E premte, 29.03.2024, 05:22 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Harallamb Kota: Pendat shqiptare të Stambollit

E diele, 07.09.2014, 12:51 PM


Pendat shqiptare të Stambollit, prijësit e gjuhës së sotme shqipe në lagjen “Perra”

Sekretet e  pendëtarëve që formuan alfabetin shqip

(Me rastin e 135 -vjetorit të krijimit (1879 – 2014)

Nga Harallamb Kota - studiues

Vjeshta e vitit 1830, erdhi me shira tepër të rrëmbyer. Në një nga hapësirat e pafund të Stambollit, gjendej lagjja e varfër “Perra”, ku jetonin shqiptarët. Shtëpitë e tyre që mund t’i quaje pa frikë “kasolle”, ishin të thurura me hunj druri të mbushur me baltë. Në qendër të lagjes “Perra” kishte edhe shtëpi me tulla të kuqe, ku banonin familje të pasura, pjesëtarët e të cilëve kishin zënë punë në zyrat e shtetit. Stambolli ishte qendra e Perandorisë Otomane, në të cilën sundonte Porta e Lartë dhe lejohej të ushtronte pushtetin kishtar Patrikana Ikumenike.

Hasan Tahsini në lagjen e shqiptarëve në Stamboll

Në 22 tetor në lagjen e shqiptarëve mbërrin një banor i ri, Hasan Tahsini. Ai, pasi rrufiti një kafe shpejt e shpejt dhe mori adresën që i interesonte, u largua me nxitim. Pak metra më tutje, trokiti në derën e shtëpisë së kushëririt të tij dhe atje kaloi natën. Të nesërmen u paraqit në Medresenë më të njohur të qytetit, u regjistrua dhe filloi menjëherë mësimet. Tekstet mësimore ishin të gjitha në turqisht dhe arabisht, gjuhë, të cilat i kishte zotëruar gjatë kryerjes së mësimeve në qytetin e Sarandës në Shqipëri. Hasani ishte lindur në vitin 1811 në Ninat të Çamërisë. Shumë shpejt ndjeu mungesën e librave në gjuhën shqipe dhe filloi të mendojë për një alfabet me shkronja shqipe. Mbështetje në këtë rrugë të re, ishte “Evetari” i Naum Veqilharxhit, të cilin Naumi e kishte hartuar në vitin 1825 dhe kishte mundur ta botonte e ta shpërndante në vitin 1845. Me parathënien e tekstit të riprodhuar në vitin 1846, Veqilharxhi ishte shpallur “Penda e Artë” e shqiptarizmës, duke hedhur i pari farën e lirisë dhe të lëvrimit të gjuhës shqip.

Veqilharxhi dhe Jani Vreto, pranë Hasan Tahsinit

Më 1854-n në lagjen, ku banonte Hasan Tahsini, mbërrin një tjetër shqiptar i ditur. Ai ishte Jani Vreto, një nga “Pendët” e pakta shqiptare e radhitur pas “Pendës së Artë” të Veqilharxhit. Vreto në vitin 1847, gjatë kohës që kryente mësimet në gjimnazin Zosimea në Janinë, shkroi poemën “Histori e Skënderbeut” dhe kishte filluar të interesohej për gjuhën shqip dhe çështjen kombëtare. Në Stamboll, Vreto erdhi nga Bukureshti së bashku me Veqilharxhin, mikun e tij të vjetër. Të dy ishin adresuar tek Hasan Tahsini. Ishte pothuajse mesnatë kur ata trokitën në derën e tij dhe ai i futi menjëherë brenda. Udhëtarët të lagur deri në palcë, ishin ndjekur këmba këmbës nga dy hije të mbuluar me veladon. Biseda midis të tre atdhetarëve u zhvillua miqësisht dhe me zë tepër të ulët. Naumi kishte sjellë me vete disa kopje të “Evetarit”. Njërin nga ata, Hasani e mori në duar, e puthi në kopertinë, e hapi dhe e lexoi me një frymë. Me të mbaruar së lexuari, u ngrit në këmbë, e përqafoi fort Naumin dhe i tha: -Vëlla Naum, me këtë libër shqip dhe me këto germa na hape sytë. Pas një heshtje të shkurtër,Veqilharxhi ju drejtua Vretos dhe Tahsinit:-Miq të dashur dhe të shtrenjtë, nesër në agim do shkoj i ftuar në Fanar. Shpresoj të marr  lejen ta shpërndaj lirisht “Evetarin”. Të nesërmen, me librin në dorë, piu kafen e mëngjesit e u nis në drejtim të Selisë së Shenjtë. Dihet që u nis dhe asgjë tjetër. Një lajm i zi u hap. Naum Veqilharxhi është farmakosur. Kush e farmakosi dhe ku është trupi i tij?  Askush nuk fliste dhe askush nuk dinte të tregonte për fatin e një patrioti shqiptar.

Klubi “Mirban Arnauti” dhe Kostandin Kristoforidhi

Në pranverën e vitit 1857, në klubin e shqiptarëve në lagjen “Perra” të Stambollit mbërriti Kostandin Kristoforidhi. Jani Vreto dhe Hasan Tahsini, po rrufisnin kafen e mëngjesit, kur në hyrjen e lokalit u paraqit patrioti i madh, i cili shkoi drejt tyre, i përshëndeti dhe pasi shkëmbyen njohjet e rastit, u ul në ndenjësen pranë dhe porositi kafenë. Kristoforidhi ishte pesë vite më i ri se Vreto e shtatëmbëdhjetë vite më i ri se Tahsini. Kishte mbaruar gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Gjatë viteve të shkollës ndihmonte J.G.Han, për studimin e gjuhës shqip dhe hartoi bashkë me të një fjalor shqip-gjermanisht.

Memorandum për “Gjuhën Shqipe”

Me të mbërritur në Stamboll, Kristoforidhi me përkrahjen e Vretos dhe Tahsinit, hartoi një “Memorandum për “Gjuhën Shqip”, duke u afirmuar në këtë mënyrë, si një nga “Pendët” e pakta shqiptare, sipas përcaktimit të bërë nga Veqilharxhi. Fati e deshi, që në mars të vitit 1860, në Stamboll mbërrin një pinjoll nga dera e dëgjuar e Vlorajve. Ky ishte Ismail Qemali, i lindur në Vlorë në vitin 1844 dhe i caktuar me detyrën e përkthyesit pranë Portës së Lartë. Një shqiptar në zemër të Perandorisë, në Portën e Lartë, pranë sulltanëve. Tashmë në Stamboll ishin puqur bashkë katër “Pendë të Pakta”, që mblidheshin në kafenenë e vogël të “Mirban Arnautit”, në lagjen “Perra” të shqiptarëve e bisedonin hapur për gjuhën shqipe dhe fatin e Shqipërisë. Në bashkëpunim me shumë patriotë të tjerë shqiptar,“Pendët e Pakta” filluan të mendojnë e të veprojnë për krijimin e “Shoqërive” që do të punonin për përhapjen e diturisë midis shqiptarëve dhe për hartimin e një “Alfabeti të Ri”  të gjuhës shqipe. Më 1860, Jani Vreto, i cili kishte vite që bashkëpunonte me Veqilharxhin, De.Raden, A.Kulluriotin, Th.Mitkon, Th.Germenjin etj., krijoi një “Alfabet” origjinal, të cilin e përdori për të shkruar libra shqip. Viti 1864 kishte hyrë i mbarë për shqiptarët.

Pashko Vasa dhe Sami Frashëri në “Shoqërinë e Stambollit”

Në “Shoqërinë e Stambollit” ishin anëtarësuar  edhe dy  “Pendë të Pakta” të tjera. Njëra ishte Pashko Vasa, i lindur në Shkodër në vitin 1825. Ai kishte shërbyer si sekretar në Konsullatën Britanike dhe kishte marrë pjesë në luftën çlirimtare të popullit italian. Tjetra ishte Sami Frashëri, i cili ishte lindur në Shqipëri, kishte mbaruar shkollën e ulët turke në vendlindje në Frashër të Përmetit dhe  zotëronte gjuhën turke dhe atë arabe. Më pas kishte mbaruar gjimnazin “Zosimea” në Janinë, zotëronte disa gjuhë, greqishten, greqishten e vjetër, frëngjishten, italishten dhe kishte dituri të plota në histori, gjeografi, shkencat matematike, kozmografike, fizikë, kimi, histori e natyrës, anatomi, etj.. Në Janinë, Samiu mori dhe formimin politik, në thelbin e tij patriotik, liridashës, antiperandorak. Ajo ishte qendra e pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, simboli i rezistencës dhe orvatjeve të një shqiptari për t’u shkëputur nga Porta e Lartë. Me të hyrë në kafen e “Mirban Arnautit”, miqtë e tij po e prisnin e pas një bisede të gjatë me ‘ta ai u shpreh: -Kryeqyteti i perandorisë osmane, më ka afruar rrugë të ndryshme. Një nga këto është karriera zyrtare. Këtë kuptim ka Stambolli për shumë feudalë shqiptar, që vijnë këtu për t’i shitur Sulltanit zotësinë dhe nderin e tyre, në shkëmbim të ofiqeve e të gradave. Unë, - vazhdoi Samiu me kryet lart, zgjodha rrugën e shërbimit jo Fronit Sulltanor, por çështjes së popullit tim, jo të huajit, por atdheut tim, jo shtypjes dhe reaksionit,por lirisë dhe progresit. Të pranishmit, në një mëndje me të, e miratonin me kokë për gjithçka ai shprehu. Bisedës i dha zjarr Kristoforidhi. -Nga leximet që kam bërë, tha ai, shumë historianë të antikitetit, duke filluar nga Homeri, Herodoti etj., shkruajnë që ne shqiptarët jemi në vazhdimësinë e trungut pellazgo-ilir.

Në muajin qershor 1864, gjashtë “Pendët e Pakta” të shqiptarisë, u mblodhën për caktimin e “Alfabetit” të përbashkët të shqipes

Samiu, që bashkëpunonte me përfaqësuesit më përparimtarë të Lëvizjes Liberale Turke dhe që kishte shumë dituri në shkencat historike e gjeografike, e vazhdoi bisedën: -Miqtë e mi, dijetarë të shumtë të perandorisë osmane, më kanë dhënë shumë dokumente të vjetra. Sipas tyre, në hapësirat gjeografike nga Adriatiku deri në kufi me popujt indianë, kanë banuar pellazgët. Ju shqiptarët, thonë ata, jeni pasardhësit e tyre. Këtë e ka pohuar dhe Herodoti, ndërhyri Vreto, i cili ka thënë, që pellazgët janë popullsia më e madhe në botë pas indianëve. Samiu vazhdoi: -Në Stamboll ka shumë shqiptarë (arnaut). Ndoshta ata, nuk kanë ardhur se ky vend quhet Stamboll, apo është quajtur Kostandinopojë. Por për një arsye tjetër, që veç shpirti ua di. Në një nga kodrinat që rrethojnë këtë det, ka qenë Ilioni dhe kalaja e tij Troja, ku mbretëronte Priam Dardani. Nga këtu mori emër KryeZoti ynë Gjerg Kastrioti, të cilin Sulltani e quajti Iskandër (Aleksandër); Ky vend, mesa duket është dheu i të parëve. Ndoshta, për këtë arsye kemi ardhur edhe ne, pasi këtu mbiu dhe gjallëroi fara që hodhi Veqilharxhi. Të gjithë u shtangën. Logjika e Samiut ishte e pakundërshtueshme. Ndërhyri Kristoforidhi. Një popull kaq i vjetër si i yni, ka mbetur me gjuhën e folur të pashkruar. Duhet të përpiqemi,të biem në ujdi dhe të pranojmë një alfabet për ta shkruar gjuhën tonë. Në muajin qershor 1864, gjashtë “Pendët e Pakta” të shqiptarisë,u mblodhën për caktimin e “Alfabetit” të përbashkët të shqipes, për hartimin e botimin e librave në gjuhën shqipe dhe formimin e një “Shoqërie Kulturore” shqiptare. Në vitet 1864-1879, jeta private e patriotike e atdhetarëve shqiptarë, ka patur qasje të ndryshme që ndikonin, herë në dobësimin e bashkëpunimit midis tyre, herë në forcimin dhe marrjen hov të bashkëpunimeve të reja.

Roli i Ismail Qemalit në alfabetin shqip

Në vitin 1866, Ismail Qemali largohet nga Stambolli dhe emërohet kryesekretar i zyrës korrespodencës në Rushçuk, duke munguar për disa kohë në mbledhjet e “Shoqërisë” të patriotëve shqiptarë. Po në këtë vit, Kostandin Kristoforidhi i ndodhur në Stamboll, botoi përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” e vazhdoi përkthimet nga Shkrimi i Shejtë, duke i botuar në gegërisht e toskërisht. Në vitin 1867, atdhetarët shqiptarë në Stamboll, mblodhën Komisionin për Alfabetin dhe për Arsimin. Në këtë ngjarje mungonte Ismail Qemali, i cili ndodhej në Bullgari me detyrën e Mytesarifit të qytetit Varna. Në fillim të vitit 1869, Naim Frashëri largohet nga Janina dhe vendoset në Stamboll, në shtëpinë, ku banonte Samiu vëllai i tij i vogël dhe filloi punë si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit.

Kristoforidhi dhe “Abetarja” në gegërisht

Punësimi i Naimit në zyrën e shtypit, mundësoi Kristoforidhin të botoj “Abetaren” në gegërisht, në toskërisht e libra për fëmijë. Në bashkëpunim me Hoxhë Tahsinin, Pashko Vasën etj., ai u përpoq për krijimin e një shoqërie, që do merrej me përhapjen e shkrimit shqip, ngjalljen e ndërgjegjes kombëtare dhe ngritjen e shkollës shqipe. Njëkohësisht u bë i njohur projekti i Hasan Tahsinit për një “Alfabet të Gjuhës Shqip” me 30 bashkëtingëllore dhe 8 zanore. Projekti u mbështet edhe nga Ismail Qemali, që ishte kthyer në Stamboll, me detyrën kryendihmës në zyrën juridike të Këshillit të Shtetit. Në janar të vitit 1870, ai emërohet Guvernator i Danubit. Më pas kryesekretar në Ministrinë e Punëve të jashtme e së fundmi sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme. Në vitin 1870, Kristoforidhi me Tahsinin largohen nga Stambolli, shkojnë në Berat dhe japin mësim në shkollën e kalasë së bashku me patriotin Jorgji Karbunara. Asokohe, në Berat punonte si nëpunës i taksave Naim Frashëri, i cili i sëmurë me turbekuloz ishte kthyer në vendlindje për një klimë më të shëndetshme.

Në shtator të vitit 1870, Hasan Tahsini caktohet Rektor i Parë i Universitetit të Stambollit

Në shtator të vitit 1870, Hasan Tahsini  kthehet në Stamboll, pasi për gjerësinë e diturive që zotëronte, si dhe për aftësitë e tij intelektuale, u caktua Rektor i Parë i Universitetit të porsahapur të Stambollit, ndërsa dy shokët e tij qëndruan në Shqipëri. Kristoforidhi në qytetin e lindjes në Elbasan, për të mbledhur fjalë dhe shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për tu mësuar bashkatdhetarëve shqipen e shkruar, ndërsa Naim Frashëri u emërua nëpunës i doganave në Sarandë. Në vitin 1877, Kristoforidhi vjen në Tiranë dhe caktohet mësues nga paria e këtij qyteti, për ti mësuar fshehtas gjuhën shqipe fëmijëve të tyre, ndërsa Naim Frashëri qëndron në krah të vëllait të madh Abdylit, në ngjarjet e “Lidhjes Shqiptare të Prizerenit”. Në vitin 1877, Abdyli ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman. Në Stamboll aktiviteti patriotik i Ismail Qemalit, në favor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke shfrytëzuar postet perandorake, konsiderohet i papranueshëm dhe Porta e Lartë e akuzon si; kundërshtar politik i Sulltanit Abdyl Hamiti II dhe përkrahës i pikëpamjeve liberale të reformatorit Mithat Pashës. Për këtë arsye Ismail Qemali largohet nga Stambolli dhe internohet, duke i sjell një dëm të madh Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Themelimi i “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”

Në vitin 1878, Sami Frashëri së bashku me Hoxha Tahsinin dhe Kostandin Kristoforidhin, i cili ishte larguar nga Tirana dhe kishte mbërritur në Stamboll, qenë organizatorët e themelimit të “Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”, që njihet me emrin “Komiteti i Stambollit”, i cili përbëhej nga: Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Zija Prishtina,Hasan Tahsini, Kostandin Kristoforidhi dhe Sami Frashëri. Abdyl Frshëri u zgjodh kryetar duke kontribuar në përpunimin e platformës politike që adaptoi “Lëvizja Kombëtare” pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane, sidomos pas nënshkrimit të traktatit të Shën Stefanit. Për të siguruar kufijtë etnik të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve, u hartuan  kërkesat më minimale: Krijimi i një Shteti Autonom Shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit, ose Krijimi i një Vilajeti të Bashkuar Shqiptar në kuadrin e perandorisë osmane.

-Themelimi i “ Shoqëri e Shkronjëzave”

Në vitin 1879, me nismën e K.Q.M.D.K.SH., u themelua “Shoqëria Patriotike, Kulturore, Arësimore”, që njihet me emërat: “Shoqëri e Stambollit” ose “ Shoqëri e Shkronjëzave”. Në krye të kësaj shoqërie u zgjodh Sami Frashëri. Platforma e sajë u nënshkrua nga 28 përfaqësues të shtresave e besimeve të ndryshme nga gjithë Shqipëria. Të pranishëm në mbledhjen themeluse ishin dhe dy “Penda të Pakta”, mësuesi atdhetar Koto Hoxhi dhe një nga nxënësit e tij Pandeli Sotiri, që punonin për lëvrimin e gjuhës shqipe në fshatrat e jugut të Shqipërisë. Shoqëria e Stambollit ose Shoqëri e Shkronjëzave, ishte kurorëzimi i përpjekjeve të mëdha të atdhetarëve shqiptarë, duke filluar nga iluministi Dhaskal Todri, që përktheu në shqip dy Dhiatat e u vra më 1805 nga njerëz të vënë nga Patrikana e Fanarit, Kostandin Berati, i cili në bashkëpunim me Dhaskalin, bënë përpjekjet e para nga viti 1750 për një alfabet origjinal shqip, “Penda e Artë” Naum Veqilharxhi, pioneri i “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” dhe “Pendat e Pakta” siç i cilësonte ai, që lëvronin gjuhën shqipe e punonin pa u lodhur për hartimin e shkronjëzave e abetareve shqip. Qëllimi kryesor i kësaj shoqërie, sipas Sami Frashërit ishte:”Të mësuarit e të ndriturit të kombit tonë, të ngjallurit e gjuhës shqip,të bashkuarit e dialekteve, lëvrimin e gjuhës shqip, krijimin e gjuhës letrare, zhvillimin e letërsisë kombëtare, çeljen e shkollave shqip, ngritjen e një shtypshkronje, botimin e librave (kryesisht tekste shkollore) dhe të një organi periodik, veprimtarinë kundër prapambetjes ekonomike, sociale etj.

Themelimi i degëve në Bukuresht dhe Egjipt

Për realizimin e platformës së saj, “Shoqëria e Shkonjëzave” themeloi degë në Bukuresht, Egjipt etj. Miratoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqip “Alfabeti i Stambollit“ të paraqitur nga Samiu dhe mundësoi botimin e “Alfabetares” shqip, të hartuar nga Samiu, Naimi dhe Jani Vreto. Ndër veprimtarët më aktivë të Shoqërisë së Stambollit, ishte edhe Pashko Vasa, që menjëhere botoi veprën “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”, në të cilën krahas të dhënave historike për popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi nga pozitat reformatore, administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit e mësimit të shqipes dhe ishte për alfabetin latin të zbatuar në gjuhën shqipe.

Hasan Tahsinit, burgoset nga fanatikët e Portës së Lartë

Ndërkohë ra në sy aktiviteti patriotik i Hasan Tahsinit, i cili u burgos nga fanatikët e Portës së Lartë. Në kohën e këtyre ngjarjeve, Abdyli me Naimin mereshin me  ngritjen e degëve të “Lidhjes Shqiptare të Prizerenit” në Frashër, Prevezë e Gjirokastër. Ndikimi i fuqishëm i këtyre ngjarjeve’ e i veprimtarisë atdhetare e kulturore të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së ciles ishte Samiu, e përfshinë Naimin tërësisht në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Menjëherë, ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare, për ngritjen e shkollës së parë shqipe dhe paisjen e sajë me tekste mësimore në gjuhën amtare.

Në vitin 1880 Naimi boton poemën e parë “Shqipëria

Në vitin 1880 Naimi boton poemën e parë “Shqipëria”, ku shpalli qartazi idetë politike atdhetare, që më pas u bënë lejtmotiv i veprës së tij’ e i gjithë poezisë së Rilindjes, ndërsa Pashko Vasa botoi vjershën “Moj Shqypni, e mjera Shqypni”, që u shpënda si flet fluturuse dhe shprehte dashurinë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit me notën e dhëmbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare, për tu bashkuar në emër të çlirimit të vendit, duke luajtur rolin e zgjimit kombëtar të shqiptarëve. Në vitin 1882,    Naim Frashëri vendoset përfundimisht në Stamboll dhe emërohet në punë me detyrën Kryetar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arësimit. Po atë vit në Stamboll kthehet edhe Kristoforidhi, i cili pruri me vete një thesar të madh të fjalëve të mbledhura në teritorin ku banonin shqiptarët.

Klubi i “Mirban Arnautit”,  ishte vendndodhja e “Shoqerisë së Shkronjëzave”

Në klubin e “Mirban Arnautit”, ku ishte vendndodhja e “Shoqerisë së Shkronjëzave”, atë të djelë u mblodhën herët në mëngjez të gjithë “Pendat e Pakta” që kishin mbetur, Pashko Vasa, Ismail Qemali, Jani Vreto, Sami dhe Naim Frashëri. Prisnin të vinte Kristoforidhi, i cili natën vonë kishte mbëritur në Stamboll dhe kishte prurë një thesar të madh të fjalëve të mbledhura në Shqipëri.Me të hyrë “Mësuesi” në klub, u ngritën vrik në këmbë dhe e përshëndetën: ”Merraba, Selamalekum”. Kristoforidhi nuk u ul, përqafoi Naimin dhe Pashkon e u tha: -Në të gjitha trevat shqipfolëse, këndohen me plot dëshirë strofat e vjershave tuaja. Papritur si bilbil ligjëroi: ”Ti Shqipëri më ep nderrë, më ep emërin Shqipëtar” dhe “Të mos dëgjojmë kisha e xhamia, feja e Shqipëtarit është Shqiptaria”. Amin, thanë njëzëri të pranishmit. Ashtu në këmbë, duke vështuar “Pendat e Pakta” dhe bashkëkombësit e tjerë tha:-Kam mbledhur shum fjalë e do të bisedojmë bashkërisht për ti përdorur në gjuhën tonë. Që sot e tutje, do themi fjalët shqip.” mirmëngjes, mirdita, mirmbrëma, tungjatjeta, natën e mirë, ditën e mirë, lamtumirë, mirutakofshim etj. Kristoforidhi kishte një punë të ngutshme, e rufisi kafenë shpejt dhe duke dalë tha: -Kujdes,fjalët shqip. Mirutakofshim së shpejti. Prurja e Kristoforidhit ishte një thesar i vërtetë për gjuhën shqipe dhe fjalët që ai mblodhi u pranuan, u pëlqyen dhe u futën në gjuhën e folur dhe të shkruar.

Naim Frashëri në klubin e “Mirban Arnautit”, inkurajon “Pendat e Pakta”

Naim Frashëri çdo mbrëmje në klubin e “Mirban Arnautit”, inkurajon “Pendat e Pakta” të shkruajnë për mëmëdheun, të hartojnë libra në gjuhën shqip, tekste mësimore dhe mer përsipër botimin e tyre. Ai ishte ndër themelusit e revistës “Drita”, që drejtohej nga Sami Frashëri dhe botonte në këtë revistë të gjitha shkrimet e tij. Ndërkohë siguroi lejet për botimin e teksteve që kishte hartuar për shkollat e para e disa shqipërime. Gjithashtu mundësoi botimin e librave të hartuar nga Sami Frashëri: Në vitin 1886 tekstet shkollore “Abetare e Gjuhës Shqip” dhe “Shkronjëtore e Gjuhës Shqip”. Në vitin 1888 “Dhëshkronjë”.

Aleksandër Kota dhe Gafur Dibra, lidhen me “Shoqërinë e Shkronjave”

Në maj të vitit 1889, në Stamboll mbërin nga Egjipti, Aleksandër Kota. Emigranti shqiptar merej me punë tregëtare dhe kontribonte për gjallërimin e “Shoqërisë së Shkronjave” ne Egjipt, e cila ishte krijuar nga Jani Vreto. Në mjediset e qytetit, ai njihet me tregëtarin dibran, djaloshin 21 vjeçar Gafur Dibra, që jetonte në Stamboll dhe  kishte miqësi me shumë patriotë aktivist të “Shoqerise së Stambollit”. Në klubin e “Mirban Arnautit”, që mbushej plot e përplot, Gafuri e njeh Aleksandrin, me veprimtarët e çështjes kombëtare, me Naim Frashërin, Kostandin Kristoforidhin, Hasan Prishtinën dhe Ismail Qemalin. Ky, thotë Gafuri, është Aleksandër Gjergj Kota. Që kur ishte ende fëmijë, shpërndau fshehtas në qytetin e Korçës “Evetarin” e Naum Veqilharxhit. Naimi u ngrit në këmbë dhe tha: -Qysh nga vdekja e KryeZotit tonë Skënderbeut, Porta e Lartë e ka ndaluar me dekret perandorak, që shqiptarët ti quajnë fëmijët e tyre me emërin Gjergj. Ky emër i tmeron. Frikohen se mos ndonjëri ngjall Mbretin dhe Zotin Tonë. Qëndrimi i Aleksandrit në Shoqërinë e Stambollit, ndikoi në ritjen e shpirtit atdhedashës të tij. Me tu kthyer në Egjipt, ai e percolli në gjirin e emigrantëve shqiptar.

Ismail Qemali dhe Sami Frashëri kundër  drejtimit të Sulltanit, Abdyl Hamiti dytë

Në Stambollin e vitit 1899,“Pendat e Pakta“ të mbledhura në klubin e “Mirban Arnautit”, diskutojnë mes tyre gjëndjen e mjeruar të perandorisë dhe parashohin shëmbjen e sajë. Ismail Qemali dhe Sami Frashëri, nëpunësa të pushtetit perandorak, tentojnë ta shrytëzojnë situatën në dobi të çeshtjes kombëtare,për krijimin e shtetit autonom Shqiptar nën suzerenitetin e Sulltanit. Me këtë pikësynim Ismail Qemali i drejtohet në mënyrë diplomatike Sulltanit, Abdyl Hamiti dytë, duke nënvizuar: -Brënda 20 viteve të mbretërimit tuaj, pushteti është kalbëzuar nga korupsioni dhe paaftësia, prandaj duhen reforma. Ndërsa Sami Frashëri i paraqet Sulltanit, “Projektin e Ndarjes Administrative të Perandorisë Osmane”, me synimin e krijimit të vilajeteve Shqiptare.  Propozimet e ardhura nga dy Shqiptarët e Mëdhenj, Sulltani nuk i vlerësoi, përkundrazi mori masa ndëshkimore, duke shkallmuar marëveshjen e tyre me Portën e Lartë. Tashmë duheshin gjetur mënyra dhe forma të tjera për bërjen e Shqipërisë.

Sami Frashëri kurorëzohet “Ideologu i Rilindjes Kombëtare”.

Në vitin 1899, u botua vepra e shquar ”Shqipëria ç’ka qenë,ç’është dhe ç’do të bëhet”, i cili u bë: “Manifesti i Rilindjes Kombëtare” dhe Sami Frashëri u kurorëzua : “Ideologu i Rilindjes Kombëtare”.

Naim Frashëri u pagëzua së gjalli “Apostull i Shqiptarizmës”.

Deri në vitin1895, Naim Frashëri,me krijimet e tij evokoi të kaluarën historike të Shqipërisë, i këndoi mallit për atdhe e krenarisë kombëtare, u bë shprehës i romantikës qytetare dhe i idealit të çlirimit nga zgjedha e huaj. Ai krijoi poezinë e madhe të atdheut. Me poemën ”Istori e Skënderbeut”, ju përgjigj kërkesës së kohës për të pasur edhe shqiptarët eposin e tyre historik. Naimi e lëvroi më tej gjuhën shqipe, në rafshin poetik e dituror, duke shfaqur një forcë të veçantë krijuse gjuhësore. Naimi e shihte “Zotin” të shkrirë me “Natyrën” dhe “Njeriun”, duke bërë një hap drejt materializmit. Me besimin në rolin e dijes e kulturës për zhvillimin kombëtar e shoqëror të shqiptarëve, admirus i iluministëve francezë,përfshiu në librat e tij shkollorë mendimin e përparuar shkencor të kohës, darvinizmin dhe teorinë e Karl-Laplasit. Ishte përkrahës i formës demokratike (demokraci prej pleqte) të qeverisjes së ardhshme të shtetit shqiptar, duke u bërë figura qëndrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua së gjalli “Apostull i Shqiptarizmës”.

Më 1892, u larguar nga jeta Pashko Vasa, diplomat dhe burrë shteti i shquar, shkrimtar dhe historian jo i zakonshëm, autor i vëllimeve poetike dhe i shumë teksteve shkollore në gjuhën shqipe.Tashmë kishin mbetur vetëm katër “Penda të Pakta”, të cilët takohen rregullisht çdo pasdite vonë dhe shkëmbejnë mendime, me vështrimin tretur larg në hapësirat perëndimore të dheut, buzë adriatikut, në atë copëz tokë që quhej ende Shqipëri. Në klubin e “Mirban Arnautit”, mblidhen shumë patriotë. Vijnë dhe ikin. “Pendat e Pakta” mendojnë, bisedojnë, shajnë Portën e Lartë dhe qortojnë veten e tyre. Ende nuk po e bejmë Shqipërinë. -I dhamë Portës së Lartë, u shpreh Samiu, gjithçka kishim shpirtërisht e materialisht. Por çfarë ajo na dha. Azgjë, veç vdekjes. Lejoi krijimin e shumë shteteve në ballkan, por jo Shqipëri. Lejoi hapjen e shkollave dhe kishave për të gjithë popujt në ballkan, por jo për popullin shqiptar. Të mëzitur nuk folën më. Heshtjen e e theu Mirbani, i cili pa u menduar gjatë tha:  -Këtu, në klubin tim, Ju themeluat “Shoqërinë e Stambollit” ose siç e quajtët ndryshe “Shoqërinë e Shkonjave”. Secili nga Ju, është një krenari për të gjithë ne shqipëtarët. Këtu midis Jush, erdhi “Penda e Artë”, Veqilharxhi,  pionieri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ai solli “Evetarin” dhe hodhi farën e Lirisë. Sipas kushtrimit të tij, këtu u mblodhët Ju “Pendat e Pakta” , që shkruanit libra shqip, secili me shkronja që i kishte hartuar vetë. Tek ky lokal, u mblodhët tok, formuat shkronjat e përbashkëta shqip e hartuat “Abetaren e Parë” që e quajtët “Alfabetare”. Më pas shtuat besimin e inkurajuat njëri tjetrin, duke shkruar tekste mësimore shqip dhe hapët të parën revistë kulturore, letrare e shkencore, revistën Dituria. Nga gjiri Juaj shkëlqyen shkencëtarë gjuhëtarë, letrar, politikan e burra shteti, nga më të dalluarit e Perandorisë Osmane. Midis Jush, u dalluan në veçanti dy vëllezërit Frashëri, të cilët Ju i kurorëzuat. Samiun e quajtët “Ideolog i Rilindjes Kombëtare” dhe Naimin “Apostull i Shqiptarizmës. Me të mbaruar ligjërimin Mirban Arnauti, Sami Frashëri më i riu midis tyre, brofi në këmbë dhe njëherësh u shpreh: -Jani Vreto, Kostandin Kristoforilli, Naimi dhe  Unë, jemi dijetarë, gjuhëtarë e letrarë.

Burrë shteti mes nesh, është vetëm Ismail Qemali.

Të pranojmë njëzëri dhe këtij burri Lab nga Vlora e Shqipërisë, ti besojmë gjithçka: Pushtetin e Gjergj Kastriotit Skënderbe, Flamurin me shqiponjën dykrenash, Shoqërinë e Shkronjave Shqip, Alfabetaren Shqip dhe Bërjen e Shqipërisë.  Pendat e Pakta u ngritën në këmbë, panë në sy bashkëkombësin e tyre dhe ai u betua:         -Unë Ismail Qemal Vlora, do të ngjall Arbërinë. Marr Përsipër plotësimin e Amanetit Tuaj, për Njësimin e Gjuhës Shqipe, bërjen e një “Abetare” me shkronja të lehta, që dalin lirshëm nga qellza jonë dhe tingëllojnë ëmbël në veshin e shqiptarit. Bërjen e Shqipërisë me Skënderben KryeZot dhe Naim Frashërin Apostull. Amin, thanë njëzëri të  “Dërguarit e KryeZotit”. Duke qëndruar gatitu në këmbë, Ismail Qemal Vlora tha: “Të Shkojmë Përpara. Historia të na Ndjekë Pas”. Në hapësirat shqipfolëse nga hiri i “Pendave të Para të Arta”, lulëzuan mijëra “Penda të tjera të Arta”. Midis tyre dallohen ato që njëhsuan alfabetin dhe shkrimin shqip, në nëndor të vitit 1908, në Kongresin e parë të Manastirit në Manastir, ato që e mbrojtën gjuhën shqipe në gusht të vitit, 1909 në Kongresin e Dibrës në Dibër, ato që miratuan alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine në prill të vitit 1910, në Kongresin e dytë të Manastirit, etj. Ato që e lëvruan  gjuhën shqipe deri në standartizimin e sajë. Ato Penda që vazhdojnë ta qëmtojnë atë dhe të shkruajnë enciklopedi, libra shkollorë, romane dhe poezi, që nga Fan.S.Noli deri tek Ismail Kadare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora