Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkreli: Koalicioni ndërkombëtar kundër terroristëve

| E diele, 14.09.2014, 04:55 PM |


KOALICIONI NDËRKOMBËTAR KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL

Nga Frank Shkreli

Shtetet e Bashkuara, nuk humbën kohë për të venë në lëvizje sa më shpejtë zbatimin e strategjisë të Presidentit Barak Obama të njoftuar javën që kaloi, për të luftuar grupin terrorist ISIL/ISIS në Irak dhe në Siri. Si një ndër masat e para,  Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë për median dje njoftoi se Gjenerali në pension, dhe ish-komandanti i forcave amerikane në Afganistan, John Allen do të marrë përsipër rolin e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist ISIL në Irak dhe në Siri.  Shtetet e Bashkuara, tha John Kerry, i kanë kërkuar njërit prej ekspertëve më të respektuar dhe me përvojë ushtarake, Gjeneralit John Allen që t'i bashkohet Departmanetit Amerikan të Shtetit për të shërbyer si Përfaqsues i Posaçëm i Presidentit për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL.  Në këtë detyrë, Gjenerali Allen, sipas Z. Kerry, do të ndihmojë në krijimin dhe në organizimin e   koalicionit ndërkombëtar që sipas lajmeve, deri tani, ka arritur në 40-vende dhe të koordinojë përpjekjet dhe veprimtaritë e shumëta të këtij grupimi global, me qëllim të dobësimit, degradimit dhe më në fund të shkatërrimit të grupit terrorist ISIL.  Sekretari i Shtetit John Kerry e cilësoi Gjeneralin Allen, jo vetëm si “një patriot dhe udhëheqës të shquar, por edhe si mendimtar, akademik dhe profesor i Akademisë Detare të Shteteve të Bashkuara”.   Ai njoftoi njëkohsisht edhe emërimin si zëvendës të tij të Z. Brett McGurk, me rankun e ambasadorit, i cili deri tani ishte në detyrën e Zëvëndës Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit me përgjegjësi për Irakun dhe për Iranin, në Byronë  për Punët e Lindjes së Mesme.    Z. Kerry e cilësoi Z. McGurk si njërin prej ekspertëve më të dalluar amerikanë për çështjet e Irakut.   Z. Brett McGurk ka punuar ngushtë gjatë disa viteve të fundit me ambasadorët amerikanë në Bagdad, përfshirë edhe emërat e njohur për lexuesit shqiptarë, ambasadorët Christopher Hill dhe James Jeffrey, të cilët më heret në karierën e tyre diplomatike kishin shërbyer në Tiranë.  Ndër këto 40-vende që tani i janë bashkuar këtij koalicioni është edhe Shqipëria, qeveria e cilës njoftoi muajin e kaluar se Tirana po i bashkohet koalicionit botëror që luftojnë të ashtuquajturin shtet islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste. Në një deklaratë për media, qeveria shqiptare tha se do të mbështesë qeverinë e Irakut me armë e municione për të luftuar këtë organizatë terroriste duke shtuar se, “Çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE”, thuhet më tej në deklaratën e qeverisë së Shqipërisë.

Edhe Presidenti Obama, gjatë fjalimit të përjavshëm në radio tha të shtunën se Gjenerali John Allen do të shërbejë si përfaqsues i tij i posaçëm për të organizuar dhe për të bashkrenduar veprimtaritë e koalicionit global në rritje e sipër, kundër grupit terrorist ISIL.  Në fjalimin e tij javor në radio, Presidenti Obama tha se "Për të përballuar këtë kërcënim, ne duhet të jemi të mençur dhe të përdorim fuqinë tonë me mençuri dhe kujdes.  Dhe njëkohsisht”, shtoi ai  “të evitojmë gabimet e së kaluarës."  Fuqia ushtarake amerikane", tha Presidenti Obama, "nuk e ka shoqen në botë, por kjo ndërmarrje nuk do të thotë se duhet të jetë vetëm lufta e Amerikës."  Udhëheqsi amerikan tha në fjalimin e tij të përjavshëm të shtunën se, "Ajo që nevojitet tani është një fushatë e pamëshirshme antiterroriste, me objektiva të caktuara kundër grupit ISIL, duke kombinuar fuqinë ushtarake ajrore amerikane me kontributet e aleatëve dhe partnerëve amerikanë dhe duke mbështetur më shumë forcat të cilat janë duke luftuar terroristët në Irak. Ai siguroi amerikanët, se “Kjo është pikërisht, ajo që jemi duke bërë tani", u shpreh Presidenti.

Z. Obama tha në fjalimin e tij javor se edhe shtete të tjera po i bashkohen koalicionit anti-terrorist, duke shtuar se disa shtete arabe kanë pranuar tanimë që të shtojnë ndihmat e tyre për qeverinë e re të Irakut dhe kanë rënë dakort që të bëjnë atë që u takon në luftën kundër terroristëve të grupit ISIL, përfshirë edhe “aspektet ushtarake”, tha udhëheqsi amerikan.

Ndërkaq, opozita republikane dhe kundërshtarët e tij politikë e kanë kritikuar Presidentin Obama se ka pritur shumë kohë për të organizuar një koalicion ndërkombëtar për të sulmuar grupin terrorist ISIL dhe se duhej të ndërmerrte më heret sulmet kundër këtij grupi.  Por, administrata Obama ka vazhduar të theksojë nevojën dhe rëndësinë e krijimit të një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL.

Gjenerali Allen duket se e njeh mirë rrezikun që vjen nga grupi terrorist ISIL.  Në një artikull me titull "Të shkatërrohet tani shteti islamik" ISIL, të botuar muajin që kaloi, Gjenerali John Allen ka shkruar se grupi terrorist ISIL përbën një rrezik të vërtetë jo vetëm ndaj ekzistencës së Irakut, por edhe ndaj rendit dhe sigurisë në Europë dhe në Amerikë.  Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, u shreh ai në artikull, se grupi terrorist ISIL, “përbën një rrezik të qartë dhe të tanishëm ndaj Shteteve të Bashkuara.”   E vetmja pyetje, shtoi ai, është nëse Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre, do të veprojnë vendosmërisht tani, për derisa kanë ende kohë për të influencuar situatën dhe për të shkatërruar grupin islamik, ISIL.  Në artikullin e tij të botuar më 20 gusht, Gjenerali John Allen u shpreh gjithashtu se influenca e rekrutëve të huaj në radhët e këtij grupi terrorist, sidomos të atyre nga Perëndimi, do të ndihet në shtetet europiane dhe në Amerikë për shumë vjetë në të ardhmen -- pa marrë parasyshë se cili do të jetë fati dhe kauza e grupit terrorist, ISIL.  Gjenerali Allen e përfundon shkrimin e tij duke shprehur besimin e tij se një përgjigje e gjithëanshme amerikane dhe ndërkombëtare tani, është jetike për shkatërrimin e këtij grupi dhe për zhdukjen e këtij kërcënimi.  Grupi ISIL i cili e quan veten “Shteti Islamik”, shkruan Gjenerali Allen, nuk ka të bëjë aspak me njerëzimin dhe si i tillë duhet të zhduket.  "Nëqoftse nuk veprojmë tani, do t'a paguajmë më vonë", paralajmëroi gjenerali amerikan John Allennë artikullin e tij të muajit të kaluar.

Gjenerali Allen -- i posa emëruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në detyrën e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL dhe përfaqsues i posaçëm i Presidentit Obama për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL -- ka një përvojë të gjatë në Lindjen e Mesme dhe ka punuar ngusht me udhëheqës të ndryshëm të  shteteve të atij rajoni, përfshirë edhe përfaqsues të grupeve të ndryshme fetare.  Gjenerali Allen është një veteran misionesh të vështira dhe sfiduese në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Afganistan, por mbetet për tu pa nëse do të ketë sukses në misionin e tij më të fundit dhe ndoshta më të vështirë dhe më sfidues se çdo një tjetër ndërmarrje të më parëshme të karierës së tij.