Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Busti

| E enjte, 04.09.2014, 07:11 PM |


BUSTI

NGA QAZIM SHEHU

Skulptori Faik Varoshi u thirrr në seksion të arsimit dhe iu komunikua leja krijuese, të cilën më parë ia pati përfolur kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve.Leja kishte rëndësinë e vet ,po më e rëndësishme vinte një porosi nga lart.Brenda tre muajsh duhej krijuar një bust për një hero.

Për këtë ishte biseduar që të shkëputej tre muaj nga puna dhe të merrej me të .Faik Varoshi mbeti i kënaqur, po kur zbriti shkallët e Komitetit ai u rikhye mbrapsht  ,pastaj sërish u rikthye duke menduar se nuk ishte nevoja të rikthehej.Tre muaj ishin të mjaftueshme për të bërë bustin në allçi.Atë mbrëmje ai mendoi gjatë.Duhej patjetër të shkonte në fshat të gjente një fotografi të heroit.Si do ishte ai?A do mundej të kapte karakterin e tij, a do mundej të jepte atë qëndrim heroik duke nënvizuar karakterin njerëzor përmes pamposhtmërisë dhe qëndresës.Dhe të nesërmen u nis për në fshatin N.Shtëpinë e heroit e gjeti pa vështirësi.Ishte shtëpi e njohur dhe e nderuar. Fshatarët flisnin me adhurim për të.Nuk kishte pasë djalë më trim e më të dashur.Takoi nënën e tij ,një grua plakë dhe kur i tha se ç`kërkonte, plaka nxori nga një sënduk i vjetër të mbështjellë me një basmë të pastër ,fotografinë.Ishte një fotografi e vogël .Një djalosh zeshkan me një vështrim të mprehtë e shihte nga fotografia.Duhej të kish qenë i pashëm , tiparet e fytyrës e tregonin këtë. Impozant me një vështrim këmbëngulës që dukej sikur donte të hetonte vrasësin që vinte drejt tij, heroi ngjante me një njeri  i cili pasi e kishte kryer punën e vet tani duhej të rrinte i qetë dhe ta shijonte këtë krenari.Skulptori pati ndjesinë se heroi donte të dilte nga fotografia për të ndaluar diçka të ajërt që vërtitej rreth tij.Kjo ndjesi që nuk e përcaktoi kurrë pse i erdh dhe iu shaktua ashtu në tym iu fanit ngadalë dhe erdh e u qartësua sikur të mos kishte ndodhur.Kur u kthye në studion e tij, kati i parë i një pallati të vjetër, erdhën ditët e para dy tre punonjës të Komitetit Ekzekutiv dhe panë masën e allçinit , pastaj erdhi shef i kultures ,  veshur me një pardesy të rëndë e cila ngjante më tepër me një dolloma të vjetër.

-Dua ta qajsh-tha ai, ne kemi qenë shokë

-Do mundohem,- u përgjigj skulptori ,ndërsa shikonte  përreth sikur premtimi t`i kishte shkarë nga duart dhe të vërtitej aty pranë.

Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe ai akoma nuk po fillonte nga puna.Ende nuk po e kuptonte pse.Ishte herë e parë që do të realizonte një bust të tillë, një bust që do vihej në qendër të qytetit , qytetarët do e shihnin çdo ditë e do rrinte aty mes njerëzve në diell, shi, bore, furtunë, një bust i përjetshëm ,i cili përmes aktit të tij heroik do t`u fliste njerëzve.Aty do mblidheshin gjithnjë ata në çdo përkujtimore, sa herë të afronte dita e çlirimit.Një bust që do vendosej midis dy Komiteteve, në një lulishte me tokë të bollshme,ku rriteshin lule dhe gjelbëronin ,me një gjelbërim pa stinë, bimët dekorative.Një pishë e madhe që i zinte pamjen këtij sheshi ishte prerë me kohë.Ai vendosi të shkonte në Tiranë tek një skulptor i njohur ,ish pedagogu i tij, po e quajti të paarsyeshme.Çfarë do t`i thoshte?Në art nuk ka mësues, madje s`ka art fare, po ka vetëm artistë dhe nëse ishte artist, si mund ta huazonte nga të tjerët atë që quhet shkëndije krijuese.Këtë e kishte mësuar mirë nga librat e historisë së artit , këtë e përsëriste shpesh pedagogu në atelienë e madhe të shkollës.

Qyteti i tyre qe i ri, këtu ishin ngritur për herë të parë godinat e administratës dhe kjo nuk mbante më tepër se njëzet vjet.Pastaj pallatet e reja dykatëshe e pesëkatëshe dhe qyteti u  popullua me shpejtësi nga banorë të rretheve të jugut, arsimtarë, ushtarakë, punonjës të ndryshëm të administratës.Ai ishte një skulptor vendas.Dhe ky ishte busti i parë që vihej në këtë qytet dhe  fati  për këtë do të shënohej në  emër të tij.Ishte besuar kjo gjë,dhe ai duhej ta justifikonte, jo më kot ,i kishin dhënë këtë studio, e kishin shkëputur nga puna, jo më kot e kishin zgjedhur atë .Skultori vërtitej nëpër studio duke parë fotografinë e heroit të zmadhuar në mur. Heroi shihte drejt, me një pamje engjëllore ,djaloshare.Kështu i dukej atij ,ndryshe nga më parë.Vështirë të kuptonte atë vështrim.Nëpërmjert vështrimit ai duhej të zbulonte një karakter të tërë dhe përmes karakterit  të jepte gjithë tiparin e asaj epoke heroike kur u derdh gjaku lumë .Busti duhej të fliste jo vetëm me gjuhën e thjeshtë të një njeriu trim, po me gjuhën e kohës duke bërë një ndërlidhje heroike midis tri kohëve.

Dikur në studio erdhi një veteran .Ai kishte dëgjuar se për heroin po bëhej busti.Kishin qenë shokë, e njihte mirë dhe njëkohësisht ndihej shumë i gëzuar për këtë . Foli për jetën e heroit dhe skulptori po e pyeste në detaje.Veterani i përziente trimërite e heroit me të tijat,  fliste për atë operacin të vështirë të dimrit ,kur u vra heroi,për momente të fundit,kur  e pa sesi u ngrit si shqiponjë ,flokët ia rrëmbeu era, ndërsa krahët e tij bënë përpara.Por në atë çast një plumb e zuri në ballë…Skulptori e kapi imazhin;flokët e derdhur dhe vështrimi i drejtë e njëkohësisht shprehja e fytyrës mjaft e tensionuar në thirrje për të dhënë kurajo.Kaq i duhej.Busti po merrte formë.Atij po i pëlqente puna e tij.Po i pëlqente fakti që po krijonte me duart e veta një njeri me të cilin rrinte  me orë të tëra dhe bisedonin bashkë gjer afër mesnatës kur i duhej të mbyllte studion dhe të shkonte në shtëpi. I dukej sikur pas krahëve linte një njeri padrejtësisht të kyçur në hapësirën shurdhe të studios.Fliste me zë:Mos u mërzit, i dashur ,së shpejti do të nxjerr në shesh.

Eh, ç`është akti krijues,thoshte më vete, një mrekulli dhe një dashuri e madhe.Me këtë bust do bënte një punë të mirë.Edhe atë cen në biografi që ia përmendte gjithnjë shoku Sulë, do ta mbyllte një herë e mirë.Tashmë ai ndodhej në shoqërinë e njerëzve të rëndësishëm të rrethit që nga sekretari i parë ,kryetari i komitetit, shefi i arsimit, shefi i kulturës;njerëz të rëndësishëm të cilët vinin në studion e tij dhe shikonin bustin që po merrte trajtë;ata shprehnin mendime , konsiderata, ndonjëri bënte vërejtje, ai i mbante shënim.Nuk ishte pra, një bust dosido.Artsti i vërtetë duhet t`i përkushtohet punës, mendonte shpesh. Gjithnjë duhet ta kuptojë se vetëm puna e ushqen talentin, se pa punë njeriu mund të ishte aty ku nisi:majmun. Kur lodhej ndalonte, rrinte pakëz në këmbë dhe ulej duke hapur katalogët e paktë të veprave të artit.I vështronte ata dhe ndihej i trysnuar.I dukej se udhëtonte në një botë imagjinare aq të gjallë, konkrete ,fliude e të largët.A do mundej ai që atë bust ta bënte ashtu siç e përfytyronte vetë, një vepër dinjitoze arti?Eh,si janë ethet e krijimit,mendonte,ato të rrëmbejnë dhe të duket se ti ke bërë punën më të bukur në botë…

Tani ngazëllehej edhe për shpërblimin.Në atë rreth ishte herë e parë që vlerësohej një bust dhe ai ndërmendëte se me ato para do blinte një televizor.Madje ,do ta kishte të lehtë të kërkonte autorizim për një televizor bardhë e zi.Tanimë nuk do ishte një artist i panjohur, as si gjithë të tjerët.Kur të bëhej përurimi  ai do rrinte në tribunë afër sekretarit të parë, do vinin aty kuadro nga KQ, kryetari i Lidhjes,e me radhë.Për të do flitej gjithandej.

Kur e kur erdhi tek ai poeti Ziso Kaculi, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve të rrethit.Dukej i nervozuar.Një natë më parë kishte qenë tek shtëpia e tij dhe kishin pirë nga një gotë verë.Ziso ishte zverdhur dhe buzët i dridheshin pakëz.Kuptoi se duhej të kishte diçka me rëndësi.

-Më ka humbur një album ! I ...(Renuarit),deshi tëthoshte Ziso, po nuk e tha.Ai po shihte përreth sikur ta kërkonte albumin aty.Skulptori fshiu duart dhe qëndroi duke mos thënë gjë.

-Mos ti do të thuash se e kam marrë unë?

-Jo, jo, por më ka humbur.

-Atëhere shko dhe gjeje…mërmëriti duke ngritur tonin e zërit skulptori.

Ziso Kaculi befas u kthye dhe pa bustin prej allçie që po merrte frymë.Ishte poet po në pikturë zotëronte një pasion dominant dhe njohuri të gjëra.Ziso shtangu

-Kjo është një kryevepër ,-tha.

Skulptorit iu bë qejfi.Ziso Kaculi në ta thoshte një fjalë nuk ta shprehte kot, ndonëse sa herë ai e ulte kokën dhe aprovonte mendimet e sekretarit të dytë të propagandës të cilat e dinte se ishin kallpe dhe broçkulla .

-Ty të besoj,tha skulptori dhe bëri tutje drejt një kthine nga nxori një shishe verë.

-Jam në përfundim ,tha-eja ta pijmë ndonjë gotë,fundja edhe vetë e di që është një punë e mrë, po kur e thoni ju ,kjo më përforcohet, ti je poet vetë dhe kur e thua ti kjo ma rrit dyfish sigurinë…

Busti mbaroi.Skulptori priste që të vinte ta merrnin për ta derdhur.Askush nuk po vinte dhe ai nuk guxonte të shkonte tek shefi i kulturës,as tek sekretari i dytë …. tek sekretari i parë.Fundja pse të shkonte.Ai e dinte fare mirë se çfarë kishte bërë.Busti prej allçini rrinte i heshtur dhe priste të vlerësohej.Ëndrra për të blerë një televizor  po rritej tek skulptori.Tani e mendonte atë bashkë me lavdinë dhe një përhapje të qëndrueshme në kujtesën e njerëzve.Do të hapej dera për të në të gjitha zyrat e rrethit, që nga zyrat qëndrore e deri tek ato më të ultat, do të merrte më shumë leje krijuese dhe kur të shkonte në Tiranë punimet e tij të refuzuara shpeshherë  nga Galeria e Arteve nuk do ktheheshin më mbrapsht.Dhe s`dihej, ato mund t`i pëlqente edhe udhëheqësi i madh që fliste vazhdimisht për një përkrahje ndaj talenteve të reja.Njerëzit nuk po vinin, ndërsa ëndrra e skulptorit rritej.Koha ecte ngadalë ndonëse  ritmikën e saj e kishte të përcaktuar.Ç`po ndodh kështu, thoshte me vete skulptori, po nuk e kishte për endje të mendonte më gjatë se puna e tij.Fundja ai detyrën e kishte kryer, ata duhej të vinin patjetër, dhe ata erdhën….

Erdhi shefi i arsimit me shefin e kulturës.Shefi i arsimit ,një burrë i shëndoshë,  e pa bustin me vërejtje, ndërsa shefi i kulturës fare.Ata thanë se kishin porosi që bustin ta dorëzonte në magazinën e komunales dhe kaq.Skulptorit i dogji diçka.Ai deshi të pyeste dhe iu duk çudi pse duhej dorëzuar patjetër atje, kur busti mund të merrej dhe të çohej për derdhje në bronz, në fonderi.Por ai s`mundi të pyeste, sepse s`duhej, ndërsa shefi i arsimit, një komunist i vjetër, i doli në parapritë brengës së tij.

-Ti mund të pyesish, pse?Hë për hë,busti nuk do derdhet, janë disa gjëra të tjera që nuk i kishim ditur rreth jetës së heroit apo rreth farefisnisë së tij.Partia më vonë do gjykojë sërish.Po ti e bëre punën tënde dhe ec andej pas tre ditësh të marrësh shpërblimin…

Erdhën tre punëtorë, i hodhën bustit një rrobë, pastaj e ngarkuan mbi një makinë duke e hedhur në dorë hopa.Ishte një peshë e lehtë.Po sa i rëndë heroizmi i tij, mendoi piktori ,ndërsa pa shefin e arsimit ,fytyra e të cilit nuk shprehte asgjë e duke mos shprehur gjë ai dukej se nuk do thoshte asnjë fjalë, por befas ai foli;

-Për bustin tënd nuk ke pse llafos andej dhe këndej.Ti bëre një punë dhe do marrësh shpërblimin sipas normave të shtetit.Besoj e kupton…

Skulptori nuk po fliste.Kur ata ikën ai u ndje krejtësisht i pafuqishëm për ta mbledhur veten.I dukej sikur nga studioja  kishin marrë një njeri për ta fshehur që mos e shihnin më.

Pas tre ditësh vajti në zyrën e shefit të arsimit.I tha se duhej të shkonte tek ekonomisti.Kur vajti në llogari ekonomisti i foli se për të kishte ardhë një faturë pagese; ishin nja dyqind e pesëdhjetë lekë.Ai kishte shpenzuar disa kilogramë allçi për llogari të kulturës(shifrën nuk e dëgjoi të saktë)dhe kjo sasi po i paguhej….Vite më pas  ,rastësisht, dëgjoi se shefi i arsimit e kishte peshur bustin me kandar për të nxjerrë saktësisht sasinë e allcisë.Shefi duhej të ishte në rregull me llogaritë e shtetit….