E enjte, 28.03.2024, 09:48 PM (GMT)

Kulturë

Lazër Stani: Poezia si kendvështrim universal mbi botën

E marte, 01.07.2008, 07:47 PM


Albana Shala
Libri i ri me poezi „Papa Dixhital“ i Albana Shalës, botim i shtëpisë botuese „Dituria“

Poezia si kendvështrim universal mbi botën

Nga Lazër Stani

Pas kaq shekujsh letërsi, duket si i gjithë trualli i poezisë është i okupuar. E megjithatë krijuesit e kanë ditur dhe do ta dinë se ekziston gjithmonë një kontinent i ri, i papopulluar, ku ti nxiton të ngulësh një flamur dhe ku të bërtasësh „Kjo tokë është e imja!“, pavërësisht, nëse toka që të bie në hise është tokë e butë apo e vështirë. Ky kontinent më shumë se një terren i panjohur estetik, ka të bëjë me aftësinë tonë të pashtershme rigjeneruese, imagjinatën e pafund si manipulim i memories – një lojë tashmë e e pranuar me vetëdije.
Poezia është gjithmonë një „e djeshme“, është ajo që të tërheq mbrapa, duke dashur të të sistemojë brenda një rregulli a stereotipi, ndërsa ti orvatesh të dalësh prej tij, për t’u bërë i dukshëm dhe e papërsëritshëm.
Dhe disa nga këto gjëra të përbashkëta që të tërheqin gjithmonë si një zbaticë mbrapsht në kohë, janë dilemat filozofike në të cilat reduktohet njohja dhe eksperienca njerzore, pyetjet të cilat nuk marrin kurrë një përgjigje, që nuk bëjnë asnjë progres qysh prej zanafillës, e që i marrim me vete, ose siç thotë edhe autorja e këtij libri Albana Shala , janë „nëqoftëse“, „po sikur..“, ato që mbyten bashkë me Titanikun, të mbyllura në „hambar“  („Fjalët“) .
“Papa Dixhital” të cilit po i referohemi, është libri i parë me poezi i Albana Shalës, tepër i veçantë që në titull. Modern, do të thoshnin lexuesit me të drejtë, duke pasur parasysh se ai është krejt ndryshe nga një vizion romantik me të cilin ne jemi edukuar kur është fjala për poezinë. Natyrisht që terminologjia moderne është një nga kriteret që e bëjnë të kohës një autor, por, jo gjithçka. Moderniteti tek Albana Shala shprehet edhe në një dyvargësh të kësaj natyre:
 “dëgjoj zërin e saj
të mbështjellë me lëkurë molle”
 ( “Orëve të para të mengjesit”).
Terminologjia në këtë poezi është e vjetër sa edhe miti biblik i krijimit të botës, por, në rastin konkret risia buron nga kompozimi me elegancë i dy materieve që ndërthuren kaq bukur midis tyre, njëlloj si qumështi dhe kafeja në tryezën e mëngjesit. Kolazhe të kësaj natyre, dëshmojnë artin konceptual, si kapërcime të shkathëta që flasin shumë më tepër përmes plastikës vizuale se sa përmes retorikës dhe deklamimit personal.  
Një nga rastësitë fatlume që përcakton edhe hapësirën e larmishme tematike të librit është fakti që eksperienca e autores është e ndarë midis Shqipërisë dhe Hollandës, ku ajo jeton prej mëse dhjetë vjetësh. Kjo gjë e ka ndihmuar atë të sjellë një tjetër frymëmarrje në tekstet poetikë, duke zgjedhur një këndvështrim më universal mbi botën . Në vijim, mund të thuhet se nëse këqyrim me kujdes, libri është i përbërë nga dy cikle: i pari me një “unë” të papërcaktuar- në të cilin gjemë preokupimin e njeriut universal, që nuk kushtëzohet nga sistemet politike e sociale; dhe i dyti- “uni” i përcaktuar, që lidhet gati me një besnikëri të tepruar me fëmijërinë dhe me gjithçka tjetër që ka të bëjë me identitetin e saj shqiptar.
 “Njeriu tipik” dhe “njeriu atipik”, “qenia individuale” dhe “qenia historike” përbëjnë karaktere që zëvendësojnë njëri-tjetrin gjatë kësaj rruge poetike; njëra në kërkim të lumturisë, identitit dhe motivimit filozofik, dhe tjetra në përpjekje për t’ë dëshmuar ekzistencë. Pikërisht ky dyzim ose riciklim personazhi, shoqërohet edhe me stilin e vet të “inskenimit”, njëherë më distante, me sintetike dhe lakonike, dhe njëherë më e qashtër, e drejtëpërdrejtë, dhe besnike deri në vetë-censurë, kur është fjala për poezi që lidhen me familjen, fëmijërinë, rininë, të konservuar me fanatizëm në kujtesë si “Nëna Korça”: “Hapat troket me ngut në plloçat e qytetit të fjetur/ Ka punë për të bërë/ kuzhinierja e shtëpisë së fëmijëvë/ Nëna Korça”.
Një cikël mjaft interesant e të pjekur sjellin poezitë “Në Kaukaz” dhe “Kosovë 1999” etj, të cilat janë të shkruara me një stil gjysëm- publicistik, me detaje të shkathëta e ekspresive si shkrepjet e një blici, rreth një terreni të panjohur për të, por, në të njejtën kohë me një stil sarkastik, inteligjent, e lakonik duke luajtur më paradokset e historisë, anën e tyre komike dhe tragjike të përzier bashkë:
“Në Kaukaz të qëllon t’i shtrëngosh dorën një ishi të KGB-së/ I cili ngultazi të flet për shoqërinë civile e për demokracinë./ Është përfaqësues i minoritetit osetian…”
Me të njejtën gjuhë të kursyer, përcillet edhe historia e Bosnjes (“Në Amsterdam”) poezi e cila fillon me një imazh pothuajse gazmor (“vesa e mëngjesit vezullon në mustaqet e shoferit”) për të arritur me pak vargje intensitetin tragjik të një lirike boshnjake që këndohet nga një emigrante boshnjake në rrugë. Pa dyshim se një mjeshtër e di, që një pikturë e ndërthurur me të kuqen e të zezën e fortë, kërkon një kornizë me ngjyra të butë. Pra, autorja e ka sensin e përshkallëzimit poetik, apo të asaj që unë do ta quaja pikërisht “zona e ndërmjetme” – mënyra për të përcjellë një subjekt me temperament mjaft të fortë e impulsiv, në mënyrë graduale tek lexuesi, në mënyrë që të shkaktjë një llojë befasie.
Ndër të tjera, le të themi se në këtë libër fryn nje erë pafajësie, e shprehur më konkretisht në raportet me te birin, fëmijërinë, vdekjen si nocion, puthjen e një çifti gei, …apo raporti gati domestik me macet, kuajt, zogjtë dhe peshqit. Por, ndryshe nga librat e parë me poezi të autorëve të rinj në përgjithësi, tek Albanna Shala ky ekspozim nuk vjen në mënyrë protestuese apo si pasiguri përballjeje të panjohurën e madhe që pret përpara, por, si rezultat reflektimi mbi gjërat tashmë të njohura e të jetuara, ndoshta edhe për faktin që poetja e boton këtë libër në moshë relativisht të pjekur.
 Përshembull, në poezinë “Refuzim” ajo shprehet: “Jeta bën përpara/ paqësisht/ për të më dorëzuar/ në një karrocë fëmijësh/ në një tjetër gjykatë…”. Në këtë rast, nuk është imazhi i një karroce fëmijësh ai që përcakton klimën e pafajësisë, por, dorëzimi ndaj të pashmangshmes, ndaj lojërave cinike me zgjedhjet tona.
Dhe meqë jemi tek protagnizmi, mund të thuhet, se autorja të lë përshtypjen se nuk e zgjedh tematikën, por, e lë veten të zgjidhet prej saj. Ndaj edhe elementët irracionalë janë ndoshta elemëntët më të fuqishëm të pozisë së Albana Shalës.
Si rezultat, edhe zgjidhjet e poezive vijnë spontane dhe të paparishikuara, që ndonëse nganjëherë edhe jo pse shumë të goditura, gjithsesi të freskëta. Krijimi i tensioneve dramatikë apo përplasjeve të fuqishme, janë shmangur me qëllim ose janë anashkaluar instiktivisht nga autorja, duke krijuar e mbajtur atë brenda shinave lirike dhe një atmosphere të butë, nganjëherë të ngjashme me një vetë-terapi.
Por a është poezia një vetë-terapi? Padyshim. Ajo më shumë është një mike intime se sa një altoparlant. Jo retorikë. Përkundrazi, të treguarit pa komplekse, pa tabu, pa paragykim, dhe pa megalomani i të vertetave të thjeshta të jetës është njëra nga joshjet e poezisë.
Dhe në fund, mund të thuhet se ky libër është një sfidë me veten i Albana Shalës e cila sapo ka hyrë publikisht në botën e poezisë. Ajo e ndan me ne emocionin e saj duke na dhënë me elegancë pak botë nga ajo që ajo ka njohur, pak jetë nga ajo që ajo ka jetuar dhe pak krenari nga krenaria e njeriut që ruan gjithmonë një llambë të ndezur brenda vetes për të parë në sy të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora