E enjte, 25.04.2024, 11:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Neki Lulaj

E enjte, 18.09.2014, 07:55 PM


NEKI LULAJ

 

URTI VITI

 

Edhe vitin tjetër

Sërish do të ulemi bashkë

Mbi stolat në amfiteatrin e jetës

Sa do të gëzohen zogjtë gushëbardhë

Se ata sa vijnë fshatin e lënë pa gjumë

Ikin dhe degdisen si vetëtima

Porsi stinët e koha në fluturim

 

E ne

Fëmijë ishim dje por u burrëruam

Fëmijë u bëmë sërish pa dhëmbë në gojë

Pas një shekulli e një viti rrudhat si thatësia

Fjalët e hedhura mbi zanore

Do t’i herrim me tehun e mendjes dhe jetës

Me syza katërshe e me krrutë

Pa llogaritës pa numëratorë

 

Vitet e ikura

Do t’i përkëdhelim me tëmthat e shpirtit

Gjithë ato vite

Që kohën e bartën kaliqafë, kacavjerrë

Nëpër këmbë e nën sqetulla

Shpeshherë i ngrehëm zvarrë

Nëpër dekadat e plasaritura

Deri në vitin tjetër sa do të jemi më të vjetër

A do rrimë sërish me këta Baballarë

Nën amfiteatrin e kësulave plotë me borë

 

 

SËRISH

 

Mbi qepallat e shekullit

Le të burojë bardhësia

E një drite vezulluese qiellore

Botën le ta ndriçojë dashamirësia

Nga  strofullat e qiellit le t’fluturojnë engjëlt

Që njerëzimi paqë të kërkojë

 

Zogjtë gushëbardhë pëllumbat e paqës

Ta puthin ylberin shumë ngjyrësh

Dhe ta shëndrrisin

Mëngjesin e paqës botërore

Si rrezet e diellit të flakëruar

 

Ju do t’i shifni, ju do t’i mësoni

Sa e  bukur do të duket

Dashuria e jonë

Në vitin qe ka me ardhë .

Ku në tërë Botën të ketë Paqë

E luleve të paqës

Të gjithë erë kemi për t’u marrë

 

 

ECJES

 

Ecjes time

Ia vesha

Kostumin e kohës

E plogështinë e pyeta

Çka po do

Zogu me këngën Çame

Mbi trungun e shqiptarisë

Kërkon bashkim e drejtësi

Pa më dëgjo

 

Këto gjurmë shpirti

Nuk janë të sotme

As të djeshme

Por nxirre heshtën

Nga briri i njomë

Se nuk duroj më jo

 

Siç u lëkundën ullinjtë e Arbrit

Gjethet dhe lisat e pyllit

Toka vetëtoi

Pas gjëmimit

Shiu ia filloi

Unë e shkunda

Tradhtinë e shekullit

Më nuk mundem

Më mos duro

 

Moshën e ndrydhur të heshtur

Nën bebëza nofullat i shtërngova

Blumë shpirti vaj

E kalldremit

Çam

Çka po bën Atdheu

 

 

ZËRAT

 

Zërat tanë

Kurrë nuk do të shtjerren

Kurrë nuk ta ndalin

Trokëllimën e djallëzisë

Mbi parmakët e qëndresës

Nën strehët e djallit i gropos

 

Pak si gjatë qëndruam të ndruajtur

Kënduam Himnin në heshtje

Rapsoditë e Qëndresës në Kulla

E vashat nxorrën prej shamive

Qirinjtë e ndezur nga flaka e zemrës

 

Xixëllonjat i bënë

Shoqëri natës se gjatë të Bartolomeut

Në Amfiteatrin e Butrintit

Zogjtë e skenës aktruan

Përcillnin eshkën e ndezur

Në rolin e mbrojtësit

Për ditën e bardhë lavdia

Është rrezja që s’perëndon kurrë

 

 

NË TY

 

Mbi fytyën tënde të heshtur

Lexoj Besën e mbjellë

Fjalën gacë bungu nën shtatin e hirit

Adoleshencë rinie

E di se ruan me xhelozi fjalën

Pajën pengun e nusërisë

Së bashku me heshtjen

 

Ndale po të lutem shikimin e butë

E mos m’i numëro rrudhat

Mbi ballin e viteve të ikura

As bjezgat e shtratit

Të duarve të thara plot damarë

 

Se ikën vitet pas mos m’i numëro

As rrjedhën vadë oshëtimën

E lumit të kristaltë

Se ujin e e pinë zogjtë sqepbardhë

Feniksat fluturuan

Qetë-qetë krahë hapur

Drejt çerdhes së gjyshit

Mbi gurët e përjetësisë u çmallën

 

 

NË KULLËN E SHEKULLIT

 

E vazhduan fluturimin

Në kullën e shekullit

Mbi trapazan zhgozhduar

Lahutën e vjetër

Në mëngjesin e bardhë

Thurrën melodinë

Dhe këngën e dashurisë.

Që dikurë moti e patëm filluar

 

 

MIKU IM

 

Shpesh herë vetminë

Ee kam dashnore

E kam mike rasti

E kam xhan shpirti

Ee kam grua shtrati

E kam muzë nate

E kam loçkë zemre

E kam valë liqeni

E kam vesë mëgjesi

E kam rreze dielli

E kam Univers

E kam bash mjegulle

Që shpirti ma do

 

Shpesh herë

E kam muzg terri

E kam llavë mundimi

E kam vuajtje shpirti

E kam zanë  armike

E kam trajtim rasti

E kam vjedhje kohe

S’e di çka e kam



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora