E merkure, 24.04.2024, 05:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Zejnepe Rexhepi: Agron Shele - “Ngjyrime Universale”

E shtune, 30.08.2014, 07:31 PM


Një spektër analitik mbi librin “Ngjyrime Universale” (ESE-I ) të autorit Agron Shele

Parathënie nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

Libri me vështrime eseistike “Ngjyrime universale” i Agron Sheles, është një vepër që besoj se do të mirëpritet në letërsinë shqipe, jo vetëm për përmbajtjen estetiko-letrare, por edhe për përzgjedhjen autoriale, kryesisht botime të 2014, që padyshim e shtojnë vlerën e kulturës shqiptare.

Pikënisje e veprës është ideja e një karavani letrar të emëruar “Korsi e hapur“, si një atribut prurjesh novatore të qindra poetësh, te të cilët shquhen përpjekjet për më shumë njohje, shkëmbim idesh, bashkëpunim kulturoro-letrar, gjithmonë brenda një koncepti shkëmbimesh letrare, si një lloj universaliteti mendimesh midish krijuesish.

Brenda një opusi të gjerë krijuesish e veprash studimore e poetike, gjejmë shtrirjen lëndore, ku pikasen lajtmotive individuale e kolektive, që përkapin vlera jetësore e kombëtare, duke pasur nismën nga idilat e thjeshta njerëzore, për të përvijuar më pas me zërin intelektual që i këndon lirisë së munguar, përmes të cilit ngrihet problematika shqiptare.

Mes sfidash të shumta që i imponon koha, ndiejmë zërin autentik të poetëve që ndërgjegjshëm u hapin shteg vlerave të artit. Edhe libri i Agron Sheles, ka këtë fizionomi autoriale, që mbështetet logjikshëm në prurjet e krijuesve, me larmi tematike e gjetje artistike, përherë me mjeshtërinë e individualitetit ndjesor e mjeshtërisë së stilit e stilistikës së përzgjedhur.

Libri eseistik “Ngjyrime universale” më tepër ka qasjen e sprovave eseistike, sigurisht të një përzgjedhjeje autoriale veprash, më të reja, botime të 2014, të cilat ndërlidhen herë për kah tematika e trajtimit e zhanrit letrar, herë për kah ideja dhe interpretimi analitiko-studimor. Autori, Agron Shele, natyrshëm, madje me një transparencë të theksuar e elaboron substraktin lëndor, duke e ruajtur frymën individuale të përkapjes dhe shtjellimit formësor e tematik. Si i tillë, libri ndërlidh vlera të admirueshme të krijuesve të përfshirë në vepër!

Krijuesit e përfshirë me poezinë a prozën e tyre, realisht përvijojnë një lloj ngjyrimi universal..., që do t’i mbijetonte stërngarkimit letrar në kohë. Pleksja përmbajtësore dhe përzgjedhja autoriale ndikojnë që vepra të deshoifrohet në një masë më të theksuar, megjithëse aludimi i saj mbetet në shërbesën e lexuesit të vëmendshëm.

Interpretimet letraro-poetike janë më detajore se ato prozaike, ku bie në sy një lirizëm i theksuar, me përvijime të shumta refleksesh vetjake, me ç’rast edhe involvohet vetë thellësia e shpirtit të autorit, me një lirizëm fluid, si perceptim i pavarur individual dhe si thellësi ndjesore, që megjithatë krijon një vepër sintetizimesh emocionale. Nuk përjashtohen as ndërhyrjet emotive të vetë autorit, si një botë e mbushur pasionesh të herëshme nga leximi i një letërsie evropiane e botërore, si përmbushje shpirtërore.

Përkapur në disa këndvështrime, vepra formësohet, si formë narrative, përshkrimore, krahasuese e kërkimore, andaj autori përmes një shtrirjeje tematike të gjerë, e përçon frymën e një studimi eseistik, në të cilin shpesh shpalos qëndrimin meditativo-filozofik..., ku ngulmon të deshifrojë edhe kuptimësinë e mesazhit të veprave të analizuara. Mbi këto pika referimi sajohet libri eseistik “Ngjyrime universale”, që në të vërtetë ofron ngjyrat emocionale të shumta të shkrimtarëve, si formë e zbërthimit konceptual, të një fryme më ndryshe.

Leximi i këtij libri, sigurisht sjell të tjera emocione për lexuesin e përzgjedhur, sikurse nganjëherë është vetë poezia, me figuracionin metaforik të saj, shpesh edhe në kontrast me lirikën dhe zhvillimet e saj dhe nga ana tjetër, mënyra se si është kompozuar dhe ndërtuar vepra në prozë. Vetë gërshetimi i komponenteve stilistike, në deshifrimin e gjendjes psikofizike dhe ato ndjesore, si përkapje ndryshe, autorin Agron Shele e përcakton si kërkues sfidash të reja! Vepra bart vlera të pranueshme, bashkë me gjuhën e krijimit, për kah vlerat letrare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora