KOALICIONI NDËRKOMBËTAR KUNDËR
GRUPIT TERRORIST ISIL
Nga Frank Shkreli
Shtetet e
Bashkuara, nuk humbën kohë për të venë në lëvizje sa më shpejtë zbatimin e
strategjisë të Presidentit Barak Obama të njoftuar javën që kaloi, për të
luftuar grupin terrorist ISIL/ISIS në Irak dhe në Siri. Si një ndër masat e para, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në
një deklaratë për median dje njoftoi se Gjenerali në pension, dhe
ish-komandanti i forcave amerikane në Afganistan, John Allen do të marrë
përsipër rolin e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar
grupin terrorist ISIL në Irak dhe në Siri.
Shtetet e Bashkuara, tha John Kerry, i kanë kërkuar njërit prej
ekspertëve më të respektuar dhe me përvojë ushtarake, Gjeneralit John Allen që
t'i bashkohet Departmanetit Amerikan të Shtetit për të shërbyer si Përfaqsues i
Posaçëm i Presidentit për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL.
Në këtë detyrë, Gjenerali Allen, sipas Z. Kerry, do të ndihmojë në
krijimin dhe në organizimin e
koalicionit ndërkombëtar që sipas lajmeve, deri tani, ka arritur në
40-vende dhe të koordinojë përpjekjet dhe veprimtaritë e shumëta të këtij
grupimi global, me qëllim të dobësimit, degradimit dhe më në fund të
shkatërrimit të grupit terrorist ISIL.
Sekretari i Shtetit John Kerry e cilësoi Gjeneralin Allen, jo vetëm si
“një patriot dhe udhëheqës të shquar, por edhe si mendimtar, akademik dhe
profesor i Akademisë Detare të Shteteve të Bashkuara”. Ai njoftoi njëkohsisht edhe emërimin si
zëvendës të tij të Z. Brett McGurk, me rankun e ambasadorit, i cili deri tani
ishte në detyrën e Zëvëndës Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit me përgjegjësi
për Irakun dhe për Iranin, në Byronë për
Punët e Lindjes së Mesme. Z. Kerry e
cilësoi Z. McGurk si njërin prej ekspertëve më të dalluar amerikanë për
çështjet e Irakut. Z. Brett McGurk ka
punuar ngushtë gjatë disa viteve të fundit me ambasadorët amerikanë në Bagdad, përfshirë edhe emërat e njohur
për lexuesit shqiptarë, ambasadorët Christopher Hill dhe James Jeffrey, të
cilët më heret në karierën e tyre diplomatike kishin shërbyer në Tiranë. Ndër këto 40-vende që tani i janë bashkuar
këtij koalicioni është edhe Shqipëria, qeveria e cilës njoftoi muajin e kaluar
se Tirana po i bashkohet koalicionit botëror që luftojnë të ashtuquajturin
shtet islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste.
Në një deklaratë për media, qeveria shqiptare tha se do të mbështesë qeverinë e
Irakut me armë e municione për të luftuar këtë organizatë terroriste duke
shtuar se, “Çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i
mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me
partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE”, thuhet më tej në
deklaratën e qeverisë së Shqipërisë.
Edhe
Presidenti Obama, gjatë fjalimit të përjavshëm në radio tha të shtunën se Gjenerali
John Allen do të shërbejë si përfaqsues i tij i posaçëm për të organizuar dhe
për të bashkrenduar veprimtaritë e koalicionit global në rritje e sipër, kundër
grupit terrorist ISIL. Në fjalimin e tij
javor në radio, Presidenti Obama tha se "Për të përballuar këtë kërcënim,
ne duhet të jemi të mençur dhe të përdorim fuqinë tonë me mençuri dhe
kujdes. Dhe njëkohsisht”, shtoi ai “të evitojmë gabimet e së kaluarës." Fuqia ushtarake amerikane", tha
Presidenti Obama, "nuk e ka shoqen në botë, por kjo ndërmarrje nuk do të
thotë se duhet të jetë vetëm lufta e Amerikës." Udhëheqsi amerikan tha në fjalimin e tij të
përjavshëm të shtunën se, "Ajo që nevojitet tani është një fushatë e
pamëshirshme antiterroriste, me objektiva të caktuara kundër grupit ISIL, duke kombinuar fuqinë ushtarake
ajrore amerikane me kontributet e aleatëve dhe partnerëve amerikanë dhe duke
mbështetur më shumë forcat të cilat janë duke luftuar terroristët në Irak. Ai
siguroi amerikanët, se “Kjo është pikërisht, ajo që jemi duke bërë tani",
u shpreh Presidenti.
Z. Obama
tha në fjalimin e tij javor se edhe shtete të tjera po i bashkohen koalicionit
anti-terrorist, duke shtuar se disa shtete arabe kanë pranuar tanimë që të
shtojnë ndihmat e tyre për qeverinë e re të Irakut dhe kanë rënë dakort që të
bëjnë atë që u takon në luftën kundër terroristëve të grupit ISIL, përfshirë edhe “aspektet
ushtarake”, tha udhëheqsi amerikan.
Ndërkaq,
opozita republikane dhe kundërshtarët e tij politikë e kanë kritikuar
Presidentin Obama se ka pritur shumë kohë për të organizuar një koalicion
ndërkombëtar për të sulmuar grupin terrorist ISIL dhe se duhej të ndërmerrte më
heret sulmet kundër këtij grupi. Por,
administrata Obama ka vazhduar të theksojë nevojën dhe rëndësinë e krijimit të
një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL.
Gjenerali
Allen duket se e njeh mirë rrezikun që vjen nga grupi terrorist ISIL.
Në një artikull me titull "Të shkatërrohet tani shteti
islamik" ISIL, të botuar muajin që kaloi, Gjenerali John Allen ka
shkruar se grupi terrorist ISIL përbën një rrezik të vërtetë jo vetëm ndaj ekzistencës së
Irakut, por edhe ndaj rendit dhe sigurisë në Europë dhe në Amerikë. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, u shreh ai në
artikull, se grupi terrorist ISIL, “përbën një rrezik të qartë dhe
të tanishëm ndaj Shteteve të Bashkuara.”
E vetmja pyetje, shtoi ai, është nëse Shtetet e Bashkuara, së bashku me
aleatët dhe partnerët e tyre, do të veprojnë vendosmërisht tani, për derisa
kanë ende kohë për të influencuar situatën dhe për të shkatërruar grupin
islamik, ISIL. Në artikullin e
tij të botuar më 20 gusht, Gjenerali John Allen u shpreh gjithashtu se
influenca e rekrutëve të huaj në radhët e këtij grupi terrorist, sidomos të
atyre nga Perëndimi, do të ndihet në shtetet europiane dhe në Amerikë për shumë
vjetë në të ardhmen -- pa marrë parasyshë se cili do të jetë fati dhe kauza e
grupit terrorist, ISIL. Gjenerali Allen e
përfundon shkrimin e tij duke shprehur besimin e tij se një përgjigje e
gjithëanshme amerikane dhe ndërkombëtare tani, është jetike për shkatërrimin e
këtij grupi dhe për zhdukjen e këtij kërcënimi.
Grupi ISIL i cili e quan veten “Shteti Islamik”, shkruan Gjenerali
Allen, nuk ka të bëjë aspak me njerëzimin dhe si i tillë duhet të zhduket. "Nëqoftse nuk veprojmë tani, do t'a
paguajmë më vonë", paralajmëroi gjenerali amerikan John Allennë artikullin
e tij të muajit të kaluar.
Gjenerali
Allen -- i posa emëruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në detyrën
e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL dhe përfaqsues i posaçëm i
Presidentit Obama për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL -- ka një përvojë të gjatë në
Lindjen e Mesme dhe ka punuar ngusht me udhëheqës të ndryshëm të shteteve të atij rajoni, përfshirë edhe
përfaqsues të grupeve të ndryshme fetare.
Gjenerali Allen është një veteran misionesh të vështira dhe sfiduese në
rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Afganistan, por mbetet për tu pa nëse do të
ketë sukses në misionin e tij më të fundit dhe ndoshta më të vështirë dhe më
sfidues se çdo një tjetër ndërmarrje të më parëshme të karierës së tij.