Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fjalë në erë – kultura

| E diele, 10.06.2007, 06:19 PM |


Tajar Zavalani

Ideali i njeriut të mësuar është në ditët tona specializimi në një degë. Disa vjet shkollë të mesme, pakë vjet në universitet, një periudhë studimi të ethëshëm për të kaluar provimet, dhe me të vënë diplomën në xhep, puna merr fund për shumicën tonë. U bëmë specialistë, mësuam një zanat, siguruam një mjet jetese dhe qëllimi u arrijt. Kush u ba nëpunës, kush çeli një zyrë private, kush një klinikë, kush një dyqan.
Nëpunësin, që e kanë halë në sy të gjithë ata që kanë punë me shtetin, e cilësojnë si burokrat dhe me këtë fjalë duan të shprehin përbuzjen e mëshiruashmë për këtë njeri të zhytur në pluhurin e akteve. Me fjalën burokratizmi theksohet mendësia e atij që i janë mykur trutë së bëri gjithmonë po atë punë. Aty përmblidhet gjykimi i cekët dhe mëndja, “me qoshe” e atij që nuk shef më tutje nga nenet e ligjës dhe paragrafet e rregullores.
Po atë tharje të shpirtit dhe ngjyrosje të mëndjes që pëson nëpunësi duke u kthyer në burokrat, mund t’a pësonjë specialisti i çdo dege tjetër. Edhe profesori i shkollës së mesme që përsërit në klasë gjithmonë po atë mësim mund të bëhet një farë burokrati në degën e tij. Kjo mund t’i ndodhë gjithashtu edhe kimistit që nuk ngre kryet nga mikroskopi, ose avokati që nuk çel libër tjetër përveç kodit a mehelesë.
Kushdo që bën një punë të përditëshme për të fituar krodhën e bukës është në rrezik të bëhet skllav i punës së tij, të katandiset në një farë maqine që punon pa u menduar, po të jetë se nuk e shtrin interesimin e tij intelektual jashtë degës ku është specializuar. Herë pas here kur ndodhet në një bisedim ku preket një çështje diturie të përgjithëshme ay e ndjen se ka ngelur mrapa, vuan në sedrën e tij pse nuk mund të çfaqë një mendim të vlefshëm që t’i shërbejë skiarimit të çështjes. Për një kohë ay e humbet qetësinë e shpirtit, sukseset e vogla në punën e tij nuk e kënaqin më, shikon mjetin për të dalë nga pellgu i monotisë dhe automatsës profesionale ku është zhytur. Këtu në Shqipëri zakonisht fajin i a hedhin ambientit që të thëthin si balta e moçales dhe të shuan çdo energji. Duke parë gjithë këta njerës, të katandisur nga pikëpamja intelektuale si kufoma të gjalla, që dergjen kafeve dhe “vrasin” kohën me letra e bisedime të zbrazëta, edhe ata që vijnë nga jashtë me një farë entuziazmi humbasin dal nga dal çdo interes për çështjet e përgjithshme dhe i plakos apathia. Është e vërtetë se deri diku konditat e veçanta të vendit tonë bëjnë më të vështirë përpjekjen që duhet të bëjmë për të shpëtuar veten nga rreziku i burokratizimit të mëndjes ka një mjet të sigurtë. Këtë mjet e gjejmë në Shqipëri aq lehtë sa edhe në çdo vend të botës. Mjeti është kultura, ay grumbull njohurish eprore që njeriu mëson për kënaqësinë e vet, pa ndonjë qëllim përfitimi material.
Çdo njeri prej nesh e ka në dorë të shpëtonjë nga automatizmi i specialistit duke u bërë njeri me kulturë. Kultura është thesari më i çmuarshëm i njeriut të qytetëruar; ajo është stolia e mendjes, lartësimi i shpirtit, shkathtësia e ndjenjave, freskia e spiritës...
Themelet e kulturës hidhen qysh në bankat e shkollës. Nxënësi pesëmbëdhjet vjeçar që shkon të vizitonjë një muze ose shkon në bibliotekë të lexonjë një libër jashtë programit, hedh çapin e parë në botën e kulturës. Ky pasurim i shpirtit do të jetë burim begatije të pa njohur në të ardhmen, s’kushton veçse pak mundim edhe kohë. Por sa e lartë është ajo prirje që e shtyn njerinë të smadhojë personalitetin e tij duke gjurmuar çdo mendim të lartë, çdo vepër të madhe, çdo krijim të bukur që është bërë përmes botës dhe gjatë shekujve.
Por kultivimi i vet-vehtes nuk është një send që mësohet në shkollë. Seicili duhet t’a gjejë vetë mënyrën më të mirë për të mos e humbur interesimin për çështjet e mëdha që kanë lidhje me fatin e njeriut dhe zhvillimin e shoqërisë, për të mos vdekur për së gjalli në rutinën e një pune mekanike.
Rruga më e provuar që kanë ndjekur titanët e mendimit është kureshtja e gjallë që nuk na len të kënaqemi me atë që dimë. Asgjë nuk duhet të na lërë indiferentë. Të kemi syrin e çelur dhe një etje të pashuar për dituri. Të mos kërkojmë zhurmën e poteren për të hutuar veten dhe për të harruar andrallat. Të mos kemi frikë të ngelim vetëm me veten tonë, të shqyrtojmë vet-vehten deri në thellësinë e instinkteve që buçasin atje mbrënda, të analizojmë ndjenjat tona, të ndjekim një mendim, të radhitim në një cip të mendjes ose mbi një copë letër përshtypjet që na kanë lënë leximet, udhëtimet, kontakti me njerëzit. Të kontrollojmë veten duke parë se si kanë menduar, kanë ndjerë, kanë jetuar njerëzit e çquar të çdo kohe, të dijmë të shijojmë andjen që ndjen njeriu me kulturë kur ndjek rrymën e mendimeve që i kalojnë nëpër mendje jashtë vullnetit të tij, si një film kinematografik. Kjo është rruga. Mjetet janë gjitha aq të lehta për atë që ka vendosur t’a ndjekë përnjimend.

“Shtypi”, 319, 1938

ABC nr.30-Safet Butka e Tajar Zavalani
01.04.2006