Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mark Marku: “Rilindja” e Enver Hoxhës!

| E enjte, 25.09.2014, 06:26 PM |


“Rilindja” e Enver Hoxhës në tekstet e historisë

Nga Mark Marku

Imazhi viziv më mbresëlënës i vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri qe pa dyshim ekspozimi i figurave të klerikëve të martirizuar përgjatë regjimit komunist.

Shqiptarët dhe mediat ndërkombëtare u kujtuan befas për tragjedinë që kishte ndodhur në Shqipëri. Dhe ishin vetëm 40 prej tyre. Në shesh nuk ishin vendosur figurat e klerikëve të tjerë të burgosur dhe të përndjekur, nuk ishin vendosur figurat e shqiptarëve të tjerë besimtarë dhe jo besimtarë të vrarë nga regjimi komunist. Nëse do të bëhej një gjë e tillë, me siguri nuk do të mjaftonin rrugët e Shqipërisë. Dhe mirë që nuk e bëjmë një gjë të tillë, se do t’i terrorizonim fëmijët tanë. Dhe do ta kishim vështirë t’u shpjegonim se të gjithë ata i kishte vrarë një shqiptar dhe ky e kishte emrin Enver Hoxha. I kishte vrarë sepse kishin besuar, sepse kishin menduar ndryshe, se e kishin dashur Shqipërinë, se ishin të shkolluar, se kishin qenë të pasur, se kishin qenë të shquar, se kishin qenë komunistë, se kishin qenë antikomunistë, se kishin qenë miq dhe shokë të Enverit, se kishin qenë armiq të Enverit. Do ta kishin të vështirë të kuptonin se në këtë kasaphanë masive Enverit i kishin shërbyer me mijëra shqiptarë të tjerë si ai, komunistë, intelektualë, mijëra funksionarë të zellshëm të sigurimit të shtetit të shërbyer me zell nga mijëra spiunë, shqiptarë të frikësuar, të trembur, egoistë. U gjendëm ngushtë para fëmijëve tanë dhe ajo që më ka shkuar ndërmend më shumë gjatë këtyre ditëve, ka qenë pikërisht kjo: o Zot, si do t’ua shpjegojmë atyre gjithë këtë që ka ndodhur?! Dhe gjithë këto ditë më është kujtuar rasti i Gjermanisë ose, më saktë, rasti i dehitlerizimit të shoqërisë gjermane. Jo më larg se para një viti, fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” na krijoi mundësinë për një vizitë dhjetëditëshe në institucionet e kujtesës në Gjermani. Aty të krijohej mundësia të shikoje se me çfarë përgjegjësie shembullore i dëshmonin para vetes dhe botës krimet e nazizmit dhe komunizmit. Me një metodikë të shkëlqyer që vetëm gjermanët mund ta kenë, ata e kishin bërë të shkuarën e tyre ekspozitë të hapur për qytetarët e tyre dhe botës. Asgjë e fshehur, asgjë e trukuar, gjithçka e ekspozuar në mënyrë të qartë dhe totale, dhe me të vetmin qëllim: që fëmijët e tyre të mos binin më viktima të ideologjive dhe regjimeve vrastare.

Rasti i Shqipërisë të ofron një tjetër model, por këtë radhë në kuptimin negativ. Krimet e komunizmit jo vetëm që nuk janë ekspozuar para shqiptarëve dhe botës, por tashmë ato po synohen të fshihen. Madje, diktatura dhe Enver Hoxha po u kthehen si triumfatorë bash aty ku nuk duhet të jenë kurrë si të tillë: te tekstet shkollore. Prej kohësh është krijuar një komision për rishikimin e teksteve të historisë, në krye të të cilit është vënë  historiani Paskal Milo. Nga gjithë historianët shqiptarë z. Paskal Milo është shfaqur më hapur dhe publikisht disa herë me shqetësimin se shqiptarët i kanë rënë shumë në qafë Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, se janë treguar “jo objektivë” ndaj Enver Hoxhës dhe regjimit që ai ngriti, se kanë nxjerrë në pah vetëm krimet e jo edhe “arritjet” që paska pasur regjimi i Enver Hoxhës. Dhe pikërisht për ta korrigjuar këtë mungesë “objektiviteti”, është krijuar një komision që drejtohet nga një historian i Enver Hoxhës për t’i bërë tekstet shkollore “objektive”, një historian i cili një nga librat mbi të cilin ka ngritur karrierën profesionale është pamfleti i shëmtuar politik antieuropian me titull “Bashkimi Europian, projekte dhe dështime”. Që në nisje kuptohet se sa objektive do të jenë tekstet e historisë dhe sa të besueshme.

Është e kotë të themi se që në fillim projekt është i komprometuar dhe i rrezikshëm, një provokim i rëndë i kujtesës dhe vetëdijes kolektive të shoqërisë shqiptare. Që ky projekt të vazhdojë të ketë ndonjë rezultat, duhet që së pari zoti Paskal Milo të largohet nga komisioni. Nëse ai nuk largohet, tekstet “objektive” që ai do të krijojë, do të jenë një rrezik për fëmijët tanë. Madje, qysh tani dihet përmbajtja e tyre, se e ka thënë me mijëra herë Paskal Milo dhe historianë të tjerë të shqetësuar për “mosobjektivitetin” e trajtimit të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist dhe unë vetëm sa po e përmbledh për lexuesit: “Enver Hoxha bëri disa gabime dhe regjimi ishte i keq në disa drejtime, por ama Enver Hoxha udhëhoqi Lëvizjen Nacionalçlirimtare, thau kënetat, hapi shkolla, ndërtoi rrugë, uzina, fabrika, kombinate, emancipoi gratë etj. etj”. Ndërkohë nuk do të shkruhet se Enver Hoxha vrau më shumë shqiptarë se italianët apo gjermanët dhe më shumë shqiptarë se italianë dhe gjermanë; më shumë njerëz të pafajshëm se kriminelë dhe hajdutë; se shkollat mund të hapeshin shumë më të mira se ato që u hapën edhe pa një regjim gjakatar si ai; se shkollat më të mira janë në vendet demokratike; se edhe uzinat, fabrikat, rrugët, bujqësia, qytetet gjithçka do të ishin qindfish më të mira; sepse nga gjithë vendet e zhvilluara në botë në fund të viteve ’90, kur ra regjimi komunist, asnjëri prej tyre nuk ishte vend diktatorial… Ne pra e dimë si do të rishkruhet historia në tekstet shkollore të Paskal Milos dhe është irrituese. Por edhe më irrituese do të jetë nëse shqiptarët do të pranojnë ta lejojnë një gjë të tillë. Nëse qeveria nuk e heq Paskal Milon dhe historianë të tjerë enveristë nga komisionet e teksteve, unë propozoj një akt refuzues dhe akti refuzues është ky: të gjitha ata që refuzojnë që fëmijët e tyre ta njohin njeriun më gjakatar të Shqipërisë si një gjysh “që bëri disa të mira dhe disa të këqija”, tekstet e librave të historisë së Paskal Milos, t’i grumbullojmë te sheshi para Kryeministrisë, dhe t’ia lënë “në derë” Kryeministrit të vendit. Me siguri do të shohim se mali me tekste do të jetë trefish më i lartë se ndërtesa e Kryeministrisë.

Që rasti i teksteve ka një prapavijë ideologjike, kjo shihet edhe me shfaqjen e portreteve të Enver Hoxhës në aktivitetet zyrtare të qeverisë shqiptare. Në mënyrë të përsëritur, ministrat shqiptarë kanë marrë pjesë në aktivitete ku janë shfaqur portretet e Enver Hoxhës. Problemi nuk është pse ka njerëz që duan të mbajnë portretet e Enver Hoxhës, pasi të tillë ka pasur dhe do të ketë kudo dhe kurdo, por problem është pse kjo bëhet në aktivitetet zyrtare të qeverisë shqiptare. Kryeministri Rama u shpreh në një intervistë në “TV Klan” se ne nuk mund të ndalojmë individë që të mbajnë portrete të Enver Hoxhës. Gabon rëndë Kryeministri, pasi në momentin që portretet e Enver Hoxhës shfaqen pa dëshirën e organizatorëve, sipas ligjit për organizimin e aktiviteteve publike organizatorët kanë të drejtë që nëpërmjet autoriteteve policore këtë ta konsiderojnë si prishje të aktiviteteve publike dhe personat përgjegjës të shkojnë në polici. Cili prej portretmbajtësve ka shkuar në polici si prishës i një aktiviteti qeveritar, që e distancon veten nga Enver Hoxha dhe simbolika e tij?

Është vërtet trishtues dhe irritues një rikthim i tillë dhe kjo nuk mund të shpjegohet as me faktin se në pushtet është një koalicion partish të majta. E majta europiane që prej fundit të shekullit të 19-të ka bërë disa distancime të rëndësishme nga përpjekjet për t’i shndërruar lëvizjet e majta në regjime totalitare dhe vëllavrasëse, mjaft të kujtojmë distancimin e socialdemokratëve nga Marksi në fund të shekullit të 19-të, të partive të majta europiane nga krimet e Stalinit dhe të regjimeve komuniste të Europës Lindore nga mesi i shekullit të kaluar, pa harruar faktin se vetë Partia Socialiste e Shqipërisë në momentin që ka marrë këtë emër, ka bërë një distancim publik nga krimet e komunizmit dhe të Enver Hoxhës. Madje, edhe më e çuditshme është se kjo ndodh pikërisht kur në krye të PS-së është Edi Rama, i cili fillimet e veta si aktivist politik i ka pikërisht si denoncues i krimeve të Enver Hoxhës.

Mbaj mend se si zoti Rama, duke folur publikisht për akuzat që i ishin drejtuar atij se po hidhte baltë mbi Enver Hoxhën, u përgjigj se: “nuk po hedh baltë mbi Enver Hoxhën, por po heq baltën që Enver Hoxha ka

hedhur mbi gjithë popullin shqiptar”. Është e pakuptueshme se si 24 vjet pas rënies së komunizmit kjo baltë t’u rihidhet edhe një herë në fytyrë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Dhe këtë baltë që po na hidhet në fytyrë, nuk e lajnë dot as imazhet e martirëve të vendosura në bulevard për Papën dhe botën.

Panorama.com.al