E shtune, 20.04.2024, 05:37 AM (GMT+1)

Mendime

Alma Lama: Kampioni i mbrojtjes së abuzuesve

E marte, 26.08.2014, 07:50 PM


Kampioni i mbrojtjes së abuzuesve

Nga Alma Lama

Debati mbi (pa)anshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, është sjellë sërish në qendër të vëmendjes në Kosovë. Është një nga pikat më të nxehta që ka shqyrtuar kjo gjykatë, prej themelimit të saj, ku pas shkarkimit të dy presidentëve, tashmë anuloi edhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe ky vendim do të përcaktojë edhe qeverisësin siç duket.

Natyrisht që asnjë vendim nuk i lë të gjitha palët të kënaqura, mirëpo kjo patate e nxehtë që u shqyrtua këto ditë vë seriozisht në pikëpyetje pavarësinë e kësaj gjykate.

Për hir të së vërtetës gjykatat kushtetuese edhe në plot vende të tjera perëndimore duket se e kanë rritur fuqinë e tyre. Shpesh akuzohen se i fusin hundët në politikë, dhe marrin vendime që janë në kundërshtim me vullnetin e votuesve.

Një perceptim që ekziston për gjykatësit e Kushtetueses, i artikuluar nga studiuesit tingëllon kështu: “Për disa ata janë elitistë jollogaridhënës, pleq të vjetër, (rrallë gra) të cilët i fusin hundët në politikën së cilës nuk i përkasin, që pengojnë vullnetin e njerëzve. Të tjerët thonë se ata janë mburojë e lirisë, kampionë individualë kundër abuzimeve të pushtetit nga politikanë intrigantë, burokratë arrogantë dhe nga eksese emocionale të shumicave të përkohshme.”

Gjyqtarët që ulen në gjykatat kushtetuese duhet të mësohen me shpifjen, ashtu sikurse me lëvdatat. Zakonisht ata merren më çështjet më të nxehta, që përfshijnë çështje që e ndajnë elektoratin ose me ligjet që vendi udhëhiqet. Humbësit zakonisht bëjnë pyetjen jo vetëm për çështjet konkrete por edhe në lidhje me të drejtën e tyre për të marrë këto vendime. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ata vendosin për të hedhur poshtë ligje të miratuara një legjislaturë e zgjedhur në mënyrë demokratike. Pyetja themelore që shtrohet është: si guxojnë ata?

Në 50 vitet e fundit pothuajse secili shtet ka një formë të gjykatës kushtetuese por rritja e fuqisë së këtij institucioni është një zhvillim i ri. Nëse hyjmë pak në histori do të shohim se trendi i demokracive perëndimore është ndjekur nga ai i demokracive të reja në Evropën lindore me entuziazëm. P.sh. Gjykata Kushtetuese e Hungarisë mund të jetë më aktivja dhe më e forta në botë.

Në demokracitë perëndimore, rritja e rolit të rishikimeve kushtetuese, në të cilat gjyqtarët vendosin në lidhje me ligjet apo rregulloret administrative është shoqëruar nga një rritje e ngjashme e rolit të asaj që quhet rishikim administrativ në të cilin gjyqtarët vendosin në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve të krahut ekzekutiv. Ta zëmë, në rastin tonë do të ishte më se e domosdoshme që në këtë gjykatë të dërgohen të gjitha vendimet që ka marrë ekzekutivi i Kosovës, pas zgjedhjeve. Autostrada për Shkup, me kosto prej 600 milionë eurosh, duhet t’i nënshtrohet gjykimit dhe anulimit.

Në Kosovë e kemi një situatë edhe më interesante. Së pari për shkak të specifikave, kjo gjykatë nuk është tërësisht në duart e vendorëve. Janë tre gjyqtarë ndërkombëtarë pjesë e panelit prej 9 anëtarësh sa ka kjo gjykatë. Prezenca e tyre e bën automatikisht këtë gjykatë jo fort të besueshme, sepse përcjell mesazhin që ju vendorët nuk jeni të besueshëm për të marrë vendime.

Çështja e dytë është se në shumë nga vendimet e rëndësishme të marra nga kjo gjykatë, kemi parë se janë pikërisht gjyqtarët e huaj që kanë gjykuar ndryshe, dhe kanë votuar në kundërshtim me të tjerët. E mira është se publikohen edhe arsyetimet e atyre që votojnë ndryshe dhe secili prej nesh ka pasur mundësinë të shohë si duket një arsyetim krejtësisht i pavarur, krahasuar me një arsyetim, i cili futet në labirintet e fjalëve për të gjetur mënyra të shpjegimeve për një vendim që nuk duket fort i qëndrueshëm. P.sh. Gjykata Kushtetuese do të mbahet mend për arsyetimin qesharak në lidhje me mandatin e presidentes, se “i gjithë populli pret që ajo të jetë presidente”.

Po kaq qesharake është puna e votimit të deputetëve në sallë, të cilëve ua mundësoi që të mos votojnë, edhe nëse janë prezentë në sallë dhe të bllokohet puna.

Një arsyetim i ngjashëm duket të jetë ky i grupeve parlamentare, ku në vendimin që kemi parë deri tani barazohen me subjektet politike. Fatmirësisht janë disa raste të cilat janë shqyrtuar nga kjo gjykatë, e që do të duhej të përdoreshin në vendimmarrje. Por se sa janë përdorur kjo do të shihet pasi të publikohet vendimi i plotë.

Tani le t’i largohemi pak rasteve konkrete dhe të merremi me atë që është esenciale. A janë këta gjykatës të paanshëm në vendimmarrje?

Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese do të duhej të ishin personalitete me kredibilitet të lartë, gjyqtarë me eksperiencë apo juristë të sprovuar. Ata nuk do të duhej të kishin ndonjë prapavijë politike në biografinë e tyre. Në rastin tonë është më se e qartë se këto cilësi nuk ekzistojnë duke ia filluar nga kreu i Gjykatës i cili është nën hetime (apo do të duhej të ishte pasi si duket i ka penguar), ka qenë i përfshirë në subjekte politike, madje në disa prej tyre, ka lidhje të ngushta me PDK-në, p.sh. është parë duke ngrënë darka e dreka me kreun e kësaj partie kohë më parë; është i përfshirë në një skandal komunikimi, gjë që e zhvleftëson seriozitetin e një autoriteti moral.

Nga ana tjetër edhe gjykatës të tjerë kanë treguar hapurmbështetje për një subjekt të caktuar politik, gjë që ka kompromentuar punën e paanshme të kësaj gjykate.

Personalisht janë shprehur disa herë se nuk i besoj kësaj gjykate, pasi në disa vendime si p.sh., ai për shpalljen si shkelës të Kushtetues ish-presidentin Sejdiu, ka qenë tërësisht politik. Ishte një vendim i marrë në zyrat e PDK-së e cila në 2010 dëshironte të shkonte në zgjedhje sa më shpejt në mënyrë që ta gjente LDK-në të papërgatitur dhe të goditur.

E në rast se nuk është punë anshmërie, si shpjegohet anulimi që i bëri kandidimit për kryeprokuror të shtetit, z. Aleksandër Lumezi? Vështirë të besohet se pa një urdhër politik.

Kjo Gjykatë Kushtetuese ka shkelur disa herë mbi vullnetin e sovranit, duke i atribuuar fuqi e pushtet vetvetes, edhe pse atë nuk ia jep Kushtetuta, e duke i zhveshur tërësisht nga fuqia përfaqësuesit e popullit.

Me pak fjalë kjo gjykatë sot vendos se kush do të bëhet kryeministër, e kush kryetar parlamenti, kush president e kush kryeprokuror i shtetit. Studiuesit mbase duhet ta klasifikojnë Hungarinë në vendin e dytë, pasi Kosova është kampione për sa i përket arbitraritetit të Gjykatës Kushtetuese.

Me një fjalë, këta gjykatës, sidomos kryetari na është shndërruar një jollogaridhënës por aspak elitist, i cili i fut hundët në politikë, për shkak të lidhjeve që ka me një subjekt, për shkak të mbase frikës që ka nga ai subjekt, por që po pengon vullnetin e njerëzve. Ai është kampion individual i mbrojtjes së abuzimeve të pushtetit nga politikanë intrigantë dhe arrogantë.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora