E premte, 29.03.2024, 08:01 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Shkreli: Shqipëria nderon martirët e kombit dhe fesë

E enjte, 18.09.2014, 07:02 PM


SHQIPËRIA NDERON MARTIRËT E KOMBIT DHE TË FESË

Nga Frank Shkreli

Tre ditë para se të shkelë në tokën arbërore për vizitën e tij  në Tiranë, Papa Francesku ka përshëndetur gjatë një meshe në Vatikan, shqiptarët dhe ka falenderuar popullin shqiptar për përgatitjet që ka ndërmarrë për ta pritur atë sa më mirë me rastin e vizitës së tij në kryeqytetin e shqiptarëve, ndërsa ka theksuar edhe njëherë shembullin e tolerancës fetare ndër shqiptarët, si një prej arsyeve kryesore të vizitës së tij në Shqipëri, duke thënë tekstualisht këto:  “Të dielën, me ndihmën e Zotit do të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare.  Përshëndes popullin shqiptar dhe i falënderoj ata për përgatitjet për vizitën time.  U kërkoj të gjithëve që të më shoqërojnë me lutje”, ka thënë Papa disa ditë para udhtimit të tij drejtë Tiranës.

Në pritje të Papa Françeskut, rrugët e Tiranës, në mënyrën më dinjitoze janë dekoruar me flamujt e kombit shqiptar dhe të Vatikanit, ndërkohë që   bulevardi i “Dëshmorëve të kombit”  ku do të kalojë Papa për të shkuar tek Sheshi "Nënë Tereza", është mbuluar në të dy anët me portretet e disa dyzina klerikësh katolikë, të vrarë mizorisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Siç duket nga përgatitjet shtetërore dhe qeveritare, kjo vizitë e Papës do të jetë tepër dinjitoze, ashtu siç duhet dhe siç e kanë traditë shqiptarët.  Megjithëse Papa Françeskut i pëlqen thjeshtësia, është me vend që  kjo pritje të reflektojë dëshirën e Papës që ai ka shprehur se me vizitën e tij do të kujtojë vuajtjet e popullit shiqptar. Andaj kjo vizitë, ndër të tjera, duhet të jetë një dëshmi e tragjedisë së klerit katolik shqiptar gjatë regjimit komunist, e këtyre viktimave të pafajshme të vrarë nga një dorë e pamëshirshme e një shteti terrorist.  Duhet të jetë  një  dëshmi  jo vetëm për vet shqiptarët, por dhe për botën e cila këtë të djelë do të jetë e pranishme aty në mes të Tiranës, nepërmjet më shumë se 1600 gazetarëve.   Sepse, megjithëse Shqipëria e vogël në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste ku gjithashtu persekutohej feja, numri i klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë, proporcionalisht, duhet të jetë numri më i madh  në krahasim me numrin e viktimave të klerit katolik në ish vendet komuniste të Europës Lindore, gjë që e bën tragjedinë, e jo vetëm të klerit katolik --por edhe atij mysliman dhe ortodoks shqiptar -- si një ndër terroret dhe masakrat  më të egëra komuniste, që ka njohur bota.

Shpresohet që kjo ekspozitë e mrekullueshme në qëndër të Tiranës, përveç dëshmisë që tregon,  të jetë njëkohsisht edhe fillimi i përjetsimit të kujtimit të tragjedisë së këtyre viktimave të pafajshme -- dhe jo vetëm tragjedisë së tyre por edhe fatit dhe historisë moderne të kombit.  Sepse me vrasjen e këtyre klerikëve nga regjimi komunist, u zhdukën ato që Ernest Koliqi i pat cilësuar ata në një shkrim si, "Rreze Qytetnie të Fikuna", duke përmendur poetnit dhe shkrimtarët e njohur klerikë, si Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Lazer Shantoja, Ndre Zadeja, Nikoll Gazulli, Aleksandër Sirdani e shumë e shumë të tjerë.  Ishin këto viktima të komunizmit, portretet e të cilëve janë vendosur në qëndër të Tiranaës me shumë të tjerë, të cilët Ernest Koliqi i kishte njohur personalisht, e të cilët sipas tij, "Ishin Artista të fjalës, që  ndërsa e holluen shqipen tue ia shtue mjetet shprehëse, ata synojshin rritjen e breznive të reja në zjarmin e idealit kombëtar."  Koliqi vazhdon shkrimin e tij me rastin 20-vjetorit të fillimit të tragjedisë së klerikëve shqiptar që u shlnua këtu në Amerikë më 1966,  duke thënë se, klerikët e martirizuar, "Na çilën sytë me pa shkëlqimin e trashëgimit tonë stërgjyshor. Ndikuen në shpirtin tonë krenarinë e emnit shqiptar. Fetarë po, dhe të përpikshëm, por edhe atdhetarë të qitun."

Periudha e komunizmit si në gjithë botën tjetër, për nga egërsia me të cilën trajtonet kundërshtarët, ishte një kapitull i historisë së  Shqipërisë dhe të shqiptarve me të cilën nuk mund të ndjehet askush krenar.  Përveç tjerash,  zhdukja fizike e këtyre klerikëve dhe eliminimi i veprave të tyre letrare dhe kombëtare ka varfëruar përgjithmonë edhe vet historinë dhe kulturën kombëtare të shiqptarëve.  Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i atyre që ndërmorën këtë vëllavrasje me urdhëra të të huajve, fillimisht nën urdhërat e jugosllavëve e më vonë të rusëve, qëllimi i të cilëve ka qenë gjtihmonë që të   ndalonjnë zhvillimin dhe prirjet përparimtare perëndimore ndër shqiptarët, dhe njëkoshisht të zhdukin edhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve.  Ishin këto krime çnjerzore të ndërmarra nga një regjim i tërbuar me ideologjinë komuniste sllavo-aziatike i cili nuk kishte asgjë të bënte me kombin shqiptar dhe as nuk i shërbente interesave të tij.

Por fatbardhsisht planet e tyre, megjithse e çuan shumë mbrapa kombin shqiptar nuk dolën me sukses.  Kujtimi i këtyre viktimave të komunizmit siç pasqyrohet nga  përgatitjet për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë nga qeveria, nga shteti si edhe nga besimtarët e tre besimeve fetare  dhe i mbarë populli shqiptar këtë djelë,  vërteton fjalët e poetit kombëtar At Gjergj Fishtës kushtuar dëshmorëve:

"....E kur Shqyptari ndër ma të largtat mote

Nepër të cilat do të endet jeta e njerit,

Kur të këndoj Shqyptari m'ato kangë kreshnike

Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue

Për me u ndërtue Atdheu i tij Shqypnia:

-O të lumtë ata, ka me brohoritë me vedi

Që flija e Atdheut e ban, e tue dhanë jetën,

Liri Atdheut e të ambël jetë i suellën.

E ai vorret tua atëherë ka me kërkue

E ka me i gjetë, e ka me i ruejt, si ruhet

Altari i Atdheut: e me kunora të blerta

Ka me i lulëzue, e mbasandej ju besën

ka për tua dhanë mbi vorr, se kurr për së gjallit

s'ka me e koritun namin tuej e nderen

Se ka me dekë për Atdhe si desin burrat,

Si diqët -- qe-- ju për një Shqypni të lirueme"

Në Shqipëri dhe  ndër shqiptarët kudo ndihet një shprehje krenarie për pritjen që po i bëhet Papa Françeskut në vizitën e tij Tiranë të djelën që vjen si dhe kujtimit    me këtë rast po u  bëhet të viktimave të regjimit komunist të klerit katolik. Ndoshta kjo vizitë e Papës është edhe një rast i mirë për tu zotuar se shqiptarët sot e tutje -- këtyre dhe të gjitha viktimave të komunizmit shqiptar të të gjitha feve e të gjitha krahinave -- s'ka “me ua koritur namin e as nderin”, pasi këta si viktima të pafajshme, humbën jetën për lirinë që gëzon sot  Shqipëria dhe kombi shqiptar.  Ky është një obligim jo vetëm fetar e moral por edhe atdhetar, një angazhim ky që më në fund do të sjellë paqë e pajtim dhe do të çojë në një manifestim të shërimit të plagëve kombëtare.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora