e ngrohtë, e vërtetë nuk bërtet dhe ulëret, ai është vetvetja këndon me zërin e tij, nuk mund të them se poezia, vargjet e tij ngjajnë me dikë tjetër. Ai vargëzon ashtu siç di, por është krejt i veçantë në përdorimin bukur jo vetëm të aliteracionit për të rritur fuqinë shprehëse të vargjeve, mund të jap shembuj: “Mbi dunë në dimërishtë / Delmatari i bërë dërmak / Si dudi i fryn dudukut / Tek dërmi një copë dërrmash.” E më tej: ”Asohere akëku amësimi i atkinës u ashk…”dhe “Mes çetinave në çukajë / çërçëret një çurkajë. / Mbi çapëtirë me çuçlimë; / uji çak në çakëllimë.”

Urime për përdorimin bukur të fjalës shqipe.