Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Diktatori Hoxha: Kadare, duhet të korigjohet

| E diele, 07.09.2014, 12:36 PM |


Enver Hoxha: Kadare, duhet të korigjohet

“Dimri i vetmisë së madhe” 

Si ndërhyri Enver Hoxha pas letrave dhe kritikave që filluan t’i bëheshin shkrimtarit Ismail Kadare në shtypin e kohës

“Çështja nuk qëndron tek ajo pse u nda apo përse nuk u bashkua Besniku me Zanën, por në roman ka vend që të hiqen disa gjëra të tepërta, siç është, midis të tjerash, edhe ai Hoxha

“Shpeshherë kisha përshtypjen se ashtu si një luftëtar që e tërheq partnerin e duelit në një vend më të favorshëm, unë e kisha shtyrë tiranin drejt fushës së letërsisë, ku e ndieja veten mjeshtër … Atje, mendoja, i ekspozuar dhe larg nga rojet, oborrtarët, doktrina dhe diktatura mund të mbizotëroj mbi atë. Ky do të ishte rasti për t’i vënë maskën dhe vetë ajo do ta përkulte e kufizonte atë …” Kështu shprehet shkrimtari Ismail Kadare, për “Dimrin e vetmisë së madhe” në “Pesha e kryqit”. Duke besuar te forca e shkrimit, ai kishte mundur ta joshte dhe njëkohësisht ta sfidonte tiranin, në fletët e një libri. Në raport me aleatët e huaj me të cilët Shqipëria komuniste ishte prishur, ky libër do t’i jepte lexuesit të huaj në sytë e diktatorit një hero triumfator, por që në të vërtetë dilte e kundërta, ndërsa shihje personazhet dhe ankthin që kishte pushtuar vendin. Përmes përshkrimit të Shqipërisë së tij, Kadare kishte mundur ta sfidonte Hoxhën, dhe njëkohësisht t’i jepte atë që ai kishte kohë që e kishte shprehur me botimet e kujtimeve të vegjëlisë apo librave të tjerë me kujtime nga lufta, dëshirën për të qenë në letërsi. Adhurimi që kishte Hoxha për veten, sipas studiuesve të huaj që janë marrë me librat e shkrimtarit, do ta shpëtonte shkrimtarin nga dënimi. Hoxha nuk mund ta humbte kurrsesi një rast për t’u përshfaqur para lexuesve si një personazh, nga një shkrimtar që po pritej mirë nga lexuesi jashtë Shqipërisë. Te studimi “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’”, botim i shtëpisë botuese “Saras”, autori Met Dervishi i referohet veprës së 51 të Enver Hoxhës, kur flet për mbrojtjen që i bëri shkrimtarit. “Ky është një rast unik në historinë e raporteve të diktaturës dhe të diktatorit me një tekst letrar. Diktatori, që kishte dhe aureolën e teoricienit të marksizëm-leninizmit, pra dhe të teoricienit të ‘metodës’, natyrisht që kishte ndërhyrë vazhdimisht në procesin letrar, por kishte bërë ‘përgjithësime teorike’ për atë proces në tërësi.

Fakti që ndërhyri Enver Hoxha në një fjalë që mbajti në Elbasan, duhet parë së paku në tri aspekte. Së pari, kodi në tri nivelet e tij, siç e pamë deri tani, kishte bërë presionin e duhur, pra kishte hapur rrugën për dënimin e veprës e të autorit dhe ‘masat punonjëse’, pra e sidomos ‘klasa punëtore’ priste një përgjigje. Së dyti, Kadareja ishte një shkrimtar i përkthyer në Perëndim, madje i vetmi, dhe kjo do ta vinte diktatorin përballë reagimit perëndimor (disidenca). Së treti, Enver Hoxha ishte njëkohësisht dhe gjykatësi përfundimtar, por ishte dhe një personazh i romanit”, shkruan Dervishi. “Ismaili është një shkrimtar me talent. Si në veprat e tjera që ka shkruar deri tani, edhe në romanin ‘Dimri i vetmisë së madhe’, ka anë të mira pozitive. Natyrisht, në to gjen edhe ndonjë pjesë që është për t’u kriti­kuar dhe duhet korrigjuar. Prandaj, për të dhënë një gjykim të drejtë dhe objektiv të veprës së tij të fundit, ashtu si kurdoherë, edhe në rastin konkret, duhen parë dy anët e medaljes, në mënyrë që kritika që i bëhet të mos jetë e njëanshme”, do të shprehet Enver Hoxha, duke nënvizuar se kritikat dhe vërejtjet për një vepër letrare duhen bërë me kujdes e me vend dhe të jenë shoqërore. Sipas tij, ambienti dhe realiteti janë vënë në një ambient të caktuar shoqëror dhe tamam këtu ka vend për t’i bërë atij kritika, pse ka gjëra që nuk shkojnë, që nuk përfaqësojnë si duhet realitetin tonë shqiptar. Hoxha merret me detaje të librit, duke folur dhe për kritikat lidhur me përshkrimin e broduejsit, nga dy personazhet kryesore, Besniku dhe Zana. “Çështja nuk qëndron tek ajo pse u nda apo përse nuk u bashkua Besniku me Zanën, por në roman ka vend që të hiqen disa gjëra të tepërta, siç është, midis të tjerash, edhe ai i një grupi të rinjsh që kryejnë akte vagabondazhi”, thotë ai. Qëndrimi i Partisë Komuniste në Moskë, sipas tij, është përshkruar mirë. “Rëndësi të dorës së parë në roman ka qëndrimi i Partisë sonë në Moskë, që aty është paraqitur mirë dhe, pikërisht, kjo si pjesa më e rëndësishme duhet vënë në dukje në fillim, pastaj mund të flitet për anët e tjera, për dobësitë e veprës. Kjo anë duhet pasur mirë parasysh, pse pikërisht armiqve tanë revizionistë u intereson shumë dhe dëshi­rojnë që ky roman që demaskon qëndrimet e tyre, të hiqet nga qarku­llimi dhe ca më mirë u intereson që të jemi vetë ne ata që të themi nuk bën dhe ta hedhim në ujë”, thotë Hoxha, duke dalë në mbrojtje të shkrimtarit që, sipas tij, të metat do të ndreqen. “Kritika i bën mirë njeriut. Edhe Ismailit si kujtdo, i bëjnë mirë këto kritika. Ai, si shkrimtar me horizont të gjerë kulturor dhe si komunist, do t’i rregullojë të metat e romanit, ndërsa çështja kryesore, që është shumë therëse për revizionistët sovjetikë duhet të mbetet, të mos lëvizë asnjë çikë, se është goditur mjaft mirë”, shprehet Hoxha. Më tej ai vazhdon duke thënë: “Është, gjithashtu, i shpejtuar dhe jo i drejtë mendimi i disave që thonë se Ismaili nuk është në pozita të shëndosha ideologjike. Po të qe i tillë, ai nuk do ta përshkruante drejt luftën e Partisë sonë kundër revi­zionistëve sovjetikë. Duhet pasur pastaj parasysh se nuk ka qenë punë aq e lehtë për të që ta trajtonte në mënyrë të përsosur këtë temë, e para e këtij lloji në letërsinë tonë artistike”. “Nga ky skicim del që Enver Hoxha, ashtu si dhe kodi, ka pranuar se është përshkruar drejt lufta e partisë sonë kundër revizionistëve sovjetikë. Këtu na del aspekti i dytë që theksuam më lart, pra Enver Hoxha si personazh, roli i tij, historikja etj. (sesa kjo i përgjigjet së vërtetës, do ta shohim gjatë analizës në vijim). Dhe, pikërisht këtë aspekt të veprës që dhe vetë kodi e kishte pranuar, Enver Hoxha ia kundërvë vetë kodit. Duke e marrë në mbrojtje veprën dhe autorin e saj nga pretenca që kishte dhënë kodi: të metat ideologjike, për të cilat të priste ndonjëri nga burgjet shqiptare”, shkruan Dervishi. Sipas tij, ndonëse merret në mbrojtje autori, pritet një “rregullim” i veprës, një ripunim i saj, në përputhje me vërejtjet e “partisë”. Kështu që, nëse zhurma e kodit kundër romanit u shua sakaq pas fjalës së Enver Hoxhës, njëkohësisht me këtë dhe “Dimri i vetmisë së madhe” del jashtë sistemit të analizës. Në pritje për t’u rifutur pas ripunimit të saj, çka nënkuptonte, dënimin me heshtje të veprës, siç dhe ndodhi realisht. Në fakt, deri në ribotimin e saj me titullin “Dimri i madh”, për të heshtet. Ja dy shembuj prej kritikave zyrtare, nga botimet e dy prej autoriteteve të saj të kohës. P.sh. Dilaver Dilaveri në librin me kritika “Nëpër faqet e prozës sonë” (pra para ribotimit të veprës), analizon romanët e Kadaresë “Kronikë në gur”, “Gjenerali …”, “Dasma”, “Nëntori i një kryeqyteti”. Mungon “Dimri”. Te Dalan Shapllo, “Dukuri dhe vepra letrare”, pra kur sapo kishte përfunduar debati në shtyp, mungon “Dimri”, analizohet “Gjenerali” që ishte botuar kohë më parë. Por sa mundi t’i vinte në jetë shkrimtari kritikat, dhe të sillte një version sipas vërejtjeve të partisë? Ribotimi i romanit u bë pas tre vitesh. Drago Siliqi, në një artikull të shkruar në revistën nëntori, më 7 nëntor 1977, me titullin “Vepër e rëndësishme mbi luftën kundër revizionizmit” shkruan: “Varianti i tanishëm i këtij romani, i ripunuar dhe i zgjeruar, dëshmon për atë se si ka ndikuar pozitivisht te shkrimtari mendimi shoqëror e letrar dhe se si përfitojnë shkrimtarët tanë nga orientimet e partisë, nga mësimet e Plenumit IV, nga porositë e shokut Enver”. Libri u ribotua me titullin “Dimri i madh”. Pipi Mitrojorgji shkruan për librin pas botimit të tij në Francë: “Shprehim bindjen se romani i shquar ‘Dimri i madh’, që siç na njofton gazeta ‘Drita’ u botua tani në Francë, pa dyshim do të mirëpritet nga lexuesit e jashtëm. Shënimi i botimit është në fakt jehona e parë e kritikës frënge, ku shprehet në mënyrë të përmbledhur në radhët që na duken me interes të citohen të plota: ‘Dimri i vitit 1961 e pa vendin e vogël të kampit socialist, Shqipërinë, të hyjë në konflikt me superfuqinë sovjetike. Vend malësorësh trima, përherë në luftë me ato fuqi që kërkonin t’i impononin ligjet e veta, Shqipëria i ka qëndruar Perandorisë Otomane, Bashkimit Sovjetik dhe kohët e fundit, Kinës. Romani i Ismail Kadaresë është një afresk i gjerë që përshkruan së brendshmi botën komuniste dhe që sjell një galeri personazhesh: që nga Enver Hoxha, sekretar i Parë i KQ të Partisë së Punës, që kundërshtoi e sfidoi Hrushovin, deri te komunistët më të rinj, nga ish-borgjezët e deklasuar te fshatarët, nga intelektualët te njerëzit politikë, pa harruar as dhe fshesaxhiun e rrugëve – një botë e tërë në lëvizje që shfaqet para nesh me fytyrën e saj thellësisht njerëzore. Për karakterin e tij epik, për strukturën polifonike dhe ngjyrën e personazheve që të kujtojnë hera-herës legjendat e madhërishme të Ballkanit, ky roman, që pasqyron një moment madhor nga historia e një populli, ka një rezonancë universale”. Pas një heshtjeje trevjeçare tashmë libri bëhet pjesë e analizave “kritike”, futet nëpër tekstet shkollore, komentohet, zë vend si pjesë përfaqësuese e Kadaresë në tekstet shkollore të shkollave të mesme etj. Pra, glorifikohet. “Nga një krahasim i çfarëdoshëm i dy teksteve pra ‘Dimrit të vetmisë së madhe’ dhe ‘Dimrit të madh’, më tepër sesa me një ‘ripunim’ sipas ‘vërejtjeve të partisë’, kemi të bëjmë me një trukim”, shkruan Dervishi.

Studiuesi anglez, Peter Morgan, njohës i mirë i letërsisë së Kadaresë, sjell një vështrim mbi pritjen që iu bë “Dimrit të vetmisë së madhe”. Anëtarët e Komitetit të Partisë e kaluan dorëshkrimin e romanit dorë më dorë

“Dimri i vetmisë së madhe” trembi njerëzit e Hoxhës

Thashethemet rreth ekzistencës së librit polarizuan dy fraksionet përreth Hoxhës, e pikërisht gardën e vjetër të stalinistëve, pushteti i të cilëve mbështetej te Sigurimi dhe liberalët me në krye Ramiz Alinë, të cilët shiheshin me përbuzje nga figura të tilla si Nexhmije Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo.

Peter Morgan

Ramiz Alia e përfundoi leximin e dorëshkrimit të plotë të “Dimrit të vetmisë së madhe” në vjeshtë të vitit 1972. Muajt kalonin dhe shkrimtari nuk mori asnjë lajm. Atmosfera e detantës dhe optimizmit në kryeqytet, që nisi rreth fundit të viteve ‘60, vazhdoi deri në dimrin e 1972-shit, ndërkohë që Hoxha u kthye nga pushimet dimërore në Vlorë në fund të vitit. Në një paragraf, që evokon “Pallatin e ëndrrave”, Kadareja përshkruan ftohtësinë e papritur që mbërthen qytetin: Qysh një ditë më pas [kthimit të Hoxhës] filloi të përhapet një thashethem që nuk sillte diçka të mirë. Diçka po ndodhte. Thashethemi transformohej nga dita në ditë si një lloj larve gjigande (diçka e keqe kishte ndodhur…..shoku Enver është zëmëruar…..është diçka tepër serioze….) deri sa doli formulimi alarmues që asgjësoi çdo shpresë, “ka dalë një grup…me fjalë të tjera…një komplot…në fushën e kulturës”. (Pesha, 356). Një situatë e tillë për Kadarenë tregonte se Hoxha ishte në dilemë duke shpresuar akoma në një afrim me Perëndimin. I izoluar nga Bashkimi Sovjetik, ai po ashtu u ndie i poshtëruar nga kinezët pas veprimeve “revizioniste” të Mao Ce Dunit. Ky i fundit nisi afrimin me Shtetet e Bashkuara fillimisht nëpërmjet ndërmjetësve në 1970-n, gjë që më vonë u kurorëzua me vizitën e Niksonit në Kinë, në shkurt të vitit 1972. Strategjia e krijimit të një alibie për shkrimin e tij, duke i ofruar diktatorit një imazh të idealizuar, i cili do të kryente funksionin e një modeli të “diktatorit të butë”, ishte një veprim i rrezikshëm. Megjithëse ishte i regjur politikisht dhe finok, Kadareja nuk mund t’ia kalonte Hoxhës në këtë drejtim. Me besim të tepruar në vetvete, bile edhe optimist rreth ndryshimeve të vijës politike me Kinën, ai nuk e kishte marrë parasysh mundësinë e një izolimi të plotë dhe dështoi në parashikimin e ngricës ideologjike të fillimit të viteve ‘70. I inkurajuar nga gjallëria e rinisë dhe nga ndjesia e ndryshimeve shoqërore e kulturore, si dhe nga lidhjet me intelektualët progresivë si Lubonja e Paçrami, ai i kishte hedhur zaret. Ndërkohë, ai dhe romani i tij u përfshinë në makinacionet e mëtejshme politike. Thashethemet rreth ekzistencës së librit polarizuan dy fraksionet përreth Hoxhës, e pikërisht gardën e vjetër të stalinistëve, pushteti i të cilëve mbështetej te Sigurimi dhe liberalët me në krye Ramiz Alinë, të cilët shiheshin me përbuzje nga figura të tilla si Nexhmije Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Për më tepër, Nexhmija, bashkëshortja e udhëheqësit, ekstremistë stalinistë dhe luftëtare partizane gjatë luftës, kishte influencë të madhe si anëtare e Komitetit Qendror dhe si pjesëtare e “fronit mbretëror” së bashku me Kapon në veçanti. Dorëshkrimi kaloi dorë më dorë mes fraksioneve dhe secili prej tyre e përdorte sipas qëllimeve të tyre politike pro apo kundër autorit, duke mbajtur parasysh subjektin tepër delikat, që lidhej drejtpërdrejt me udhëheqësin e madh. Enver Hoxha mbajti një heshtje ndjellakeqe. Romani as nuk u lavdërua e as nuk u ndalua por mbeti nën kontrollin e diktatorit dhe fraksioneve rreth tij. Koha po kalonte, Perëndimi nuk po tregonte interes për t’u afruar, kështu që diktatori duhej të vepronte. Në një mbledhje të Komitetit Qendror, ai tërhoqi vëmendjen për devijime ideologjike dhe foli rreth ekzistencës së një komploti brenda qeverisë. Si gjithmonë, ai do të përçante e sundonte dhe intrigat e brendshme politike do të përdoreshin për të justifikuar rritjen e vigjilencës e kontrollit. Ndërkohë, dorëshkrimit të Kadaresë iu dha e drejta për botim dhe u dërgua në shtypshkronjë. Ai doli me një tirazh prej 25 mijë kopjesh, të cilat u shitën menjëherë. Me daljen e tij, ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, deklaroi se, “lexova dyzet faqe dhe pështyva dyzet herë”. Secila palë mendonte se kishte fituar dhe shpresonte ta shihte kokën e Kadaresë mbi një hu si tribut ndaj liberalizmit apo stalinizmit. Spastrimi nisi në fillim të vitit 1973. Terrori filloi me një fushatë të shtypit kundër romanit, duke e akuzuar autorin për aktivitet antisocialist dhe armiqësi ndaj diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Nuk ishte habi që përdorimi i fjalës “vetmi” në titullin e librit origjinal u konsiderua si kritikë për udhëheqësin e madh. Gazetat u përmbytën nga letrat kritikuese (një mënyrë e rëndësishme e denoncimeve “nga populli”) dhe u thirrën mbledhje të shumta për të diskutuar veprën. Në atë kohë, Kadareja dyshonte se pas kësaj fushate për ta përdorur romanin kundër tij fshihej Nexhmija dhe e mbështet akuzën e tij me dëshmitë që dolën në vitin 1991. Hoxha vetë qëndroi i heshtur dhe kjo ishte provë për Kadarenë, se ai ishte joshur nga mundësitë që i jepeshin për të prezantuar vetveten dhe ndryshimin, gjë që nënkuptohej me mënyrën e prezantimit të tij në roman. Megjithatë, ai u vu në pozitë të vështirë me gruan e tij Nexhmijen, organet e Sigurimit dhe gardën e vjetër “majtiste”, që e nxisnin për të marrë masa kundër shkrimtarit dhe përkrahësve të tij. Ai mendonte se sovjetikët po e ndiqnin me interes dhe prisnin përgjigjen e tij dhe liberalët shpresonin për ndryshim. Hoxha e dinte se ai nuk mund të gjente shkrimtar tjetër si Kadareja. Nëse romani ndalohej, imazhi i tij si hero i pavarësisë së Shqipërisë dhe ndëshkues i revizionistëve sovjetikë do të zhdukej përgjithmonë. Sovjetikët do të gëzoheshin dhe krahu i majtë i partisë do të dilte fitimtar. Nëse romani do të lejohej të mbetej në qarkullim, ai do t’i ishte borxhli këtij shkrimtari, i cili gjithsesi po e sfidonte atë si përfaqësues i një Shqipërie të vetmuar e të varfëruar në botën e pasluftës dhe si zëdhënës i saj në Francë e më tej…. Kërkesa për të hequr nga qarkullimi “Dimrin e vetmisë së madhe” iu dorëzua, në maj të 1973-shit, Komitetit Qendror nga sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën. Arsyet që shtroheshin në të ishin shtrembërimi i historisë së prishjes së Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë, futja e temave të ankthit ekzistencialist, “teoritë bashkëkohore borgjeze të revolucionit seksual”, surealizmi, konflikti mes brezave, alkoolizmi, prostitucioni dhe vese të tjera, si dhe një qëndrim “arkaik” në vend të “patriotizmit socialist”. Të nxitura nga kjo kritikë, polemikat rreth romanit u ndezën për disa muaj rresht. Në një denoncim të mëtejshëm, në maj të vitit 1973, nga Komiteti i Partisë i Rrethit të Elbasanit, temat e “degjenerimit moral të rinisë” dhe “tendencat feministe” konsiderohen si të papërshtatshme për letërsinë shqiptare. Romani mbeti në qarkullim por spastrimi vazhdoi duke fuqizuar diktaturën e duke u bërë të qartë liberalëve të mos merrnin zemër nga kjo fitore. Kadareja e rishikoi dorëshkrimin, siç iu kërkua, dhe e dorëzoi për diskutim në parti dhe nëpër komisione. Në përgjigjen zyrtare nga Dalan Shapllo, në nëntor të vitit 1973, rishikimet u pranuan por u konsideruan të pamjaftueshme. U përpilua një listë e re kërkesash, ku u vu në dukje “revizionizmi” i Kadaresë si dhe mungesa e figurave pozitive midis intelektualëve, nostalgjia e tyre për Rusinë, trajtimi ironik i parimeve të socializmit dhe përkrahja e fshehtë e “liberalizmit”. Përgjigjja zyrtare ishte e thellë dhe e hollësishme e kjo tregon se sa seriozisht merrej letërsia dhe fjala e shkruar në Shqipëri dhe në vendet socialiste në përgjithësi. Dashnor Mamaqi vë në dukje theksimin në mbledhjet me Hrushovin të revizionizmit të tij, në vend që të nxirren në pah çështja politike e drithërave, marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-sovjetike dhe rëndësia e bazës së Vlorës.

gazeta-shqip.com