Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Piknik shqiptar në Vankuver

| E enjte, 04.09.2014, 07:02 PM |


Piknik shqiptar në Vankuver

Nga Vangjush Saro

...Një ditë e veçantë, e përcjellë me një sërë aktivitete dhe shumë dashuri nga shqiptarët në Cresent Park, pranë White Rock, (Greater Vancouver Area). Veprimtaria përkoi me atë që këtu e quajnë Dita e Punës. Shoqata Shqiptare "Eagles Land" BC (Provinca British Columbia - Kanada) kishte mbledhur në këtë piknik, i dyti gjatës kësaj vere, dhjetra shqiptarë që jetojnë në këtë provincë me infrastrukturë dhe natyrë të mrekullueshme.

Drejtuesit e Shoqatës ishin kujdesur që dita të kalonte sa më "ngrohtë". Gatime karakteristike të vendit nga ne vijmë. Lojëra të vjetra dhe të reja, nga tërheqja e litarit dhe futbolli, te minifutbolli, etj. E ndërkaq, biseda për jetën e përditshme. Për një koordinim më të mirë në ndihmë të atyre që nuk kanë informacionin e duhur për punë dhe strehim. Për ngjarjet ngjyra-ngjyra në Shqipëri. Shqetësime që fëmijët po harrojnë apo nuk po arrijnë të mësojnë gjuhën shqipe. Kritika për të gjitha qeveritë shqiptare, përherë inaktive dhe indiferente ndaj diasporës. Temë e trajtuar shpesh, moskujdes i shënuar, siç ndodh rëndom me vende që kanë probleme parimesh dhe demokracie; po ato apele në vesh të shurdhët, jetë e mot.

Me këtë rast, më kujtohet biseda me drejtuesit e kësaj shoqate në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, kur nga Tirana dhe nga Ottawa (kryeqyteti i Kanadasë, ku ka selinë Ambasada Shqiptare) nuk kishte mbërritur asgjë, asgjë. Jo tekste, përshëndetje, udhëzime për  festimin e atij jubileu të rëndësishëm, por madje as edhe një urim i thjeshtë. Drejtuesi i "Eagles Land" BC (British Columbia - Kanada), Edison Heba, jurist, me të drejtë po më thoshte gjatë kohës që shikonim bashkatdhetarët në biseda a në lojëra, se mbase ka ardhur koha, më e pakta, të kemi një botim ku të jenë pasqyruar, në adresa e veprimtari, të gjitha shoqatat që veprojnë jashtë vendit. Atdheut. (Fjalë e madhe, mundim i vogël.) Për ta thënë pa ndalesa e zbukurime, kemi një Ministri të Punëve të Jashtme dhe disa shërbime që duhen ridimensionuar.

Por le t'i lëmë aludimet, sa edhe qeveritë shqiptare dhe politikën shqiptare në absurdin e tyre me emrin tranzicion, kohë gjatë së cilës, krahas disa përparimeve, janë shënuar skandale e vuajte të mëdha për qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashte vendit. Në Vankuver, jetojnë disa mijëra shqiptarë. Ata tashmë gjenden plotësisht të përfshirë në jetën kanadeze; fëmijët e tyre, po se po. Megjithatë, ata mbeten shqiptarë, shkojnë e vijnë në atdhe papushuar, kanë e mbajnë lidhje të tilla, që nuk mund t'i dobësojë as koha, as largësia. Në sajë të vullnetit të tyre, por edhe falë një bërthame aktivistësh të palodhur, si i nderuari Estref  Resuli, me kontribute të spikatura në këtë shoqatë apo Ardian Lagji, Silvana Sulstarova, Ardita Fishta, Dritan Muka, Leonard Burnaci, Blenard Cenolli, Eglantina Ferro, Petrit Anamali, etj. shqiptarët e mbajnë gjithnjë lart "flamurin" e komunitetit. Ata mblidhen herë pas here, në festa, në piknikë, por edhe për koncerte, siç ka ndodhur me orkestrën që drejton dirigjenti i njohur Bujar Llapaj apo në koncertin e një grupi instrumentistësh të harqeve, ku interpretoi edhe violinçelistja shqiptare Elvira Lagji, etj. Fjala është që në këtë dimension të rëndësishëm, komuniteti ndjehet edhe më i plotësuar dhe në kërkim të më të mirës, duke shkuar përtej termit "klub", (që këtu gjithashtu është mjaft i përhapur dhe ende në modë).

Në gjithë këtë episod, që mori shkas nga një piknik i thjeshtë, roli i shoqatës është ai i promotorit të kujtesës dhe dinamikës në jetën e shqiptarëve të këtushëm. Por edhe pse Kanadaja është një vend me një sistem të përparuar dhe të provuar e ku nuk "lutesh" për dokumente a qëndrim, sepse parimet dhe rregullat janë një dinamikë, këmbanat për institucionet shqiptare bien dhe do të bien fort. E vlen të ritheksohet, pra, që thjesht duhet të ndjehet më shumë dora dhe prania e shtetit amë, e qeverisë së tij; pse jo, edhe për ato pjesë të programit të saj mëtonjës, ku flitet në mënyrë aq perspektive për diasporën dhe raportet me të e që duhet me doemos të "rilinden"...