E premte, 29.03.2024, 05:36 AM (GMT)

Mendime

Gëzim Tushi: Pse diskriminohen të moshuarit?

E hene, 30.06.2008, 07:50 PM


Pse diskriminohen të moshuarit?

Nga Gëzim Tushi

Shoqëria shqiptare tani po ecën në rrugën e modernizimit. Rritja e peshës demografike dhe e problemeve sociale të moshës së tretë janë bërë një problem i vërtetë social. Për këtë moshë, për problematikën e tyre specifike, diskutimet në shoqërinë shqiptare janë reduktuar vetëm në problematika biologjike dhe ekzistenciale në kuptimin material, ngaqë të moshuarit kanë si “gjyle në këmbë”, problemet e jetesës, të mbijetesës, të mbrojtjes dhe nevojave për shërbimit social. Kjo ka bërë që asnjëherë shoqëria dhe vetë të moshuarit të mendojnë njëherë filozofikisht, për statusin e pleqërisë, për rolin social të të moshuarve, për nevojat e tyre shpirtërore, përtej atyre materiale dhe ekzistenciale. Natyrisht vetë të moshuarit nuk kanë shumë nevojë për filozofira boshe, për antropologji false. Sepse pleqëria, kanë thënë filozofët e shquar francezë të kohës sonë, Gilles Deleuxe dhe Felix Guattari, “është mosha e të folurit konkret”. Pleqëria është moment me shumë rëndësi për jetën e njeriut të përveçëm, por dhe për shoqërinë në tërësi. Ajo është e pashmangshme për këdo. Biologjikisht, është momenti që ndan jetën nga vdekja. Duket se ka shumë probleme e shqetësime sociale të diskutueshme për moshën e pleqërisë, në familjen dhe shoqërinë shqiptare. Ajo që duhet të diskutojë tashmë shteti, shoqëria dhe familja shqiptare, është problemi nëse pleqëria është vlerë sociale apo vlerë e pamundur të vlerësohet? Sot ndeshim shumë probleme që kanë të bëjnë me raportin e pleqërisë me pushtetin moral dhe material të tyre, përgjithësisht të humbur në familje dhe në shoqëri. Në mendimin social konstruktiv, mosha e pleqërisë quhet “moshë e bardhë”,

Nuk ka gjë më të keqe sesa mosmirënjohja për këtë brez, për moshën dhe vlerat për tiparet morale të asaj, që sociologët për shkak të tërësisë pozitive morale dhe humane, e quajnë me të drejtë “moshë e bardhë”, moshë e nderit dhe respektohet nga familja, fëmijët, shteti dhe shoqëria.

Padyshim, jeta sociale në familje dhe në komunitet, përgjithësisht diktohet nga shijet dhe modalitet jetësore që pëlqejnë të rinjtë, të cilët në çdo kohë jo vetëm i japin tonin jetës sociale, por dhe diktojnë modalitetet e marrëdhënieve, formën dhe tipologjinë e familjes. Familja dhe marrëdhëniet midis brezave në të janë produkt historik. Ato nuk janë gjithnjë njësoj, të barabarta dhe të pandryshueshme. Ndryshon shoqëria, ndryshon familja, ndryshojnë marrëdhëniet midis brezave, roli i secilit në të. Koha moderne për fat të keq, po lëviz në drejtim të kundërt me familjen tradicionale, me normat dhe kriteret e “vjetra” të ndërtimit të marrëdhënieve midis brezave na familjen shqiptare. Ajo që të shqetëson së tepërmi, është fakti që në shoqërinë dhe familjen shqiptare po cenohen modalitetet e procesit të kalimit të brezave pa konflikt, e përcjelljes së respektit moshor, e cila është ndoshta një nga vlerat më të vjetra, më të pandryshueshme në historinë e njerëzimit. Vetëm koha moderne pati mundësinë, gjeti mjetet dhe justifikimin moral, për të ndërmarrë veprime në kundërshtim me këtë traditë, e cila nuk është krejt negative, e prapambetur, penguese dhe konservatore. Kur ndryshon jeta dhe parimet fondamentale të saj, ndryshon detyrimisht edhe shoqëria dhe familja, raportet sociale brenda saj. Kështu që ndryshon edhe forma e marrëdhënieve të “bijve me etërit”, ndryshon mënyra, relacionet dhe tipologjia e kujdesit social për ta. Nuk mund të themi, as mund të kërkojmë që të detyrojmë shoqërinë që të konsiderojë, për hatër të të moshuarve, mbajtjen gjallë të familjes së mbyllur patriarkale, me shumë breza, me të drejtën e pakufizuar të sundimit autoritarist të të moshuarve. Kjo do të ishte në kundërsens me ligjet e zhvillimit shoqëror me imponimet kategorike që sjell jeta dhe nevojat ekonomike të familjes. Por nga ana tjetër, nuk është argument që “ndarja me të moshuarit” të interpretohet nga pozita formaliste të ndërtimit të familjes moderne, të mungesës së kushteve të bijve për të treguar kujdes për ta, për shkak të bezdisë që sjell mosha, vështirësitë e komportimit të tyre me brezin e ri të “familjes moderne”. Kujdesi për të moshuarit, është detyrë morale, në radhë të parë e familjes biologjike, e fëmijëve të tyre, për të cilët ata kanë dhënë pa kursim gjithçka kanë patur dhe kanë mundur. Nuk është e vetmja formë kujdesi ajo që të detyrojmë moralisht të rinjtë, të mbajnë në “çatinë e re” edhe brezin e vjetër. Por kujdesi për të moshuarit, për prindërit nga të rinjtë është një detyrim moral, është sipas logjikës humane, kthimi i “borxhit” për atë që ata kanë bërë për fëmijët e tyre, që nuk duhen hedhur poshtë.

E rëndësishme është që fëmijët të kenë konceptin e imperativit kategorik, të detyrës që kanë për t’u kujdesur për prindërit në periudhën e pleqërisë. Format me të cilat tregohet dhe shfaqet ky kujdes, janë të pafundme, mjafton të duash. Ato nuk gjenden kur mungon dëshira e “bijve plangprishës”, kur të moshuarit paragjykohen për shkak të moshës, kur konsiderohen të “tepërt” dhe dalin me forcë “jashtë organikës” së familjes biologjike. Në këtë rast, është e kotë të bësh thirrje morale dhe humane për fëmijët që bastardohen për modë, për komoditet apo nga dëshira për jetë të mbyllur, vanitoze, brenda guaskës së “familjes moderne”. Kujdesi i fëmijëve për të moshuarit nuk është i tepërt apo i panevojshëm. Ka qindra forma sot në botë që fëmijët kujdesen për të moshuarit, edhe kur ata nuk jetojnë në çatinë e tyre. Sigurimi i strehimit të tyre, vizitat shpirtërore, mbështetja materiale, plotësimi normal i kërkesave specifike moshore, nuk bëhen vetëm në familjen e përbashkët, por edhe në distancë. Kjo është përgjegjësi morale. Mungesa e këtij kujdesi nuk është vetëm turp moral, por dhe një shenjë e keqe e ndikimit negativ të modernitetit. Është e vërtetë që shoqëria shqiptare duke u modernizuar po bëhet gjithnjë e më shumë shekullare, anomike, pragmatiste. Por kostot e modernitetit, nuk duhet të shkarkohen padrejtësisht mbi shpatullat e të moshuarve, sidomos të këtij brezi që punoi në komunizëm dhe doli me gisht në gojë, pa asnjë garanci të vërtetë për të moshuar me dinjitet. Nuk më duket e tepërt që shoqëria shqiptare, ashtu siç po punon për të vendosur drejtësi dhe barazi gjinore për gratë, duhet të luftojë edhe për garantimin e dinjitetit të të moshuarve. Koha kërkon që në këto momente, shoqëria të ngrejë zërin për të mbrojtur të moshuarit në “moshën e bardhë”, duke u ndeshur me “paragjykimet e mëdha”, që shfaqen bujshëm në shoqërinë tonë. Të gjithë do kalojmë në atë rrugë dhe me siguri do ta ndjejmë shijen e hidhur të paragjykimit moshor…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora