E shtune, 21.09.2019, 02:50 PM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: “Universiteti” i shqiptarëve

E enjte, 28.08.2014, 07:58 PM


“UNIVERSITETI” I SHQIPTARËVE

NGA KALOSH ÇELIKU

Burgu i Idrizovës se ka qenë i vetmi “Universitet” i shqiptarëve, këtë e di gati e gjithë bota. “Universiteti” me bibliotekën më të pasur në ish Jugosllavi. Librat e “ndaluar” që i gjeje nëpër raftet e kësaj biblioteke, nuk mund t’i lexoje në asnjë bilbiotekë në Prishtinë e Shkup. Fatkeqësisht, që burgu është shtëpi përmirësimi e jo Universitet, e kam thënë shpeshëherë nëpër shkrimet e mia publicistike, se: nga dyert e tij kanë dalë pak veta me mendtë në kokë në Liri. Shumica nga ato biruca urithi nëntokësor kanë dalë të vdekur, çmendur, homoseksualë e spiunë. Shembull konkret, Dudumi me tri – katër kësula leckë në kokë. Ndonjëri edhe piktor, shkrimtar e muzikant. Përçudi, kurrë nuk më kishte shkuar mendja se, burgu mund të nxjerrë edhe “musliman me Din e Iman”.

Vitet e mëvonshme ma zbuluan edhe një profesion të “Universitetit” Idrizovës: atë, të “muslimanit me Din e Iman”. Përveç artistëve dhe “deputetëve të popullit”, që rrihen me grushta vëllai me vëllanë në Parlament, në vend të vriten me njëri – tjetrin me tru, ai institucion “edukativo - arsimor” kishte prodhuar edhe “muslimanë me Din e Iman”. “Artistë”, që pasi të rehabilitoheshin në shoqëri, kur të vijë koha dhe nevoja për veprime guerile antishqiptare, të aktivizohen me direktiva policore. Shembull interesnat, kësaj radhe është një Dudum politik, që pas vuajtjes të dënimit doli si “patriot” shqiptar. Raste të këtilla në shoqërinë shqiptare ke me qindra. Një numër nga ato “patriotë kuqezi”, pas ndryshimeve demokratike u aktivizuan edhe nëpër partitë politike shqiptare. Ndonjëri, më “i zgjuari” arriti edhe në postet më të larta politike qeveritare deri te kryetari i partisë “nacionaliste” shqiptare: zv/ krymenistri, ministri, deputeti e drejtori. Shkak kryesor ky, që edhe sot e kësaj dite nuk mund të ngrejmë krye si popull shqiptar.

Shoqëria shqiptare “patriotin” e këtij soji e priti krah – hapur, dhe ia hapi të gjitha dyert në vendlindje. “Artisti” me diplomë “universitare” të burgut, themeloi edhe një grup muzikor “Banda shqiptare”. Vërtetë, për nga fama nuk i kaloi kufinjt e vendlindjes, ama e mbante veten gjallë me muzikë patetike. Tekste shkruante e kompozonte muzikë shqiptare ”patriotike”. Vite më vonë shkruante dhe kompozonte edhe tekste për fëmijë. Herë pas here për këto tekste me “vlera të arrira artistike”, merrte edhe shpërblime.

Ferexheja e zezë, papritmas një ditë do t’i bie në fund të këmbëve, kur ai me shokë një Teatër amator shqiptar, që mezi do ta themelojmë dhe pagëzojmë me emrin e humoristit dhe satiristit të madh kërçovar Xha Deralla, tinëz do t’i sulet pas shpine. Ende, pa e vënë në skenë premierën e parë, ai do të aktivozohet nga “Qendra policore”, që Teatrit të parë shqiptar t’i ndërrohet emri. Edhe do t’ia arrijë qëllimit: Teatrit të parë në Kërçovë, sa çelë e mëshelë sytë i ndërrohet emri brenda një nate. Fatkeqësia, që ky emërim i ri: “Uskana” si institucion amator kulturor, me emrin e një garnizoni ushtarak romak, nuk solli edhe sot e kësaj dite asgjë në dritë në Dramën shqiptare.

Vite më vonë “i burgosuri politik”, Miken më të mirë (kitarën), që e kishte pasur në qeli me vite, do ta vari në murin e dhomës ditës si “haram” dhe shpallë pjellë Shejtani. Heqë dorë edhe nga muzika shqiptare. Brenda një nate do të bëhet edhe “musliman me Din e Iman”. Pesë vakte do t’i falë në xhami para këmbëve të hoxhës. Kohë nuk do të ketë të merret me muzikë dhe tekste për fëmijë. Vërtetë, shpëtoi muzika dhe fëmijët shkollar, por jo edhe populli shqiptar mes dy zjarreve. Shkaku se, ai tashti me shokë do të vendosë për arsimin dhe fatin e kulturën shqiptare si këshillitar i komunës. Në “Verën kulturore shqiptare” do të shti në program edhe kulturën islame. Lëmsh do ta bëjë poezinë me Ilahinë. Ditët e Humorit dhe Satirës: XHA DERALLA, një Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar do ta përzë nga kultura shqiptare. Arsye teknefese e “muslimanit me Din e Iman”: Satiristi shqiptar për së gjalli është marrë me shartimin e dardhave gorrice dhe është tallur haptas me hoxhën e Katundit, i ka lënë thesarit popullor një pasuri të patundshme me disa anekdota antologjike.

Metodë e njëjtë kjo policore, kur dikur të rinj shqiptar hidheshin matanë kufirit, në Shqipëri për spiunim. Dhjetë vite me radhë e kishin të mos veprojnë në atë vend, e pas dhjetë viteve te merren me aktivitetin “patriotik”. Shumicën nga ato “patriotë” i zbuloi Shteti shqiptar dhe i rrasi përsëri në burg. Pak veta dolën gjallë nga ai burg i Burrelit.

Hamid Hamidi, një i burgosur politik që mezi arriti të dalë i gjallë nga ato burgje famëkeq, u kthye një ditë edhe në Kërçovë. Shpërblimi dihej, e punësuan si gazetar në Radio Kërçova. Plaku, këtu priste një post më të lartë shoqëror. I dëshpruar një ditë edhe vdiq në heshtje. Askushi nuk i shkruajti për të as dy - tri rreshta në gazetë.

Rrëfime interesante tregonte ai burrë për këto ”patriotë kuqezi”, që i kishin kryer me sukses “Universitetet” jugosllave. Edhe, për “Universitetin” e Idrizovës, në periferi të Shkupit. Institucion “edukativo – arsimor” nga i cili shumë shqiptarë dolën me “diploma universitare”: politikanë, shkenctarë, piktorë, shkrimtarë, gazetarë, mjekë, hoxhallarë…

Propozimi i MAS –it dërguar Qeverisë Shqiptare, pavarësisht prapaskenave që e shoqërojnë, ishte i domosdoshëm, edhe pse i vonuar me vite. Në shoqërinë shqiptare, në Ditën e sotshme prodhohen diploma me thasë. Universitet private, që përditë lindin si këpurdhat pas shiut, më nuk janë vatra arsimi, por fabrika për prodhimin e diplomave serike universitare të gjysëmanalfabetëve me shumicë e pakicë në tregun shqiptar anembanë Atdheut. “Kryeqendra” politike e kulturore shqiptare, Tetova heroike: sot ka profesorë universitar e doktorë me tituj shkencor me kamionë, por nuk ka barinj të deleve maleve të Sharrit Plak. Maestro të tollumbave. Imzot, mos më keq: nuk mund t’i gjejmë mjeshtërit e bozës, limunadës e akulloreve fantastike. Specialitete unikate, me të cilat dikur e pushtuam ish Jugosllavinë dhe botën qytetare.

“Kryeqendra kulturore” e dy Universiteteve, që sot i zëvëndsoi tollumbat me diploma universitare, biznesin e vet po e përhap edhe nëpër katunde. Hapi i “Rilindasit” të fundit Edi Rama, për marrjen e licencave të 17 univeriteteve në Shqipëri, është për duartrokitje. Hap të tillë kthjellimi duhet të marrë edhe Prishtina, Tetova dhe Shkupi. Shoqërisë shqiptare sot për sot, nuk i mungojnë universitet, por vlerat e arrira arsimore, kulturore dhe shkencore. Fatkeqësi kombëtare, që sot Shqipëria nuk e ka një ministër arsimi të nivelit intelektual Ernest Koliqi, si dikur “Shqipëria e Madhe”.

Universitetet private “mbinë” dhe “lulëzuan”, kryesisht pas ndryshimeve “demokratike”: në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe Shkup. Shkollat private të arsimit, i gjen me shumicë e pakicë si fabrika komerciale në çdo qytet duke konkuruar sot padrejtësisht shkollat tradicionale shqipe dhe “Universitetin” e Idrizovës.

Hapi i parë i një shoqërie demokratike për ta kapërcyer “malin” e problemeve arsimore, kulturore e politike para dere, patjetër duhet të nisë nga arsimi dhe kultura. Vetëdija e një populli. Shkaku se, arsimi dhe kultura janë themelet e një shoqërie, Shteti demokratik. Heqja dhe pezullimi i licencave për disa universitete, kryesisht private, është guxim dhe meriton përgëzime, edhe pse hap fronte lufte mes partive politike, që i themeluan ato Universitete biznesi për interesa familjare, klanore, miqësore e partiake. Universitete, që arsimuan me diploma universitare e tituj shkencor partizanët e tyre me shkolla fillore dhe i bënë doktora shkence. Shembull intersant (për studim shkencor), Universiteti i Tetovës (1994) dhe Fakultetit Pedagogjik, në Shkup. Luftës së tyre arsimore - politike në emër të popullit shqiptar. PPD –ja me “vëllezërit” në pushtet (LSDM -në) për ta shuar Universitetin e Tetovës, hapi Fakultetin Pedagogjik, në Shkup (1997). Veprimi politik i “foshnjes që lindi e vdekur”, sipas profesorit universitar dhe Ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme (L. F.), nuk dha frut politik. PDSH –ja, kur erdhi në pushtet (1998), përsëri me “vëllezërit” (VMRO-DPMNE), e hapi Universitetin e Evropës Juglindore (Shtulit, 2001), po në të njëjtin qytet, në Tetovë. Edhe ky Universitet politik dështoi në praktikë. Universiteti i Tetovës, pa asnjë ndihmë morale e materiale shtetërore dhe me ndërkëmbëzat e partive politike shqiptare për “pushtet” argati, por me ndihmën e fuqishme mbarëkombëtare të popullit shqiptar e mbijetoi stuhinë politike antishqioptare. BDI –ja (Partia në pushtet), siç duket e “gjeti” shtegun politik: Universitetin e Tetovës e pagëzoi me Universiteti Shtetëror i Tetovës duke e legalizuar për fillim me disa fakultete (2004). Përçudi, shqiptarët falë politikës ditore të partive politike shqiptare dhe asaj shoveniste të “vëllezërve” në Shtetin e “përbashkët”, u pasuruan me “ndihmën e vëllezërve” edhe me një fakultet pedagogjik dhe dy universitete.

Tinëzisht, arsimi dhe kultura shqiptare, jo vetëm në Shkup, por edhe në Prishtinë e Tiranë u politizua deri në palcë dhe u pushtua nga partizanët e partive politike shqiptare. Luftën e ashpër kundër arsimit dhe kulturës shqiptare, që dikur e bënte pushteti komunist sllav, tashti e bënin edhe shumë më mirë partitë politike shqiptare. Arsimin dhe kulturën shqiptare e ngulfatën me aktivistët e tyre gjysëmanalfabetë. Aparati burokratik sllav u tërhoq anësh në punën e tyre për krijimin e shtetit maqedonas, dhe pataten e nxehtë ua la në dorë shqiptarëve. Shkaku se, punën më mirë se maqedonasit filluan ta varrosin argatët e tyre shqiptarë nëpër institucionet e Shtetit të “përbashkët”. Partizanëve të tyre partiak me diploma universitare e tituj shkencor t’u gjejnë vende pune nëpër institucionet arsimore dhe kulturore të “përbashkëta”. Kancerin ia shtinë në gjak, zemër e shpirt shqoqërisë shqiptare. Vetëm hidhnu një sy aktivistëve të tyre partiak, shumica përveç pasurisë materiale, u pajisën edhe me diploma universitare e tituj shkencor. Mjerim kombëtar, që sot na dalin edhe si politikanë dhe “analistë” politik para kamerave televizive si Dy dhitë kryeneqe mbi vig të lumit t’i shesin mend popullit shqiptar.

Alarm publik: Shqiptarëve, sot nuk u mungojnë si dikur shkollat shqipe dhe Universitetet, por nxënësit dhe studentët. Shqiptarët, sot nuk kanë nxënës dhe studentë për këto shkolla shqipe dhe Universitete. Problem më vete është ajo, e vendeve të punës.

Partitë politike shqiptare i kanë mbushur radhët e tyre me partizanë, edhe administartën shtetërore me thasë. Vendeve të punës nuk u kanë gjetur punëtorë profesionistë, por partizanëve partiak - punë. Arsye e plotëfuqishme kjo, që deputetët e tyre në Kuvend mbyten si qentë edhe për një asht. Ushtria e të diplomuarëve nëpër këto universitete shqiptare, nuk ka rrugë tjetër shpëtimi, përveçse asaj të kurbetit. Katastrofë kombëtare se, po na ikë truri e na mbetet bërlloku te pragu i derës, përpara Shtëpisë.

Fati i shqiptarëve: Rrofshin e qofshin këto parti politike që i kemi në Ditën  sotshme, në mos bënë “politikë madhore”, tekefundit na pasuruan me shkolla shqipe dhe Universitete, edhe pse ne sot nuk kemi nxënës dhe studentë! Dhe, duhet të gëzohemi që pjellat e tyre kopila pas porte, nuk i kanë forcat e Nënave të tyre xhadia, nuk mund të themelojnë më institucione arsimore dhe kulturore pas shiut si këpurdha. Dukuri pozitive kjo natyrore, që ndoshta nesër i shpëton nga katastrofa politike shqiptarët.

Edhe, në fund:  Siç duket sot për sot, konkurencë arsimore dhe shkencore Universitetit Shtetëror të Tetovës, i bënë “Universiteti” i Idrizovës, në Shkup…



(Vota: 83 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT