E premte, 29.03.2024, 12:29 AM (GMT)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Shaban Demiraj - figurë e shquar

E enjte, 18.09.2014, 06:50 PM


Takimet e mia me profesor Shaban Demirajn

Figurë e shquar e jetës shkencore shqiptare

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin

Mëngjesin e 31 gushtit  të këtij viti , duke u hedhur një sy gazetave shqiptare në faqet e  internetit  lexova  me pikëllim  lajmin se një ditë më parë, pas viteve të gjata të lëngimit, ishte ndarë nga jeta studiuesi Shaban Demiraj, në orën 13:50 në shtëpinë e tij në Tiranë në moshën 94 vjeçare. Shkuarja në amshim e këtij autoriteti shkencor elitar është një humbje e  madhe  shkencore dhe njerëzore, i cili  për fatin tonë ka lënë pas një trashëgimi të çmuar shkencore, si autor librash dhe studimesh shumë të vlefshme për shkencën e albanologjisë, me vlerë kombëtare.

Njohja nga larg dhe nga afër

Është pikërisht ky lajm mortor  që nxiti kujtesën time  të riprodhonte copëza mbresash nga njohja  dhe takimet  e mia me Demirajn në vite. Njohja nga larg me këtë figurë të shquar të jetës shkencore ishte përmes  librash, veprash e studimesh nga fusha e gjuhësisë, në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar fillimisht si  gjimnazist e më vonë si student i gjuhës dhe letërsisë shqipe.  Qysh atëherë kuptova se fjala është për një shkencëtar të madh që jetën ia kushtoi me shumë dashuri Gjuhës shqipe.   Sa më shumë lexoja veprat e tij aq më shumë më  shtohej dashuria dhe respekkti për   këtë përfaqësues të shquar    fushës së gjuhësisë  brenda dhe jashtë Shqipërisë.  Kjo dashuri dhe ky respekt kulmoi në momentin kur profesoirin e nderuar e njoha nga afër. Ishte viti  2002, kur shfrytëzoja Bibliotekën Kombëtare  në Tiranë, për të hulumtuar  mbi  prijsin popullor të    Këlmendit  dhe  mbrojtësin e kufijve të Shqipërisë – Prekë Calin.  Që në ditën e parë  të gjurmimeve të mia në këtë bibliotekë më rastisi të ulem  në një bankë me një njeri  në moshë të thyer.   Ditën e parë, më kujtohet,  unë disa herë dola në  hollin e bibliotekës për pushim, kurse  “komshiu”  im i bankës, që në vesh mbante një aparat dëgjimi,  vazhdonte të punonte orë të tëra  deri në  mbyllje të orarit të punës së bibliotekës.  Shquhej me  një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qasje të thellë shkencore për admirim. Ky ritëm, intensitet dhe seriozitet i punës së tij  më habiste  pa masë. Çuditesha  ku qëndron energjia e këtij “ plaku ” të ndritur të cilin nuk e kisha parë  ndonjëherë  më parë, por që dëshiroja ta njoh. Kjo mundësi m’u ofrua  pas disa ditësh kur  mora guximin apo , siç themi ne malësorët, e bana zëmrën gurë dhe iu drejtova me këto fjalë:

- Mirëdita! Unë jam Gjekë Gjonaj, nga Malësia, andej kufirit të Shqipërisë. Kam dëshirë të  ju njoh  meqë tash disa ditë rresht lexojmë e punojmë njëri-pranë tjetrit”, i thashë paksa me ngurrim.

- Flisni më me zë. Nuk ju dëgjoj mirë”, m’u përgjigj.  Ia përsërita pyetjen dhe ai   me buzëqeshje  e dashamrisësi më tha :  “Unë jam Shaban Demiraj”.  Për  pak sekonda nuk ia ktheva përgjigjen  që e priste, pasi në mendjen time ende nuk  e kisha të qartë se  ndodhem para  albanologut të shquar shqiptar, të cilin  prej kohësh ëndërroja ta shihja nga afër. Sikur t’më ishte prezentuar  si profesor apo akademik  Shaban Demiraj nuk e kisha patur këtë  siklet të momentit. Megjithatë shpejt e kuptova se  gjërat dhe ngjarjet më të bukura njeriut  shpesh  i vijnë rastësisht dhe  spontanisht. E kuptova se   njerëzit e mëdhenj në jetën e përditshme janë tepër të thjeshtë.  Kështu më ndodhi edhe mua  në takimin  e parë të drejtëprdrejtë në katër sy  me akademik  Demiraj.

Nga cila krahinë e Malësisë jeni me origjinë? – më pyeti.

Nga Trieshi – u përgjigja.

Kjo trevë  shqiptare sidomos shquhet  për   figura të shquara kombëtare, siç janë vëllezërit Ivanaj, më tha.

Po, iu përgjigja i kënaqur me njohuritë që profesori kishte për vendlindjen time, i cili veçmas   u ndal në disa kategori e veçori të të folmes  karakteristike  të Trieshit, të cilat me sa  kuptova  ishin objekt i kahershëm i interesimit të tij shkencor.  Unë dëshiroja të flisja  gjatë me profesorin, por ai  ishte tepër i përkushtuar ndaj punës. Gjatë  ditëve të përbashkëta në bibliotekë    komunikonim shkurt.  Ditën e largimit tim nga Biblioteka Kombëtare e Tiranës profesor Demiraj   më tha  se tani e tutje mund të komunikojmë nëpërmjet postës elektronike të Akademisë së Shkencave të  Tiranës. E falënderova, duke i thënë sinqerisht se ishte  vërtet një privilegj dhe nder i madh  për mua që  e njoha.

Vizita në shtëpinë e tij në Tiranë

Kishin kaluar tri   vjet që nuk e kisha takuar fizikisht profesor Demirajn, tashmë mikun tim. Kisha dëshirë ta takoj dhe t’i dhuroj librin  “ Prekë Cali –piramdidë e kufijve të Shqipërisë, për të cilin profesori gjatë  shkrimit të kësaj vepre më fliste fjalë miradie.  Përveç kësaj  profesor Demiraj, në pamundësi shëndetësore që të vinte në promovimin e këtij libri në Ulqin,   më 9 prill 2005 më  dërgoi   një telegram urimi , nëtëcilin më përgëzoi për këtë arritje timen të cilën profesori e vlerësoi mjaft.

Këto dhe shumë kujtime të tjera të bukura me profesor Demirajn , “ Mësues I Popullit” dhe “ Mjeshtër I madh I punës” më detyruan që një ditë ta vizitoj atë në shtëpinë e tij në Tiranë. Nga miqtë e tij  veç isha njoftuar se ai  kishte  përjetuar një aksident   në komunikacion, për fat pa pasoja të mëdha  për shëndetin e tij. I brengosur dhe i shqetësuar për  këtë lajm mëngjesin e 24 majit 2005  nga Ulqini mbërrijta   me autobus  në Shkodër. Prej aty me furgon shkova  në Tiranë.  Mora një taksi   dhe menjëherë më çoi para shtëpisë së tij, në Tiranë  U ngjita shkallëve përpjetë. Trokita në derë.  Doli bashkëshortja e tij. I tregova se jam  një mik i profesorit.

-Vij nga Ulqini për t’a vizituar -  i thashë.

Mirë se vini!  Urdhëroni brenda! – shtoi ajo  me një zë të ëmbël  e  bujar.

Në anën e majtë të derës vërej profesorin e ulur pranë tavolinës, të  mbushur përplotë  me libra dhe me një makinë të vjetër shkrimi. Pranë karriges një shkop. Në njërën anë të murit një vitrinë  me  libra ,  kurse në anën tjetër të murit një divan  dhe dy piktura . Një mabijent  mjaft modest për një njeri me merita  kaq të mëdha sikur Demiraj, mendova me vete.

Profesori i gëzuar për vizitën që i bëra.U  çua me vështirësi nga karriga me ndihmën e shkopit.  U përshëndet me mua dhe u ulëm së bashku në divan.  Më pritën  jashtëzakonisht mirë, ashtu siç dinë vlonjatët të presin  mysafirin  e dashur. Biseduam  rreth një ore.  Bëmë disa fotografi për kujtim. Unë i dhurova atij librin tim “ Prekë Cali, piramidë e kufijve të shqipërisë”, kurse ai më dhuroi mua librin “ Gramatika historike e gjuhës shqipe”.

Më nderoi  me thjeshtësinë e  njeriut  të madh

E njoftova , siç thashë, duke punuar në Bibliotekën Kombëtare në  Tiranës dhe  pas ca vitesh pësëri e takova  duke punuar në shtëpinë e tij në Tiranë, edhe pse  këmbën e kishte lënduar jo pak. Shembull tipik i një shkencëtari të mirëfilltë, i cili tërë jetën ia kushtoi me dashuri  gjuhës shqipe.  Në ndarje  profesori me shkop në dorë dhe bashkëshortja e tij , një zonjë e nderuar më përcollën me një dashuri sikur prindërore   deri në oborrin e shtëpisë së tyre.

Çfarë kuptova në ndarje nga z. Demiraj ?

Sa më i madh të jetë personaliteti që takon, aq më i thjeshtë është si njeri. Ishte kënaqësi dhe nder për mua takimi dhe biseda me të, i cili më nderoi me mikëpritjen e dhe thjeshtësinë e tij.

Përgjithmonë  i freskët në kujtimet e mia

Atë ditë e sot nuk u pamë më me këtë personalitet të dalluar,  të arsimit, të shkollës, të kulturës dhe sidomos të gjuhësisë shqiptare. Këtë figurë të njohur për shkencën gjuihësore në Ballkan dhe në Evropë, i cili   për kontributin e  madh, ka mbajtur titujt “ mësues i popullit dhe mjeshtër i madh i punës”, do ta kujtojë përherë bota akademike shqiptare dhe jo vetëm.  Ky kolos, ndër më të mëdhenjtë në mesin e albanologëve shqiptarë, sikur  A. Xhuvani.K. Kristoforidhi , K.Cipo. E Çabej, S. Riza, A.Kostallari, S. Floqi, M. Hoti  e të tjerë, mbetet  një shembull i rrallë i dijes shqiptare, një dijetar dhe studjues i thellë  i dijeve të albanologjisë, i papërsëritshëm në jetën shkencore, një profesor me dinjitet të rrallë, njeri i  dijshëm e i urtë , fjalëpak e punëshumë.  Një burrë i  pavdekshëm i kombit shqiptar . Kujtesa  për këtë  njeri dhe shkencëtar të mrrekullueshëm  do të mbetet gjithmonë e freskët në mendjen time, kurse vepra e tij e madhe, një model i shkëlqyeshëm  jo vetëm për studiuesit e sotëm,por edhe për ata që do të vijnë.   Qeverisë   dhe Republikës së   Shqipërisë  i mbetet  të mendojnë me përgjegjësi të madhe  për  t’ju siguruar një jetë më dinjitoze të gjithë njerëzve të kalibrit siç ishte profesor Shaban Demiraj.  Këtë shteti ua ka  borxh të gjithë atyre personaliteteve  të ndritura, të cilët lënë pas vepra të mëdha, pasuri shkencore, vlera  të mëdha kombëtare dhe pasuri monumentale për breza.  I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për  bardin, doajenin dhe klasikun e albanistikës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora