E diele, 07.03.2021, 09:44 AM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Hasije Selishta Kryeziu

E marte, 09.09.2014, 06:42 PM


Hasije Selishta Kryeziu

 

Heshtja e portave

 

I

Te porta e parë

hijesove diellin

ngrite kokën lart

ec drejt portës së dytë

 

Pa u hamendsur

digje Shpirtin e copëtuar

hirin

tokën  e premtuar ruaje

të mos e vjedhin ata

 

Te porta e dytë

ndrydhet  dhembja

dielli le të djegë

Frymën e shenjtë

 

II

 

Vetëm himnin  e zhurmshëm

korin e Kishës

mos e dëgjo

Shpirti portë nuk ka

 

Te porta e tretë

rrëshqet shkëmbi nga ata

si  pritë nga qielli

furtune marrin  gjethet

e lëna shkretë

të lutem merrmë edhe mua

kudo që të jesh

 

Zëri yt në errësirë

nga të lehurat e qenve

ëndrra në pikë të ditës

si të mos mësohet

 

 

Te porta e katërt

një e dehur

edhe më tej  në çmendi

duke na gjykuar

neve  të padehurit

për dehje

 

III

 

Shtëpia hirin rrëmben

e rëra

në shkretëtirën e saj

tretet

 

Te porta e pestë

pështyj grilat

ende vragat e të huajve

dhe digju më mirë

se sa të ndeshesh

me të tillët

 

Kthehem

te porta e katërt

mbrapsht më ndjekin

që të pajtohem

me zjarrin

 

Te porta e gjashtë

më shikon në dritë të syrit

copë pagjumësie

derdhen

pranë tavolinës

që kemi në mes

 

IV

 

Po e qan tokën malli

shushurimat e gjora

po e trembin portën

e të lehurat e qenëve

s’kanë të ndalur

 

Te porta e shtatë

jemi që të shtatët

assesi të hapet

 

Unë e ti në mes

të një minuti heshtjeje

pa e ditur

se kush ka vdekur

ndërsa te të pestit

minutat e heshtjes shumohen

 

Korrik 2012

 

 

Çt’ju them

 

Ç t’ ju them juve

të pagjumëve

të kërrusur nga dhembja

e ndrydhur nga vuajtja

stërlodhur nga uria

e kalibardëve

 

Si ti shikoj lotët

si ujëvarë e heshtur

po ecë trupit tim

ndër shekuj

grabitë buzëqeshjet

e të urtit

 

Ç’të bëjë me sytë e tyre

mbushur plot mall

e vërbuar nga errësira

kot do t’i prek dielli

zgjatja e shekujve

vuajtjet përzien

 

E kur të zgjohen

të shtypurit

një grusht dashuri

me dhembje i përzier

do të qeshem si fëmija

duke u rilindur

shtator 1992

 

 

Himni i shenjtë

 

I

 

Ftohtë

furtuna hyri në asht

u tmerrua

për herë të parë u mbështoll

në pëlhurën e kuanteve të universit

për ta ndalur hovin

 

Në akull

gërsheta e vjetër u shprish

floku  thinjur

shkulur

era  e barti

gabimisht ishte gërshetuar

 

Ika në qiejt e mi

 

Në qiellin e parë

pashë flokun e shprishur

bartej prej një reje në tjetrën

më pas fluturoi në tokë

drejt një fere

thinjat mbështilleshin

Serapis Bej

i preku me ngjyrën e verdhë

 

Në qiellin e dytë

mëkatet e tij më ndiqnin

pa e parë

se rrezja e parë e El Morjes

ishte humbur

mbuluar me dheun e vetmisë

 

II

 

Në qiellin e tretë

ende përndjekesha

donte t’më  mbushte mistere

 

Zot

ruaje virgjërinë e përjetshme

edhe në fundjetë

t’mos e përkund

era e kufomës së marrosur

por si atëherë

të flas në origjinalitet

 

Në qiellin e tretë

mbeta vetëm

pa iu trembur

errësirës

egërsisë

hënës se do të zhduket

 

U afrova edhe më afër qiellit

që ta ndjej erën e tij të lirë

kupë e qiellit më bën nder

më paralajmëron

rikthimin

pastaj vazhdimin

në qiellin e katërt...

 

tetor 2009

 

 

Për parajsë jam vonuar

 

Rritën tënde s’e pashë

e belbëzimin tënd ndjej

se si më afrohet

me trupin prej engjëlli

 

Duke ikur nga shtrëngata

Hadi

ashtu e  buzëqeshur

himn shushurime pagëzon

S’ta ndjeva gëzimin

ike pa u ngushëlluar nga vaji

je rritur

ndoshta edhe dashuruar

 

Përgatis pajën tënde

për fejesë

me gërshetën fije fije

qëndis lule

 

Kam mall të vij tek ti

në dasmën tënde

valsin me engjëj

të ik prej korbit që më nxin sytë

 

Besova në ditën e madhe

do të vinte shpejt

të më prisje duar hapur

apo ndoshta për parajsë jam vonuar

 

 

Tymosje hyjnore

 

I

 

Letrën e bardhë

qielli e kishte lexuar

lotuar

puthur

shkëlqyer me diell

yll

hënë

 

Bardhësinë

nuk e kishte humbur

verdhësia

 

Aty ku e ka puthur qielli

me dhembje

pa frikë

vjen në Unin tim

bardh

ngrohtë

heshtur

 

II

 

Në trupin tim

harliset

pa humbur

në thellësinë e mallit

laget

nga të pagjumët

 

Ç’tymosje

unë e qielli

të pavdekshëm

qajmë

puthemi

lutemi

 

Letra e bardhë

hyjnore

pranë meje

qiellit

rri varur

 

 

Testamenti i vjedhur

 

Pak frymë

hireve të shkreta

asnjë fytyrë mos të shihet

në gjurmët e Biblës

 

Heshtur ndërto portretin

shumë zi

Zot

rikthe frymën

ashtin e mykur

Testamentin e vjedhur

Shën Mari

 

Largimi shtratin e mbushi

mall

vdekje

kryqëzimi mëkatoi

zjarrin në gji

Era të risjelli

në secilën puthje

prishe hijën

 

II

 

Zot

Zot

kam ftohtë

në sytë e përtej natës

 

Ikona në varret

ringjallët

vdes

të përgjërohem

në flokun e prerë

ruaje lumin LETA

shpirtin në zarfë

mall

me jetë

pa jetë

Shën Mari

 

 

Himni i qiellit

 

Aromë e egër

përskuqet

diçka prej femre

prish

ligjin e heshtjes

 

Shtrydh ankthin

nga trupi

të dalin djajtë

harlisur

të vetvriten

nga ftohtësia

edhe atëherë

kur jam tërbuar

çoroditur

 

 

Parandjenja u afrua

për të zbavitur

mëngjesin e dhjetorit

këndoi

himnin e ftohtë

të qiellit

 

Varfërinë e shthurjes

shpall pa dhembje

e lodhur

nga zhgënjimi

pirgut të qiellit

afrohem

që t’i mbetem besnik

trupit tim prej hiri

_________

Hasije Selishta Kryeziu u lind më 13 Prill 1960 në Kamenicë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Vite të tëra punoi si juriste në OP Xiq “Karacevë” në Kamenicë, duke ushtruar detyrën e përfaqësueses së Organizatës dhe Udhëheqëse e Shërbimit Juridik. Tani ushtron detyrën e zyrtarit ligjor në Agjencionin Kosovar të Pronës në Prishtinë, ku edhe vepron e jeton.

Ka filluar të merret me shkrime që në shkollën fillore, por librin e parë me poezi e botoi më vitin 2005.

Është anëtare e Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Themeluese dhe Kryetare e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Kosova deri në janar 2013.

Anëtare e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve Bashëkohor ( Ëorld Poets Society).

Nga  shkurti 2013 është themeluese dhe anëtare e Bordit Drejtues të Lidhjes Ndërkombëtare të poetëve Galaktika Poetike Atunis.

Hasije Selishta është bashkëorganizatore e  shumë aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore letrare në Kosovë dhe jashtë saj si:

-Për katër vite  organizoi “100 Mijë Poetë për Ndryshime”në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Kamenicë, Ferizaj, Preshevë etj.

- Manifestimin kulturor në Prishtinë më 2012: “Poetët e kombit apelojnë...”,

-Manfestimin kulturor-letrar në Dragash më 2013  “Poezia, lidhja e globit poetik”

-Manifestimin në Prishtinë, Podujevë, Orllan   më 2013 “Poetët e diasporës apelojnë...”

- “Poetët i këndojnë lirisë” 2014 , Prishtinë etj.

Është shpërblyer me disa çmime në konkurset letrare në poezi dhe prozë ku ia vlen të përmenden:

- Përmbledhja e tretë me poezi, “Mbishkrim në lëkurë”, është përzgjedhur në grupin e pesë librave më të mirë të botuar në Kosovë në vitin 2007 nga “Mitingu i Poezisë” Gjakovë.

- Në Kumanovë – Maqedoni (2009) në “Takimet poetike të Karadakut”, çmimin e tretë për poezi.

- Në nëntor 2012, në Pejë, mori cmimin e parë për poezi.

- Më 17 shkurt 2013, një aktivitet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës u nderua me cmim për kontributin e fuqishëm në kuadër të pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

-Çmimin krijues Naji Naaman Literary Prize në qershor 2014 në Liban.

Poezitë e saj janë përfshirë edhe në disa antologji si dhe janë përkthyer në anglisht, italisht, greqisht, kroatisht etj

Veprat letrare:

1. “ Edhe nëpër varre këndova”, 2005, poezi

2. “Kur vdes në mes të largësive”, 2005, poezi

3. “Mbishkrim në lëkurë”, 2006, poezi

4. “ Përtej çmendisë”, 2008, poezi.

ç. “Lule ajri” , 2009, poezi

6. ”Fërshëllimë floku”, 2010, prozë poetike

7. ” Il fuoco mitico”, “Zjarri mistik”2011, poezi e përkthyer në italisht

8. “Mystical visdom”- “Urtësi mitike”, 2011, poezi e përkthyer në anglisht

9. “Ο Ρυθμός της αναπνοής”- “Ritmi i frymëmarrjes”, 2011, poezi e përkthyer në greqisht

10. “ Da ne kaze Bog”-“ Mos thuaj Zot”, 2012, poezi e përkthyer në kroatisht

11. “Hiri Hyjnor”, 2014, roman.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora