Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Myftar Gjonbalaj

| E hene, 08.09.2014, 06:22 PM |


Myftar Gjonbalaj

 

ENDRRA E SHQIPTAREVE

 

Nuk është ëndërr në sirtar

kuptoje mik, shok e vëlla!

Dimension zemrash është,  vlerash.

Jo zhdukje kufijsh, bashkim idesh, duarsh

duam realitete ëndrrash, afrim qytetërimesh.

Nga vargojtë e këputur, fiton veç liria,

duam lëvizje të lirë, jetë të lirë, lirinë duam,

me çdo lloj çmimi, që të jetë ajo.

Lëvizja jonë drejt vëndeve të pasura,

është pasuria e zemrave, dëshirave,  ëndrrave.

E duam lirine, si frymëmarrjen, si fëminë,

askujt s'i marrim jetën,  punën,  pasurinë.

Pasuri kemi,  shpirtin e dashuruar,

dashuria për ne s'ka kufi.

 

Duam njerëzit, tokën, kulturat,

bashkëjetesën, etnitë, qytetërimet.

Të duam, kur të tjerët të qeshin e të zhveshin!

Pasuria jonë-shpirti i pasur, toka e pasur,

qielli që na ndrin, ajri që thithim, uji jeta jonë.

Buka e lypur për ne s'hahet,

kënga e përbuzur për ne , nuk këndohet,

shpirti i trazuar, rri i plasur,

buzëqeshja ngrin buzën e njomë.

Nuk pranojmë duar të shtrira,

fytyra të zbehta, sy pa jetë,

këto s'i meritojmë.

Ne falim jetë nga jeta jonë

japim gjak nga gjaku ynë

"NENE TEREZE, a them mirë?!"

Duam përqafim e përafrim vlerash,

themelet i kemi të forta,

mos na quani të dobët,

ne përplasemi ndër veti, shtyhemi,

rrokemi, aspirata kemi, besonani!

Duam pjesën e diellit që na ngroh,

atë diell që dhe “Bjeshkët e Namuna”

i bën të buzëqeshin

pjesën e tokës që na ushqen,

dhe të jemi të dashuruar,  si Anteu,

prej saj,  forcë marrim.

Guximi na lexohet në sy, në ballë,

zemra, veç na gufon.

Jemi vizionarë, hapin guximshëm hedhim,

aspirojmë, kapim kohën e humbur,

ajo është më me vlerë, e më e shtrenjtë për ne.

Jemi si guri në dashuri,  në ngrohtësi.

Dhe kurrë nuk rrokullisemi

Ngrohtësinë e marrim ngadalë e vështirë,

por kur e marrim,  s'e lëshojmë kurrë,

e mbajmë gjatë atë.

 

Gishtat kemi ngritur,

planetet janë lëkundur nga brohoritja jonë,

liri-demokraci, si gjithë Europa kërkuam!

E pëlqejmë liberalizmin, por jo shfrenimin e tij.

Në shtetin e së drejtës ndjehet më mirë,

diskriminimi s'ështe bashkëudhëtari ynë,

këtë s'ua dëshirojmë kurrë të tjerëve.

Zëri ynë fuqishëm dëgjohet në mbrojtje

të pakicave, etnive, popujve që s'pajtohen

me shtypjen, me racizmin!

Jemi rreshtuar në "Skuadrat" e fuqishme,

megjithse "të vegjël", matemi me shqiponjat,

na pranojnë në rreshtin e tyre NATO, OKB, OSBE.

Se këllqet i kemi të forta,

të ushqyera me bukën të ngjyer në shëllirë,

në shëllirë të dhenve, dhive e lopëve tona.

Dimë të dashurojmë lirinë dhe ndjenjat e popujve.

Djemtë tanë mbrojnë lirinë e të tjerëve:Afganistani, Iraku, Bosnja.

Na nderojnë kombet e qytetëruara.

 

Emrat përçundues:kooperativë bujqësore, sofkoze e kolkoze,

shpërfytyrues të farës njerëzore!

Le të mbeten në analet e historisë,

në stendat muzeale, le të mbesin,

në stendat e varfërisë e të mjerimit.

"Kafshatë që s'kapërdihet është tashmë kjo kohë!"

Mjerë popujt që e kanë!

Kapitalizmi “i egër".

Egërsia e tij bënte dollarin të pikonte gjak proletari.

A është vallë dakort Marksi me këtë sot?!

Ekonomia e tregut,  e tregut te lirë.

Jo tashmë, njeriu për njeriun ujk, por partner,  vëlla.

Standarte duam,  për ato jemi

ato i kuptojmë,  kapacitetet i kemi,

ato i realizojmë.

Ta themi,  kemi probleme mes veti,

e keqja e shqiptarëve u vjen nga vetë shqiptarët.

"Dikur këtë Konica e kish kuptuar!"

E kemi kuptuar edhe ne!

Le të na bëhet mësimi-mësim!

Kultura, gjeografia dhe historia janë "kokëforta",

na thonë bindshëm: "jemi europianë",

jemi të kësaj familje, dje, sot dhe mot!

 

 

SKALITE  FJALEN

 

Skalite fjalën,

si muratori gurin,

sa mirë poeti

me to ngre "murin"!

 

Ngusht e ka vendin

Fjala e skalitun

Mendimi i saj

Si diell i ndritur.

 

Fjala zgjedh fjalën,

gurë në rresht murit,

kalaja ngrihet

me palcë të gurit.

 

Pena e poetit,

si daltë skulptori,

lartësohet portreti

si trup gladiatori.

 

Mendim të hekurt

Saldon poeti

Me daltë prej dielli

Me forcë tërmeti.

 

Gur pas guri,

gurë mbi kala,

"dalta" e poetit,

lartësuar e ka.

 

Pra,  mprehe "daltën",

skalite gurin,

se me skalitje

ja qëndis nurin

 

Fjalë e qëndisur

dallgë e harlisur,

fjala e poetit

lëkundja e tërmetit.

 

Skalite fjalën,

o pena poeti!

Kjo fjala jote

e thellë sa deti.

 

Pena e poetit,

krijesë prej ari,

"dalta" e poetit,

për gurë stralli.

 

Mendimi i fjalës

Gur mbi gur

Beden kështjelle,

Që s’mposhtet kurrë.

 

Bashkëjetojnë fjalët

Në vargun e poetit,

fjalë të fuqishme,

si dallgë e detit.

 

Fjala është si dalta

Që skalit gurin,

emocioni i sajë

Drithëron dhe burrin.

 

Fjala e fortë

Si oshëtimë tufani

Çon peshë çdo zemër

U jep forcë luani

 

Vijnë mendimet

Si ujët e detit,

ç’po i qëndiska

Pena e poetit!

 

 

TROJET  E  MIA

 

Kur zemra ime

Mbushet plot gëzim

Askund më shumë

Se në vendin tim!

 

Janë ulur malet

Deri në rrafshina,

I vështrojnë blerinat

Si t'ishin çetina!

 

Troku i vraçit

Pse jo dhe revan,

Ushton hingëllima,

Deri lart në stan!

 

Krojet si akull,

Të ftohta gurgullojnë,

Të gjitha gjallesat

Ato i freskojnë.

 

Mbajnë veshin Alpet,

Nga tingujt heshtin çetinat,

Mos janë vallë Zanat,

A blegërojnë qingjat?!

 

Gjarpëron lumi

I kaltër si kristali,

Buron nga mrekullia

Sy i Skafkaçit!

 

O ju male

Me gjëmime lirie,

Ç'po u këndoka kënga,

N'tinguj fyelli e çiftelie!

 

Keni lindur bij,

Keni lindur bija,

Ata për vendin

Janë krenaria!

 

Kur dridhej vendi

E na prekej liria,

Aty na ish prek nderi

Na ish lënduar shtëpia!

 

Në u cënoftë toka,

Në u prektë fëmia,

S'ka qetësi jeta,

Lëkundet gjithësia!

 

Në u cënoftë jeta,

Na është prek liria,

Do shkunden bjeshkët,

Nga plaku tek fëmija!

 

Në është prekur nderi,

Na është shkelur besa,

Në gjak për trojet

Na është kthyer vesa!

 

Kur preken trojet,

Ka lënguar flamuri,

Pika gjaku ka derdhur

Çdo gërxhe prej guri!

 

Kështu ligjëroka pena,

S'mund të ndodhte ndryshe,

Për trojet,  ujin,  ajrin,

Stërnipër,  gjysh e gjyshe!

 

Kur preken trojet,

Kur cënohet gjuha,

Ka marrë plagë flamuri,

Është godit kultura!

 

Trojet janë etnike,

Në to kemi lidhë jetën,

Ato janë më të shtrenjta

Se çdo gjë tjetër!

 

DURRES 27/08/2014