E enjte, 25.04.2024, 01:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Përtej vlerave të një libri

E enjte, 28.08.2014, 06:40 PM


Përtej vlerave të një libri të zakonshëm

- Shënime kritike për librin “Përtej ëndrrës “ të poetes  dibrane Urime Straka –

Bukuria është misterioze dhe gjithashtu e tmerrshme.

E mira dhe e keqja luftojnë aty dhe fushë

beteja është zemra e njeriut.

Fjodor Dostojevskij

Nga Fatmir Minguli

Duke lexuar librin e dytë të autores së re Urime Straka, shumë kush do të ndjejë një lloj trazimi jo vetëm shpirtëror. Kjo ndoshta ndodh thjeshtë për faktin se ky libër është shkruar nga një autore në moshën e studentes dhe që ka bërë edhe një libër më parë.

Vetë titulli i librit të dytë “ Përtej ëndrrës “ është intrigues, intriga e të cilit nuk është tejkalimi i një koncepti por është vetë guximi i poetes për të kapërcyer kufinj të njohur e të panjohur, kufinj që janë pjesë e jetës së njeriut. Kuptohet menjëherë se kemi të bëjmë me tendenca të trajtimit filozofik të kuptimit të jetës.

Libri është i tëri në prozë, ndryshe nga libri i parë që bënte sprovën edhe të poezisë edhe të prozës. Me sa duket , autores i bëhet më komode shprehja në prozë, gjë e vështirë po jo e pakalueshme. Në pamje të jashtme duket se i gjithë libri i nënshtrohet një dëshire të autores e cila ka zgjedhur prozën dhe jo poezinë. Por në një vështrim të brendshëm, nën frymëzimin që faqet e këtij libri të japin, lexuesi kupton se ka të bëjë me një prozë poetike.

Përveç se prozë poetike ajo herë herë ngjan me ese të vogla. Prozë – eseja,  ja enigma e bukurisë së librit të brishtë të kësaj autoreje. Në faqet e Facebook – ut ajo këto ditë u shfaq me një shkrim krejt si të këtij libri, shkrim që e titullon : ”Who  am I ?”. Natyrshëm ajo bën pyetjen ekzistencialiste, thjeshtë për të njohur veten e saj, por për Urimen mund të thuash me plot gojën se ajo është e gatshme t’i përgjigjet edhe pyetjeve “Who is who?”. Pikërisht këtë bën kjo autore e re me librin e saj të ri.

Që të  ndërmarrësh shkrimin e një libri me prozë të shkurtër, pa dyshim do të thotë të kesh guxim letrar dhe pastaj vetjak. Ky veprim,  në një farë mënyre sikur e afron më shumë lexuesin sepse ai, lexuesi është më afër hapësirave dhe skutuave të jetës njerëzore. Urime Straka nuk  i përkushtohet vetëm formave shprehëse për dashurinë! Ky është thjeshtë një aspekt i këtij libri. Autorja ka zgjedhur një rrugë të veçantë, origjinale, për të hyrë në letërsinë shqiptare. Ajo, kësisoj, hyn me forcën e Unit që aq saktë e perifrazon Isuf Miha në reçensionin e tij për këtë libër. Uni i Urimes është tejet i sofistikuar, jo vetëm që është larg vetëlavdërimeve por shërben si trampolinë  për t’u hedhur te të tjerët e për të realizuar më lehtë përcjelljen ajrore të ideve të saj.

Duke e arritur me sukses këtë trasmetim me lexuesin, unë mendoj se prozat e librit “Përtej ëndrrës “ marrin rolin e misionarit. Ky “misionar” depërton nëpër “qoshet “ ku jeta përplaset, ku shpirti ndodhet ngushtë, ku zemra aritmikisht punon…Prandaj tek studjon me kujdes atë që shkruan, Urime Straka i  jep lexuesit një tabllo mozaikale plot me ngjyra e ku ngjyrat nuk janë të zbehta, ndryshe ato rrëzëllijnë fort duke reflektuar pulsimet që shkrimet e këtij libri prodhojnë.

Autorja shpërthen ashtu si edhe qetohet në meditime të këndëshme. Kur ajo shpërthen ndaj fenomeneve negative në jetën e sotme shqiptare, është me të vërtetë e fuqishme, por që edhe të kujton Migjenin e madh me “vullnetet e ndrydhuna”. Por kanë kaluar njëqind vjet qëkur Migjeni i shkruante shpërthimet e veta. Ndërsa poetja e re, studentja e sotme, është krejt ndryshe në shpërthimet e saj, mjafton të lexosh prozat “Ik” , “Si je sot”, “ Kërkoj”, “Mos më ndëshko”, etj.

Në këto proza ajo që të bën përshtypje është fakti se nuk ka thjeshtë deklamacione, por shpërthimet shoqërohen me velin e ngrohte të analizës, prandaj dhe këto proza – ese shpërthyese mbeten  si ishuj kreshtash mes detit të qetësisë.

Urime Straka udhëton me librin nëpërmjet mendimit filozofik. Ajo e tërheq fillin e këtij mendimi deri sa ai të hollohet  në maksimum e të mos këputet. Dhe udhëtimi i saj vazhdon. Ja jë pasazh nga ky udhëtim: “E di se një dritë në fundin e tunelit rrëzëllin për mua. Ndaj u nisa në vagonë që s’kanë fund. Kalova nëpër çdo destinacion të jetës dhe arrita në vendin e shpresës së pathyer…

Realizmi i jetës i kombinuar me fantazinë e autores bën që ajo, autorja të triumfojë mbi pengesat e jetës, nëpërmjet edhe përthithjes së porosive të librave të shenjtë, shfaqur me aq përkushtim e në vendin e duhur në prozat e saj.

Në librin “Përtej ëndrrës”  analizohen dashuritë në format e ndryshme të saj, fëminija dhe të afërmit e autores, ngjarje të ndryshme nga jeta e saj e re, për të shkuarën që ka kaluar dhe për një të ardhme të projektuar.

Duke qenë  një mozaik shkrimesh të ndara që pasqyrojnë  jetën në detajet e saj njëkohësisht është dhe një e tërë, një bashkësi prozash me lidhje të brendëshme reale dhe virtuale.

Libri çuditërisht merr pamje të levizshme.

Një herë duket si bashkësi e monologut dhe dialogut të brendshëm, çka të jep përshtypjen  e një pjese teatrale me bashkëbisedime me vetveten dhe me të tjerët, ku të tjerët janë ata që shkaktojnë ngjarjen, veprimin, sjelljen e gjithçka tjetër, të reflektuara këto në çdo prozë.

Një herë duket si ditar i autores  ku pena e gjithëlëvizshme e saj mundohet të kap edhe çastet më të vogla të jetës, impresionet që të lë shiu, nata, yjet, i dashuri që ikën, i dashuri që vjen, kujtimet e së shkuarës…

Një herë duket si një roman epistolar, ku autorja i shkruan letra gjithësecilit që ka marrë pjesë në rrugëtimin e saj, në çastet e gëzueshme e çastet e trishtimit, në kujtimet që ngjalin ngazëllime e në ato që kanë lënë shijen e hidhur të papritur apo të pritur…

I gjithë libri është i mbështjellë me tisin delikat, transparent të poetikës, gjë që autorja e ka për zemër. Gjuha e saj e qëmtuar me kujdesin e qëndistares dallon për pastërtinë dhe muzikalitetin brenda edhe pak vargjeve. Urime Straka, tepër sqimatare, nuk lejon të ketë edhe një rresht të ndërtuar keq. Kjo veti është për t’u admiruar për autoren e re.

Vetëm kështu poetja do të dijë të përballojë rreziqet që sjell një poezi, apo prozë e thurur me fije të dobta të mendimit, e  pa “projektuar” disa herë në mendje.

Poezia në veçanti dhe letërsia në përgjithësi nuk mund t’i përshtatet shprehjes që qarkullon “ I gjithë populli shkrimtar”. Erudicioni, shqetësimi njerëzor, zemra e ndjeshme ndaj çdo gjëje, talenti që ta fal zoti, janë themelore për të dhënë vepra dinjitoze që t’i qëndrojnë kohës duke kaluar e shfletuar nga duart e lexuesve.

Në do të gjeja diçka për ta parë si difekt në librin që po analizoj, do të ishte mospërsëritja e disa motiveve, gjë që padyshim nuk do të ndodhë në libra të tjerë të autores. Ajo e njeh racionalen dhe me siguri që do të dijë ta konstruktojë fare bukur brenda parimeve të arkitekturës së saj poetike.

Në fund të fundit letërsia është një iluzion i bukur që e lakmojnë shumë njerëz, por vetëm pak dinë t’a kapin dhe ta kthejnë në realitet. Kështu po vepron dhe autorja, studentja e talentuar dhe mendimtare Urime Straka. Vazhdimi i saj në udhëtimin drejt dritës në fund të tunelit është i sigurtë që do të realizohet dhe lexuesit do të kenë shansin të lexojnë vepra të tjera, më të bukura e më mbresëlënëse.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora