E shtune, 25.09.2021, 07:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi osmani: Macja e bardhë

E enjte, 28.08.2014, 07:03 PM


MACJA E BARDHË

Tregim nga Resmi osmani

Lakja,  i kishte shkelur thembrat e zhargave që kishte në këmbë dhe i hiqte branë duke lënë prapa  pufka pluhuri. Sapo kishte dalë nga farmacia e Ismailit. Pasi bleu ilaçet e zemrës për të shoqen, Sheqeren, në xhep si mbeti asnjë qindarkë. Dielli i binte në çaçkë të kresë dhe ai ikte kuturu, si në tym,  në këmbsoren e  rrugës që i binte mespermes  qytetit. Në atë orë të paraditës,  lëvizjet ishin të pakta. Lakes i ishte tharë fyti dhe ja donte xhani një pikëz raki të mirë,  nga ajo e rrushit,  që ti ngrohte lukthin. “Jetë qeni,  mendoi ai,  katandiset burri pa një lek në xhep.” Po ecte drejt qendrës. Në kryqëzim,  te cepi,  nën hije të blirit,  Cufe Zavalli kishte hapur tryezën. Mbi një sini të madhe alumini,  ishin vendosur kaushët me fara luledielli,  fara kungulli të pjekura me kripë,  kikirikë,  çimçakizë,  dhe ca paketa me brusketa”Mareti” e kruasant“Belino”. Lakja se la ti ikte rasti dhe iu afrua Cufes.

-Mirmëngjes,  miku im.

-Mirë se erdhe, Lake vëllai.

-Ç’thotë puna?

-Ibret. Punëzeza. Po pres të bjerë zilja e të dalin fëmijët nga shkolla,  që të prishin ato pesë kacidhe që u kanë dhënë nga shtëpia. Është bërë leku ta shohësh me dylbi! Ç’dylbi, them dhe unë? Me teleskop,  Lake vëllai,  me teleskop nga ata që amerikanët shohin yjet!

I kishte dalë me hile të keqes përpara Cufja,  po Lakja s’ishte nga ata që heqin dorë kollaj nga e tyrja.

-Po s’ke bërë hiç punë sa për sefte?

-Vogëlima. Por edhe ato dërgoi Myneverja djalin dhe ç’kisha zënë ,  mi zgrepi për harxhet e ditës. S’më ndahet fare,  më rri mbi kokë si gjeraqinë. E di që jam dorëshpuar. Po gjene s’ka faj e shkreta,  I kemi harruar erën mishit,  na mbinë specat në bark!

-Po, hele-hele?

-?

-Mu tha gurmazi mu bë shkarpë. Si thua,  nuk do t’a lagim sot?

-Sa ke ti?

Lakja kruajti xhepat dhe nxori e vuri në pëllëmbë të dorës tridhjet lekë.

-Kaq. Të më vrasësh s’gjen më shumë!

-Epo, u pa puna. Kusurin po e ve unë,  po ta dish ama,  vetëm një teke!

Cufja i bëri zë të birit që po lozte me shokët.

-Rri ti ca bir,  se unë me xhaxhi Laken do pimë një kafe. Nuk vonohem vajtëm -erdhëm. Mirë?

-Ku do ta pimë?

-Te vendi. Te”Macja e bardhë”te Zoica e Ndonit.

-Te ajo bythëmadhja e sisëlopa?

-Ashtu vërtet,  po rakinë ama e mban ballë kazani,  ja sjellin nga Skrapari. Pastaj na njeh dhe e njohim,  jemi myshterinj të vjetër dhe na e di hallin.

Lokali ishte me perde të ulura,  në gjysmëerrësirë,  vetëm nja dy rreze dielli çanin si thikë mugëirn. Në atë orë ishte thuajse bosh.Njerëzia e kishin pirë kafen e mëngjesit. Dëgjohej zukama e ajrftohësit dhe një muzikë e lehtë,  që s’kuptohej se nga vinte . Nga pllakat e sapo pastruara ermironte livando.Në atë freski të bënte rehat shpirti. Te cepi i banakut,  macja e bardhë e lokalit e mbledhur kutullaç,  bënte gjumë të paqtë.

Ata shkuan dhe ndenjën te tryeza e cepit,  ku uleshin përherë.

Zoica u ktheu përshëndetjen ftohtë dhe i pa me mosbesim. E dinte që ishin pemë pa kokrra,  por gjithsesi ajo bënte detyrën. Klienti duhet sajdisur. Shkoi tu merrte porosinë. Hunda e saj nazike nuhati duhmën e djrrsës dhe u zbraps pak e bezdisur.

-Të zakonshmen, - I tha lakja, - nga një teke.

Zoica,  e rëndë si një mal me mish,  nuk po luante vëndit dhe i shihte në kokërr të syrit:

-Hidhuni, - u tha ajo duke zgjatur dorën-,  fyellit i bie kush paguan!

-Pse kaqë mosbesuese , moj xhane?

-E dini vetë ju,  që e keni huq të bëni proçka!

Të dy përpushën nëpër xhepa dhe i vunë monedhat njëra mbi tjetrën në tryezë,  u formua një kollonëz bronzi si obelisk varfërie.  Ishin aq sa duheshin.

Dora topolake e Zoicës,  u zgjat si putra e maces ,  i fshiu monedhat dhe  u largua të sillte porosinë. Lakia po e shihte: çudi grua kjo Zoica! Vithet e mëdha i tundeshin si dallgë deti. Posi dreqin guxonte e vishej me pantallona?!

-Punë  e shpifur. Sesi është jeta o Cufe vëllai:  Sheqerja ime përditë thahet sa është bërë si cingël,  si të kishte zënë dynjanë me gurë,  kurse Zoica vë dhjamë e trashet sa se nxejnë rrobat!

Zoica nuk vonoi dhe duke ecur rëndë – rëndë si patë,  u solli porosinë.

-Po me nga një kafe,  nuk do na qerasësh moj Zica?

- Mos keni marrë  gjë vesh se  më ka pjellë  mushka?

-Epo,  në daç,   shkruaje në defter.

-Harrojeni. Defterin e ka ngrënë lopa. S’kemi dalë këtu për bamirësi. Hajd,  ju bëftë mirë!- dhe u largua rëndë-rëndë e kënaqur që u kishte rrëfyer vendin sarhoshëve. Oj ata,  të njëjtët gjithënjë!

-Për ne i ardhtë keq Zotit,  se Zicës si vjen që si vjen, - mërmëriti Cufja përvajshëm,  si ti fliste vetes.

Porosia erdhi. Rakia,  një shtresë sa gishti i vogël në fund të gotave,  sa ta pije me vrimat e hundës,  s’ta zinte synë,  por nën dritë ajo ndrinte e llapste dhe aroma e saj,  aq e njohur ishte këndellëse. Çokitën gotat,  me një “gëzuar” si  me gjysmë zëri,  ngaqë ashtu e donte zakoni  dhe nisën  me një heshtje trishtuese ta gjerbnin rakinë pikë e nga një pikë  si të ishte ilaç,  për ta zgjatur e shijuar sa më shumë bekimin e atij  riti hyjnor.

Në fillim u duk hija e atij që hyri ,  pastaj u shfaq personi: i bëshëm,  me kostum të lehtë lino të zbardhur dhe kapele kashte elegante. Ishte Qemal   Mjeshtri,  sipërmarrësi i ndërtimeve. Serioz e hijerëndë,  i përshëndeti me një përkulje të lehtë të kokës dhe  në shoqërinë plot nderim të Ziocës shkoi e u ul në kolltuk te tryeza e rezervuar për personat e zgjedhur.Pa disa herë nga tryeza e tyre. Ishte elektorati itij.  Ata ishin zgjedhësit dhe duheshin bërë për vete. Vota ka të njëjtën vlerë,  medndoi ai,  qoftë e një të papuni apo milioneri!

-E pe? Një fjalë se tha. Vetëm sa tundi kokën,  s’u afrua as të na tokte dorën,  si të mos na njihte,  si të ishim botë,  apo  zgjebanikë,  të paparë e të panjohur. Eh moj botë!- shfryu Lakja.

- Burrë i poshtër. Eh si i bën njerëzit paraja!

-Qen birqeni! Ja se çfarë është.

-Dhe sa gjëra kemi bërë për të! Në atë vitin e keq,  ja ruajtëm kantieret me “Kallash” në dorë duke rrezikuar veten.

-Ashtu, ashtu,  po paraja e tepërt të prish.

- Ne ,  që jemi trok,  s’ka çtë na prishë! Kemi shpëtuar! Shokut I themi shok dhe mikut mik!

-Po ahere kur bëri synet djemtë,  e mban mend? Sa ishim kthyer nga Greqia. Ja mbushëm dyshemenë me njëmijë lekëshe.

-E mbaj mend,  si s’e mbaj,  ato dy vite hante qeni petulla,  por kohët ndrruan ,  birçe. Teksa ne na ra bytha në ujë,  Qemalit i mori lopata ujë. Në punë s’na mori që s’na mori. Tashti s’ begenas të na flasë me gojë. Qelbaniku!

-Klyshi i bushtrës! Mbahet me të madh si të ketë çliruar Shqipërinë! Mirë kanë thënë të parët: e mira harrohet që të nesërmen,  e keqja mbahet mend njëqind vjet! Por ne,  ama,  të keqe s’I kemi bërë!

Ata vijuan të sharat me zë të ulët,  se Cufja kishte një bollëk të tillash,  ende të pazbrazura. Kur teksa se prisnin,  Zoica u shfaq me tabakanë me dy gota raki dopjo. I uli në tryezë.

-I keni nga zoti Qemal.

Ata u panë sy më sy. Po kjo ç’qe? Ec e merre vesh!

I ngriën gotat dhe pritën sa zoti Qemal të shihte drejt tyre. Kur ai e bëri,  ata uruan:

-Gëzuar Mali,  paç e dhënç,  tu shtofshin ymri dhe paratë!

Ai bëri një perkulje të lehtë të kokës dhe  e ngriti paksa gotën e tij.

Çudirat e asaj dite s’kishin të sosur. Zoica u pruri një pjatë të mbushur plot me bërcolla që avullonin dhe ermironin rigon sa të çante hundën.

-Porosi e zotit Qemal, - cicëroi si kanarinë Zoica.

Ata s’u besonin syve: ç’ishte kjo që po ndodhte?

Bërxollat shkrinin në gojë. Për ti shijuar më mirë,  Lakja hoqi dorë nga piruni dhe i mori me dorë. Kur gotat ishin mbi të mbaruar,  Zoica u çoi një shishe raki gjysmë litroshe.

-Heu ! Po kjo?

-Ju bëftë mirë. E keni nga zoti Qemal!

-Zica,  moj xhane,  ç’ka bërë vaki?

-Pse,  se keni marrë vesh? Zoti qemal ka vënë kandidaturën për deputet!

-Pa shiko çna qenka! E kuptova që ai e kishte një sebep që e kishte liruar dorën!

Kur ata po shijonin kënaqësinë e atij çasti,  zoti Qemal u ngrit dhe u afrua te tryeza e tyre. Ata deshën të ngriheshin për respekt por ai nuk i la.

-Djema,  u bëftë mirë. Bëni qejf. Ajo që u tha Zoica është e vërtetë. Ditët që vijnë do të takohemi se kemi për të bërë punë bashkë. O miqtë e mi të vjetër,  ditën e mirë, - dhe doli.

Të dy miqtë mbetën pafjalë dhe po shijonin kënaqësinë që u kishte zbritur në tryezë si nga qielli. Pasi pinë fillimisht si të babëzitur, e morën më shtruar. Ngaqë e kishin lukthin bosh,  nisi tu trashej gjuha dhe tu merreshin pak mendtë.

-O Cufe,  si na quajti Mali,  “Miqtë e mi të vjetër?”

-Ashtu.

-Po ne pse e sham?

- Hë de, pse e sham?

-I tham i poshtër e qen bir qeni !

-Ashtu i tham.

-Po Mali është zotëri burrë, nga ata të anës fare!

Cufen e kishte zënë një lemëz e keqe me ngëqe që nuk po i shqitej dhe Zoica i pruri një bardhak ujë.

-Nuk bëm mirë që e përgojuam. Qemali si harron miqtë e vjetër.

-Ashtu them dhe unë.

-Ore Cufe, s’di të thuash një tjetër fjalë,  se më plase me këtë” Ashtu them dhe unë”

-Epo ç’ti bëj,  s’më punon kaplloqja që të them llaf tjetër!

-Burrë bujar,  i ndershëm e puntor që s’ja ha qenii shkopin. Ja kush është zoti Qemal!

-Ke të drejtë,  i tillë është.

Cufen e la lemza,  por fjalët i nxirte të zvargura e të gjysmuara dhe gjërat i shihte turbull si në mjegull. Ndryshe nga Lakja që ishte pus,  ai s’e mbante pijen. Kur shishja ishte në të mbaruar edhe Lakja kishte ardhur në qejf,  i hipi një dëshirë e marrë për të kënduar e për të hequr një valle!

-O Cufe,  po më hanë këmbët për një valle!

Cufja diç i tha po nga gjuha e trashur fjalët si shqiptoi dot mirë dhe s’u kuptua se çfarë tha.

-Unë do ta dredh vallen,  ti do të ma mbash. Unë do t’ia marr këngës dhe ti do t’ma kthesh. Mirë?

Teksa u ngritën I shtynë karriket me zhurmë dhe hapën pak vend. Cufja mezi mbahej në këmbë. Lakja hodhi hapin e parë dhe nisi atë këngën e dashur “Moj raki moj bukuroshe” . Cufja ja mbajti.

Gjindja që ishin duke kaluar atypari,  kur dëgjuan këngën te “Mcja e bardhë”,  mbajtën këmbët pastaj u avitën te dera dhe ca hynë brënda. Formuan një rreth,  nisën të mbanin ritmin me trokitjen e pëllëmbëve dhe u jepnin zemër. Zoica që ishte në kuzhinë,  sapo ndjeu berihajin,  rrëmbesu shkopin e shtupës së leckës së  dyshemesë dhe  u turr mbi ta.

-Ç’bëni more ditë zez,  se latë nam e po çuditni gjithë qytetin! Zuzarët e dreqit,  boll pitë dhe u zdërhallët,  thyeni qafën!

Lakja e ndali vallen,  por Cufja vijonte të mbante ison e këngës.

-E pse moj Zica paskemi lënë nam? Ne nuk ulëm poturet de,  që tu rrëfenim bythën dynjasë!

-Ore,  cipëplasur!  Kjo që bëni është më keq se aq. Do të ikni me të mirë apo të thërras policinë?

- Mos se na trembe. E kujt i plas nga ata dordolecët!

Të sapoardhurit deshën të dinin sebepin e gostisë.

-Kemi gëzim ,  o miq,  festojmë vendosjen e kandidaturës së zotit Qemal Mjeshtri për deputet,  - u tha lakja çakërr qejf.

-Epo hallall,  rroftë sebepi!

Për një çast ra heshtje. Macja e bardhë që u zgjua nga gjumi,  u shtriq,  u përqall,  harkoi trupin,  u lëpi dhe pastaj nisi të mjaullinte fort. Zoica ngriti shkopin si për sulm,  por Lakja ja preu vrullin.

-Zica,  zere se po ikim,  ule dajakun. - U duk se u kthjellua dhe ra në mendime dhe befas pyeti: - nuk më thua ,  moj xhane,  i sajti është në listë zoti Qemal?

-Më duket se i shtati- qe përgjigja.

Lakja filloi të qeshte sa e zunë dënesat dhe ha-hatë s’kishin të sosur.

-Bobo,  në atë vend të listës,  zoti Qemal një m…… paska për të fituar! Po neve o Cufe Zavalli na bëfshin mirë ato që hëngrëm e pim dhe ato,   që gjene do t’i hamë e do t’i pimë për shëndetin e deputetit tonë!

I hodhën krahun në sup njëri-tjetrit dhe me këmbët që u merreshin dolën duke u lëkundur në udhë të madhe,  të përcjellë nga berihaj i alabakëve, që ia behën aty si t kishin mbir nga dheu..

Ishte kjo çudia e fundit,  por qyteti e kishte kujtesën të shkurtër dhe kishte për ta harruar shpejt deri në çudinë e radhës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora