E enjte, 28.03.2024, 04:18 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Kripa: In memoriam mikut tim, Abdurrahman Kreshpa

E marte, 09.09.2014, 07:00 PM


In memoriam mikut tim, Abdurrahman Kreshpa

Nga Reshat Kripa

Ike, miku im, ike pa u ndier fare. Për ikjen tënde nuk shkruan as gazetat dhe nuk folën as ekranet televizive. Ike siç ikin burrat e vërtetë, në heshtje. Por mbete i pavdekshëm në zemrat tona, në zemrat e miqve të tu të idealit që na bashkoi. Deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde. Të kishim mësuesin tonë. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Çfarë të të kujtoj më parë i dashur mik? Qysh në moshë fare të re e fillove aktivitetin tënd patriotik. U ngrite kundër pushtimit fashist të vendit dhe e pagove me internim në Ventotene. Pas lirimit nga internimi u bashkove me atë lëvizje të madhe nacionaliste, që do të hynte në historinë e këtij vendi me emrin “Organizata e Ballit Kombëtar” dhe për këtë ordhitë komuniste të burgosën porsa rrëmbyen pushtetin. U ende nga burgu në burg dhe nga kampi në kamp, nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Fisnikët e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse    venat  e tua rridhte  gjak fisniku.  Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Kalove një jetë të vështirë, i dashur mik. Por pate fatin të njiheshe dhe të martoheshe me një zonjë që rrallë mund t’i gjendet shoqja në botë, me Lilin, motrën e legjendarit Xhelal Koprencka, pesë herë i dënuar nga regjimi komunist dhe, së fundi, ekzekutuar për një letër që i kishte shkruar diktatorit. E kaluat jetën të dy së bashku, në harmoni të plotë. Fati nuk ju fali fëmijë. Por, kur kishe ende nevojë për praninë e saj,  Zoti e rrëmbeu bashkëshorten tënde.  Mbete vetëm, pa asnjë njeri pranë. Edhe ndonjeri apo ndonjera, për të cilët ishe kujdesur si prind, të braktisi në një moshë tepër të thyer. Në këto çaste të vështira, të doli për zot  mbesa jote, Liliana Shehu, që të mori në shtëpinë e saj dhe filloj të kujdesej për ty si për prindërit e saj.

U njohëm në kampin e punës së detyruar në Urën Vajgurore, në verën e vitit 1952. Unë isha fare i ri. Deri atëherë dija vetëm ato që më kishin mësuar në shkollën komuniste, ku çdo ballist ishte një tradhëtar dhe çdo partizan një patriot. Por njohja me ty dhe burra të tjerë si ty, më treguan se Shqipëria paska pasur  një histori tjetër të shkëlqyer, historinë e pavdekshme të nacionalizmit shqiptar, se paska pasur burra të tjerë të shkëlqyer si Mit’hat Bej Frashëri, Mbreti Zogu i Parë, Hasan Dosti, Ali Këlcyra, Abaz Kupi,  Skënder Muçua, Hysni Lepenica, Ernest Koliqi, Rexhep Mitrovica, Xhevat Korça, Lef Nosi dhe plot e plot burra të tjerë që lanë gjurmë të pavdekshme në historinë e këtij kombi.

Shpesh herë rrinim deri vonë në mbrëmje dhe atje, në errësirën e kampeve të punës së detyruar, ti me fliste për nacionalizmin shqiptar, për parimet e tij dhe luftën e zhvilluar kundër pushtuesve të huaj. Ti më mësove të luftoja për flamurin kuq e zi, për një Shqipëri të lirë, demokratike, etnike, me baza shoqërore moderne, për një Shqipëri ku të mbretëronte liria e fjalës dhe e mendimit. Më mësove të luftoja për një Shqipëri të drejtuar nga njerëz të pakompromentuar, nga shqiptar që nuk janë kursyer, në çdo kohë e në çdo rrethanë, për shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash punëtorë, të aftë dhe të ndershëm, për një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për dallkaukët, servilët, Më mësove të luftoja per një Shqipëri të shqiptarëve.

Do ta ruaj për gjithë jetën kujtimin e atyre ditëve kur zhvillohej greva e urisë e një grupi të përndjekurish politikë për zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”. Megjithse në një moshë shumë të madhe, mbi 95 vjeç, ti erdhe dhe kërkove të futeshe në këtë grevë. Grevistët u munduan të të bindin që të shkoje të qetësoheshe në shtëpi, por t’i këmbëngulje. Ndërhyra edhe unë. Më vështrove me një shikim sikur do të më përpije

- Edhe ti, djali im, më thua kështu? – më the.

Unë heshta. Nuk dija si të të përgjigjesha. Të ngujuarit u mblodhën të gjithë rrotull teje

Së fundi, ti u binde. U larguam. Në mendjen time vinin rrotull mendime nga më të ndryshmet. Të përfytyroja ashtu siç të kisha njohur vite më parë por, më shumë, më vinte para syve qëndrimi yt përpara kësaj greve urije. Para syve të mi lartësoheshe si një vigan. I tillë do të mbetesh për mua përgjithmonë.

I pavdekshëm kujtimi yt i paharruar! Zoti qoftë pranë teje!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora