E enjte, 25.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Qerimi: Tipologjia e frazave (V)

E marte, 26.08.2014, 07:46 PM


TIPOLOGJIA E FRAZAVE SIPAS FUNKSIONIT STILISTIKOR (III)

NGA BAJRAM QERIMI

IIB17.f r a z a t   m e t a f o r i k e

Frazat metaforike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë  kuptim dhe funksion të metaforës. Pra, frazat metaforike, në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë metaforike dhe kryejnë funksion si metafora.

Frazat metaforike, ashtu sikundër edhe metaforat, janë fraza stilistikore te të cilat kuptimi intensiv, kuptimi fytyror, figurativ del, kushtëzohet, përcaktohet nga gjymtyra kryesore përbërëse, nga gjymtyra kuptimbartëse intensive. Te këto fraza, kuptimi tërësor fytyror intensiv del, përcaktohet, kushtëzohet nga gjymtyra kryesore fytyrore, përfytyrimore përmbajtësore intensive përmes raportit krahasimor, shëmbëllimor.

Kuptimi kryesor, tërësor, njësor i frazave metaforike është kuptim kushtëzimor, përcaktimor tërësor nga gjymtyra kryesore, kuptimbartëse intensive, është kuptim me karakter intensiv përmbajtësor përfytyrimor (shëmbëllimor-krahasimor).

Te këto fraza gjymtyta kryesore intensive  kuptimbartëse mbarë frazës i jep përcaktim, i  përcakton  kuptim fytyror intensiv, i cili del nga përfytyrimi tërësor kryesor, qenësor  i cilësisë së saj  kryesore, qenësore, specifike, karakteristike. Këtë mund ta vëmë re, ta hetojmë, ta konstatojmë fare lehtë te këta shembuj, që po i marrim në analizë: bëhem qull-lagem shumë, së tepërmi, bëhem vrer-zremërohem shumë, pa masë, bëhet pus- erret shumë, tej mase, bëhet hi (shkrumb, shpuzë)- digjet krejt, fare, bëhet futë (korb, katran, sterrë)- nxihet shumë, së tepërmi, bëhet akull- ftohet shumë, pa masë, ngrihet, akullohet,  bëhet dyllë (limon)- zverdhet shumë, tej mase, bëhet çelik (gur)-forcohet shumë, pa masë, bëhet asht (asht e lëkurë)- dobësohet shumë, tej mase, në flakë të armëve (në pushkës)- shumë shpejt, rrufeshëm, vetëtimthi,  marr frymë-jetoj,  ndër (në) hundë,  te pragu (i derës), në rrëzë të veshit,  te hunda,  para hunde, para hundës,  para dere, para derës,  mu te dera, mu te hunda,   para syve,  te kryet– shumë afër, fare pranë, i bërë asht, i bërë asht e lëkurë-i dëbësuar shumë, së tepërmi, i bërë eshkë-i tharë shumë,së tepërmi, i bërë flakë- i skuqur shumë, pa masë, i sarrakuqur, i mbërdhezur, i bërë dyllë (limon)-i zverdhur shumë, tej mase,  i bërë akull- i ftohur shumë, së tepërmi, i ngrirë, i akulluar, i bërë futë (korb, katran, pus, sterrë)- i nxirë shumë, tej mase,  së tepërmi  etj.

Te frazat e sipëzëna në gojë, kuptimi kryesor  fytyror merr përcaktim, përcaktohet nga gjymtyra kryesore kuptimbartëse intensive, që e dallon një cilësi kryesore, qenësore, specifike, karakteristike intensive  mbizotëruese. Kështu, bie fjala, te frazat: bëhet futë (korb, katran, sterrë)  gjymtyrët  kuptimbarëse kryesore (futë, korb, katran, sterrë) dallohen  me cilësinë kryesore intensive mbizotëruese: ngjyrën shumë të zezë. Te frazat: bëhet dyllë (limon)  gjymtyrët kryesore kuptimbartëse (dyllë, limon) dallohen për nga cilësia e tyre kryesore  intensive mbizotëruese: ngjyra shumë e verdhë.

Kuptimi kryesor  fytyror, te këto fraza metaforike, del nga përfytyrimi  krahasimor  i cilësive mbizotëruese intensive të gjymtyrëve  kryesore kuptimbartëse përbërëse: futë, korb, katran, sterrë, dyllë, limon.

Te frazat metaforike: bëhet hi (shkrumb, shpuzë)-digjet krejt, fare, gjymtyrët  kryesore  kuptimbartëse: hi, shpuzë, shkrumb, janë pasojë e rrjedhojë e veprimit a gjendjes intensive: djegies së plotë, të tërësishme të diçkaje. Kuptimi kryesor fytyror intensiv, te këto fraza metaforike, del nga përfytyrimi krahasimor përmbajtësor i pasojës  a rrjedhojës  së veprimit  e gjendjes intensive: djegies së tërësishme.

Te frazat metaforike : i bërë asht, i bërë asht e lëkurë, i bërë flakë, i bërë akull, gjymtyrët  kuptimbartëse kryesore intensive, mbizotëruese përbërëse (asht, flakë, akull)  hyjnë në punë, shërbejnë  si përfytyrim i veprimeve të pësuara  cilësore (veprimeve pësore cilësore kryesore) me anë të krahasimit të cilësisë mbizotëruese intensive:  ngjyrës shumë të kuqe (të flakës), apo  krahasimit të pasojës a rrjedhojës: të   dobësimit intensiv  (asht, asht e lëkurë)  apo të të ftohurit intensiv, të tepërt (akull).

Te frazat metaforike: te pragu (i derës), te hunda, te dera, te kryet, para hunde, para dere, para syve- shumë afër, shumë pranë, fare pranë, fare afër, me anë të krahasimit përcaktimor shënohet afërsia shumë e madhe e gjërave, sendeve, që del nga përfytyrimi intensiv i gjymtyrëve të trupit: hunda, kryet, sytë apo nga përfytyrimi intensiv i vendit më të afërt  (derë, prag).

Nga sa u mor në shoshitje e zbërthim te frazat e sipërpërmendura, vëmë re, hetojmë, konstatojmë se gjymtyrët  kuptimbartëse fytyrore, kryesore: futë, korb, katran, sterrë, dyllë, limon, hi, shpuzë, shkrumb, asht, flakë, akull, derë, hundë, krye, sy, prag,  janë gjymtyrë  të intensitetit kuptimor  fytyror kryesor.

Këto gjymtyrë kuptimbartëse intensive te frazat metaforike, hyjnë në punë, shërbejnë për të vënë në spikamë  me qartësi e konkretësi të veçantë  veprime, cilësi, tipare e rrethana intensive, sipërore veprimi të frymorëve, jofrymorëve në raport përfytyrimor krahasimor, veprime, cilësi, tipare, rrethana veprimi të një shkalle shumë të lartë, të shkallës sipërore, intensive. Pra, frazat e këtilla stilistikore, me këto gjymtyrë kryesore kuptimbartëse fytyrore, shënojnë, shprehin veprime, cilësi, rrethana veprimi të një shkalle shumë të lartë, intensive, që shprehen me ndajfoljet e sasisë: shumë, së tepërmi, pa masë, fort, tepër, jashtëzakonisht.

Te frazat metaforike dallojmë dy pjesë kryesore të gjymtyrëve përbërëse. Pjesa e parë është gjymtyra fillimtare, gjymtyra që fytyrëzohet, figurativizohet dhe pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse është pjesa që e fytyrëzon, që e figurativizon në mënyrë intensive kuptimin e mbarë frazës me përfytyrim krahasimor intensiv.

Pra, pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse të frazave metaforike, shërben, hyn në punë për fytyrëzim, figurativizim intensiv të kuptimit, të vlerës kuptimore të mbarë frazës, hyn në punë për t’ i dhënë kësaj  kuptim dhe vlerë kuptimore fytyrore intensive.

Pjesa e parë e frazës metaforike përbëhet vetëm prej një gjymtyre, gjymtyrës fillimtare, gjymtyrës së fytyrëzuar, figurativizuar, gjymtyrës që fytyrëzohet, figurativizohet apo thënë më thjesht: gjymtyrës ndihmëse , sepse kjo lot rol ndihmës për fytyrëzim, figurativizim të frazës me anë të pjesës së dytë, pjesës fytyrëzuese, figurativizuese, pjesës që fytyrëzon, figurativizon në raport me gjymtyrën  fillimtare (pjesën e parë).

Pjesa e dytë  e frazës metaforike, është pjesa që ia fytyrëzon , që ia intensifikon  fytyrisht, figurativisht me raport krahasimor përmbajtësor përfytyrimor kuptimin, vlerën kuptimore mbarë frazës.  Pjesa e dytë përbëhet prej një e më tepër  gjymtyrësh përbërëse. Tipat më kryesorë, më të përhapur të frazave metaforike për nga struktura ndërtimore, përbërëse janë:

a)  gjymtyrë fillimtare+ pjesa njëgjymtyrëshe:  bëhet anxë-mprehet fare mirë, shumë mirë, bëhet arrë-teret shumë, së tepërmi (thuhet për rroba), e bën anxë-e mpreh shumë mirë, fare mirë, është anxë-është shumë e mprehtë; bëhet arap (futë, korb, katran)  nxihet shumë, tej mase, e bën arrë-e ter shumë, tepër, është arrë- është e terur fare mirë (thuhet për rroba të lara), i bërë borë- 1.  i  zbardhur shumë, pa  masë. 2. i ftohur shumë, së tepërmi, i bërë breshër- i ftohur shumë, së tepërmi, i bërë mjaltë-i ëmbëlsuar shumë, tej mase, i bërë uthull- i thartuar shumë, tej mase etj.

b)  gjymtyrë fillimtare+ pjesa dy e më tepër gjymtyrëshe:e prek Akilin në thembër- e prek në vendin më të ndjeshëm, e ndan të bardhën nga e zeza (drithin prej galinxhave, shapin nga sheqeri , grurin nga egjra,  nga zhuli) dikush-e dallon, e ndan të mirën nga e keqja dikush, e dallon atë që vlen nga ajo që nuk vlen dikush; .e shquan të bardhën nga e zeza dikush- e shquan  të mirën nga e keqja  dikush, e shquan  një gjë prej gjërave të  tjera dikush; qet barut  në prush dikush fr.fol.,met.-nxit, shkakton armiqësi, grindje, konflikte midis njerëzve dikush, e ashpërson edhe më tej një gjendje, një situatë të acaruar, të nderë midis njerëzve dikush, qet gacë (gaca) në barut  dikush fr.fol.,met.-e acaron edhe më shumë një gjendje, një situatë të nderë, të acaruar midis njerëzve dikush., e ndez sherrin dikush; e nxjerr në faqe të diellit diçka dikush fr.fol.,met.- nuk e fsheh, nuk e mbulon diçka dikush, e përhap, e zbulon, e shpall diçka  dikush, e bën, të njohur, të ditur diçka dikush,i ka duart e (të)  shkurtra  dikush fr.fol.1. met. është i penguar, i kufizuar në veprime dikush,nuk është i lirë të veprojë, të punojë ashtu si do, si dëshiron a si mendon vetë dikush.S.shih sin: i lidhet dora dikujt. 2. iron. nuk ka fuqi, pushtet a mundësi për të kryer një punë (jo të mirë) dikush, nuk ka fuqi a mundësi për të shtënë në dorë diçka dikush. S.shih sin :nuk ka bythë për diçka (për një punë etj.) dikush ; sheh nga fryn era dikush fr.fol.,met.-sheh, vëren si qëndrojnë, si rrjedhin, si zhvillohen punët, ngjarjet etj.  dikush, sheh,  vëren, heton ç’ ngjet, ç’ ndodh  përqark dikush, e kupton gjendjen, situatën në të cilën ndodhet, gjendet dikush. S.e kupton nga fryn era dikush; e sheh sa është  ora (sahati)  dikush etj.

Pjesa  e dytë e gjymtyrëve përbërëse  te frazat e mësipërme metaforike nën a) , b)  nuk hyn në punë, nuk shërben vetëm për fytyrëzim të tyre kuptimor, por edhe për fytyrëzim kuptimor intensiv, për fytyrëzim të shkallës  më të lartë të tyre kuptimore. Pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse të frazave metaforike, është pjesa metaforizuese, figurativizuese, pjesa që e fytyrëzon mbarë frazën, e bën atë me kuptim fytyror intensiv, në të shumtën e herës.

Nga sa u mor në përimtim e ftillim, del se, frazat stilistikore metaforike hyjnë në punë, shërbejnë për t’ u dhënë veprimeve, cilësive, vlerave cilësore e rrethanave të veprimeve, jo vetëm shkallë të lartë, fytyrore, figurative kuptimore, por edhe shkallë të lartë, intensive kuptimore  fytyrore, e cila njëherazi nënkupton  shkallë të lartë konkrete, bindëse, të qartë, të pandërdymtë e kumtimore, komunikative.

IIB18.f r a z a t   m e t o n i m i k e

Frazat metonimike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të metonimisë. Pra, frazat metonimike në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë metonimike dhe kryejnë funksion si metonimi.

Frazat  metonimike, ashtu si edhe metonimitë, janë fraza stilistikore, te të cilat  një fjalë a shprehje e rëndomtë, e mirëfilltë zëvendësohet me shprehje tjetër, e cila me të qëndron në lidhmëri a varësi të afërt a të largët logjike asociative. Lidhmëria asociative, me atë që zëvendësohet, pothuajse te disa fraza  metonimike është e ndryshme, e veçantë, specifike. Ndryshmëri, veçanësi të madhe specifike strukturore, përbërëse pothuaj kemi edhe te disa fraza  metonimike sinonimike, që kanë kuptim të afërt a të ngjashëm në mes vete. Te këto fraza, për nga mënyra e ndërtimit, përbërjes strukturore  të gjymtyrëve si dhe për nga lidhja a varësia logjike, kuptimore asociative me atë që zëvendësohet, ekziston ndryshim i theksuar e i veçantë, madje edhe me raport të veçantë. Në vijim e sipër po u japim sqarim e shkoqitje disa frazave metonimike veçanësore.

Te  fraza metonimike: e laj kryet-lahem, , veprimi  i tërësisë (trupit) zëvendësohet me veprimin e pjesës, gjymtyrës së tij (krye), e cila qëndron në lidhje të afërt kuptimore  logjike asociative me të (tërësinë: trupin). Te fraza metonimike: e ruaj fytyrën: e ruan nderin, veprimi i pjesës  (gjymtyrës) së tërësisë (trupit të njeriut) zëvendësohet  në vend të vlerës, cilësisë, ndjenjës morale të tërësisë së plotë (njeriut si qenie fizike e morale), e cila  qëndron në lidhje të afërt kuptimore logjike asociative me tërësinë e plotë (njeriun si qenie fizike e morale), e cila  qëndron    lidhje    afërt  kuptimore  logjike  asociative  me  tërësinë  e  plotë  (njeriun). Te  fraza e parë

karakteri, raporti zëvendësimor është pjesë-tërësi, ndërsa te fraza e dytë, është pjesë e tërësisë-vlerë, cilësi e tërësisë së plotë.

Te frazat metonimike: derisa të rrah damari në trupin tim-  derisa të jetoj unë, deri në frymën e fundit- deri në vdekje, derisa të më rrah damari i fundit- derisa të jetoj, kemi raport, karakter zëvendësimor: pasojë-shkak, i cili qëndron në lidhje të afërt logjike (kuptimore) asociative. Karakter të këtillë zëvendësimor, kanë edhe frazat: i shkon kryet  dikujt- vritet dikush, ha dhe dikush-është i vdekur dikush, ka shkuar  në atë botë (dynja)  dikush- ka vdekur dikush, mish për top-ushtarë të flijuar, të vrarë pa mëshirë, sakrifica, fli të luftës, mish me dy sy- i marrë, mish i shitur- mercenar, mish në vegsh (në moshë)- 1. i varfër. 2.  i zhveshur, mish i mishit- fëmija i fëmijës tim (si më i dashur e më i ëmbël për mua).

Te disa fraza metonimike, kemi edhe raport, karakter zëvendësimor: shprehje konkrete-shprehje abstrakte: me thonjtë e duarve, me thonj e me dhëmbë, me qip e me thonj-me mundim të madh, me vështirësi të madhe; mish i huaj, mish i egër- tumor, me hekur dhe zjarr, me zjarr e plumb,  me zjarr e me hekur, me zjarr e gjak- me aksion luftarak, me luftë. Te ky tip i karakterit zëvendësimor: shprehje konkrete-abstrakte, gjen përcaktim, përcaktohet një ndërlidhje e varësi e largët asociative logjike kuptimore. Te këto fraza, gjen shkoqitje, sqarim e qartësi raporti i largët përfytyrimor, fytyror, figurativ asociativ logjik kuptimor.

IIB19.f r a z a t    o n o m a t o p e i k e

Frazat  onomatopeike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të  onomatopeve. Pra, frazat  onomatopeike, në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë onomatopeike dhe kryejnë funksion  si onomatope.

Frazat onomatopeike, ashtu sikundër edhe onomatopetë,  janë fraza stilistikore, te të cilat  kuptimi i mirëfilltë, i natyrshëm zëvendësohet (thuhet, kumtohet, komunikohet) me shprehje tjetër, e cila, është shkërbim,  imitim i tingujve natyrorë  dëgjimorë dhe qëndron me të  në lidhje të  drejtpërdrejtë  kuptimore sugjestive, logjike, në lidhje të drejtpërdrejtë  përcaktimore e kushtëzimore kuptimore fytyrore, figurative.

Fraza  onomatopeike me vlerat e saj tingullore (eufonike, akustike) natyrore, është në përputhje, në lidhje  të drejtpërdrejtë me kuptimin e natyrshëm, të mirëfilltë, që e shënon, që e shpreh vetvetiu. Kështu, bie fjala, fraza onomatopeike, janë këto fraza: bën xërr- xingërron,  cingron (telefoni,zilja, ora), bën çkrap (arma)-nuk ndez, nuk shkrep (arma), bën ham-ham (qeni)-leh (qeni), bën gav-gav dikush-llomotit, flet kot dikush, bie bëlldumb (në ujë) dikush- përplaset (në ujë) dikush, nuk ia bën cak (çak) punës dikush-nuk e prek fare, nuk e prek dot (punën) dikush, nuk bën as gëk, as mëk dikush-nuk flet fare dikush, hesht fare dikush, ia bën bam (arma)- kërcet (arma), bën bam-bam (arma)- kërcet (arma), bën fësh-fësh (era)  fëshfërin (era), i bie tak-tak (derës)- kërcas, trokas (derën), ia bën bamb (arma, pushka)- kërcet, shkrep (arma, pushka), bën krrak-krrak (korbi)- krrok, krrokat, krrokërit (korbi), bën bum (b)-kërcet, bie (tupani, lodra), bën dingërr- pëlcet, bën fiu (fiu-fiu (era, sirena)- fishkëllon (era, sirena), bën ciu (ciu-ciu (zogu)-cicëron (zogu), bën brom-çik, prek, cakërron (gotën me gotë). Te këta shembuj  të frazave onomatopeike, kuptimi i natyrshëm, i mirëfilltë, merr përcaktim, përcaktohet, merr pasqyrim, pasqyrohet qartë e në mënyrë  konkrete nga shkërbimi, imitimi i tingujve të natyrës, tingujve të natyrshëm, tingujve natyrorë (burimorë, autentikë) dëgjimorë, karakteristikë e specifikë.

Te disa fraza onomatopeike, kemi përsëritjen e fjalëve të njëjta tingullimituese me qëllim që të ngjallet, të fuqizohet, të intensifikohet përfytyrimi kuptimor, me qëllim që të bëhet sa më i qartë e më konkret te dëgjuesi e lexuesi.

Frazat onomatopeike janë barasvlerëse me kuptimin e mirëfilltë që e shënojnë, që e përcaktojnë  dhe që e pasqyrojnë me vlerat e tyre tingullimituese, që janë, njëherazi edhe vlera tingullore, eufonike, akustike natyrore.  Kuptimet, veprimet që i shënojnë frazat onomatopeike, janë barasvlerëse me tingujt e imituar, janë barasvlerëse me përmbajtjen e tyre sigjestive tingullore,akustike përjetimore (fytyrore, figurative) kuptimore.

Te frazat onomatopeike dallojmë dy pjesë (gjymtyrë) kryesore përbërëse.Pjesa e parë është gjymtyra fillimtare, e cila është gjymtyrë ndihmëse, ndërsa , pjesa e dytë , është gjymtyra tingullimituese,e cila mbarë frazës i jep kuptim dhe karakter tingullimitues, i cili kuptim është barasvlerës me kuptimin e natyrshëm, të mirëfilltë që e shënon, që e përcakton dhe që e kushtëzon vetvetiu në mënyrë sugjestive (fytyrore). Pjesa e parë e frazës onomatopeike përbëhet vetëm prej një gjymtyre: gjymtyrës fillimtare, gjymtyrës ndihmëse, ndërsa, pjesa e dytë, po ashtu , përbëhet  prej një gjymtyre përbërëse, gjymtyrës tingullimituese, e cila te ndonjë frazë del e përsëritur, do të thotë del dyjare,dyshe.Pra tipi më kryesor, më i përhapur i frazave onomatopeike, është tipi me këtë strukturë përbërëse, ndërtimore:

a)  gjymtyrë fillimtare+ pjesa njëgjymtyrëshe: bën xërr, bën çkrap, bie bëlldumb, nuk ia bën cak (çak), ia bën bam, ia bën bamb, bën bum (b), bën dingërr, bën fiu, bën ciu, bën brom etj.

b)  gjymtyrë fillimtare+ gjymtyrë e përsëritur, gjymtyrë dyshe, dyjare apo  pjesë shumëgjymtyrëshe: bën ham-ham, bën gav-gav, bën bam-bam, bën fësh-fësh,  bën krak-krak, bën ciu-ciu, bën fiu-fiu, nuk bën as gëk as mëk etj.

Pjesa e dytë e gjymtyrëve, te frazat onomatopeike nën a, b, hyn në punë, shërben për barasvlerësim kuptimor sugjestiv, fytyror.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora