E enjte, 25.04.2024, 05:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Shaban Zeneli: Zëri im në kërkim të Çamërisë

E merkure, 02.07.2008, 06:31 PM


Albert Zholi
Shaban Zeneli: “Amanet or  bir! Të shkosh njëherë tek varet e  gjyshit tënd dhe të mbjellësh një lule”.

Zëri im në kërkim  të Çamërisë

Nga Albert Zholi

Shaban Zeneli është një ndër këngëtarët e parë dhe tipik çam, që të gjithë repertorin e këngëve të veta ia ka kushtuar tokës së të parëve. Zëri i tij tërhoqi vëmendjen e specialistëve të muzikës franceze, të cilët e çmuan si zë tepër të veçantë, si këngën historike çame, po ashtu dhe atë polifonike, duke marrë nismën që së bashku me të, të realizojnë në Çamëri një film për këtë trevë. Në këtë film që nuk kaloi pa incidente, Shabani luante jo vetëm rolin e këngëtarit, por edhe të personazhit kryesor. Zëri i tij magjik nga studiuesit francez cilësohet si i rrallë dhe me vlera të spikatura.

Na thoni diçka mbi prejardhjen, kur ka ardhur familja nga Çamëria ?

Unë jam nga një fshat mbi Gumenicë. Prindërit e mi kanë ardhur në vitin 1924 dhe u vendosën në qytetin e Fierit. Si këngëtar prej shumë kohësh unë hulmutoj dhe i prodhoj këngët çame në bazë të emocioneve dhe ngjarjeve historike që janë. Sapo kam mbaruar edhe një film në Çamëri. Ai ishte një film dokumentar me profesorin francez Benard Latot Zhakok, i cili  u laurua në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe morëm çmim të parë në Paris.

Si titullohet  filmi?

“Zëri në kërkim të tokës së humbur”. Regjisor është  Bernard Latot Zhakok në Paris.

Po juve çfarë roli luani në këtë film?

Unë jam në rolin kryesor, në marrëdhënie me miqtë e mi në Çamëri në marrëdhëniet myslimano-ortodokse. Nëpërmjet këngës ne jemi bërë miq edhe më të mirë. Në film jepet shumë qartë kur më presin dhe më përcjellin. Pata edhe presion nga shumë grekë, por unë nuk isha shqiptar që mund të ndrydhesha, por isha një person tashmë nën mbrojtjen e Institutit të Kërkimeve Shkencore të Parisit. Nismën kryesore për realizimin e këtij filmi e kishte  Parisi. Unë isha me vizë franceze në Çamëri.

Si i realizove këto lidhje me Insitutin Francez?

Unë pata dhënë një koncert në Paris para dy vjetësh vetëm me këngë çame. Dhe vetëm në  një tekst që  kam bërë  unë  që  titullohej  “Kërkimet e Çamërisë” thuhet:

Në varret e të parëve tanë,
ku lulet tërë ishin tharë
ku një lule  duhet të mbjell,
dhe një  gotë  ujë  duhet t’i hedh

Nga  ky tekst profesori francez Bernard bashkë  me  kolegët e tij evropianë mori nismën dhe më thotë, unë po studioj zërin tuaj  dhe mendoj  që të bëjmë një film në Çamëri ku të shikojmë emocionet tuaja në vatanin tënd, tek varret e të parëve tuaj dhe në shtëpitë e gjyshërve. Dhe  kjo  u arrit nëpërmjet punë së tij.

Po, profesori  a e njihte më parë çështjen çame?

Profesori është francez. Ai tashmë e di shumë mirë historinë (më parë kishte pak njohuri) dhe e njeh të gjithë problematikën tonë nëpërmjet zërit tim dhe kolegut tim Refat Sulejmani. Unë fatkeqësinë dhe padrejtësinë që i  bëhet  komunitetit çam që të mos shkojë në varret e të parëve  të tyre që të mbjellin një lule dhe  ti hedhin një gotë  ujë, i kam  shprehur  nëpërmjet këngës  në Paris, Vjenë, Belgjikë, ku profesori ka qenë gjithmonë shoqëruesi im. Instituti për Kërkimet Shkencore  për Kulturën në Francë e ka marrë nismën  me  në  krye  profesorin.

Në lidhje me varret e të parëve. Çfarë ju kanë thënë prindërit për  shtëpitë  që keni pasur  në Çamëri  dhe si i  gjetët  ato?

Shtëpia e  familjes sime ishte e rrënuar, për arsye  se ne kemi ikur shumë shpejt. Ka shumë shtëpi çame që janë kulla të vërteta. Amortizimi ka bërë punën e vet dhe në këto kushte unë isha një misionar, që vajta filmova në Çamëri dhashë emocionet e mia, mora emocionet e miqve të mi në Çamëri, por  pata edhe presion në një kishë greke ku unë po  pyesja  për fshatin tim. Unë nuk e mbaja  mend fshatin tim sipas të thënave të prindërve, mora  hartën dhe po pyesja ku  është fshati  im Magrohori. Ndërsa ne i themi Grokoçar që është mbi Gumenicë. Grekët  nuk  i  kanë prekur  shtëpitë tona siç kanë qenë ashtu janë edhe sot. Janë të pabanueshme. Por ata kanë ndërtuar shtëpitë e tyre nëpër  pronat tona.

Në ç’moshë keni kënduar për  herë të  parë  dhe  si  quhet  kënga  e parë  që keni kënduar  për  Çamërinë?

Unë kam kënduar në moshë shumë të vogël, por fati qe, që në Televizion kam kënduar  për elektrifikimin e vendit, kur përfundoi ai. Sepse kënga çame në sistemin e kaluar nuk i  pëlqente shumë regjimit. Unë jam një këngëtar historik, po ta kapësh nga mënyra e të kënduarit për Çamërinë. Unë i bëj vetë tekstet. Kam përshëndetur edhe miss Globin me këngëtaren e madhe Myfarete Laze dhe Aleksandër  Gjokën me “Ne e duam Çamërinë”. Unë e bëra vetë tekstin dhe kompozimin e  bëri Sokol Marsi. Këto janë prurjet që unë i kam akumuluar  në gjithë jetën time dhe që i kam shprehur ose i shpreh në festivale apo në evenimente të tjera. Kam patur fatin e madh që nga mënyra e këtij lloji zhanri polifonik të hyj në bashkëpunim me të gjithë këngëtarët e mëdhenj si Myfarete Laze, Alma  Bektashi, dhe shumë këngëtarë të  tjerë. Pra jam një zë që futem me të gjithë zërat, por nuk  dal nga tabani im.

Kush është kënga që ka ngjall më  shumë emocion  tek ju për  Çamërinë?

Më interesante  sot për sot është kënga “Ne e duam Çamërinë”, ku tekstin e kam bërë  vetë:

Vajzë moj, vajzë moj,
vajzë moj  me gjithë  këto lezete
Djalin  çe  bëre për  vete
O djalo porsi borzilok
Unë të dua, por nuk vij dot

Sa këngë keni kënduar  gjithsej për Çamërinë?

Janë të shumta. Unë kam pasur fatin të jem prezent me këngën çame në shumë evenimente, si përshëndetës. Në Festivalin  e 41 në Radio Televizion, Festivalin e 43, Miss  Globin në Durrës, Miss Globin në Sarandë. Në  Festivalin e Beratit kam marrë  çmim të dytë në Republikë.

 A mendoni  se çështja çame po ecën rrugë të mbarë dhe do të zgjidhet?

Për mua është ora e Shqipërisë. Pa u zgjidhur i gjithë problemi shqiptar nuk  ka qetësi as Bota as Evropa. Ne  duam që ne shqiptarëve të na vihet dinjiteti në vend.

Çfarë keni në dorë tani për Çamërinë?

Unë jam duke punuar për një projekt filmi përsëri me profesorin. Do të bëhet një emision për të gjithë historinë e shqiptarëve. Të gjithë e dinë tashmë historinë tonë, sesi ne jetojmë. Më e veçanta dhe e bukura është se, do të dalë në skenë çështja jonë, sepse ne nga qarqet greke akuzohemi si rebela, bashkëpunues me gjermanin, tradhëtarë, ku ky etiketim nuk ekziston. As për ne  dhe  as për  vëllezërit tanë që janë atje. Ne kemi kaluar harmoni të plotë dhe vazhdojmë të kemi,  harmoni, por politikat bëjnë  të  tyren.

A ju kanë lënë ndonjë amanet prindërit?

Prindërit më kanë vdekur në 1997 dhe më kanë thënë  “Amanet or  bir! Të shkosh njëherë tek varet e  gjyshit tënd dhe të mbjellësh një lule”. Kjo është edhe ajo që më ka  shtyrë të këndoj për Çamërinë. Unë e kam kryer këtë amanet dhe jam shumë i lumtur dhe mendoj se shpirti i tyre prehet i qetë dhe falenderoj shmë  profesor Bernardon. Unë mendoj se amanetin, përgjegjësinë ndaj prindërve të mi e kam mbaruar. Por në këtë emocion janë të gjithë qytetarët e  Çamërisë. Kanë lënë të gjithë dhimbjen pas dhe nuk u jepet një mundësi  që të shkelin në trojet e tyre  vetëm pse e kanë emrin çam. Në mënyrë ilegale ne shkojmë, por duhet të shkojmë ashtu  siç i takon  këtij kombi që të shkosh e ti shërbesh të rënëve të tu, të parëve të  tu.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora