Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Nusedjali

| E hene, 08.09.2014, 07:26 PM |


NUSEDJALI

...sa shpejt vyshken lulet dhe nuset, sa shpejt...

TREGIM NGA KRISTAQ TURTULLI

-Si të bëj, unë e gjora, të shkoj apo të mos shkoj,-  pëshpëriti me vete Zonja Mëmë. E përhumbur u ngrit në këmbë dhe zbërtheu shaminë e irnosur. Me hapa të plogështa iu afrua dritares. Rruga e Çile qorrit ish e përmbytur prej pellgjeve të turbullta. Gjithë natën ra shi me gjyme dhe llamarina e ndryshkur e shkalafitur që mbulon çatinë trokëlliu me potere.

Era e fortë shtyu me vrundull kartonin e qullur të dritares. Thëllimi i hidhët vjeshtak iu përplas gruas në fytyrë. Plaka tërhoqi kokën prapa, flokët e bardha të rralla iu prishën, iu ngritën përpjetë dhe disa qime iu futen tinëzisht në gojë. Zonja Mëmë u grind, i shtyu disa herë me radhë qimet bezdisëse me majën e gjuhës pastaj u fryu me zhurmë. Fytyrë vrenjtur mbërtheu kartonin, ftohtësia e motit i hyri në trup u drodh. Me ngathtësi kokë rënduar nga mendimet, buzëmbledhur, sypicërruar shtroi shaminë mbi gju, duke rënduar me nervozizëm, pastaj duardridhur e vendosi shaminë në kokë dhe e lidhi nyje mbi ballin e rrudhur.

Mbi një arkë të vjetër, në anë të dritares me çerçive gjysmë të kalbura, drithërohej lehtë një tulipan i bukur, i bardhë. Lulen e gjeti gjysmë të shkulur në kopshtin e harruar të Sanijes. Një hop nuk i kushtoi rëndësi, mbasi kokën e kish të rënduar nga mendimet dhe hallet. Mbajti këmbët dhe u duk sikur lulja i lutej ta merrte me vete ashtu siç ish, gjysmë e lënduar prej indiferencës. Sa delikate dhe të brishta janë lulet. Tulipani i lënduar i kujtoi kopshtin e madh të shtëpisë. Ajo me duart e saj mbolli lulet më të bukura, porositur dhe sjellë nga kopshtet e njohura të Parisit, Londrës, Romës, Vjenës. Me shpejtësi dhe tinës për të mos u zbuluar dhe nëmur prej bashkëqytetarëve e shkuli lulen me kujdes dhe e mbolli në një helmetë të ndryshkur gjermane, në kthinën e vet, në kullën e hirit.

Zonja Mëmë murmuriti përsëri: ‘Të shkoj apo të mos shkoj’ dhe kujtoi se e reja dëgjoi. Ish ngritur pa zhurmë, me hapa të shpejta e të lehta siç dinë të baresin vetëm nuset ish afruar derës. U grind me veten dhe vështroi pjerrtas nga e reja e cila shtrëngonte kokën me dy duart, mbledhur kruspull  në qoshe të dhomës. Javët e fundit Emira, nusja e djalit kish filluar te tretej dhe bukuria si një trëndafil plot aromë e që mahniti një qytet kur u vesh nuse nga dita në ditë po venitej. Kur plaka i fliste, Emira dridhshëm lëvizte buzët ngadalë, puliste qerpikët e gjatë që linin gjurmë hije mbi mollëza dhe mundohej të buzëqeshte.

Gruaja e vjetër u kapërdi me vështirësi dhe u pendua për grindjen pa shkak me vetveten. Vështroi ngrohtë nga Emira, nusja e urtë e djalit. Pështyu pëllëmbët e rreshkura dhe të plasaritura si tokë e thatë dhe i vendosi mbi shaminë e irnosur të kokës, më pas vazhdoi murmurimën:

‘ Plakë e marrë, thyen shkarpa në dëborë, si mund të shkojë një nuse? Nusja është nuse dhe plaka është plakë. Po unë si të shkoj..! Jo do shkoj, duhet të shkoj. Fundja në djali do vete. Vetëm një Marko Kalemi nuk do të kthejë duarbosh një plakë. Është djalë i mirë Marko Kalemi. Ai e thoshte me plot gojë se ty të kam si nënë dhe Emirën si motër. Ma do mendja nuk mund të  flaket në hon aq lehtë mirësia. Nuk ka gomë të fshijë të shkuarën...’

Gruaja e vjetër e drobitur nga e pangrëna mbështeti kokën në cep të divanit. Nuset dhe lulet paskan shumë gjera te përbashkëta, janë të mrekullueshme, të brishta, delikate, gënjehen shpejt, vyshken shumë shpejt, harrohen shpejt. A do kish vlerë bota pa lule dhe pa nuse? Atëherë pse te ndodhë kështu me to, pse? Një hop iu bë sikur zembereku u kohës kish ngecur dhe ajo kish qenë përherë plakë e rrudhosur kurrizdalë me tesha të irnosura.

‘Çmendurake e keqe, si të lë nusen, ku i njeh ajo ato shtigje te verbëta. Kësaj të gjorës po i bien petalet një nga një dhe mua po më thërrmohen kockat. Phu, çfarë jete!’

Një lot dredhoi butë në cep të syrit dhe  qëndroi në rrudhen e parë mbi mollëz. Fshiu me shpejtësi lotin e nxehtë dhe vështroi nipërit dhe mbesat që qenë mbledhur në qoshe të dhomës si lepurushë të vegjël dhe përtypnin në heshtje disa krodhe bukë të thata. Ajo kish qene e para që e kish kundërshtuar vendosmërisht përuljen, lëmoshën edhe sikur të hiqeshin zvarrë, në kthinën e ngushtë të kullës së hirit. Por vocërrakët e vegjël, nipërit dhe mbesat ankoheshin zëulët, dridheshin prej të ftohtit dhe po treteshin prej urisë. Emira, nusja e ëmbël po mbërthehej prej kthetrave të pista të veremit. Sa shpejt vyshken lulet dhe sëmuren nuset, sa shpejt..!

Marko Kalemi qeshi lehtë nën buzë kur i hoqën brisk fytyrës për herë të parë. Me hutim të bukur o prenë qimet e kuqërremta, të buta si kadife. Duhej ti priste ato qime Marko Kalemi se ndryshe nuk mund të vishej nuse. Qëndroi i urtë si shqerrë me sytë përdhe  kur po i hidhnin vellon e bardhë, të mëndafshtë. Fustani i nusërisë ishte kushtueshëm, blerë shumë vite më parë prej prindërve të saj në Trieste. Vetëm Zonja Mëmë e veshi këtë fustan kur doli nuse prej shtëpisë të prindërve dhe vite më vonë topçja Emira, nusja e djalit. Ishte e domosdoshme të vishte fustanin e bardhë të nuses Marko Kalemi. Nostalgjitë dhe mendësitë janë kurrgjë përpara një jetë njeriu.

Marko Kalemin e nxorën me ankth në zemër prej derës perëndimore të shtëpisë të madhe. Qielli ish i rënduar nga retë e zeza dhe frynte erë e fortë prej lindjes. Djali dridhej nga frika si purtekë nën petkun e bardhë të thurur me dantella. Por ama shkallët i zbriti një nga një si një nuse e bukur e vërtetë. Vellon e bardhë të qëndisur e të ngrirë në nisheste e mbante me delikatesë mbi sytë e shkruar si një vajzë e padalë, fytyrë ëmbël. Sa hijshëm dukej djali! Gjithçka fisnikërohet kur vishet me teshat e bardha të nusërisë. Te gjithëve u dridhej gjuha prej pasigurisë dhe tmerrit të pritshëm nëse zbulohej djali. Një ‘halt’ i egër dhe gjithçka merrte fund.

Marko Kalemi vuri këmbën të hipte në karrocë, u lëkund dhe për pak u gremis në kalldrëm. Zonja Mëmë gjuhë tharë e mbajti me kujdes nga krahu dhe e përkëdheli me dashuri në shpatull. Mashkulli i veshur nuse u mbush me frymë, vështroi majtas dhe djathtas, lëvizi pakës vellon e bardhë, puthi butë në dorë Zonjën Mëmë dhe i pëshpëriti:

‘Zonja Mëmë ta paça përjetë hua.’

Zonja Mëmë e puthi në ballë, u përlot si të nxirrte vërtet një nuse prej shtëpie.

‘Tu bëftë udha e mbarë biro,’ e uroi.

‘Që sot e tutje je nëna ime,’ dëgjoi ajo zërin ëmbël të nusedjalit.

Sa të brishta dhe delikate janë nuset dhe nusedjali. Çelësi magjik i botës. Ajo donte ti thoshte se ç’është kjo fjalë ‘hua’ për djemtë e nënave. Marko Kalemi ish bërë si djali i shtëpisë. Qëndroi tre muaj fshehur, u dergj në shtrat nga tre plagë, në katin parë të skajit lindor të shtëpisë së lartë. Aty dielli të ngrohte qysh në mëngjes dhe zogjtë e shumtë cicërinin në kumbullën e madhe.

Një natë shtetrrethimi të errët me furtunë dhe shkrehje armësh, trokitën në shtëpinë e tyre dhe futën brenda në korridor Marko Kalemin të plagosur rëndë dhe pa ndjenja. Ishin dy djema të rinj si ai, pa u dirsur mustaqja mirë. Ata ishin të përlyer me gjak. Lanë Markon pa kujdes në cep të korridorit. Ai ish i zbehtë si kufomë dhe i përmbytur nga gjaku. Të dy djemtë me shikim të turbullt dhe zë grindur u thënë zotëve të shtëpisë:

‘Ky shok i plagosur rëndë është në duart tuaja. Ta mbartim nëpër rrugica patrulla do na kositë të treve sa hap e mbyll sytë. Ju në daç shëroheni, në daç dorëzoheni tek armiku.’

Të zotët e shtëpisë akoma nuk e kishin marrë veten prej të papriturës, frikës dhe përgjakjes që gjendej aq pranë. Vështronin ardhësit e rinj të pështjelluar.

‘Dale prisni një minutë,’donte të shpjegohej Josifi: ‘Lart në tarracë, në katin e tretë të shtëpisë, është skuadra armike e kundërajrorit.’

Dy të paftuarit ngritën supet. Djemve të panjohur aq u bënte. Ata e hoqën prej vetes. Josifi shtoi: ‘Familjes jonë çdo orë e minutë është nën zhbirimin, vëzhgimin dhe kontrollin e hasmit. Djemtë përsëri ngritën supet dhe vështruan nga dera me padurim.

Josifi  vazhdoi:

‘Armiku u hyri me dhunë në shtëpi dhe vendosi skuadrën e kundërajrorit lart në tarracë, meqenëse shtëpia është më e larta në qytet. Ne duam, por nuk mund ti sigurojmë jetën të plagosurit, po të vijne avionët e aleatëve shtëpinë time do ta qëllojnë të parën.’

Ardhësit heshtnin. Me përtesë ngritën jakat e xhaketave. E larguan pengun e mundimshëm prej vetes.

‘Ju lutem, më kuptoni,’ mërmëriti Josifi:’Ç bëhet fjalë për jetë njeriu.’

Djemtë rasën duart në xhepa:

‘U thamë, daç mbajeni, daç dorëzoheni te armiku,’ thanë dhe pa përshëndetur humbën nëpër natë. Pas pak u dëgjuan krisma të gjata automatiku dhe klithma te forta.

‘Mos është provokim?’ murmuriti djali, Blerimi dhe ngriti sytë lart nga tarraca: ‘Këta nemçe nuk kanë besë. Edhe sikur të jetë ndryshe, po na zbuluan që mbajmë nën hundën e tyre një të plagosur do ta shuajnë të gjithë.’

Josifi luajti krahun me nervozizëm:

‘Çfarë do të jetë. Shqiptari e ka një besë. Të trokiti dikush në derë dhe kërkoi ndihmë, mos u kurse, jepja. Ky i gjorë është akoma i parritur mirë dhe mund të vdesë nga minuta në minutë. O burra bir ti japim ndihmë,’ i bëri me shenjë të birit ta ndihmonte qe ta ngrinin dhe ta mbartin në dhomën me diell të skajit lindor...

Plaka u ngrit, u shtriq dhe u shty drejt derës. Emira, nusja e djalit e ndiqte me sy të njomur, fytyrëzbehtë por me një dritëz shpresë në sy. Ajo kish qenë një topçe bardhoshe e mahnitshme, kur ngjiste dhe zbriste shkallët shtëpia e madhe rrëzëllente. Sa shpejt dhe dhimbshëm ndodh ndryshimi i njeriut! Zonja Mëmë i vendosi dorën lehtë mbi flokët e verdhë dhe të praruar. Sa të buta dhe të shkëndita janë flokët e nuseve! Flokët e plakave janë të thatë si kashtë dhe gjithë lyrë.

‘Marko Kalemi është djalë i mire. Punët e mëdha nuk e lenë te marrë fryme. Djalit me siguri i ka dale nga mendja Zonja Mëmë dhe familja e saj’

Zonja Mëmë shpëlau fytyrën në një kazan me ujë të ndenjur venë në cep të kthinës së ngushtë. Vështroi me dashamirësi tulipanin e bardhë që harlisej shkujdesur. Hodhi krahëve xhaketën e vjetër dhe doli në rrugë. Shikimi rrëzëllues, nëpërmjet lotëve kristalore i nuses Emirë i ngeli në mendje. Pas shpine dëgjoi përplasjen e zhurmshme të derës prej erës së marrë.

Qëndroi një hop të mbushej me fryme. Rrugica i shkalafitur e kullës së hirit dergjej e mbuluar nga pellgjet dhe baltërat. Qentë dhe macet bënin paradën e zakonshme të ditës në togjet me hedhurina. Zonja Mëmë ngriti me delikatesë fustanin e vjetër e të gjatë dhe duke ecur në majë të gishtërinjve u mundua tu shmangej pellgoreve dhe llumrave. Menjëherë në veshë iu përplasën argalisurat çjerrëse të disa grave, qe po shëllerreshin shalë jashtë nën strehën e gjerë te shtëpisë se vjetër të Kili hundës.

-‘Shtriga kujton se është veshur me dantella. Ha, ha, ha, trembet se mos i qelben leckat,- dëgjoi.

Ishin tre prostitutat e ç’fuqizuara dhe të hedhura në rrugicën e kullës së hirit në pritje të një vendim të dytë. Tre hamej pleq me lëkurë të rreshkur, të cilët u bënin shoqëri prostitutave u kthyen me vërtik nga plaka e përqeshën, zgërdhinë fytyrën duke mbajtur me dorë vendin e turpit. Zonjës Mëmë i njohu. Këta hamej shëndet lig i ftonte të dielave në shtëpi për drekë bamirësie. Iu mpak trupi dhe gati sa nuk u gremis në gropën e madhe në të djathtë të rrugës.

‘-Plakë, ranë lumenjtë u ngritën përrenjtë. Eja tek ne, të japin një kothere bukë për përshpirt, -dëgjoi zërin e zvargët të hamallit hundë poçe dhe me prenka në fytyrë si oazë të thatë. Atij hamalli ajo i jepte ndihmë në të holla kur pazari ish i vdekur dhe fëmijët i kërkonin bukë.

Zonja Mëmë nuk u ktheu përgjigje, mblodhi shpatullat dhe nxitoi hapin.

Ajo përpara një viti nuk kish kurrizin e dalë. Një krelë e zezë e ndonjë fije e bardhë si argjend i dilte gjithë naze mbi shaminë e mëndafshe dhe i harlisej mbi ballë. Fytyrën e kish të kolme, të ndritshme, pa rrudha të pështira që tani i varen në trup dhe në fytyrë si cingla mingla. Para një viti qytetarët e qytetit juglindor e  respektonin, i përkuleshin me nderim dhe e thërrisnin Zonja Mëmë. Ajo, ish luftëtarja e papërkulura, këshilluesja, dinjitozja e pasura, bamirësja, adhurohej dhe mbahej si nëna e qytetit. Brenda një viti erërat e forta të mbarsura me uragane dhe tajfune ndryshuan kah, përmbysën çdo gjë. Nuk mund të mendohej, të pranohej adhurimi dhe respektimi i një gruaje çfarëdo, me biografi të prishur. Figura e saj u bë shumë shpejt e pavlerë, u shndërrua në një grusht me eshtra në fund të një thesi të ronitur, të harruar në vrimën më të humbur e të ndyrë të qytetit, në kullën i hirit. Gjithçka u shkërmoq si piramidë rëre. Emri e saj i bujshëm Zonja Mëmë u përlye u fshi me shirat dhe rrëketë e para të vjeshtës.

I shoqi Josifi humbi pa kthim në birucat e Hanit me dy porta qysh në muajin e parë të vitit të mynxyrshëm. Para një jave në mes të natës hynë me përdhunë. I zgjuan nga gjumi i ëmbël, i pafajshëm dhe morën duke e tërhequr zvarrë Blerimin, djalin e vetëm. Ajo i ndoqi leshraprishur deri në rrugën e madhe por ish natë, kish shumë qen dhe zagarë, të cilët e kafshuan nënën shpirtplagosur dhe ia bënë fustanin copë e çikë.

Zonja Mëmë me gjysmë zemre filloi tu shmangej takimeve me banorët e qytetit që i donte aq shumë. E dogëdisnin keqas romuzet e pamerituara. Ndoqi rrugicat më të ngushta. La në krah të majtë xhaminë me minare të rrëzuar prej tërmetit të fundit. La pas varret e dervishëve dhe eci drejt urës së ngushtë të Sheres. Më e vjetra urë e qytetit të ndërtuar me gurrë lumi dhe shtruar me dërrasa. Ura dikur lidhte lagjet më të mëdha të qytetit, por tani lidhte vetëm rruginat e qelbura të kullës së hirit.

Emrin e djalit të shtëpisë Marko Kalemi e lexoi në fletë palosjet që shiteshin në qoshe të furrës së bukës, kur kish zënë radhë. Djali kish zënë pozitë të lartë në qytet dhe ftonte të gjithë qytetarët me optimizëm dhe shpresë në marshimin e pandalshëm për fitore të reja. Nënës i regëtiu zemra, qenka ngritur në pozitë nusedjali. Iu kujtua kur ai ngrihej me vështirësi në bërryla, buzëqeshte me thjeshtësi dhe e falënderonte sa herë ajo i ndërronte plagët dhe e ndihmonte të hante ushqimin. Ultazi lutej ti hapnin dritaren dhe symbyllur thithte me vrull ajrin e freskët. Vetëm pjesëtarët e ngushtë të familjes dinin qëndrimin e të plagosurit në shtëpinë e madhe. U trembeshin përgjimeve dhe spiunimeve. Goditja e kontrollit dhe bastisjes nuk dihej nga mund të vinte sepse hafijet vëzhgonin dhe vërtiteshin ngado. Armiku ngjitej dhe zbriste nëpër shkallë dhe përgjonte natë e ditë ardhjen e avionëve të aleatëve lart në tarracë. Avionët e aleatëve erdhën një muaj mbas ikjes së Marko Kalemit. Kundërajrori volli zjarr kundër qiellit. Avionët reaguan menjëherë hodhën bomba dhe rrëzuan pjesën dërmuese të skajit lindor të shtëpisë. Zonja Mëmë falënderoi zotin që djali ish shëruar dhe kish ikur sepse ndryshe nuk do ta treste dheu. Shtëpia ngrihet me pak mundim, njeriu ikën dhe nuk kthehet më. Josifi dhe djali, Blerimi pajtuan ustallarë të zotë dhe e ndërtuan shtëpinë shumë shpejt, siç ish më parë, me dritare të mëdha kah diellit.

Ajo donte të mësonte më tepër për Markon nusedjalin por dikush me sy të vëngër ia rrëmbeu fletëpalosjen dhe mbështolli bukën me të.

‘Këto gazeta nuk janë për ty moj plakë e rrjedhur,’ iu gërmuq ai.

Zonja Mëmë nuk bëri zë. Romuzet dhe vështrimet dashakeqe të bashkëqytetarëve e ndiqnin dhe e qëllonin nga pas si shtiza. Asaj i bëhej sikur trupi i ish lënduar dhe gjakosur kudo. Me shumë vështirësi mësoi edhe disa hollësi të tjera për nusedjalin Marko Kalemi që do ti gjendej krahë në këtë moment të vështirë.

Ajo mësoi edhe një hollësi tjetër, Marko Kalemi jetonte në shtëpinë e tyre të madhe. Gruaja nuk u ligështua, sepse dikush shpejt a vonë do jetonte aty. Eh, më mirë ai se të tjerët. Nusedjali me mirëdashjen e bukur do ti tërhiqte në shtëpi, tu lëshonte një kthinë të vogël, të mblidhnin kockat, sa të kthjellohej situata dhe të zbardhej e vërteta.

Gruaja la pas kishën e madhe të Shën Gjergjit dhe u fut në rrugicat e gjera dhe të pastra që i njihte aq mire. Shtëpia e saj trekatëshe ngrihej përballë në krye të rrugës. Gruas i rrahu zemra me vrull. Kish një vit që qe shkulur me dhunë prej shtëpie ku hyri nuse, ku lindi djalin, ku ëndërroi , dashuroi dhe u zhgënjye. Iu tha buza prej sikletit. Sidoqoftë, më mirë që jeton Marko Kalemi në shtëpinë e tyre se sa dikush tjetër, murmuriti.

Ajo ecte kokulur me kujdes, buzë trotuarit të ngushtë ngjitur me murin. Për të mos u hutuar dhe tërhequr vëmendjen të njohurve të shumtë. Më në fund mbërriti përpara derës së madhe të përgatitur me dru are dhe mori frymë me vështirësi. Më mirë që jeton në këtë shtëpi Marko Kalemi nusedjali. Ai ka se çfarë të kujtoje dhe ta respektojë. Me siguri ka mbetur i bukur dhe i brishtë si më pare me atë buzëqeshje si lule taçe. Ndoshta lufta e ka kalitur por nuk mund ti a heqë mirësinë që i lexohet në fytyrë që atje tutje.

Zonja Mëmë preku me nostalgji çokun e broncet të derës, ku ish gdhendur hijshëm një dorë e përthyer dhe një çok i vogël brenda në të. E përkëdheli një copë herë, iu drodh damari mbi vetull, pastaj trokiti me kujdes mbi paftën e sheshtë dhe të broncet. Bam-bum, i buçiti koka. Dreq o punë e lëshoi çokun me shumë kujdes përse xhamën bëri kaq zhurmë! Vendosi dorën mbi zemër dhe qëndroi në pritje. Heshtje. U detyrua trokiste përsëri.

-Kush është,-u ndje një zë i hollë nga brenda. Iu bë sikur ish ajo qe thirri. Pas pak dëgjoi hapa që zbrisnin nëpër shkallët e mermerta. Mos vallë ishin hapat e saj që ecnin mbi oborr?! Lëvizi me zhurmë llozi i derës. U hap dera. Përpara qëndronte një grua e moshës së saj, me fustan të gjatë mbështjellë me shami të hirtë. Mos ish vërtet ajo vetë?

-Ah, je ti!- dëgjoi.

Vonë u kujtua që ish nëna e Marko Kalemit. Të cilën një mbrëmje e futën fshehtas në shtëpi të vizitonte të birin. Gruaja dridhej dhe Zonjës Mëmë i erdhi shumë keq. Iu lut Josifit ta mbanin gruan e huaj një javë në shtëpi, le të çmallej me të birin. I shoqi e vështroi vëngër dhe mërmëriti:

-Me mendjen e grave prifti kërcen prej belasë.’

Nëna e Markos po e këqyrte me vëmendje nga lart poshtë, pa dëshirë.

-Një hall të madh me pruri këtu. Ju lutem shume, më ndihmo të takoj djalin, Markon,- murmuriti më në fund Zonja Mëmë dhe shpina iu mbush me djersë të nxehta.

Nëna e Markos qëndronte si statujë e pavendosur.

-Erdha si nëna tek nëna. - Sytë e Zonjës Mëmë i luteshin me shpirt.

Nëna e Markos i ktheu pa fjalë shpinën dhe ngjiti shkallët.

Filloi të binte shi. Zonja Mëmë u fut nën strehën e derës, futi me shpejtësi dorën në gji dhe fshiu djersën. Sa do gëzohet Marko Kalemi kur ta dëgjojë që ajo ka ardhur, do turret drejt saj e do ta përqafojë. Sa hanë halle djemtë e nënave, shumë halle, foli një zë i shuar brenda vetes. Ajo fshiu përsëri djersën që i ish grumbulluar në folenë e gjoksit dhe u mbush me frymë. Era depërtoi tinëzisht në monopatin e ngushtë të hapur, të fustanit dhe i ftohu trupin. E mbërtheu kopsën me ngut dhe u mbështet në qoshen e ngurtë të kolonës së derës.

-Pse nuk i the që s’jam,-iu bë sikur dëgjoi zërin e lartë të Marko Kalemit.

Të ish lojë e harbuar e veshëve apo zhurmë e shiut? Nuk mund ti thoshte nusedjali ato fjalë. Ai ish aq i mirë, aq i çiltër, aq i sjellshëm. Pse po vonohej nusedhali të dilte, të ndihmonte nënën, ti thoshte një fjalë të mirë, ta ngushëllonte. Ka halle dhe shumë punë djali, ngushëlloi zëri i humbur brenda vetes. Shiu filloi të binte pjerrtas e shtoi presionin dhe forcën. Zonja Mëmë dëgjonte kambanën e zemrën që u kumbonte në gjoks me potere. Streha e shtëpisë nuk e mbronte më.

’ Si nuk ndërtova një strehë më të gjerë,’ mendoi me vete.

Ajo gjendej në urën e ngushtë të hutimit ku nga të dy anët rridhte një përrua i zhurmshëm dhe shkatërrues. Lart në korridorin e madh të shtëpisë u bë sikur dëgjoi grindje dhe përplasje sendesh dhe enësh. Mbajti vesh. Iu duk sikur ullukët trokëllinin, oshtinin nën forcën e shiut. Mbase pusetat ishin bllokuar prej dherave të shumtë të harruar gjatë riparimit të skajit lindor të shkatërruar prej bombës së aleatëve. Dikur në shtëpinë e saj shiu dhe era nuk bënte kaq shumë zhurmë dhe rrëmet.

I shkulën prej shtëpie me rrobat e natës. I flakën në barakën e kullës së hirit së Çiles së çmendur.

Shiu po i hynte në trup. U bë rrafsh me kanatën e derës. Sa e tmerrshme qenka pritja. O ZOT NDIHMOJE NËNËN! Mbroja mendjen te mirit!

Më në fund dëgjoi plaq- lluq, përplasje këmbësh lart në oborrin e shtëpisë. Gruaja largoi me nxitim prej fytyrës  perden e shiut dhe vështroi me ankth andej nga dëgjoheshin hapat. I mbuluar nga një ombrellë e zezë ecte rëndë- rëndë nusedjali Marko Kalemi. Gruaja puliti qerpikët e rrallë dhe gati sa nuk përlot. Ai nuk ish më i hajthëm dhe delikat si dikur. Dukej burrë i pjekur, i shëndoshë, rëndësor. Markoja po afrohej dhe gruaja po bëhej gati të priste përqafimin e nusedjalit. Në shkallinën e tretë hapat qëndruan, pesë metra larg saj. U shkund prej tonit të prerë e të ashpër të zërit të tij:

-Kush ju dërgoi të vinit tek unë?

Zonja Mëmë mpi dhe murmuriti:

-Askush, veçse zemra e nënës, biro...

-Ah! Khu!- u dëgjua një  kollitje e sforcuar.-Ke ardhur të kërkosh bukë. Ne kemi hapur mensa për të vobektit në qendër të pazarit. Shko aty shpejt, mos humb kohë.

Gruaja djersiu. Edhe në mensat për të vobektit nuk u lejohej të hynin, pa pasur një shënim të lëshuar prej lagjes. Nuk e dinte këtë nusedjali?

- S’kam ardhur për një krodhe buke, e di o bir e di, nënës ti nuk ia mban. Erdha për burrin Josif dhe djalin Blerim, -foli zonja Mëmë me zë të ulët por të vendosur:- E me marrë vesh, ata dergjen burgjeve...

- Ashtu!

-Po bir, po,- foli zonja mëmë e gjallëruar dhe plot shpresë.

-Ç’mund të bëj unë?- foli zë rëndë nusedjali.

-Më ndihmo,- pëshpëriti ajo: -Mi shpëto.

- Të ndihmoj! Ti shpëtoj! Si! Në çmënyrë?! Kur të dy, babë e bir, vendi në burg e kanë. Ju si familje akuzoheni për bashkëpunim me armikun. Keni mbajtur kundërajrorin e hasmit në tarracën e shtëpisë.

-Biro, çthoni kështu!  Ju e dini më mirë se unë kush e vendosi kundërajrorin në tarracën e shtëpisë. Ne jetuam në presion... e pësuan edhe nga aeroplanët. Ne të mbajtëm...

-Mjaft, unë nuk di asgjë!- e ndërpreu me inat nusedjali:- Mos më futni mua në këtë mesele.

-Mirë o bir i nënës, mirë,- foli e frikësuar gruaja:- Por çduhet të bëj?!

-Të prisni. Akuzoheni gjithashtu dhe për fshehje floriri,- vazhdoi me ton të rëndë Marko Kalemi, i ktheu shpinën dhe duke ikur shtoi:- Me ata të dy do merret gjykata, prokuroria, qeveria. Ç’mund të bëjë një Marko Kalemi.

-Ju lutem...-bërbëliti nëna, mblodhi të gjitha fuqitë dhe foli me zë të plotë: - Je parë këtu. Marko Kalemi, nusedjali i nënës, e di mirë që burri im Josifi dhe djali im Blerimi janë të pafajshëm.

Marko Kalemi mbajti këmbët. Qëndroi pjerrtas si shiu që binte dhe foli me zë të egër, si hungërimë:

-Ju thashë; gjykata, prokuroria, qeveria do vendosim për ta, nëse janë të pafajshëm apo fajtorë.- Ai gromësiu, pështyu dhe shtoi me egërsi:- Dëgjo këtu ti plakë! Vëre vëth në vesh. Mua mos më ngatërroni në këtë mesele dhe nuk dua tu shoh më, të vini e të trokisni në derën e shtëpisë time.

Dera iu përplas me zhurmë nënës përpara fytyrës.

Zonja Mëmë u zbyth. Trupi filloi ti dridhej si purtekë e shkulur dhe e dërmuar ashpër prej erës. Shpina iu bë akull prej djersëve të ftohta. Gruas për pak sa nuk i ra zali përpara këmbëve të Marko Kalemit. Në pragun me gurë të lëmuar të ish shtëpisë së saj. Të ishte vallë vërtet nusedjali Marko Kalemi apo dikush tjetër? Të ish thjesht një ëndërr e keqe! Shkallët oshtinin prej hapave të rënda. Gruaja shtrëngoi kokën me të dy duart por të mos i shpërthyer. Më mirë nusedjali të shkulte koburen nga brezi e ta vriste. Nuk do ti kish dalë asnjë pikë gjak prej zhgënjimit të helmuar që pësoi. Farë faji apo mëkati kam bërë unë plaka gjoja ‘Zonja Mëmë,’ që po ndëshkohem kaq rëndë! Heshtje. Hija e zgërlaqur e qytetit gërmuqej tuje si një breshkë plakë.

U kthye, nisi të ecte pa kujdes nëpër shi dhe pellgje. Ajo ish shurdhuar dhe nuk dëgjonte asgjë. Nuk dëgjonte zhaurimën e qytetit dhe rrëketë e shiut. E ç’duheshin zhurmime të tilla të rëndomtë për një plakë.

Kur u kthye në shtëpi, nusja, nipërit dhe mbesa flinin ku mundnin, të mposhtur prej urisë. Zonja Mëmë hodhi vështrimin pranë dritares ku gjendej lulja. Nuk dalloi gjë, mbasi ish mbuluar nga një diçka me qime gjysmë të hirta dhe gjysmë të kuqe.

-Shesh,sh,sh,-ia bëri ajo dhe e shtyu me majën e këpucës. Dëgjoi një mjaullimë. Macja plakë e Çiles së çmendur ish kthyer. Kish gjetur një shtat duke bërë petë tulipanin e bardhë dhe të bukur mbjelle në një helmete gjermane...