E enjte, 28.03.2024, 08:26 PM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Kohëthyerja

E merkure, 03.09.2014, 06:38 PM


Kohëthyerja

Tregim nga Hazir Mehmeti

Përgjumësia e sillte Adanin mashtrueshëm në fshatin e tij rrëzë Bjeshke. Hapi sytë. Pa se ndodhej në dhomën e Hotel “Vera” me dritaren përballë detit, tek atëherë iu kujtua se ishte në Durrës. Një turrje qensh dhe britma e një gruaje e shkundi  nga molisja e natës, hodhi anash çarçafin dhe u iu drejtua dritares. Një grua e lemerisur mbrohej nga qentë, duke u zhytur e veshur në ujë deri në bel për t’i shpëtuar kafshimit. Një pamje shqetësuese që në ditën e parë të pushimit për të cilën kishte udhëtuar nga Veriu i i Largëte. Çadrat e mbyllura me shtretërit pushues krahkthyer në rërë heshtnin në renditjen e tyre mëngjesit që priste lindjen e diellit.  Baloja, Bishtcubi, Topalli, Qafërrjepuri e Hundëgjati nuhaten ardhjen e vrapuesve sportistë përgjatë rërës që lagej nga deti, ulën bishtat dhe zunë pozitat e tyre mes shtretërve e çadrave në pritje të pushuesve, të cilët tani flinin në qetësinë e ajrit jodizues, sjellë nga erërat dhe rrebeshi i shiut të natës. Bardhoshi në kthim e sipër me këmbën e parë varur cangël, ngriti këmbën e pasme dhe ia futi shurrës cercallë krevatit aty pranë. Shtatë vaporët përballë që prisnin ankorimin dukeshin hije të shpuara me drita vezulluese në reflektimin valëve të shkumuara të cilat shuheshin pas disa çastesh bashkë me shushurimën e tyre.

Adani iu kujtua pylli i pishave dikur me qetësinë e tij, zëri gjinkallave në gushtin e nëntëdhjetë e tetën kur kishte ardhur pas njëzet e katër vjetësh arratisjeje. Tre bunkerët, prej të cilëve i mesit më i madh, qëndronin para katër pishave të mbetura nga pylli i vjetër me gjithë hijet e tyre që lageshin nga valët e lehta të mëngjesit.

“O Zot, si shpëtova. I rrethuar nga betoni në kanalin komunikues mes bunkerëve. Nata e errët dhe shiu i dendur malor mbulonin çdo gjë. Rrallë ndonjë vetëtimë e dobët e verës së vonë ishte syri i çdo gjëje, por lisat e gjatë me trungje të trashë e pengonin vëzhgimin e zbuluesve. Tri ditë maleve, konservat mbaruan me fillimin e luftës me urinë majë bjeshkës në jugpërballje me Korabin plak”.

Cingërima e vonuar e celularit në zgjimin e tij i kujtoj se kishte planifikuar të flinte më shumë se nevoja e tij për gjumë natën e parë. Mori llullën, e mbushi me duhan, të cilin e kishte blerë sapo arrin në Durrës, tek Ura e Dalanit, hapi derën e ballkonit ku e priste plastkarrigia.  Lehtë ndjeu freskinë e ajrit me aromën e detit, e cila i kishte munguar me vjet në zhuritjen përmallues të mërgimtarit.

Pushimet në bregdetin e ftohtë verior asnjëherë nuk i kishin lënë përshtypje, mungonte çdo gjë për të cilën kishte lindur e ëndërruar.

Mbështeti mjekrën me leshin e saj të thinjur në dorën e majtë, nguli sytë larg, larg mes degëve të pishave në shkëlqimin e rrezeve të sapo arrira në shpatin e Shkëmbit të Vajës. Iu kujtua Ana, flokët e saj të gjata që preknin belin e hollë, buzët e holla me sy të mëdhenj që lëshonin shkëndija, ato duar me gishta të gjatë e lëkurë të njomë fëmije. Atje, sipër shpatit, nga dukej kaltërsia e detit ishin takuar disa herë, shumë herë, shumë...Takimi i fundit kishte qenë ditën që nisej për ushtri.

“Ana, të dua shumë, shumë sa vet jetën”- pëshpëriti për të mijtën herë me gjysmë buzët e lira nga rrethimi i bishtit të llullës ngjyrëdruri.

“Dhe, unë ty Adan. Ti je fati im i vetëm” -, kishte thënë ajo dhe lotët kishin njomur faqet e kuqe prush.

Ofshani. Jetë o jetë, dhe sytë u ndalën mbi tryezë ku “Taraboshi” i radhës e priste me verdhësinë xhelozie në shkëlqimin e lojës së kohës të pa jetuar.  Shtëllunga tymi fijeformë ngjiteshin ngadalë deri në ndaljen sipër ballkonit të qetë. Gota e zbrazur e konjakut qëndronte e vogël pranë etiketës gjysmë të grisur të  “Skënderbeu” me përkrenare ngjyrë ari, ku dallohej vetëm gjysma e brinjëve të kokëdhisë.

Tani e kuptoi se shumëçka kishte ndryshuar jashtë ëndrrave e shpresave të tij. Takimi me të dashurën e tij kishte mbetur vetëm ëndërr. Ajo fillimisht kishte përfunduar në burgun e Spaçit, si e fejuara e armikut të shtetit e pastaj e internuar në Ishullin e Zi . Nuk dihej viti i vdekjes e as varri i saj. Thuhej se ishte çmendur dhe kishte kërkuar gjithmonë dike, thërriste një emër që e kuptonte vetëm ajo. Në fund ishte vërsulur me vrap drejt vaporit që kishte parë diku larg në Otrantë dhe kishte rënë nga shkëmbi copë e grimë në gurët ku përplaseshin valët e detit.

“E shkreta Ana, po ta dija të paktën shkëmbin e ikjes tënde, do veja të paktën një kurorë”. Përmallshëm hapi  me dorën e majtë kapakët e medaljonit të flakëruar me gravurën e shqiponjës sipër, pas së cilëve,  në mjegullën e syve të tij doli fytyra e zbehtë e Anës me  pamjen e një të burgosure  prapa portës së çelisë. Ishte Ana dikur me buzëqeshjen e saj.

“Ana do.... Ana do ta.... Ana do ta vë kurorën atje ku shpirti yt u lirua nga vuajtjet e ferrit komunist. Të betohem, Ana ime, Ana ime.... Vetëm kjo tani ka mbetur e mundur të bëj për ty”.

Mbylli kapakët e medaljonit mes grushtit, krisma e tyre  në veshët e tij  kujtoj portën e hekurt të ndryshkur në burgun ku dergjej Ana. Tymi që dilte nga llulla përzihej me avullin mundues të tymuesit në hapësirën e cila filloi të ndriçohet nga rreze gjithnjë e më të forta dielli ashtu sikur gjallëria e zërave përzier me të lehurat e qenve dhe pëllitja e ndonjë gomari që priste në kurriz koshat me fruta në nisjen e ditës drejt rërës së plazhit.

“Fruta bio nga Fshati, sapo i vola”- u dëgjua zëri i njeriut shtatshkurtër, i cili tërhiqte kapistallin e gomarit të ngarkuar nga disa kosha të mbushur me gjithfarë frutash, ku vetëm këmbët e koka me veshët e gjatë dukeshin nga kafsha. Nga dy kosha anash, kurse mbi kurrizin e kafshës dy të tjerë ku dukeshin pjeprat e verdhë si limoni.

-“Keni fiq zotëri”- u dëgjua një zë gruaje diku nën çadrat e rendit të dytë.

- “Po zonjë, kemi fiq sapo të vjelë, njëqind lek kilogrami”- u përgjigj fshatari.

Adani tentoi ta njihte bashkëfshatarin e Anës së tij, por koha, si e pamëshirshme që është, kishte tretur çdo gjë dhe imtësitë e skajshme të kujtesës. Aroma e shtalbave që piqeshin pak metra nga këmbët e tij ndërrohej me aromën e petullave, herë me aromë pjepri në thyerjen e erës së detit bashkë me shushurimën e valëve që mbaronin pa reshtur në rërë.

“Ujë i ftohtë, birra, redbull” u dëgjua djaloshi që  shtynte biçikletën e ngarkuar me frigorifer udhëtimi. “You, who speak English- Luleshtrydhe “, tjetri energjik me gjysmë rafti stilopori mbushur me luleshtrydhe, i varur në dy supet me rrip të zi. Mes anglishtes së tij përsëriste vetëm një fjalë shqip, edhe pse turist të huaj nuk takoje askund.

“Merre një petull zotëri, kemi edhe fli, doni?”- ia priti tjetri tani nga thellësia e çadrave drejt hotelit.

“Erdhi freskia e Fshatit me fiq, kumbulla e nektarina”- u dëgjua fshatari tjetër me gomarin e lodhur të ngarkuar sa mezi nxirrte këmbët e thata nga rëra e butë përvëluese e plazhit. Majtas, skaj koshi, varej kandari me boçat e tij në ritmin e hapave të kafshës ku pa dashur ia  kujtua dashi i tij dikur në vapën përvëluese.

“Përsëri Fshati, sikur ta pyes rreth lagjes Bora, ndoshta.... “ mendoi Adani kësaj radhe i shqetësuar.

Tërë dita kishte mbaruar me gjithfarë thirrjesh e ofertash nga më të ndryshmet, ndoshta nga më të çuditshmet, siç ishte oferta e perdeve, fustaneve, orëve apo krisma e daulleve e tarabukut, çiftelisë apo lypësi me veshjen e tij nga arnat prej flamujve nga shumë shtete të lidhur këmbëve, mbi e nën gju. Flamuri trengjyrësh i Kosovës dallohej qartë mes ati kuqezi dhe një flamuri tjetër të kaltër n? të kuq lidhur në këmbën e majtë mbi gju. Flamuri evropian, i rrethuar me shumë të tjerë mbi e nën t? që nuk deshifroheshin lidhur në të djathtën e tij përplot varje leckane shumëngjyrëshe. I tërë Pazari i Roskovecit defilonte para pushuesve me karroca gjithfarësh, me motor e pa motor, me rroba, gjëra plastike, syze, mollësheqer. Mes tyre dallohej Macedonia Gelati Granite Bibite” në të poshtmen e mbrapsmë të saj dukej shenja e harruar e njëqindvjetorit të shtetit shqiptar, edhe pse tani ishte viti i dytë e shekullit pasues, karroakullore, pastaj,  shtazë për foto kujtimi ku veçohej ariu,  majmunët, gjarpinj, kuaj, gomar? e çka jo tjetër. Secila kishte tonin e zërit nga cis e deri në bas, pa bori e me bori, C-dur, në A-mol, soprano e bas,  i pa përsëritshëm as në kompozimet e klasikëve të njohur. Oferta “Urdhëroni banane”- ishte më e shprehura dhe s’mund të dremiste asnjë minutë sy edhe pse kishte nevojë.

Dera e blinduar e dhomës me çelësin dhëmban në dy anët e tij nuk kuptohej lehtë se cila e fillonte hapje e cila mbylljen. Kjo nuk e shqetësonte shumë sa rrethanat, përse do duhej një derë e një çelës i tillë, shumë dyer të tilla brenda gjashtë kateve të një godine sikurse ishte hoteli i ri me katin e fundit të papërfunduar. Ishte kjo tregues pasurie e pronarit apo e pasigurisë nga hajdutët e grabitësit gjithandej vendit të lashtë po aq sa telashet e tij me vetveten. Kjo nuk ishte më rëndësi në shikimin e Adanit. Ai kishte ardhur për pushime verore në vendin e tij, në fshatin e Anës së tij, i cili zgjonte njëkohësisht kujtim e neveri kur e mendonte të kaluarën. Dhe, ai vet nuk e kuptonte sekretin e tërheqëses të këtij vendi kaq kryeneç me parregullsitë e sigurta si normalitet i jetës.

Vuri syza dielli, edhe pse retë kishin errësuar gjithçka. Pagoi taksin bashkë me një të gjashtën e tij prej pesëdhjetë lekësh bakshish, vuri ombrellën mbi kokë dhe mori tatëpjetën e kodrës përtej hekurudhës së ndryshkur e të mbuluar nga barishte sa mezi dallohej se çfarë ishte.  Në lakesën e parë majtas fillonte rruga e vjetër.

-Mirëmëngjesi!

-Mirëmëngjesi!- ia kthyen përnjëherësh disa banues para të cilëve qëndronin gota e filxhanë kafeje mëngjesi.

-Jeni kosovar, kërkoni bujtinë?- iu drejtua gruaja nga dritarja e katit me leckë në dorë e gjysmë trup të varur jashtë kapakëve të vjetër druri të cilën e pa tek pasi e ngriti çadrën.

-Jo zonjë, unë nuk kërkoj bujtinë, nuk jam nga Kosova, jam nga Tirana, me rrënjë nga Veriperëndimi. Mund të më thoni diç rreth familjes Bori apo Borini, siç e quanin dikur. Kisha një mik nga ajo familje.

-Urdhëroni e mirë se vini, ne jemi familja Borini.

Adani mbeti pa frymë, çadra me dy trenj të thyer i rrëshqiti anash bashkë me republikën e tij të kafet dhe era me pikat e shiut ia freskuan qafën e veshët e ngrohur zjarr. Fillimrruga e vjetër ishte e shtruar me rërë dhe gurët e kalldrëmit të dikurshëm dukeshin vetëm aty këtu skajeve mbi të cilët kishte ecur me Anën deri sipër shpatit të Shkëmbit të Vajit e pastaj disa minuta majtas deri në cakun e tyre ku dukej kaltërsia e detit.

“Kjo nuk është e mundur”-mendoi dhe vërejti skaj dritares ndërrimin e fytyrave kureshtare, të cilat lëshonin një shikim dhe humbnin në errësirën brenda dhomës.

Tani fshati përballë detit kishte ndryshuar çdo gjë, shtëpitë, banorët, rrugicat. Në Lëndinën e Mushkës, poshtë fshatit, tani ishte ngritur hoteli dymbëdhjetëkat?sh me emrin e kryeqyteti për ku të nxirrte rrugica e ngushtë e rrethuar me beton fqinjësh dhe grumbuj bërlloku me shkëlqimin shumëngjyrësh të mbetjeve plastike.

-Adani hoqi syzet dhe republikën e tij, i vuri mbi tryezë dhe ndjeu freskinë e ajrit nën tënden e zhurmshme nga pikat e shiut. Freskia e shiut nuk ia shuante zjarrin që i vlonte në gjoks. Më nuk kishte zë, tani flisnin ndjenjat. Shija e kafes ishte e njohur nga ajo që kishte pirë dikur këtu me Anën dhe sikur ia  ringjalli. gjembat e fajësisë për t?.

-Hej ti, kriminel. Ty po them. Kriminel- u vërsul një grua me fustanin e bardhë deri në fundkëmbë me gjoksin e ç’kopsitur, e cila mbante në dorë një arkë të kafet druri. Para se ta kapnin qifti i ulur skaj derës ajo e hodhi me fuqi mbi tryezën nga u ngritën copa thyerjesh, spërkatje kafeje e lëngjesh, duke u përzier  me pikat e shiut rrëke që binte.

-Ti, dëgjon! Ti je vrasës! Si s’të vjen turp të vish këtu, dezertor i pabesë. Ik nga ke ardhur me gjithë surratin e ndyrësitë tuaja! I mallkuar!

Fytyra e çartur nga zemërimi rrethuar me blej flokësh të lagur lëngonte nga lodhja e hidhërimit të mbledhur kohëve që kishte pritur shpërthimin si një vullkan pas shumë shekujve. Pas disa çastesh çetësimi gruaja mblodhi vetën, u ngrit në këmbë dhe bashkë me dy përcjellës, që e mbanin për krahësh, u nis oborrit drejt shtëpisë. Me një të kthyer pas lëshoi zërin:

-Merre arkën, e ke porosi nga Ana!

Çdo gjë që kishte brenda arkës peshonte plumb, që rëndonte mbi një trup të dërmuar nga jeta.

“Gjithçka kujto nga unë, vetëm jetën time jo”- shkruante Ana në faqen e fundit të ditarit. “Në skajin perëndimor të Ishullit është shkruar  “Ana Borini”-kujtonte Era, motra e saj e cila kishte mbetur e vetme nga familja.

Perëndimi i diellit të ditës së fundit ngjyrosi me rrezet e tij dy emra  në shkëmbin ballë detit “Ana e Adani- amshim në takimin e përjetshëm”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora