E premte, 29.03.2024, 05:37 AM (GMT)

Kulturë

Vjollca Pasku: ''Marrëzia e madhe'' një perlë letrare

E hene, 01.09.2014, 06:50 PM


ROMANI “MARRËZIA E MADHE” NJË PERLË LETRARE

Reçension nga  Vjollca Tiku Pasku

Romani ‘MARRËZIA E MADHE” e shkrimtarit Vullnet Mato është një rekuiem dashurie, në qiellin e vranët të vitit 1997. I gjithë subjekti i veprës shtrihet në dy linja. Linja e parë është ajo e dashurisë së flakët deri në marrëzi, siç e quan autori. Alma mësuese e letërsisë, një poeteshë e re, e bukur, e pastër moralisht, me një shpirt të ndjeshëm, e ardhur nga një martesë e nxituar shabllone, tani e ndarë, ruan qysh nga rinia shkollore ndjenjat për profesor Reitin, mësuesin e letërsisë, së fundi redaktor i shtëpisë botuese “Planet”. Pavarësisht nga efektet e kohës dhe të moshës, diskursi i Almës ishte i përcaktuar. Ajo e dashuronte fshehtësisht dhe me prezencën e saj dhe frazat e zjarrta zgjon ndjenjat e fjetura të indiferencës së ish profesorit të dikurshëm. Me krahët madhështorë të dashurisë, ajo krijon vendbanimin e sigurt në zemrën e Reitit. Ai ishte dashuria e parë në jetën e saj. Skenat panoramike të dashurisë, të formuara aq bukur nga autori, japin përherë stuhi të magnetizuara ndjenjash. Dashuria një etje e shpirtit, përpinë atë energji që krijon jetë, dhe jep atë energji që çliron emocione hyjnore. Shpirt, trup, zemër janë një. Zemrat vallëzojnë të njëjtin ritëm. Në atë muzg moshe për Reitin, Alma ishte si qëndrimi mbi supin e tij, i një fluture magjepsëse lulesh. Konvergjenca drejt Almës, ishte për Reitin si një eksitim i pranverës në prag dimri. Me qëndrimin e tij stoik, në fillim për të sprapsur, këtë cicërimë mëngjesore, ai kuptoi se ajo erdhi pikërisht për të mbushur atë qenësi boshe të trupit të vjetruar të gruas së tij. Erërat magnetizuese të dikurshme të bashkëshortes, tani ishin tharë. Ndoshta Alma u shfaq si një hyjni e vogël. Fati rezervon të papritura, ndjenja galoponte, të cilat asnjëri prej tyre nuk e di se si shfaqen. Koha të pagëzon me një rilindje burrërore atëherë kur nuk e pret. Dashuria nuk pyet për arsye, por thjesht dashuron. Dozat e mëdha të ëmbëlsisë së dashurisë, ai i adhuron, i pret, por përherë më një merak . Sa do zgjasin vallë...Panorama që i shfaqej para syve ishte gruaja e tij me dimrin në eshtra dhe nga ana tjetër kjo mbretëreshë pranverë. I dukej vetja si një vazo e vjetër, ku kishte mbirë papritmas një trëndafil i freskët dhe ai merrte shkëlqim nga kundërmimi i saj... Kjo do të thoshte se dashuria ishtë ndjenja më universal në të gjitha pjesët e jetës. Ndjente një keqardhje të madhe për gruan e tij, e cila kishte përherë kujdesin, pastërtinë, mikpritjen, çdo gjë, ndoshta në këtë moshë ajo ishte bërë si motër...Tani entuziast, ai e dinte se dashuria e Almës ishte pa kushte. Dhe ky ishte një komponent që e lartësonte Almën. Kjo dashuri erdhi pikërisht në kohën më të keqe. Megjithëse ishte mars, pranvera nuk dukej gjëkundi. Ishte viti 1997, viti i falimentimit të firmave piramidale. Njerëzit e zemëruar kërkonin dorëheqjen ne qeverisë. Çelësin e zemërimit të masave e shfrytëzonin politikat e ndryshme të vendit për ta bërë popullin më të mjerë se ç’ishte në të vërtetë... Atëherë indinjata e tyre shpërtheu depot e armatimeve. Në këtë situatë të ndërlikuar, lindën bandat famëkeqe. Vrasjet, përdhunimet, vjedhjet, ishin pjellat e kësaj situate.... Luftë, vetëm kjo fjalë e thënë pa dashje të tmerronte. Kjo luftë ishte pa armiq përballë, qëllohej lartë sikur qielli të ishte armiku i metaltë. Rikoshetat e plumbave binin, si kthetrat e padukshme të një përbindëshi jetëmarrës. Tensionet dhe derdhjet e gjakut, sillnin pasojë vdekjen. Ishte pranverë dhe flokët ajrore shpoheshin nga plumbat. Horizonti në perëndimin e ditëve, ishte gjithmonë i mjegullt, me nuancë të zezë nga tymi i armëve. Gjatë ditës të gjithë nxitonin në punë të kujdesshëm dhe gjatë natës frika strehohej në sytë ë e tyre. Njerëzit kishin mall të dëgjonin cicërimat e zogjve në vend të shtënave të armëve, të ndjenin aromat e pranverës në vend të barutit, të ndjenin tringëllimat e zemrave të dashuruara. Por mes fërfëllizës së breshërive, njëri nga plumbat godet profesor Reitin në kokë, rrugës kur po shkonte në shtëpi. Lufta në dukje sikur kishte mbaruar, sepse zërat e krismave ishin rralluar, dhe qeveria dha dorëheqjen. Fundi i marrëzisë madhe, hapi venat e dhimbjes në shpirtrat e gruas, vajzës, Almës , dhe të gjithë të njohurve që e respektonin. Kjo pranverë me hije të trishtuara, rrodhi lotët e trishtimit dhe të kobit në këto zemra. Goja e gropave nëntokësore hapej për të pritur jetën e këputur nga kafshimi i plumbit të zi të ardhur nga qielli. Gruaja e tij nuk mundi ta përballonte këtë humbje dhe kaloi në depresion. Alma e qau për shumë kohë Reitin, ajo pranverë mori lulëzimin e gjithë pranverave të saj. Autori shkruan: “ajo ngushëlloi veten me mendimin, se një muaj me dashuri të madhe , ishte më tepër se nga një jetë me disa dashuri të vogla”. Ajo përkëdhelte djalin e vogël, që ishte frutë i dashurisë së saj me Reitin, vogëlushin që gugatej si pëllumb me push verdhë, por “me vdekjen e Reitit, vdiq përgjithmonë edhe aftësia e Almës për të dashuruar sërish”.Ndjenjat e dashurisë u fishkën si gjethe vjeshte dhe u varrosën së bashku me trupin e të dashurit. Jeta vazhdon dhe autori e mbyll me mendimin, ” se ishte gjë e mirë për këdo që kuptonte më kryesoren, se asgjë nuk quhej e humbur, përderisa jetoje akoma”. Në retinat e agonisë së vendit shpresohej për një ditë pranverë. Mendimi në këtë vepër, udhëton gjerë, hyn në botën e mistershme të gruas , e cila përbën një veçori themelore të brendësisë së romanit, po ashtu edhe në psikologjinë e burrit, duke na dhënë shpirtin tipik të njeriut intelektual, të ndershëm, me ndjenja romantike, që s’i bën dot ballë tundimit të dashurisë së një vajze të re. E gjithë kjo vepër, gati poetike, është ndërtuar gur-gur të ngjitur fort, si në një kështjellë dhe herë pas here, hap një dritare për të parë kronikën e viteve 97. Vërtet në bulurimën e jetës, në ecurinë e kohës, jepen kronikat e luginës së dhimbjes dhe shtroja e fildishtë e dashurisë, ku gumëzhin bukuria me frikën, përleshet logjika me ndjenjat, e mira me të keqen. Gjuha në këtë roman rrjedh si burim i kristaltë, me frazat të bukura poetike dhe mesazhe filozofike. Syri i lexuesit shkon përtej leximit, duke përfytyruar të gjitha skenat në detaje, së bashku me nuancat ngjyruese të frazeologjisë së dialogut, duke formësuar një libër tërheqës, deri në rreshtin e fundit, sikur të ishin gjurma engjëjsh që shfletojnë fletët e një qielli të jetuar. I gjithë romani i shkrimtarit Vullnet Mato, i veshur fund e krye me kostum poetik, ngrihet në lartësinë e një perle në letërsinë shqipe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora