E shtune, 20.04.2024, 01:35 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ramiz Lushaj: Bruno Selimaj, emër i kohës shqiptare

E marte, 16.09.2014, 07:55 PM


BRUNO SELIMAJ, NJË EMËR I KOHËS SHQIPTARE

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Bruno Selimaj, i Nokshiqit të historisë, i qytetit ilir të Gucisë, me shtatin  lis  bjeshke, u çue vigan në kamb’ në restorantin e vet elitar në Manhatan të Nju Jorkut, të kthyem prej tij në “Qendra e Ndihmave për Kososvën”. Aty ishin mbledh mirësisht tanë ata shqiptarë për të dhanë ndihma në dollarë amerikanë për Kosovën. E kishte të vështirë ky burrë i lartë me i lyp kujt, po gurra e zemrës ia vrelli fjalët e shpirtit:

-Unë i dhashë të gjitha çka pata për Kosovën, po janë ka më duken pak për Kosovën tonë. A ka burrë këtu që m’i jep 100 (njëqind) mijë dollarë hua se due me i dhanë edhe ato për Kosovën?

Një tjetër burrë i të mirës e i të mbarës, Nikë Mehmeti i thonë, atypëraty ia huajti Bruno Selimajt, njeriut të sakrificës përtej të zakonshmes, plot 100.000 USD cash, të cilat ia ktheu mbasandejna me çek bankar. E aty, para të gjithëve, e istikami atë kryefjalën refren i ditës: “Për Kosovën”. Të pranishmit e përcollën kit’ akt fisnik në kambë, me duartrokitje, plot mirënjohje.

Atë ditë historike në lokalin e Bruno Selimajt 40 kontributorë dhuruan 1.620.000 (një milion e gjashtëqind e njëzet mijë) USD për Kosovën, për lirinë e pavarësinë e saj.

Bruno Selimaj në at’ ag pranvere 1999 u këndell në fytyrë. Si e kuqja e Flamurit Shqiptar. Dorën e kishte vnue tek zemra. Sigurisht, ajo i rrahte shpejt, fort, shumë. Si ditët e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës...

Ky akt ishte biblik. Përndryshe: një “Giness shqiptar”. Kurrsesi një “ankand” në lokalin e tij klas. Gjithësesi një piedestal i kohës. Vet Bruno Selimaj ishte një nga piedestalet e kontributeve të mëdha e të vazhdueshme për Kosovën e sotme shtet i pavarur e sovran. Mbi njëzet vjet me dorë në zemër e në xhep për Kosovën.

Ai, Bruno Selimaj, në atë vit 1999, e pat’ mbyll përkohor aktivitetin tradicional të dy restoranteve në afri e pronë hipotekore e tij në Manhatan. Njani mbeti i heshtur, magazinë. Tjetri plot gjallëri: e ktheu në “Qëndra e Ndihmave për Kosovën”. Ky akt nuk ishte pak. Mijëra dollarë amerikanë mbeteshin pa hyrë si zakonisht në llogaritë e tij bankare, në jetën e tij familiare, në kontributet e tij farefisnore, miqësore, kombëtare. Prapë, asokohe, në atë ditë të tubimit për ndihma për Kosovën, i boshatisi llogaritë e tij bankare. Si rrallëkush. Ndoshta si askush. Sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto, shqiptari i madh Bruno Selimaj i lypi e i dha fisnikërisht edhe 100.000 USD. Zoti e bekoftë në jetë e mote, kit’ jetëepunë ndritur!

Tradita shqiptare e ka një thanie të njohur: Burri ban çka mundet. Ky, i miri shpirtbutë e punëartë, Bruno Selimaj, me shembullimet e tij dëshmoi edhe ndryshe: Burri ka i’here ban edhe çka s’mundet, sidomos kur flitet për sakrifica të larta për Kombin, si ky rast e akt i tij i shumëfisht për Kosovën dardane.

2.

Bruno Selimaj është ma i madhi ndër dhjetë fëmijët e Bajram Mujë Selimajt, ndër vllaznit e tij: Nino, Dino, Bali, Besim e Alex dhe motrat Igballa, Nakshia, Naxhie e Resmie.

Kur ishte në Guci punonte si bujk i arave e shpesh bari i tufës. Toka ia njifte dorën e malet kamben. Ai punonte shumë e mirë se ishin familje e madhe, se ishte punëtor i madh. Puna i kishte hap, grat’ e uratë. Një herë e provoi të shkonte në Shqipërinë Londineze, po u rikthye shpejtas në trollin e lindjes, në krahinën e Plavë-Gucisë të futun padrejtësisht nën Malin e Zi. Ndoshta, gjithkund, në dy anët e kufinit të 1913-tës, jeta po i dukej njësoj. Ai kërkoi diku tjetër një jetë ndryshe: ma të begatë, ma të lirë, ma të paqme, ma të mirë, ku të punonte me të dyja duart: njana për veten e tij e shtëpinë e tij dhe tjetra për Kombin Shqiptar e për Amerikën.

Ishte viti 1970. Bruno Selimaj 18 vjeçar kapërceu Atlantikun. Rroku tokaqiellin e Amerikës. Si të gjithë emigrantët e atyshëm. Iku sëbashku me prindërit e tij të mirë, model në udhën e vet, magnet për fëmijët e vet, të ylltë në humanitetin e vet, të lidhur me trojet e veta e me idealet kombëtare shqiptare, të cilët i dhanë Kombit Shqiptar një trashëgimi tejet të madhe: fëmijët e vet, veprat e fëmijëve të vet.

Amerika e rinuar në gjithçka dhe e zhvilluar pa kufi nga Toka në planete të Galaktikës, kryefuqi e botës në shek. XX, Tempull i Demokracisë, si i thonë shprehjes së emigrantëve të atjeshëm, e “mori me të mirë” Bruno Selimajn e ri, djaloshin gene e virtyte pastër. Njejtësisht e virtytshëm, edhe Bruno Selimaj i doli Amerikës një ndër shqiptarët më të mirë në tokën e vitet e saj.

Në “planetin” Amerikë, në kit’ vend kryezot mbrojtës i Kombit Shqiptar, Bruno Selimaj ia mbrrini të jetë një shqiptar i mbrrimë. Një shqiptaro-amerikan dinjitar. Flamurtar. Simbol. Dje, sot, nesër.

Në nëntor 2012, përkitas me 100 vjetorin festë madhështi të Pavarësisë së Shqipërisë, gazeta amerikane “Neë York Daily Neës” e rendit qytetarin e kulturës perëndimore e biznesmenin atdhetar Bruno Selimaj një ndër “10 Shqiptarët më të njohur në SHBA”, krahas e ballas me personalitetet e tjera emblematike: Harry Bajraktari, Stan Dragoti, Bardhyl Tirana, Ëiliiam Gregory, Skënder Ghilaga, Emine Çunmulaj e të tjerë.

Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë për kontributet e atributet e shquara e nderoi me Çmimin e madh “Konica”, një çmim i ndarë edhe për personalitete të larta botërore e shqiptare si Bill Klinton në Amerikë, Tony Blair në Britaninë e Madhe, Ibrahim Rugova në Kosovë, e të tjerë. Kjo dekoratë nderi do t’i dorëzohet solemnisht në veprimtarinë tradicionale kulmore të Fondacionit Plavë-Guci për Ditën e Flamurit, në fund nëntor 2014, në Nju Jork - kryeqëndren e sotme të shqiptarëve në SHBA.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, më i fuqishmi organizëm i shoqërisë civile në Amerikë, e dekoroi Bruno Selimajn në shtator 2006 në hotel “Cipriani” të Nju Jorkut me Çmimin e lartë “Arritje gjatë jetës” (Lifetime Achievement Aëard) për përkushtimet e tij për Çështjen Kombëtare Shqiptare. Me një çmim të tillë vjetor KKSHA ka nderuar edhe presidentin amerikan Bill Klinton, sekretarët e shtetit amerikan Xhejms Bejker e Madlen Ollbrajt, senatorët Bob Doll e Miç MekKonell, ambasadorin amerikan në OKB, Riçard Hollbruk e të tjerë. Sigurisht, përkrah, në mes, në rradhë, me këta njerëz të mëdhenj për Kombin Shqiptar edhe Bruno Selimaj ndihet shumë mirë, i nderuar lartësisht.

Ndoshta edhe presidentët e Shqipërisë e të Kosovës, ndonjë ditë, në ndonjë rast, do i japin personalitetit të mirënjohur shqiptaro-amerikan Bruno Selimaj dekorimin përkatës për meritat e tij, pasi ky është një emër i nderuar i kohës shqiptare.

3.

Geni i mirë i trollit të tij rrënjas nokshiqas, geni i trungut familjar nga gjaku i babës e tamli i nanës, dhe geni i degëlidhjeve kah dajët e vet, i jeton prej në kohë lindje shqiptarit bestar e nderimtar, Bruno Selimaj. Ky gen i jeton në gjakun e shpirtin e tij, në udhët e arritjet e tij. Ky gen i mirë e fisnikëron atë në palcë e asht, i gjeneron forcë suksesi, i jep bukuri shpirti, i sjell e përcjell madhështi brezash, epokash. E ban të pathyeshëm, të pakthyeshëm, të patjetërsueshëm. S’ka se si të ndodhë ndryshe!

Biznesmeni Bruno Selimaj, ndër dekada, në restorantin e tij “Club A Steakhouse” ( 240 East 58th Street New York. NY 10022) e mban figurshëm si emblemë në trupveshjen e vet, tek qysteku i tij - një Shqiponjë, simboli i Flamurit Kombëtar Shqiptar. Qyshse në pamje të syrit klientë nga etni e komunitete të ndryshme të Amerikës e paradijnë se pronari i tij, Bruno Selimaj, është Shqiptar Etnik. Po. Ai realisht është i tillë në pamje, me fjalë e vepra - nga thonjtë tek flokët, nga gjaku tek fjala, nga ashti tek hapat. Në mbi 60 vite të jetës së tij.

Ajo Shqiponjë tek qysteku i Bruno Selimajt nuk është rastësi apo dekor. As shenjë antike apo moderne. As diçka tjetër. Ajo e ka simbolikën e vet, e cila lidhet fort e mirë me trollin e tij atnor, genetik, me vet Nokshiqin e historisë mbarëshqiptare, panballkanike, ndërplanetare.

Flamuri Kombëtar Shqiptar, pas Shtetit fitimtar të Skënderbeut, për herë të parë, e ritheksojmë për herë të parë, në një luftë frontale kombëtare mbarëshqiptare, u përdor pikërisht në Luftën e Nokshiqit, në dy betejat e mëdha gjeostrategjike e ushtarako-politike të saj (4 dhjetor 1879 - 11 janar 1880). Pra, u përdor në kit’ vis të origjinës e trollit edhe të Bruno Selimajt.

Ky fakti historik i Flamurit në gurra dokumentare dëshmohet edhe nga vet okupatori shumëshekullor otoman, nga vet Dervish Pasha, kryekomandat i Armatës Otomane me 30.000 ushtarë pjesmarrës në Luftën për pushtimin e Ulqinit e dorëzimin e tij Malit të Zi (23 e 26 nëntor 1880). Ky gjeneral gjakatar otoman në vitin 1881 i relatonte me telegram Sulltanit: “Fjala është për flamujt shqiptarë, të cilët Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh (1979) për ushtrinë shqiptare të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse u informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamuj shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci” (Vepra “Lidhja e Prizrenit në dokumentet osmane”. Përkthyer dhe përgaditur nga Iljaz Rexha. Botim i Arkivit të Kosovës. dok. 71. Prishtinë. 1978. f. 173). Tjetra. Sot për sot, Flamuri Kombëtar Shqiptar ma i vjetër në fondet etnografike të Qëndres Albanologjike në Tiranë, ndër 16 flamujt e arkivuar zyrtarisht, është Flamuri i gjetur në Plavë-Guci, sigurisht i përdoruri në Luftën legjendare të Nokshiqit, në kit’ vis edhe të Bruno Selimajt.

Historiografia kombëtare shqiptare në vazhdimësi kohore po i jep vendin e munguar e të merituar kësaj lufte epokale e epope të Nokshiqit, luftë fitimtare e cila cilësohet si “Parathënie” e Pavarësisë Shqiptare në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit. Populli kit’ histori shqiptare me dy akte të mëdha kombëtare të Flamurit Shqiptar, në Nokshiq e në Vlorë, e përjetësoi në muzen e vet me një simbolikë mjaft domethënëse:

Si dy male i rrijnë Historisë,

Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë...

4.

Bruno Selimaj në 100 vjetorin e Pavarësisë Shqiptare të Vlorës, në veprimtarinë e organizuar nga Fondacioni Plavë-Guci (FPG) për Ditën e Flamurit, në at’ 25 nëntor 2012, i dhuroi për pjesmarrësit e atyshëm 400 plisa të bardhë dhe 400 flamuj kuqezi. Ato kishin simbolikën, krenarinë e atmosferën e vet. Shqiptarët me plisa në kokë e flamuj në duar, ndiheshin si “mbretër të vërtetë” në hotel “Royal Regency” në Jonkers të Nju Jorkut. Si rrallëherë, si rrallëkund, vendi u dhezë me ngjyrat e simboleve tona kombëtare. Një mrekulli në mërgim. Një mesazh i madh për vendlindjen në Plavë-Guci e kah i thonë Shqiptari.

I përkushtuari atdhetar Bruno Selimaj i Nokshiqit, i Gucisë e i Nju Jorkut, ashtu sikurse me Flamurin Kombëtar Shqiptar, njëherash e pothuaj njejtësisht, edhe me “Plisin e Bardhë” e ka lidhjen e vet historike, kombëtare, shpirtërore.

Plisi i bardhë (kapuçi, qeleshja) është simbol e traditë ilire. Në gjetje arkeologjike të kohës së Antikitetit ilir ka gjithato statuja me plis të bardhë. E ka mbajt edhe mbreti Pirro i Epirit. Në një foto të shekullit kaluar tek Manastiri i Deçanit (ish kishë katolike) shumica e pjesmarrësve në oborrin e saj janë me plisa të bardhë, shqiptarë. Në Kuvendin e madh historik të Junikut të Kosovës (21-25 maj 1912) që i dha hov Kryengritjes së Përgjithshme drejt Shkupit (gusht 1912) e udhëçoi drejt ngritjes së Flamurit në Vlorë, askush nuk u lejua të merrte pjesë me kësulë turke, po vetëm me plisin e bardhë iliro-arbnor-shqiptar. Një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Lef Nosi, më 29 nëntor 1912  nga Vlora e ngritjes së Flamurit lajmnonte në Elbasan, vendlindjen e tij: “Qeleshet e bardha këtu u shtrenjtuan shumë”. (Jaho Brahaj. Flamuri i Kombit Shqiptar. Monografi. EB Gj. Fishta. Lezhë. 2007).

Një tjetër lidhje ka shqiptari atdhetar Bruno Selimaj me plisin e bardhë. Kjo ka të bajnë me vet identitetin kombëtar të shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.

Princi-bishop Petri II Petroviç-Njegos i Malit të Zi (1833-1851), i etnisë serbe, filozof e poet epik, që i zgjeroi kufijtë me pushtime e aneksime të territoreve  shqiptare,  e shpiku “kapicën e zezë” malazeze, si identitet malazez. Kësisoj, sllavo-ortodoksia e shpiku edhe “kombin malazez”(!) Nipi i tij, Krajl Nikolla i Malit të Zi, kur ishte princ (1860-1910) e, mbasandejna, mbret (1910-1918) e ktheu në detyrim të pashmangshëm e të përgjithshëm politik, ushtarak, shkollor e fetar për çdo malazez mbajtjen e “kapicës së zezë” malazeze. Edhe fëmijëve në shtëpi e në shkolla iu mësohej se rrethi i kuq tek kapica e zezë ishte gjaku që duhej marrë për Malin e Zi, gjaku që duhej derdhë ndaj shqiptarëve etnik me plisa të bardhë në viset e veta deri në çfarosjen e tyre nga trojet iliro-arbnore.

Kjo ishte ndamja e madhe e kohës: shqiptarët me plisa e malazezët me kapica.

Kjo u përflak ballas, preraz, përgjakshëm edhe në Luftën e Nokshiqit (1879-1880). Kangët e popullit iu dëshmojnë kohnave: ...Asht Shqipnija tan’ me plisa.../ apo ...E ti Marku (Milani) i Malit t’ Zi / Mblidh kapicat për n’ Çeti’ (Çetinë)! /.

Diku tjetër gjejmë në vargjet e popullit dialogun e Krajl Nikollës me vojvodë Mark Milanin, antar i Senatit të Malit të Zi e komandant ushtarak që humbi randshëm në Luftën e Nokshiqit – në ma të madhen e ma të përgjakshmen luftë në historinë e Ballkanit në mes sllavëve e shqiptarëve:

“Mark Milani rrahi telin.

Në Çeti’ çoi haberin:

-Mymleqeti po lufton,

Tan’ ushtrin’ po ma faron.

Knjaz Nikolla ish idhnue:

T’madhe Markut ju gërmue:

Ku-ku majko çka po thue,

Mor’ vojvoda i Malit t’Zi,

Ku po i len ushtarët e mij

Me i marrë Limi bytevi,

Me hup nerën e Malit t’Zi,

Un’ të çova n’Mymleqet, (Plavë-Guci)

Me i qit fare ata krejt,

Me i qit fare, me i farue,

Mos me lan’ ma farë shqiptari

Ku del Syni e Gërçari /...”.

Bruno (Shyqeri) Selimaj ka edhe një lidhje të (për)hershme me Fondacionin Plavë-Guci (FPG) në Amerikë, me kit’ institucion kombëtar, humanitar e kulturor të plavë-guciasve...mërgimtarë atdhetar. Ai është ndër themeluesit e tij në atë 7 shkurt të vitit 1994. Ishte një ditë historike. Një nevojë publike. Një mision atdhetar kombëtar. Vendlindja e Mërgata – hark triumfi ndërveti në çdo kohë e rast të mundshëm. Aty e ngritën edhe Komisionin Nismëtar të FPG apo si ti themi: Kryesinë e tij të parë. Sipas proçes-verbalit, në mbledhjen themeluese ishin 21 plavë-gucias nga të gjitha fiset e fshatrat e krahinës, ndër të cilët edhe Bruno (Shyqeri) Selimaj. Edhe pas 20 vitesh Bruno Selimaj e ka synin e zemrën, shpirtin e dorën tek FPG. Shembulli i 100 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare është mjaft publik, stoik, fisnik, i veçantë.

Në një kumtim zyrtar të Fondacionit Plavë-Guci jepen vlerësime kolegjiale e meritore për shqiptarin kombëtar e humanistin atdhetar, Bruno Selimaj, për personalitetin e veprimtarinë e tij mbarëkombëtare. I përzgjodha dy thanie: “Veprat e Bruno Selimajt janë Enciklopedi Patriotike” dhe “Bruno Selimaj është një Ambasador i Plavë-Gucisë në botë”...

Në kësi rasti, si ky i Bruno Selimajt, tejkalohet edhe ajo thënia e Jezu Krishtit se profetët nuk vlerësohen në vendlindjen e tyne. Veçmas në gjallje të vet. Bruno Selimaj është një shenjt. Do të thojsha një shenjt i gjallë. Patjetër, e kanë shenjtërue veprat e tij, të mirat e tij. Sigurisht, ai ka shenjtëritë e veta.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora