Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Rusia dhe Ballkani, çështje shqetësimi

| E marte, 09.09.2014, 07:08 PM |


RUSIA DHE BALLKANI - ÇËSHTJE E PËRHERSHME SHQETSIMI

Nga Frank Shkreli

Në fillim të këtij viti, në shkrimin me titull "Kujdes Ballkanin", që ishte një reagim ndaj agresionit rus në Ukrainë, kisha shkruar se "Zhvillimet e përgjakshme të kohëve të fundit në Ukrainë duhet të jenë një kambanë për elitat politike të vendeve të Ballkanit si dhe për Bashkimin Europian dhe për Shtetet e Bashkuara, që kësaj zone t'i kushtohet një vëmendje më e madhe para se të jetë tepër vonë".

Javën që kaloi, enti amerikan "Democratization Policy Council" (DPC) ose Këshilli për Demokratizimin e Politikës, botoi një raport mbi politikën ruse në Ballkanin Perëndimor, në të cilin thotë se Rusia po perhapë influencën e saj politike në atë rajon duke luajtur kartën ekonomike.  Sipas raportit, Moska e ka bërë këtë, falë mungesës së bashkimit të vendeve perëndimore për një politikë të përbashkët me qëllim për të penguar përpjekjet dhe për të kundërshtuar interesat ruse që janë të dukëshme anë e mbanë rajonit, por sidomos në Serbi dhe në Bosnje Hercegovinë, nepërmjet entitetit të quajtur Republika Srpska.  Megjithëse, sipas autorëve, nuk dihet natyra dhe përmasat e politikës ruse në atë rajon, sidomos në Serbi dhe në Republika Srpska, pasi  ajo nuk është transparente dhe është e rrethuar me mister, por si e tillë, thotë raporti, ajo përbën gjithnjë e më shumë një problem të madh ndaj interesave perëndimore në përgjithësi dhe ndaj sigurisë në kontinentin europian, në veçanti.

Autorët e raportit të entit amerikan DPC, Bodo Weber and Kurt Bassuener shkruajnë se konflikti në Ukrainë,  i cili si përfundim ka keqësuar dukëshëm marrëdhënjet midis Rusisë, Bashkimit Europian (BE) dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ai konflikt, si rrjedhim thonë ata, ka kafektuar anjëkohësisht ka prekur prekur gjithashtu zhvillimet, në mënyra të  afektuar në mënyra të ndryshme rajonin e Ballkanit dhe për rreth.  Ata thonë se ndërkohë që kriza në Ukrainë ka larguar vëmendjen e politikës perëndimore nga zhvillimet e kohësve të fundit në Ballkan, ky rajon është shëndërruar në një fushë betejë e këtij konflikti të ri gjeopolitik - i cili po simbolizohet nga një rritje gjithnjë e më e madhe e aktiviteteve diplomatike dhe propagandistike ruse dhe kjo fushatë nuk i drejtohet ekskluzivisht  Serbisë, megjithëse  Serbia histoprikisht dhe gjithmonë ka mbështetur interesat e Ruse në Ballkan.

Raporti nënvijon vështirsitë që ekzistojnë midis BE-së dhe SHBA-së për të arritur në një qendrim të përbashkët politik me qëllim për të kundërshtuar agresionin rus në Ukrainë. Kjo ndodë thuhet në raport, kryesisht për arsye ekonomike, sidomos  për arsye të varësisë së disa prej vendeve europaine tek Rusia për energjinë.  Në raport përmendet si një sukses i  politikës së përbashkët perëndimore në Ballkanin Përendimor, luftën e Kosovës me Serbinë, ku thuhet se SHBA-të dhe BE-ja edhe pas vitit 1999, kanë vazhduar të mbajnë një qëndrim të përbashkët politik, megjithë ndryshimeve midis tyre,  përballë sfidës që paraqet  për ta kriza në Ukrainë.

Në lidhje me marrëdhënjet midis Serbisë dhe BE-së, autorët e raportit thonë se ndërsa është e qartë se Beogradi nuk ka një strategji afatgjatë se si dhe kur të ndërpresë marrëdhënjet tradicionale me Rusinë, të cilat janë në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për tu bërë anëtare e BE-së, njëkohësisht është e qartë - thuhet në raport - se as BE-ja nuk ka një strategji afat-gjatë për zhvillimin e marëdhënjeve të saj me Serbinë.  Ata paralajmërojnë se ky boshllëk do të përkeqsohet edhe më shumë, nëqoftse në të ardhmen shënohet ndonjë përkeqsim edhe më i dramatic, së ç'është tani, në marrëdhënjet e Perëndimit me Rusinë.

Si përfundim, raporti i entit DPC,  i bën thirrje Perëndimit por në veçanti Bashkimit Europian, që më në fund, të përballet me këtë sfidë dhe i bën thirrje që  të përpilojë një politikë të përbashkët ndaj rajonit të Ballklanit Perëndimor, me qëllim që të pengohen dhe të kufizohen mundësitë dhe rastet e Moskës për të dëmtuar interesat e Perëndimit në rajonin e Ballkanit. Kjo strategji e përbashkët europiane, sipas raportit në fjalë, duhet të përfshijë këta elementë kryesorë: "Arritjen e një qëndrimi të përbashkët për tu marrë seriozisht me kërcënimet ndaj sigurisë rajonale anë e  mbanë Ballkanit, përfshirë edhe mundësinë e antarësimit në NATO të vendeve që aspirojnë një antarësim të tillë: zhvillimin e mëtejshëm të mundësive për antarësim në Bashkimin Europian, në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtëme dhe të Sigurisë (CFSP), si dhe zhvillimin dhe përpilimin e një politike të përbashkët energjetike europiane, në të cilën të përfshihen edhe vendet kandidate për në BE dhe në NATO.

Politika dhe influenca ruse në Ballkan nuk është as e re, as nuk ka ndryshuar gjatë dekadave - për të mos thënë me shekuj - e sidomos përsa i përket politikës ruse ndaj kombit shqiptar në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor.  Pa dashur të futem në histori, por vetëm t'i hedhim një sy politikës aktuale të Moskës, sidomos ndaj Kosovës.  Rusia, jo vetëm që nuk njeh Kosovën, po edhe përpiqet të bllokojë çdo përparim që ka shënuar Kosova, sidomos në fushën ndërkombëtare. Qëndrimi i Moskës është aq anti-Kosovës sa që nganjëherë është venë re se Rusia mban një qëndrim edhe më të ashpër se  vetë Serbia karshi Kosovës, siç është çështja e përfaqësimit të Kosovës në takime rajonale dhe adminstrimi i përbashkët i disa pikave të kufirit Kosovë-Serbi.   Me djallëzitë e veta që luan në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, Rusia nuk ka ndryshuar aspak politikën e saj ndaj Kosovës si shtet dhe as ndaj pavarsisë së saj të njohur tanimë nga më shumë se 100- shtete të botës.   Nepërmjet përfaqsuesve të saj diplomatikë në arënën ndërkombëtare, e sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB-së), Moska vazhdon të kundërshtojë me këmbëngulje antarësimin e Kosovës në organizatën botërore, pasi si anëtare e Këshillit të Sigurimit ushtron të drejtën e vetos.

Ndryshimet midis Perëndimit dhe Rusisë në lidhje me Kosovën e të cilat kishin arritur kulmin më 1999 me ndërhyrjen e NATO-s për të çlirimin e Kosovës nga Serbia, vazhdojnë të jenë gjithnjë të mprehta.  E duket sikurë Kosova është një kockë që i ka mbetur në fyt Moskës, një kockë që pengon shtrirjen dhe konsolidimin e influencës dhe dominimit të saj në Ballkan.  Në librin e tij, "Rusia dhe Ballkani", Profesori James Headley nga Zelanda e Re ka shkruar se ish-presidenti rus Boris Yeltsin dhe tani Presidenti Vladimir Putin e kanë bërë pjesë të politikës së tyre ndërkombëtare, që në fushën e politikës së jashtëme ruse diplomatët e saj të kundërshtojnë me çdo mjet dominimin e interesave të Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.  Ai shpjegon, ndër të tjera, vendosmërinë e jo vetëm të elitës politike ruse në këtë drejtim, por edhe të medias dhe të akademikëve të Rusisë për të ruajtur dhe për të zgjëruar influencën diplomatike dhe ekonomike të Kremlinit. Të gjithë këta, sipas tij, e konsiderojnë këtë si një objektiv i detyrimit kombëtar rus.

Raporti i autorëve  të enti amerikan "Këshilli për Demokratizimin e Politikës", me të drejtë i bën thirrje Perëndimit në përgjithësi dhe Bashkimit Europian në veçanti, që të ndërmarrin një angazhim më serioz politik dhe ekonomik ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim për të minimizuar influencën ekonomike dhe diplomatike të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Andaj, duke pasur parasyshë problemet politike dhe ekonomike me të cilat përballen vendet e atij rajoni, interesimi dhe angazhimi politik dhe ekonomik i Perëndimit për këtë rajon të Europës së jugut, duhet të jetë i një natyre të ndërhyrjes së shpejtë, pa vonesë dhe i një vendosmërie të pa dyshimtë. Një ndërmarrje e tillë, sipas autorëve të raportit, është në  përputhje me interesat e Perëndimit dhe të sugurisë e të paqës në Europë.  Për ndryshe Rusia është gati të plotësojë boshllëkun që mund të ekzistojë tani, ndërkohë që vëmendja e NATO-s dhe e Perëndimit është e përqendruar në konfliktin ruso-ukrainas.

Përgjegjësitë e Perendimit dhe të Bashkimit Europian karshi Ballkanit janë shtjelluar në këtë raport, por përgjegjësinë më të madhe në ketë mes duhet ta mbajnë vetë elitat politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Procesi për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian po zhvillohet shumë ngadalë për të mos thënë se është në vend numëro.   Fatkeqsisht, kjo situate, më shumë se mos interesimi i Perëndimit për këtë rajon, pasqyron më tepër mos-aftësinë ose mos vullnetin e vetë klasës politike të këtyre vendeve që të adaptojnë standardet europiane të integrimit - një klasë politike kjo që në shumicën e vendeve të rajonit konsiderohet nga vet qytetarët e tyre, si grabitqarë të pasurisë, duke përdorur mjetet ligjore dhe jo ligjore që ka në dispozicion, për veten dhe mbështetsit e tyre politikë.  Ishte kjo klasa politike e Ballkanit e mbytur deri në fyt në korrupsion, për të cilën Sekretari  Amerikan i Shtetit John Kerry pat shprehur shqetsimin se, “Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare,” ka thënë zoti Kerry.

Mos  pranimi i vlerave perëndimore nga elitat politike të këtyre vendeve, është fushë pjellore dhe në përputhje të plotë me interesat ekonomike dhe diplomatike të carëve të rinjë të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.   Megjithëse politika e BE-së  i  ka fajet e veta, kjo gjendje stagnante në bërjen e reformave të nevojshme nga  udhëheqsit politikë të vendeve të  rajonit, mund të pasqyrojë gjithashtu edhe mungesën e një vullneti më serioz politik dhe diplomatik të vendeve të Bashkimit Europian  që shtetet e kësaj zone të integrohen më shpejt në organizmat euro-atlantike.  Me zgjatjen e kësaj situate, vetëm fitojnë interesat diplomatike dhe ekonomike të Rusisë dhe humbin, mbi të gjitha, interesat e vetë vendeve të Ballkanit, dhe si rrjedhim i humb influenca perëndimore, por për më tepër humb paqa dhe sigurimi në Europë. Andaj, është i nevojshëm angazhimi serioz për minimizimin e influencës ruse në Ballkan, kryesisht i  Perëndimit dhe i udhëheqsve politikë të vendeve të Ballkanit, por edhe i të të gjithë atyre që dëshirojnë parandalimin e rreziqeve të mundëshme që do të paraqiste një këthim mbrapa në zhvillimet e vendeve të këtij rajoni, qoftë në marrëdhënjet me njëri tjetrin, por qoftë edhe me Europën dhe më gjërë.