Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Një libër që ia vlen të lexohet

| E enjte, 04.09.2014, 08:00 PM |


NJË LIBËR QË IA VLEN TË LEXOHET

(Ismail Kadare – Ukshin Hoti: “Bisedë përmes hekurash”, “Toena”, Tiranë, 2014)

Nga Adil FETAHU

Para ca kohe doli ribotimi i librit  të Ismail Kadare – Ukshin Hoti: “Bisedë përmes hekurash”, përmbajtja e të cilit në njëfar mënyre është pyetje të shkrimtarit Ismail Kadare, e përgjigje të politologut Ukshin Hoti. Siç shkruan Ismail Kadare në Parathënie, libri ishte një përpjekje për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu. Për këtë qëllim edhe ishte botuar (por me vonesë, botimi i parë në vitin 2000), në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht, si një kushtrim opinionit publik ndërkombëtar për lirimin e profesor Ukshin Hotit. Por, roli i këtij libri ishte edhe përhapja dhe shpallja botërisht e ideve dhe pikëpamjeve politike të U.H., për të cilat ai edhe u burgos, jo njëherë por tre herë, si dhe që nëpërmjet këtij libri të njihet krejt drama kosovare.

Ismail Kadare i kishte shkruar një mori pyetjesh (13 pyetje), të cilat kishin kaluar një kohë të gjatë deri sa kishin arritur në dorë të Ukshin Hotit në burgun e Nishit. Duket se Ukshini i kishte pasur në dispozicion pyetjet një kohë të shkurtër, ashtu që përgjigjet i kishte dhënë sipas kujtesës, që shpesh nuk përkojnë me pyetjet (lexuesi duhet të ketë parasysh se pyetjet dhe përgjigjet janë bërë në vitin 1997, dmth. para luftës në Kosovës, a.f.). ‘Ky dialog përmes hekurash, tani ka jo vetëm hekurat, por edhe mjegullën e dendur të të panjohurës e ndoshta të mosqenies së U.H. Por, çfarëdo qoftë trajta e tij trupor, shpirti i tij është i paprekur. Ai shpirt ndodhet në kumtet që ka lënë, në librat dhe në letrat e tij, dhe ai shtillet i plotë dhe ngadhënjyes në lirinë e Kosovës’, thotë I.K. në Parathënie.

Në pyetjet e formuluara, Kadare në një mënyrë ka dhënë edhe përgjigjet e veta, por dëshiron ta merr mendimin e profesor Ukshin Hotit, si njeri me përgatitje të lartë dhe përvojë të çmueshme profesionale e shkencore nga filozofia politike dhe marrëdhëniet  ndërkombëtare. Kadare bënë pyetje: përse Evropa i “kurbanizoi” shqiptarët për interesa të tjerëve; përse nuk pat asnjë lëvizje shqiptare për Konferencën e Dejtonit; a kanë shqiptarët strategji politike kombëtare; a ka strategji antishqiptare (bile agresive për copëtimin dhe zhdukjen e shqiptarëve); përse sot ka kaq shumë përçarje të ndryshme midis shqiptarëve; a ka shpresë të del një brez i ri politikanësh shqiptarë që të mos jenë servilë; a janë shqiptarët rrezik për Evropën; a e njeh bota të vërtetën për Kosovën, apo iu beson miteve e gënjeshtrave serbe; a ka nevojë kombi dhe klasa politike për një ringritje morale; si e sheh mundësinë e një demokratizimi të Serbisë dhe alternativën e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi; si njeri i shënjuar në horizontin shqiptar, a besoni se përndjekja juaj nuk ka shkuar kot, dhe se në mijëvjeçarin e tretë shqiptarët do të kenë vendin e vet nën këtë qiell, si çdo popull tjetër, etj.?

Në fillim të përgjigjeve të tij, Ukshin Hoti shprehë tërë respektin për shkrimtarin Ismail Kadare, me emrin e të cilit krenohen shqiptarët përjetësisht, dhe thotë se “biseda” përmes hekurash më habiti dhe më gëzoi, e më tutje vazhdon me shpjegimin e historisë së jetës dhe shkollimit të vet. Në përgjigjet e tij, ndër të tjera thotë se nuk ka kurrfarë dyshimi përcaktimi evropian dhe proevropian i shqiptarëve,  për të qenë të lirë, të bashkuar e të zhvilluar si popujt e tjerë. Mirëpo, këtë përcaktim duhet përmbushur me përmbajtje, me realizimin e interesit nacional, ashtu që nga një shtet i bashkuar shqiptar të rrezatojë paqe, demokraci dhe mirëqenie për të gjithë.  Shqiptarët edhe si popull, edhe si shtet-komb, politikisht janë shndërruar në një realitet politik të Evropës së sotme. Përkundër të gjitha dobësive dhe trysnive jashtëshqiptare, pavarësisht nga gjendja e rëndë e momentit dhe nga ngecjet në të kaluarën, faktorin shqiptar e shoh të forcuar dhe të avancuar,- konkludon Hoti. Ai thotë se nuk mund të arsyetohet çfarëdo politike që pengon bashkimin e popullit shqiptar në trojet e veta etnike. Sipas Hotit, bashkimi  në një shtet kombëtar shqiptar imponohet si domosdoshmëri për zhvillimin, stabilizimin dhe sigurinë,  dhe do të thyente paragjykimet iracionale dhe mitet serbe të krijuara për Kosovën. Madje, bashkimi në një shtet i trojeve dhe i popullit multikonfesional shqiptar është në vijën e drejtimit të Bashkimit Evropian dhe jo në kundërshtim apo kundër tij.

Në pyetjen se, a ishte enverizmi dhe Enver Hoxha i dëmshëm për çështjen kombëtare,  Hoti pohon se ishte i dëmshëm, por s’na duhet gjë tash të bindemi për këtë. Enveri ishte një nacionalist dhe ai e potenconte padrejtësinë që i bëri Shqipërisë Konferenca e Londrës më 1912-1913, dhe besonte se BRSS-ja do t’i ndihmonte në qëllimet e tij nacionale. Ishte i njëanshëm dhe i besonte komunizmit, por nuk ishte anacional. Në biseda me personalitete të ndryshme në Amerikë, e kam thënë bindjen time, se Enveri do të hiqte dorë krejtësisht nga komunizmi, poqese Amerika dhe Perëndimi do t’ia garantonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë,- konkludon Hoti. Në një kontekst lidhur me komunizmin ndër shqiptarët, Hoti thotë se  ai sistem u është imponuar shqiptarëve, dhe se në literaturën politike Perëndimit, ngjarjet e vitit 1945 në Drenicë, cilësohen si kryengritja e parë antikomuniste në Evropë” (fq.107). Kur flet për shtetin (Republikën) e Kosovës, Hoti me një largpamësi  sugjeron se shteti duhet të ndërtohet mbi parimin e vazhdimësisë (kontinuitetit) me të arriturat e së kaluarës, e jo të diskontinuitetit apo ndërprerjës me to, sepse ne nuk kemi ndonjë inteligjencë tjetër me të cilën mund të zëvendësohet automatikisht ajo që kishim. Nuk jam pajtuar kurrë me shkatërrimin e vlerave materiale e shpirtërore vetëm pse ishin krijuar në kohën e komunizmit; a mos duhet prishur Liqenin e Komanit, vetëm për shkak se u ndërtua në kohën e komunizmit? Nuk është mençuri politike të fillohet nga e para, nga hiçi, saherë forcat politike  ta ndërrojnë kursin apo sistemin, thotë Hoti. Republika e Kosovës duhet të ishte në funksion të bashkimit me Shqipërinë, jo për inat të serbëve, por për hir të vetvetes. Ndërkaq, për shtetin e bashkuar shqiptar, thotë se ai duhet të ndërtohet mbi parimin e ruajtjes së integritetit territorial dhe multikonfesional. “Mua do të më frikësonte tendenca eventuale e identifikimit të cilitdo religjion me përmbajtjen e shqiptarizmit si të tillë, gjë që ka tendenca të tilla të nxitura nga brenda e nga jashtë. Vet shqiptarët nuk do të lejojnë zhvillime të tilla..., me qenë se përçarjet mbi baza konfesionale nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e traditës sonë”, konkludon Hoti.

Në disa nga pyetjet nuk mund të përgjigjem në mënyrë kategorike,  për shkak se nuk disponoj fakte materiale, por vetëm ato logjike. Mund të ju duket e habitshme por nuk mund të jem i plotë dhe kategorik as në përgjigjet që kanë të bëjnë  me çështjet e mija personale dhe rivalitetin me disa struktura politike , - thotë Hoti. Mua më interesonte shtetësia e Kosovës dhe për këtë gjatë punës praktike si sekretar i parë i marrëdhënieve me botën punova pa u kursyer në ngritjen e themeleve të para në planin organizativ e politik. Nuk e doja luftën, por doja ndryshimin pozitiv të pozitës së Kosovës dhe pastaj të shqiptarëve në përgjithësi.  Nga ky nivel bija në konflikte të ashpra politike me rrymën unitariste serbe të Beogradit. Kurrë nuk jam pajtuar që populli shqiptar në Jugosllavi të trajtohet si pakicë kombëtare, sepse këtu nuk ishte fjala për një pakicë por për një popull të tërë,   40 deri 60% e popullsisë dhe e territorit shqiptar të ndarë prej shtetit shqiptar e të pushtuar nga shtetet fqinje. Edhe burgosja më ka ndihmuar ta kuptoj më mirë lidhmërinë e fatit individual me atë të kombëtar. Puna dhe fati i punës sime janë të njohura për opinionin publik shqiptar e jashtëshqiptar, që prej Krushës, përmes Beogradit dhe Tiranës e gjer në Vashington, thotë Hoti.

Kur bënë fjalë për luftën, Hoti thotë se është fjala për vendimin e vullnetit të vetëdijesuar kolektiv të popullit për të fituar lirinë, pavarësisht nga çmimi. Në këtë kontekst, e citon thënien e një drenicaku që është nisur për luftë: “e dimë se jemi të vdekur, por ashtu kemi vendosur”. Kjo është filozofia e luftës për liri, së cilës nuk mund t’i shtohet as hiqet gjë. Dhe karshi kësaj vendosmërie, nuk ka mundësi teorike që luftën ta fitojë pala që ka superioritetin në armatim. Ky superioritet mund të zgjatë luftën (dhe zgjidhjen e problemit), ta rritë numrin e viktimave deri në gjenocid, dhe rrënimet e përgjithshme deri në barbarizëm, por luftën e fiton vendosmëria e popullit për të fituar lirinë, e jo mitet dhe legjendat (serbe). Hoti shpreson se Evropa dhe Amerika, për interesa të tyre, nuk do të lejojnë eskalimin e luftës totale e të pakontrolluar në këtë pjesë të Ballkanit, dhe në këtë pikë është vendimtare prezenca amerikane. Duke u ndërlidhur në një deklaratë nga libri i Riçard Holbrukut, se “nuk do të kishte ngjarë Srebrenica sikur të ishte fjala për një popullsi të krishterë”, Hoti thotë se ne duhet t’i bindim ata se nuk jemi duke luftuar për formimin e një shteti mysliman, por për bashkimin e dy gjysmave të një populli trekonfesional, i cili do ishte ndihmesë për zhvillimin e proceseve globale të çdo niveli.

* * *

Mr Ukshin Hoti në aktivitetin e tij politik simbolizonte kërkesën për statusin e Kosovës Republikë, si fazë kalimtare për bashkimin me Shqipërinë. Ai në këtë drejtim punoi edhe sa ishte sekretar krahinor për marrëdhënie me jashtë, por edhe më përpara dhe më pas. Për këtë shkak e arrestuan në vitin 1981 dhe e dënuan me 9 vjet burgim. Edhe pas daljes nga burgu nuk e pushoi aktivitetin politik, dhe kjo i kushtoi jo me një dënim për kundërvajtje, por më 17 maj 1994 u arrestua nga policia serbe dhe në Gjykatën e Qarkut në Prizren u dënua me 5 vjet burgim, për vepër penale të “rrezikimit të tërësisë territoriale të RSFJ-së, nga neni 116 par.1. të LPJ”. Një ditë para se të lirohej nga vuajtja e dënimit,  policia serbe e morën dhe që prej atëherë nuk ka ndonjë gjurmë për fatin e tij. Kështu, Ukshin Hoti mishëron problemin trishtues të masës së të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës, problem ky që duhet ta shqetësojë ndërgjegjen jo vetëm të shqiptarëve e të serbëve, por edhe të tjerëve.

Me rastin e botimit të librit Ukshin Hotit: “Filozofia politike e çështjes shqiptare” (1997),  shkrimtari Ismail Kadare, ndër të tjera shkruante: “Duke e ndjerë veten fajtor për një mosnjohje më të saktë të këtij personaliteti të rëndësishëm të popullit shqiptar, e vetmja gjë që për mua ka qenë e qartë sapo kam lexuar fragmentet e para nga mendimet e tij, ka qenë përgatitja e tij e lartë profesionale. Kam frikë, se pikërisht ky nivel i lartë, ka qenë edhe burim  i fatkeqësisë që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir... Është e papranueshme që një personalitet i tillë i një populli... të mbahet në zinxhir. Është fyerja për krejt atë popull. Më shumë se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë...”. Ndërkaq, shkrimtari Dritëro Agolli, ndër të tjera shkruante: “Duke lexuar këtë libër programatik për çështjen shqiptare, e ndjen forcën e mendimit filozofik të një dijetari të shquar dhe të një patrioti të madh. Në te shkrihen filozofi, politikani dhe patrioti... Të shkruash për librin e Ukshin Hotit, do të thotë t’i shërbesh çështjes kombëtare”.

Unë preferoj që librin “Bisedë përmes hekurash”, të këtyre dy kolosëve: Ismail Kadare – Ukshin Hoti, duhet lexuar paralel me librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare” (të Ukshin Hotit), sepse këto të dyja e plotësojnë njëra-tjetrën dhe japin një pasqyrë të qartë të filozofisë dhe mendimit të thellë politik të Ukshin Hotit për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në përgjigjet dhe në librin e Ukshin Hotit, shtjellohen shumë fakte historike dhe aktuale të shqiptarëve, të cilat gjenerata e re nuk i ka përjetuar as dëgjuar.