Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ksenofon Dilo: Kadri Hysenbegasi

| E shtune, 30.08.2014, 03:31 PM |


Ne kujtim te atyre qe na dhane te drejten te jemi KRENARE .

KADRI HYSENBEGASI

Nga Ksenofon  M. DILO

Eshtë e tepërt të them gjithmonë e gjithmone se nën thundrën komuniste në Shqipëri u kryen vetëm krime . Askush nuk ishte i sigurt se nuk do të “kujdesej “ për të partia mëmë “me zemrën gjigande” që çdo gje e bënte në emër të popullit ,për të mirën e ..diktaturës së proletariatit.

Shqipëria , e shndëruar në në burg të madh kishte ashtu si çdo burg drejtorin e burgut dhe rojet , qena të tërbuar të drejtorit , të cilët jo vetëm lehnin gam gam natë e ditë por kafshonin nganjëherë edhe njëri tjetrin .  Një popull i burgosur në qelira mesjetare ,pa të drejtë fjale pa patur të drejtë të mendojë për të ardhshmen , me një të tashme të burgosur me një të kaluar që mjer kush kish punuar për të dhënë drejtësi e dritë për Shqipërinë...

Për të , që të mos mundohej të thoshte se kishte ëndëruar e punuar për një Shqipëri të lirë, indipendente, të bukur , me begati e shkolla për një Shqipëri  të virtutshme , për të ishte zgjedhur qelia më e thellë më e errët më me lagështi dhe aty pa bëzajtur ishte i detyruar të bënte jetën që mëmë partia , me shpirtmadhësi i lejonte, pa patur të drejtë të shohë asgjë, bile as dritën e diellit jo më dritat për të cilat ka nevojë shpirti dhe mendja e një njeriu që brez pas brezi në çdo hap kishte ndërtuar e krijuar epoka,nëpër të cilat Shqipëria ishte rritur e kishte lëshuar shtatin si “lastar” , e ndritur nga diej që do ta bënin të njohur mrekullinë e kësaj shtojzavalleje në gjithë botën. Shqipëria ishte preh e ujqve të uritur dhe bijtë e saj më të mirë kafshata për pandgopësinë e tyre. !..Për më shumë se gjysëm shekulli!

O tmerr!!

Kadri Hysenbegasi ! Për ty dhe me ty dua të flas. Nuk dyshoj që edhe pse më dëgjon në këto momente rënkimin e shpirtit, sado që më shumë se kushdo i ke provuar kafshimet e atyre hienave të ndotura, ti tani me një urtësi aq njerëzore që të karakterizonte dhe me atë buzëqeshjen e gjakftohtësine e një njeriu të matur, po më thua të hesht!

Të hesht? Po pse a nuk...

Po të hesht sepse ti o Njeri i madh me plot kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale që do të thotë ,i njerëzishëm , i kulturuar ,i urtë ,i mësuar  i duruar, një fisnik i vërtetë me një mendje e mendim të mprehtë, ti je një prove e gjallë se sado që drejtori i burgut u përpoq, sado që zgjodhi edhe për ty një nga ato qelitë e tmershme, ti e shndërove atë në një qelizë jetësore. S'ka gjë që t'i mbylli partia e dashur dyert e shkollës asaj shkolle për të cilën do të ishe një stoli e vërtetë sepse gjeniu duket e ka të shkruar në ballë , e thotë ndriçimi i syve të tij, e thonë rrahjet e zemrës e shpreh me mendim të fortë ç'do moment dhe e provon se është lindur që të ndihmojë zhvillimin dhe të japë dorë për një perspektivë të ndritur...

Ti e rezatove çdo ditë , çdo moment inteligjencën tënde me aq shumë dritë e madhështi sa njëherë mendova se partia mëmë duke dashur të të bënte keq që nuk t'i hapi dyert e shkollave, padashur ndihmoi që ti me urtësinë tënde të gjeje gjithmonë hapur portaën e zemrës së madhe të popullit , i cili megjithse edhe ai në qeli i burgosur pa tek ty, se aty ku donte të të shtinte partia dhe duke u përpjekur të të gjunjëzonte ti u ngrite akoma më lart, ndriçove me dritën verbuese të së vërtetës dhe, sado që qentë rreth lehnin me jargët e tërbimit t'ju vareshin nga goja e tërbuar, karvani i mirësisë sate shkoi vetëm përpara.

Prandaj më thua të hesht!

Dhe po! Nuk ka nevojë të flas!

Ti vetë i pa përkulur , me devotshmëri dhe me një këmbëngulje heroike ju tregove të gjithëve se nuk burgoset zemra dhe dëshirat. Ato kanë krahe e fluturojnë e asnjëherë nuk bien pre e dëshpërimit kur në qiellin e lirë e të kaltër ato shkojnë.

A s'ishe ti që ngrohje me urtësinë tënde të ftohtin e acarrtë të njerëzve që duke u dridhur të qanin hallin. Ti i mjekoje si një mjek i mirë jo me ilaçe , por me fjalën tënde të dlirë. Sa njerëzve ju zbulove të vërtetën e lirisë së mendimit dhe ju dhe shpresë se ëndrat një ditë do të bëheshin një realitet i gjallë ,i gëzushëm?

Kush të njihte, kishte njohur mjekun e shpirtit dhe ndjente se me njerëz si ty vuajtja mer formën e një proteste që duke u rritur duhet të shpërthejë por kurrë individuale, gjithmonë kolektive.   Kështu të kishin mësuar në familjen ku partriotizmi dhe atdhedashuria ishin besim dhe ligj. nip dhe bir i familjeve që nuk kishin kufi bëmat e tyre për Shqipëri e Shqipëtarë, nuk pushove asnjëherë të rrezatosh mirësi dhe me një kulturë të veçantë , duke ndriçuar tregoje se errësira që mundohej të të ndrydhte nuk mundtte vetëm të të japë pa dashje shkëlqimin e një heroi të vërtetë.

Ndaloi gjyqi Ti e ndalove!

Kishte gysmë shekulli që kjo nuk ishte dëgjuar sepse të drejtë kishte vetëm partia e diktatura e proletariatit...Ti si një orakull u ngritedhe shpërtheve! !Avokati që kishte marrë përsipër mbrojtjen e kriminelëve që bënë krimin e padëgjuar mbi Kaliopi Dilon e pambrojtur , kur dëgjoi fjalën , ose më mirë të them ligjëratën tënde  u tërhoq i lemeritur dhe tha se kriminelë të tillë nuk duhen mbrojtur por edhe prej tij dënoheshin me vdekje. . Ti ishe në dukje i qetë. Por brenda në shpirt zjeje si një vullkan i porsa zgjuar , gati të derdhë llavën e tij përvëluse mbi qenat . Zjeje qyshse e more vesh krimin e shëmtuar e rende pa përfillur dimrin e as shëndetin që kish filluar të të mundonte.

Nuk harrohet që si një zot hyre në dhomën e burrave ne Sheper te shtepia Dilo dhe me një zë që bubullinte the—“Edhe këtë e bëtë!!Po si mundët të vrisni , o frikacakë të paskrupullt një grua të vetme e të pambrojtur? Si duroni dhe nuk i asgjësoni ata kriminelë. Sepse janë këtu mes jush e , të pabesët vranë natën e kanë erdhur të na qajnë ..ditën. “

Ishte liruar pak gjendja se drejtori i burgut kishte larë çanakët por edhe drejtori i ri nuk ishte më i pakër ramizi një kunadhe plakë , kafshonte edhe ai si i tërbuar. Por ty nuk të bëri tër syri. E vërteta do të fillonte të thuhej dhe ti ishe ndër të parët që i dhe asaj jehonë. Nder i këtij trualli, guximtar e i paepur, i dashur e i urtë me të gjithë e për të gjithë me bashkëshorten tënde Dianen,gjithmonë në krah si një grua e lartë dhe trime ,ju ju trguat të gjithëve se historia e Shqipërisë është ajo që e kanë shkruar veprat e jo kopukët e enver hoxhës e ramiz alisë. Historia e Shqipërisë është e lavdishme sepse me njerëz si ty ajo kurrë nuk u ndërpre por vazhdoi të shkruhet dhe ti o i ndershmi, i paharruari miku im , që më bën me krenari ta them këtë, ti ishe ndër ata që nuk pushove asnjëherë të luftosh e të punosh dhe shkrove në historinë e këtij vendi një faqe të lavdishme, një faqe që ska nevojë për lapidarë, sepse është një farr që ndriçon e u tregon rrugën atyre që në oqeanin e errët e të furtuniazuar komunist drejtohen drejt atij farri që të dalin nga ajo furtunë në tokën ku drejtësia dhe e vërteta do të triomfojnë. Gjithmonë i ndezur e flakë shumë, ai far në brigjet e drejtësisë nuk ka për tu shuar kurrë!!