E enjte, 28.03.2024, 06:59 PM (GMT)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Udhëtimet artistike të fantazisë

E hene, 15.09.2014, 06:45 PM


UDHËTIMET ARTISTIKE TË FANTAZISË NË “LUMENJ ËNDRRASH”

Zef Mulaj: ”Pieni di sogni  i fiumi”(Lumenj  ëndrrash), SIMPLE, Macerata, Italia, 2014.

Nga Halil HAXHOSAJ

Emri i Zef Mulajt, tashmë është bërë i njohur në shkrimet letrare, jo vetëm për lexuesit shqiptar, por edhe ata të huaj, e sidomos italianë. Mulaj ka shkruar poezi qysh në rininë e tij. Ky krijues deri tash ka botuar një opus veprash letrar të pasur, pse jo edhe paksa specifik, sepse e ka të ngërthyer edhe shkencën e vizione të tjera të rëndësishme krijuese.

Zef Mulaj u lind në fshatin Qeresh-Mulaj të Nikaj-Mërturit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Studimet e larta i ka mbaruar në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë (Dega Farmaci). Ka punuar shumë vite në zonat e vendlindjes. Veç punës si farmacist, është marrë gjithnjë me kërkime shkencore sidomos në studimin e bimësisë mjekësore të Alpeve të Shqipërisë.

Në vitin 1994 vendoset në mënyrë legale në Itali, ku mbaroi përsëri studimet e larta në Universitetin Camerino të Italisë, duke marrë titullin Doktor në shkencat farmaceutike, në studimin e bimësisë mjekësore të Alpeve të Shqipërisë. Është specialist në tosikologjinë klinike e ambientale, në farmakovigjilencë mjekësore, në kontrollin kimik të produkteve farmaceutike e lëndën e parë, ekspert në informatikën aplikative i specializuar për ndërhyrjet e shpejta mjekësore për kryqin e kuq internacional. Punon dhe kërkon zbulimin e substancave të reja farmakologjike natyrale si anëtar i Shoqatës së Fito-Terapisë në Republikën e Italisë me qendër në Universitetin Sienes.

Zef Mulaj jeton dhe krijon në Itali dhe është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në qytetin ku jeton, anëtar i Ligës Botërore të Poetëve Kontemporen (World Poets Society W.P.S.), anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, etj. Merr pjesë vazhdimisht dhe në konkurset e organizuara në Itali në fushën e poezisë. Ka shkruar poezi qysh në rininë e tij. Pothuajse të gjitha veprat e botuara me poezi, romanet dhe veprat e tjera janë të përkthyera, përveç italishtes, edhe në katër gjuhë të tjera evropiane e botërore, çka e bëjnë këtë krijues jo vetëm të njohur për lexuesit shqiptarë, por edhe me gjerë.

Deri tash ka botuar këto vepra:

“Emër që lind diellin”, poezi, 2004,

“Mjegull varur mbi Ballkan”, poezi, 2006,

“880 bimë mjekësore në Alpet e Shqipërisë”, studim shkencor, 2009,

“Imazh”, roman, 2010,

“Merre përdore hijen time”, poezi në shqip, anglisht, italisht e gjermanisht, 2011,

“Lulet e shpirtit”, haiku, 2012

“Alltri occhi all’orizonte”, poezi, 2012.

“Memory”, roman, 2012

Poezinë haiku të këtij poeti e njoh mirë, sepse jam redaktor i veprës së tij “Lulet e shpirtit”, botuar në vitin 2012 dhe kam bërë për të shkrimin “Shpirti i poetit mall dhe vragë në haiku” të botuar në veprën time me kritika letrare “Lexime të poezisë”, “Jeta e re“, Prishtinë, 2013), ndër të tjera them: “Rrëmbimi i një trajtese paksa tjetër i momenteve e shpijnë subjektin lirik të vargjeve poetike të poezive nëpër të gjitha dredhitë, por edhe bukuritë e pse jo edhe hyjnitë e Malësisë. Atje drita është dritë, rrezja është rreze, kënga është këngë, por edhe hareja, gazmendi e gëzimi janë kënaqësi ndijesore dhe ngadhënjyese. Këto elemente prarohen në peizazhet madhështore e të papara të kësaj treve. Ndaj peizazhi, atmosfera, koloriti dhe frymëmarrja e subjektit lirik në atë natyrë është panoramë figurative plot metafora dhe figura. Të gjitha antinomitë e kësaj bukurie natyrore krijojnë imazhe artistike edhe për penën e poetit”.

Ndërsa tash botoi një libër tjetër poetik, që doli  nga Shtëpia botuese “SIMPLE” Macerata në Itali  me titull: “Pieni di sogni  i fiumi”(Lumenj  ëndrrash), me poezi haiku në italishte për lexuesit italianë, duke  pasqyruar këtë trevargësh të formës japoneze me aftësitë e tij krijuese të fituara me haikun e shkruar në gjuhën e tij amtare shqipe për të shpërfaqur te  lexuesi  me fantazinë e një  mendim artistik, ku  i drejtohet  etikës, duke transmetuar  formën e poezisë haikiane ashtu siç është dhe siç duhet të vlerësohet  ndjenjësisht  nga lexuesit. Mu për këtë, në parathënien e librit, Lino Palanka, ndër të tjera shkruan: “Mulaj arrin të na  rrëfejë vetveten  dhe botën e vet  me përdorimin e kujdesshëm të thjeshtësisë, nën sytë e lexuesit  rrjedhin pritjet e zemrës dhe spekulimet  e mendjes, udhëtimet e  fantazisë, dashuria dhe thika e ftohtë  e ndjenjës  së zhdukur, entuziazmi  dhe zhgënjimi”, që janë elemente origjinale të ndiera nga shpirti i poetit Zef Mulaj, në njërën anë dhe të shkruara nga pena e tij, në anën tjetër. Të gjitha nuancat e shpërfaqura në këtë poezi haiku kanë domethënien e paraqitjes së ngjarjeve të përditshme të rrjedhjes  së jetës së  ngulfatur me  frikë nga e  panjohura, të mbarsur me keqardhje, të plagosur  nga problemet, e të tjera. Por, poeti Mulaj, shkruan vargje për njeriun e sotëm, i cili është në kërkim të  vazhdueshëm të  mënyrës për ta  tejkaluar  pakuptimësinë, duke shprehur edhe dëshirën për ta mposhtur këtë absurditet. Andaj, këta “lumenj ëndrrash” janë përballje me streset e pamëshirshme, të pakuptueshme, të pamëshirshme, por edhe të pakontestueshme të njeriut të sotëm, të qenies bashkëkohore të këtij Globi. Dhe mund të themi se autori Zef Mulaj në vargjet poetike të strukturuara në formën e poezisë haiku ia ka arritur sado kudo që të shtrojë një formë paksa tjetër, e pse jo edhe të veçantë të kësaj forme të poezisë. Andaj, duke qenë në brendësinë e kultivimit  të poezisë së haikut dhe të asaj bashkëkohore, poeti Zef Mulaj, pasqyron një qasje profesionale të  trevargëshit me traditë nga poezia e jonë tradicionale, ngjyer në ekzotiken si tis frymëzimi. Kjo dhunti e tregon më së miri këtë fakt. Poezitë kanë ndjeshmëri të autoktone malësore, sepse në vargjet e tyre gufojnë e aromojnë lulet dhe erërat e bjeshkëve të vendlindjes së poetit.  Në këndin tjetër, disa nga këto vargje pasqyrojnë atmosferën e vendit ku tashmë jeton. Të shkruara në gjuhën italiane, tashmë ky poetizim zbut paksa ashpërsinë e maleve të larta të vendlindjes së tij Nikaj Merturi dhe vishet me fllad tjetër të tokës italiane. Duke krijuar artistikisht  portrete të tilla kaluara e aktuale duke ikur nga e vjetra dhe duke ecur kah e reja, poeti e ndjen veten plotësisht qytetar të botës. Këtë synim e pasqyron edhe në vargjet e poezisë haiku të veprës “Lulet e shpirtit” botuar nga Shtëpia botuese “Filara”, Tiranë, 2012, ku thotë:

Në çdo cep të Globit

Ajo shtrin shikimet.

Erë e tokës e ringjallë.

Duke vazhduar më tutje, poeti Zef Mulaj, shpërfaq elementet e kohës së re, të shekullit të ri, e pse jo edhe të një shoqëria të re e cila po lulëzon edhe në vendlindjen e tij:

Shqipëria mbushur plot

Frymë të lirë, pa pengesa.

Krenaria ime në zemër.

Nga ky vargëzim shihet qartë dhe haptas shfaqet dashuria e poetit për të ardhmen e ndritur, por edhe përparimtare, që në formën artistike është një sihariq për bashkëkombësit e vet, por edhe për mbarë njerëzimin. Ky qytetërim tashmë nuk i mungon as Shqipërisë, sepse edhe “dy kokat e shqiponjës në flamur”, tashmë janë simbol i një rudine që freskohet prore dhe janë shenjë të këtij qytetërimi pa kufij e pengesa, pa censurë e diktaturë dhe pa asnjë mbërthim e kushtëzim vizitash në mbarë botën.

Dhe krejt në fund për këtë vepër me poezi haiku të botuar në gjuhën italishte të Tef Mulajt, mund të konstatohet se është një udhëtim artistik i fantazisë nëpër “Lumenj ëndrrash”.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora