Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Hija pa diell

| E shtune, 30.08.2014, 03:16 PM |


Mehmetali Rexhepi

H i j a  p a  d i e ll

Hirësia dehjen e shqiptonte jo kudo, por pa bohemi të Mirko Gashit.

Ai dehjen e shqiptoi si protestë e labirintit të shpirtit tij, pikërisht tek disa gjysmakë të pasionuar të dehjes. Një mynxyrë e rënies në therkat e romuzeve të pacipëve qesëndisës.

Grykën e thesit, për shakatë e veta, e hapte, jo për ta derdhur te të tjerët, as të tërin mbi vete; kur me dy gishtat e dorës së djathtë formoi V - në. Të gjashtët e tryezës u shkrehën në qeshje si një kor i shthurur, aq sa njërit i ra filxhani i kafesë nga dora dhe spërkati të tjerët në pantallona.

-           Ju kam thënë se ky miku im dhe juaji është gacë e mbuluar.

Po, po, eee, hë - hë - hë... - Ndërsa shtirej si murg manastiri: ha-ha-ha-ha-ha-ha,  hi-hi-hi-hi-hi-hi-hi.

-           Ti ju vardisesh vagjinave me titull, por unë jam i përjetshmi i tyre pa titull –Luhatej si lavjerrës i gjallë Hima:

-           O të-të be-be-beee-kuar ar-ar-gatë të të U-U-Ukës, tak-tak-si-si-ra-ra-ti i-i- i bu-bu-bukës!

-           Vë-Vë -ja e e tij nuk-nuk ëëë është “Vi-vi-vik-too-to-ria” e de-de-mos-mos e, demonstratave, por, por fi-fi-fito-torja e e a a-asaj mes-mes ko-ko-kofshëve...

Ha-ha-ha-ha-ha, ha-ha-ha-ha, hi-hi-hi-hi-hi-hi,iihaaaa...

I zënë në kurth, në peshkven e tryezës së horrave, ata do t`ia spërkatnin namin me vrushkuj fjalësh të shurrës së birrës. Rastisi të rrinte si në gjemba me sedër të përdhosur. Ndonëse i anashkalonte puqjet me bjerrakohës të shfrenuar, sikur e gjeti edhe veten duke ua mbajtur ison korit të epsh ndjekësve:

-     A thua, mos...Dhe unë horr?

-     Horri i Hijes ose hija e sojit të tillë?!

Etiketë trishtimi.

Të qenët tjetër soj, nuk kishte si të mos shihej si strumbullari kureshtar i ahengut të karaktereve të zgjebosur, gojë hapurve që llapnin.

Të bërat e të pa bërat i hidheshin, si thesi i zbrazur i miellit mbi kokë e trup, për t`ia zbardhur krejtësisht enigmën.

Kundërmoi ahengu i kësaj tendosjeje. Këmbëngulej që Hirësia të paguante stivën e birrave, ngase “ligjëruesi i vagjinës” paskësh fituar vagjinë të butë dhe pa lesh.

Brofi të ikte, por e mbërtheu Fati gungaç me duar të forta si kanxha hekuri.

-           Trus ore, se mos pordhët tua na qenkan parfum!

-           Lërmë o,o i marrë! Ja, agmia...

Fytyrë skuqur, damarë fryrë, Fatit goja i lëshoi gromësirë qepe e birre.

* * *

Penjtë e kanunit tiren nga goja në gojë në zgafellet e pijetores si kjo. Mbështilleshin bëma të pacipa me gra të përdala, anonime. Perin e nderit e sillnin, e lidhnin për të qepur e shqepur, nivelin e kërthizave të brendshmeve të rrethit mburracak.

Në peshoren e fajit nuk rëndonte Hija.

Treguesi i peshores për Hirësinë shënoi shtatëdhjetetetë kilogram.

-           Shtatëdhjetetetë kilogram - përsëdyti dhe goditi skajshmërisht veten:

-           Shtatëqindetetëdhjetë kilogram mëkate!

-           Mëkati dhe magjia nuk maten me peshën e kilogramëve. - I shkrepi, si teshtima, argumenti për dëbimin e viruseve të injorancës së dilemës.

Hirësia iku prej dytësorit në kipcin e vet. Iku nga Fisnikja së cilës ia shurdhoi shtëpinë, celularin e, derisa të shumtën në burgun e shtëpisë, dyshja priste Njëshin dhe treshen.

-           Çfarë mësyu Njëshi im?

-           Se kultivoi urtësinë te Urtia i munguar?

-           Se te e madhërishmja e ligjëruar...

Ngufatej...

-           Vallë të thënën e të bërën i kish njësuar?

-           Unik prej kristali, i pa tretur, i pa thyer!

Mëdyshje.

* * *

Edhe kur e merrte Turrin e nismave të befta, të paarritshme, dytësori e tejkalonte dhe i shtrohej pritjes për të molisurin e turpëruar në shesh, ku ecet, ku nuk ecet dhe ku fluturon mendja, në zgripe të galdimit...

Hirësia e gjakonte Mesinë e së vërtetës. Me hirësitë e tija mjaftohej të përkufizohej si  Mesi i Vogël. Porse  gjithë përfshirësi ia njihte kipcat. Në kronikën e tij shkruante edhe faqet e gënjeshtrës.

* * *

-           Qenka diplomat Hirësia Juaj! - Grabiti çastin e sekondave të hyrjes në ligjëratë dhe, e thumboi me pezmin e mbledhur, thuajse përmbyllës idilesh: ngreh e mos këput. Tashti do të hakmerrej epshëm... Se do t`i përkëdhelej çdo milimetër e dhuntisë saj tek akëcili hamshor...

Hija me minim të tejdukshëm një pëllëmbë mbi gjunjë. Gjoksit i tundeshin topthat e ajkës së tëmblit. Ndjenja e fyerjes pse fashitej llava e dikurshme e tundimit të Hirësisë, madje pse fshihej, Hijes ia mbylli shtegun e ngarendjes drejt tij. Shteg i një ngarendjeje të galduar...

Çfarë priti Hija? Priti që bukuria të ngadhënjejë mbi krenarinë, mbi vijat e pa lakueshme të tija, siç iu thoshte Ai parimeve. Priti rënien e tij midis kofshëve të saj; pse godinës së mistershme që kishte ngritur Hirësia i zgjerohej plasaritja dhe, pritej dorëzimi tek ajo.

Priti t`ia shihte tymin, por tashti vërtet do të donte ta kaplonte llava e vullkanit.

Lot të fyerjes mbi qëndismën e fytyrës.

Gjithçka ishte e rrëshqitshme.

Hija e adhuronte diellin për të hijesuar...

* * *

Flokët, faqet, sytë e larmë, buzët, kraharori, beli, kofshët, vezullimi lozonjar dhe engjëllor i njomështisë së jetës, melodia e tingujve të Hijes, krojeve të shpirtit ua shkrepte tundimin, të shpërthenin dhe aty e atje ku kishin shterur.

Hirësia kapej nga tjetërsimi... Ndoshta tekat, ndoshta hyji ia ndiznin gjakun drejt instinktit shtazarak për t`ia kafshuar...!

Dhe i erdhi mandata:

-           O Zot që je në qiell, zbrit në tokë dhe shpëtomë nga kanibalizmi!

* * *

Mandata e parë:

-           Nëse më mbesin dhëmbët në atë masë lëkure, gjaku e dhjami?

-           Dëshmi e gjallë për gjykatë ose për takatin e hollë të plakut?

Mandata e dytë:

Shtytja e të dukurit e shpuri para pasqyrës së nevojtores. Lythi me majë bojë kafeje e mbyllët. Shihej si një kodërzë shkurresh përreth. Në të majtë dy pika pigmentesh të zeza, sikur dy oaza që zgjerohen... Dhe Hija. Ah Hija! Hija do të ikë pas motit me diell. Më ndjek motivi i zbrazëtisë. E pata dhe nuk do ta kem atë joshje vrastare. Mandej do ta tundë horri, mandej, mandej do t`ia derdh gjithë atë tëmbël...

Mandej i pikëlluar më grish pengu i djalërisë...

Mandata e tretë ose mandata ngushëlluese e Khajamit:

“Fito një Zëmër, puth-e dhe rrëmbej-e,

Dhe adhuro-e si Alltar prej Feje:

Një qint Qabera s`vlejnë sa një Zëmër;

Zëmër Kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje”

Mandata e katërt:

Në mesditë më goditi ai farë mburracaku, poeti, i cili vetveten e radhiti te Horhe Louis Borhes - i. Mburrjen e nënshkroi në vëllimin “Mbolla lule në fushë”

-           Do ta sugjeroja: “Mbolla lule plastike në fushë”.

* * *

-           Në natën e ditës tënde do të biesh në grackën e bardhë të epshit.

-           Dhe?

-           Se dora e zgjatur për dalje nga gracka jote nxiros dhe timen -E rrumbullakoi veta e dytë, që tentimeve shterpe ua kthente vadën e ujit.

La piknikun e së dielës, gjeti çelësat, ia mbylli dyert e katit të parë e të dytit. Tha:

-           Nuk të shqitem dot, as do të më shqitësh për adoleshenten e përdalë!

-           Mjaft e kruaje zgjebën e asaj në ty!

-           Fisnikja të fali Urtinë Urtia etikën

Tetë kokrra lotësh i rrëshqitën dy këndeve të ngushtë të buzëve.

Fytyrës i spikati karikatura e amplitudave të dridhjes së buzëve, ngaqë ëmbëlsisë i shtresoheshin: njelmësia, thartësira, athtësia e shkrumbit.

 

* * *

Dielli i Hirësisë nuk perëndoi për Hijen.


Gjilan, nëntor 2012