Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkreli:Terroristët, strategjia e Presidentit Obama

| E enjte, 11.09.2014, 07:57 PM |


STRATEGJIA E PRESIDENTIT OBAMA KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL

Nga Frank Shkreli

Të mërkurën mbrëma, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama mbajti fjalimin që ishte paralajmëruar më heret në lidhje me grupin terrorist ISIL.  Në fjalimin e tansmetuar "live" nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Obama njoftoi kombin amerikan dhe botën mbi strategjinë e gjithëanëshme të Amerikës “për të degraduar ose për të dobësuar dhe më në fund për të shkatërruar grupin terrorist ISIL”.

Presidenti Obama theksoi në fjalimin e tij se si Krye-Komandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, "prioriteti më madhor është siguria e popullit amerikan".  Z. Obama tha se megjithëse janë shënuar suksese në luftën kundër terrorizmit, "ne vazhdojmë të përballemi me kërcënime terroriste."   Udhëheqsi amerikan shtoi duke thënë se, "Ne nuk mund të zhdukim çdo të keqe nga faqja e dheut.  Kjo ishte e vërtetë para sulmit të 11 shtatorit 2001 dhe kjo është e vërtetë edhe sot.  Prandaj, kjo është arsyeja që ne duhet të mbetemi vigjilentë, përballë kërcënimeve të reja."  Presidenti amerikan nënvijoi se "Momentalisht, kërcënimet më serioze vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika Veriore, ku grupet radikale po shfrytëzojnë për qëllime të veta, problemet dhe moskënaqsitë me të cilat përballet ai rajon.  Një prej këtyre grupeve është ISIL - i cili e quan veten, "Shteti Islamik", vazhdoi Presidenti, duke theksuar se grupi terrorist ISIL,  "nuk është as shtet dhe as islamik."   Asnjë fe tha Presidenti Obama nuk lejon vrasjen e njerëzve të pafajshëm, duke shtuar se shumica dërmuese e viktimave të këtij grupi terrorist janë vetë myslimanët dhe theksoi se grupi terrorist ISIL, "Nuk është shtet, pasi nuk njihet nga asnjë qeveri dhe as nga populli që ai grup terrorist ka skllavëruar", në disa zona të Irakut dhe të Sirisë.

Presidenti Obama vazhdoi duke thënë se ky grup terrorist dallohet për nga brutaliteti që pjesëtarët e tij përdorin, "Duke ekzekutuar të burgosurit që ata kanë kapur si pengje. Ata vrasin fëmijtë. Ata skllavërojnë, dhunojnë seksualisht dhe detyrojnë femërat të martohen.  Ata kërcënuan me gjenocid një grup të një pakice fetare. Dhe me barbarizmin e tyre ata ekzekutuan dy gazetarë amerikanë - Jim Foley dhe Steven Sotloff", tha Z. Obama.

Në fjalimin e tij Presidenti amerikan nënvijoi se grupi terrorist ISIL përbën një kërcënim jo vetëm për popullin irakian dhe popullin sirian, por edhe  më gjërë sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë shtetasit, personelin dhe objektet amerikane në atë rajon.  Prandaj, nëvijoi Presidenti Obama, "Nëqoftse nuk merren masa të menjëhershme, këta terroristë mund të paraqesin një kërcënim gjithnjë e më të madh përtej këtij rajoni, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”.  Z. Obama  informoi se agjencitë sekrete besojnë se mijëra të huaj - përfshirë europianë dhe disa amerikanë - janë bashkuar me këtë grup në Siri dhe në irak.  Këta terroristë të trajnuar mirë dhe me përvojë lufte mund të këthehen në vendet e tyre dhe të ndërmarrin sulme me pasoja të rënda", theksoi Z. Obama.

Duke nënvijuar shqetësimet e shumë amerikanëve në lidhje me këto kërcënime, Presidenti Obama e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara po përballen me këto kërcënime, me fuqinë dhe vendosmërinë e nevojshme. "Qëllimi ynë është i qartë. Ne do t'a dobësojmë e degradojmë dhe më në fund do t'a shkatërrojmë grupin terrorist ISIL, nepërmjet një strategjie të gjithanshme dhe të vazhdueshme anti-antiterroriste", e siguroi ai popullin amerikan.

Në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma, Presidenti Obama njoftoi një strategji për të shkatërruar grupin terrorist ISIL: “nepërmjet një fushate sistematike sulmesh ajrore kundër terroristëve  të grupit ISIL”.  Z. Obama tha se, "E kam bërë të qartë se ne do t’i ndjekim terroristët të cilët kërcënojnë vendin tonë, kudo qofshin ata.  Kjo do të thotë se unë nuk do të hesitoj të urdhëroj sulme kundër tyre në Siri apo në Irak. Presdienti amerikan Obama  tha se, “Ky është parimi bazë i presidencës time: Nëqoftse kërcënoni Amerikën, ju nuk do të gjeni askund vend të sigurt për tu strehuar.”  Si pjesë e strategjisë së tij kundër grupit terrorist ISIL, Presidenti Obama nënvijoi planet për të shtuar ndihmën ushtarake për forcat në Irak dhe në Siri, që janë duke luftuar kundër grupit ISIL, dhe u zotua se do të dërgojë edhe afër 500 ekspertë të tjerë ushtarakë amerikanë në Irak për të trajnuar forcat irakiane dhe ato kurde kundër grupit terrorist ISIL.  Ai premtoi se së bashku me partnerët e Amerikës, Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zbuliuar dhe për ndërprerë burimet e financimit të grupit terrorist ISIL dhe për të ndaluar luftëtarët e huaj që të shkojnë e të vijnë si dëshirojnë nga Lindja e Mesme. Pjesë e strategjisë së Presidentit Obama kundër grupit terrorist ISIL, janë edhe ndihmat humanitare për vikitmat e pafajshme të cilët, nga vendbanimet e tyre, janë shpëngulur me forcë nga terroristët ISIL.  Ndër këta, tha Presidenti Obama, përfshihen, myslimanët e sekteve shia dhe sunni si dhe dhjetëra mijëra të krishterë dhe pakica të tjera fetare.  "Ne nuk mund të lejojmë që këto komunitete të dëbohen me forcë nga vendlindja e tyre e vjetër”.

Kjo, tha Presidenti Obama, është strategjia jonë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar në këtë orvatje, mbështetjen e një koalicioni të gjërë partnerësh ndërkombëtarë.  Këto përpjekje, tha Presidenti Obama, janë pasqyrimi më i mirë i udhëheqjes amerikane në botë, duke shtuar se, "Ne jemi pranë popujve që luftojnë për lirinë e vet dhe njëkohësisht përpiqemi të sigurojmë edhe mbështetjen e vendeve të tjera, në emër të sigurisë dhe të humanizmit të përbashkët.

Ndërkaq, Presidenti Obama paralajmëroi duke e bërë të qartë se shkatërrimi i grupit terrorist ISIL nuk do të ndodhë mbrenda një kohe të shkurtë dhe siguroi amerikanët tanimë të lodhur nga lufta, se kjo strategji anti-terroriste është ndryshe nga luftërat në Irak dhe në Afganistan - duke thënë se atje nuk do të dërgohen forca ushtarake tokësore, por se kjo fushatë është në përputhje me qendrimin e njoftuar prej tij në fillim të këtij viti, sipas të cilit ai "do të përdor forcën kundër çdo njërit që kërcënon interesat bazë të Amerikës, por që në këtë përpjekje do të mobilozohen, kurdoherë që jetë e mundur, partnerët ndërkombëtarë, për tu përballur me sfidat më të gjëra që kërcnojnë rendin ndërkombëtar.

Në vazhdim të fjalimit, Presidenti Obama e cilësoi udhëheqjen ose “lidershipin” amerikan  në botë si të "qëndrueshme dhe të përhershme, në një botë të pa sigurt."  Në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet për të siguruar mbështetjen e botës kundër agresionit rus në Ukrainë, dhe së fundmi në luftën kundër sëmundjes Ebola në Afrikën Perëndimore, janë Shtetet e Bashkuara  ato që vazhdojnë të luajnë gjithnjë rolin udhëheqës anë e mbanë globit.  Në lidhje me përgjegjësitë e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara në botë,  Presidenti Obama tha këto në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma:

"Është Amerika ajo që ka mundësitë dhe vullnetin për të mobilizuar botën kundër terrorizmit.  Është Amerika ajo që mobilizoi botën kundër agresionit rus në Ukrainë dhe në mbështetje të së dretjës së popullit ukrainas për të vendosur  vet fatin e tij.  Është Amerika - shkencëtarët tanë, mjekët tanë, shkenca dhe teknologjia jonë, ajo që mund të ndihmojë në izolimin dhe në kurimin e sëmundjes Ebola.   Ishte Amerika, ajo që transferoi dhe shkatërroi armët kimike të Sirisë, ashtuqë ato të mos përbëjnë një kërcënim tjetër për popullin sirian dhe as për botën.  Dhe është Amerika, ajo që po ndihmon komunitetet myslimane anë e mbanë botës, jo vetëm në luftën kundër terrorizmit, por edhe në luftën për mundësi më të mira jetese, për tolerancë dhe për një të ardhme më shpresëdhënse."

"Bekimet tona të pashterrëshme", tha Presidenti Obama, "na imponojnë një barrë të përhershme.  Por si amerikanë, ne e mirëpresim përgjegjësinë tonë për të udhëhequr.  Kur ne ndihmuam në parandalimin e një maskare të civilëve (nga grupi ISIL) në maje të një mali të izoluar, shtoi Presidenti Obama, ja se ç’tha njëri prej tyre: “Ne ua kemi borxh jetën miqëve tanë amerikanë. Fëmijtë tanë do të kujtojnë gjithmonë se dikurë na ishte dikush që i kishte dëgjuar vuajtjet tona dhe ai dikush (Amerika) bëri një rrugë të gjatë për të mbrojtur popullin tonë të pafajshëm”, nga zhdukja.

Presidenti Barak Obama e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ky pra, është roli që ne luajmë për një botë më të mirë, pasi edhe vet siguria jonë varet nga gatishmëria dhe vullneti ynë për të mbrojtur kombin tonë duke jetuar dhe duke zbatuar vlerat njerëzore në të cilat besojmë  - ideale dhe vlera të përherëshme këto, të cilat do të mbijetojnë edhe pasi të jenë zhdukur nga kjo tokë, ata që ofrojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim.

Në fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvijoi gjtihashtu edhe mbështetjen e dy partive kryesore për strategjinë e tij dhe fushatën ushtarake amerikane kundër grupit terrorist ISIL, duke mirëpritur mbështetjen e përfaqsuesve të Partisë Republikane në opozitë dhe të Partisë Demokrate në Kongresin amerikan, për t’i treguar botës, siç tha ai, se “Amerikanët janë të bashkuar përballë rrezikut që i kërcënon.”