E diele, 15.09.2019, 01:25 PM (GMT+1)

Kulturë » Gorica

Poezi nga Pëllumb Gorica

E hene, 15.09.2014, 07:45 PM


PËLLUMB GORICA

 

IKJE

 

Më kishin folur pa fund për ikjet,

po ti ike vërtet këtë verë,

unë s’vrapova udhëve me dremitje,

çdo gjurmë të çonte në humnerë.

 

Si udhëtar kërkoje brenda meje,

dhe dot s’mendoja pabesinë,

unë të flisja veç për fllade,

kurse ti kërkoje stuhinë.

 

I vesha dhimbjes fotokpje,

plagosur keqas brinjë më brinjë,

në ikjen tënde muzgërore,

një zhgënjim, në kokë një thinjë.

 

 

LOTË GËZIMI

 

Një jetë shkoi si vetëtimë,

e bardhë nga shpirti ngeli,

dhe loti mori rrokullimë,

se zemrën prek ajo copë qielli.

 

Ti, pikë e vogël me lot të tharë,

në faqe rrjedh e kristaluar

trishtimi kurrë s’është ndarë,

në moshë të gjethes vesëzuar.

 

E shtrydh gëzimin e pasosur,

të ecë, të rrjedhë e të shterojë,

me fjalë ndjenjash të shkërmoqur,

në klime hareje të jetojë.

 

 

NË THINJA FLOKËSH

 

Në krahë trupin mbajte të ngrirë,

një dorë e lehtë iu hodh në sup,

ia shpin lodhjen ai sy i mpirë,

shembjen njerzore e  mbledh në grusht.

 

Se këmba dhe trupi hiqen zvarrë,

të lodhur keq nga dorë e fatit,

në thinja flokësh dhe përmbi varr,

më shfaqesh bishë me sy lugati.

 

Me plagë skuqur-o nga gjaku,

një dinjitet më shumë e prek,

e dora dridhet mes një laku,

në shpirtin sterrë dëshirën merr.

 

Ca instinkte me frymë prej bishe,

vjellin si krimbat  me brejtje,

se çdo gjë të mirë që bota kishte

u shemb nën male urrejtje.

 

 

KJO URË MË LIDH ME TY

 

Kjo Urë më lidh me ty

dhe gjelbërimin e prek në udhë,

sytë dua t’i mbyll këtu,

kujtimi i ndezur, ballin më puth.

 

Kjo urë më humb mes fëmijërie

dhe lumi rrjedh pa kërkuar ndjesë,

gjithmonë këtu shikoj vegime

e le harresën që të pres.

 

Kur vij tek ti, prek universin.

se emri yt rrjedh nga shekujt,

blerimi më sjell mëngjesin,

nën ty ngrijmë e shkrijmë akujt…



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT