E enjte, 25.02.2021, 05:23 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Tehu i sëpatës

E merkure, 10.09.2014, 06:33 PM


TEHU I SËPATËS

Tregim nga Qazim D. Shehu

Demush Dema zbriste çdo ditë me sëpatën në sup e trastën e bukës në dorë për në qytetin e madh ,matanë malit.Rrugën nga fshati gjer atje e përshkonte për dy orë , ndonëse ajo zgjaste ca më shumë.Me trup të fuqishëm, e hap të shpejtë ai rendte si një ari që sapo ka dalë nga shpella , është i uritur e kërkon ushqim në një arë me misër.Demushi kishte një grua të lodhur, tre kalamaj që kërkonin ushqim nga sëpata e tij. Arat në malësi ishin të pakta e drithi mezi mjaftonte për tre muaj.Në qytetin e madh zëri i tij fuqishëm kumbonte rrugëve:hajt, dru me pre.

Ai sikur kërkonte ta zgjonte qytetin, ta nxirrte nga dremitja përtace e mëngjesit, ndonëse e dinte se qyteti kishte oraret e veta të zgjimit dhe s`donte t`ia dinte për thirrjen e tij.Megjithatë këmbëngulte dhe sa lumturohej kur hapej një portë e dikush e thërriste.E çonin tek një stivë e madhe , e , pa bërë asnjë fjalë, fillonte të çante drutë. Kur ishin dru lisi e kishte të vështirë, po kur qëllonin dru ahu mbaronte punë shpejt.Nuk bënte kurrë llogari, ata ishin mësuar me druvarin e qytetit të tyre, e dinin sa duhej t`i jepnin,madje ndonjëherë i jepnin më shumë, sepse shikonin tek ai një njeri fjalëpakë, të kujdeshëm e këmbëngulës në punën e tij.Dikush sedërli e shpirtmirë i sillte ndonjë gotë raki, kafe,  ëmbëlsirë, dikush tjetër ndonjë copë byrek.Demushi i pranonte me respekt dhe i uronte të zotët e shtëpisë.Askush nuk ia dinte emrin, të gjithë e thërrisnin druvar.E kjo s`kish rëndësi për të sa ç`kishte rëndësi fakti që në pasditen e vonë ai e kish mbushur xhepin në mënyrë të kënaqshme dhe kthehej në shtëpi me gëzimin se diçka do çonte, do t`u blente fëmijëve tek tezgat  ëmbëlsirë, rrallë ndonjë lodër e gruas ,sipas rastit, varëse apo fustan.

Një ditë të vranët kur bora zbardhte majat e maleve që rrethonin qytetin, nëpër rrugica frynte një erë me vërshëllimë të pandjeshme si gjuhë garpri,kur ai ndjehej i uritur , me një flakëz pasigurie që i dobësonte gjymtyrët, nuk po hapej asnjë portë.Siç dukej qyteti nuk e donte më.Oxhaqet nxirrni tym indiferentë, sikur donin ta tallnin, në mesditë qyteti ishte mbledhur në vetvete,ngrohte gjymtyrët me drutë që kishte copëtuar sëpata e tij.

-Dru me pre, thirri ai për herë të fundit,hajde dru me pre…, por nuk lëvizi asnjë kanatë.

Ai u ul në një sofa, nxori trasten , i zgjidhi grykën, kapi me dorën e madhe copën e bukës së misrit, me gishtin e dorës  tjetër shpërndau gjizën në të, e filloi të hante.Dhëmbët e tij të mprehtë kafshonin bukën e fortë, ndërsa sytë e përhumbur vështronin pak metra në rrugicë.Kur ai po mblidhte thërmijat e fundit të bukës,përballë tij në një shtëpi dykatëshe u hap një kanatë,një grua u shfaq në ballkon, ajo ia bëri me shenjë, po ai s`kuptoi asgjë.Ai nuk e kuptoi se çfarë donte t`i thoshte, mbase shenjën ia dha dikujt tjetër, punë e saj, tani më herët se ditët e tjera duhej të nisej për në katundin e tij.S`kishte pse rrinte më.Qyteti sot ishte i ngopur.Kur po mendonte kështu, befas u hap porta e avllisë dhe para tij u shfaq një zonjë e hirshme ,veshur lehtë; çudi si nuk paska ftohtë, mendoi ai me vete.

-Druvar, je për punë sot, i tha ajo dhe u fut brenda duke lënë portën hapur.Shpatullat e tij lëvizën si një copë mali që ndjen tërmet.Kur u gjend para stivës së druve kuptoi se të paktën do kishte një orë punë, ndoshta pak më tepër.Ai u gëzua se drutë nuk ishin prej lisi me nyje e grremça.Zonja e shtëpisë ndenji pak , pastaj u ngjit lart dhe nuk doli më.Jashtë dëgjoheshin mëshimet e zërit të tij, mëshime të egra që përcillnin ndonjë inat të vogël kur drutë nuk i bindeshin sëpatës.Megjithatë drutë u qenë dorëzuar formave që u jepte sëpata e tij e tani ai po i stivoste.Si mbaroi punë po priste në oborr, veçse zonja nuk po dilte.Edhe po  të mos dilte, ai do të priste edhe pak, pastaj do të ikte. Nuk e kishte dëshirën të bënte llogari, sepse dihej hesapi.Kur u mat të kthente shpinën , befas doli zonja.

-Druvar, ngjitu lart, të marrësh paratë, i tha ajo, sikur ta urdhëronte, po ai s`kuptoi asgjë nga timbri i zërit të saj.Ai kurrë nuk qe futur në shtëpi qyteti, madje në shtëpi vetëm me gra. Dreq, tha me vete, jam unë për të hyrë në shtëpi të tillë?Mjekra e parruar qëkur, flokët të palarë, po kështu rrobat që bien erë nga bagëtia.

Zonja po rrinte në ballkon.Duhej të qe ndonjë grua shpirtmirë,se kurrë nuk i kishte ndodhur kështu.Megjithatë iu bind.Kur ai u gjend në dhomë ndjeu menjëherë se nuk e meritonte të rrinte aty.Kudo ndriste pastërtia, ndihej kujdesi dhe shija për t`u vendosur gjithçka në vendin e vet.Gjithandej vareshin perde të pastra dhe shilteve të rehatshme u vinte era ujë.Zjarri në vatër i rrëmbente sendet e dhomës drejt një paqeje të ndezur e gjumëndjellëse.Ai vuri re se zonja nuk e kishte më atë veshjen e parë.Në fytyrë mbante një pamje fajësie dhe mollëzat ia zbukuronte një refleks i kuq.Ajo e gostiti me një lëng të ëmbël për të cilin atij i erdhi turp të pyeste se ç`emër kishte.Pastaj i zgjati paratë të cilat nuk i numëroi, po kuptoi se duhej të ishin më tepër se sa bënte puna.Ç`grua shpirtmirë që ishte.Befas iu afrua më tepër se ç`duhej, e kapi përdore sikur  të ishte më i turpshmi i botës, ai u ngrit dhe vajti pas saj në një dhomë tjetër.

Në ato çaste kur ariu i malit po mbyste një drenushë, klithmat e kënaqësisë së saj do t`i jepnin atij me kuptuar se nuk dinte asgjë rreth vetes, se kishte kuptuar që jeta vërtitej vetëm pas sëpatës së vet mizore,duke ndjerë një turp për djersët, leshrat e egra dhe të palara….

Kur po dilte prej rrugëve të qytetit , për të marrë shtegun e ngushtë  drejt fshatit të vet të largët,po sillte ndërmend përsëri për atë zonjë që i kishte dhënë kënaqësinë e parë  `të vërtetë ,duke iu shfaqur përsëri gruaja e vet gërmuqe, grindavece, plakur para kohe nga hallet dhe punët e shumta.Atij po i vinte keq edhe për veten e vet, për moskorrektesën ndaj paraqitjes, rrobat e palara, leshrave që u vinte era cjap.Akoma nuk kishte kuptuar pse ajo grua kishte dëshiruar atë.Mos vallë nuk kishte fëmijë dhe donte një prej tij,mos vallë burri i saj i flashkët e shihte me përçmim?Por burra qyteti duhej të kishte, zotninj të vërtetë,të larë e të rruar, të veshur shik, ç`donte ajo që kishte zgjedhur pikërisht malësorin e vrazhdë e të pagdhendur që i vinte era përç.Mendime të ndryshme i vërtiteshin në kokë, të cilat bëheshin më të rrëmujshme nga ndjesia e thellë që s`i shkulej prej zemrës, ndjesia e shijimit të asaj femre që i vinte era trëndëlinë e që ishte e bardhë si bora dhe e zjarrtë si furra .

E sa më tepër i tallaziteshin mendimet  aq më shumë një valë turpi për veshjen ia zhvlerësonte veten në sytë e ndërgjegjes së vet të topitur.Atij i vinte rëndë edhe për punën e vet prej druvari që thërriste më të madhe rrugëve duke zgjuar nga gjumi zonjat e rënda që flinin me leshra në jastëkë të pastër si cipa e borës.Ndoshta ajo femër e kishte afruar për t`ia lënë trupin e vet në atë shijim të zjarrtë,që ai të mos thërriste më rrugëve si gomari kur e kap dalldia e të pallurit.

Atë mbrëmje nuk solli në shtëpi gjë, ndryshe nga ç`e kishte zakon herë të tjera.E shoqja i tha se ushqimet po mbaroheshin  dhe ai të nesërmen kur të nisej për qyteti , duhej të sillte patjetër miell, kripë vajguri dhe sapun.Ajo e shihte me bisht të syrit me një buzëqeshje të lehtë dhe atij po i vinte të ngrihej e t`ia ngjeshte nja dy tri flakurima.Kur u shtruan në sofër hëngri pak, fare pak, ndryshe nga herët e tjera.Nuk kishte uri dhe vajti shpejt e u ngjesh në dyshek .Drita e hënës binte pjerrtas përmes dritares së madhe .Sapo po e kapiste gjumi kur e shoqja erdh dhe iu ngjesh pranë dhe atij iu duk sikur afër kurrizit ndjeu një mace të stërmadhe që do ta çirrte me thonj.Fryma e saj e ngrohtë i dukej si një shpërthim torturues.E zuri gjumi duke e lënë të shoqen në pritje.

Të nesërmen ,vajti tek dyqani i fshatit, bleu rroba të reja,u la, u rrua,e, kur e pa veten në pasqyrë, u ndje aq i kënaqur sa vërshëlleu një copë herë e s`po besonte se ishte pikërisht ai, Demush Dema, druvari shpatullgjërë e kokëshkëmb, po një spitullaq i këndshëm qyteti, i denjë për të folur dy fjalë me një zonjë ,cilado që të ishte ajo.Atë ditë ndenji në shtëpi, fjeti gjumë dhe pa ëndrra të bukura, pa sërish zonjën që fluturonte nga gazi, pa rrugët e qytetit që tani ishin dyfish më të dashura për të.Të nesërmen me sabahile do nisej për qytet.Torbën e bukës nuk do ta merrte më,vetëm sëpatën.Gruaja e vet po e shihte e çuditur, po në një moment ajo ia dha një të qeshure të lemerisshme, herë e parë që qeshte kështu me një parandjenjë të çuditshme prej shtrige.U mat t`ia përvishte me një shputë, po ajo u largua dhe ai dëgjoi sesi ajo po qeshte dhe po çuçuriste në oborr duke thirrur një gjel krenar që s`donte të zbriste nga maja e mullarit.

Kur Demushi mbërriti në qytet,dita ishte e ngrohtë, njerëzit lëviznin të gjallëruar rrugëve të tij,ai nuk thërriste më :dru me pre, askush nuk e shihte. Dhe ja ku ishte shtëpia e zonjës të cilën e mbante mend mirë, ja drutë e stivosura, të prera shkurt.Ai shtyu portën, e cila ishte e pambyllur, siç duket më prêt,tha me ngazëllim. la sëpatën në një cep të oborrit dhe ngjiti shkallët.S`kishte frymë njeriu.Në një moment u ndal, hezitoi.Mos po bëhej shumë i afërt, mos në shtëpi kishte njerëz të tjerë dhe krijohej ndonjë keq kuptim.Po përderisa ajo grua e donte, çdo gjë mund të zgjidhej duke sajuar ndonjë rrenë që e pati sajuar më para.Ai shtyu derën, e cila po ashtu qe e hapur. Pa zonjën të ulur pranë zjarrit duke thurur një dantellë.Veshur lirshëm në qejf të vet, ajo ngriti kokën, sytë i xixëlluan dhe ia dha të qeshurës.Tingujt e zërit të saj gurgullonin pastër, befas ajo e mblodhi të qeshurën duke hapur një kutizë ,ikur donte ta ndrynte aty.

-Kush jeni ju, zotëri, e, si guxoni të hyni në shtëpinë e tjetrit pa trokitur.Mirë që s`është burri këtu-ndërsa supet e saj tundeshin lehtë sikur e qeshura të kishte dalë nga kutia e të qe rrënjosur thellë në trupin e saj gjysme të zhveshur.Gjinjtë e  mëdhenj ,zbuluar pakëz, tundeshin edhe ato.

-Nuk po më njihni zonja Hamide, jam Demushi, druvari i tre ditëve më parë.

-Po për ku je nisur kështu Demush Aga, për dasmë, apo mos ke ndonjë ziafet tjetër.Buzët e saj vijëzuan një buzëqeshje që atij nuk  pëlqeu.

-Veç për ju erdha Hamide, veç për ju..

-Tek unë me këtë fytyrë kaq të qëruar si çunarak qyteti, nga ata që gratë i fusin nën fustan.Me këtë aromë që  ta heq  përçin?

-Mendova se mos u bezdisja zonjë..Në fytyrën e saj u dha një hije trishtimi.Befas ajo u ul diku, vuri kokën midis pëllëmbëve dhe supet e saj tundeshin.Kur ajo ngriti kokën u kuptua se nuk kishte qarë, po as kishte ndërmend të buzëqeshte, qoftë edhe mundimshëm.Ajo po e shihte me kujdes si të vërente një të panjohur.Ai rrinte ende në këmbë dhe s`guxonte t`i afrohej, i dukej e çuditshme dhe tekanjoze, e paparashikuar.Si kishte mundësi të ndryshonte kaq shpejt kjo femër kur dy tre ditë më parë i qe betuar me zjarrin e shpirtit?Vetë ia tha këtë gjë po ai ende nuk e besonte.S`gjente fjalë ta bindte, as një mënyrë tjetër për ta afruar.Pak e nga pak fytyra e saj u bë më e qetë.Befas u ngrit, dhe e gostiti me reçel.Demushi vuri re sërish gjoksin e saj gati të zbuluar po nuk mund ta prekte, ai po e shihte me kujdes fytyrën e saj të ndryshuar, serioze, të bukur e të largët sikur ajo të mos e njihte. Demushi po e hante reçelin me kujdes., me një etiketë të veçantë, plot kujdes sikur ruhej mos gjente aty dy tre pika helm.Ndryshe nga ajo ditë, kur ai kishte pirë diçka me vrull .Befas gruaja foli:

-Burra si ti, të larë e të pastruar,me fytyrë të qëruar si pasqyrat e zonjave të vjetra, ka sa të duash në qytet.Kam edhe burrin tim.Dhe ç`qenke larë e pispillosur më keq si një çunarak qyteti…-përsëriti ajo.-Në zërin e saj u ndie një egërsi.Hakmarrje s`mund të ishte, por ndoshta edhe ajo.

Tani duhej të ikte.Vendosmëria e asaj gruaje ishte e fortë, sytë e saj nuk e kishin më turbullirën dhe aftësinë e përthithjes, ato sikur ishin pa ngjyrë.Kaq ishte kjo punë.Fytyra e saj shprehte një seriozitet të plotë,ai hetoi në tiparet e saj diçka të pakthyeshme ,një vendosmëri të ashpër, ndaj me pikëllim ktheu shpinën, duke mos harruar të merrte në oborr sëpatën e mprehtë që shkëlqente në rrezet e diellit…Kur Demush Dema doli në rrugë, befas thirri:

-Dru me pre….Hajde…dru..

Asnjeri nuk e pa, por sikur ta shihnin, me siguri do shihnin një druvar të çuditshëm, veshur ndryshe nga herët e tjera.Po ai e përsëriti thirrjen me ngulm dhe zëri i tij i pikëlluar vajti e u përplas në kapakun e një kanati që u mbyll. Ishte një zë i ashpër, i cili tentonte të mbyste trishtimin dhe pikëllimin e thellë ,përzier me fyerje…,një zë i përvajshëm….



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora