Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Edhe të vdekurve ua kanë frikën

| E hene, 25.08.2014, 06:44 PM |


EDHE TË VDEKURVE UA KANË FRIKËN

Në Kujtim të Viktimave të Komunizmit dhe Nacizmit

Nga Frank Shkreli

Të shtunën që kaloi në Washington u shënua 75-vjetori i Paktit nazi-komunist, Molotov-Ribbentrop në bazë të të cilit u nda Europa para se të fillonte Lufta e dytë Botërore.  Me këtë rast, Fondacioni amerikan për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit, së bashku me një numër kongresmenësh amerikanë, ambasadorësh të shteteve europiane dhe udhëheqsisht të të drejtave të njeriut, vendosën kurora lulesh në  "Hollin e Lirisë" të Kongresit amerikan dhe tek Monumenti i Viktimave të Komunizmit në Washington, duke shpallur 23 gushtin si "Ditën e Shiritit të Zi''-- për të nderuar kujtimin e atyre që ranë viktima të dikaturës totalitare komuniste dhe naziste, anë e mbanë Europës.  Është kjo data e nënshkrimit të Paktit famëkeq midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste, pakt i cili ndau Europën dhe që më në fund çoi në fillimin e Luftës së dytë Botërore.  Ky pakt përbënte alencën më famëkeqe midis Komunizmit dhe Fashizmit, një aleancë kjo e cila në dekadat që pasuan do të shkaktone miliona viktima të pafajshme në mbarë Europën.

Për të bërë këtë kujtim të përhershëm dhe ditën e 23-gushtit si ditën zyrtare të përkujtimit të miliona viktimave të komunizmo-nacizmit -- Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi projektligjin e paraqitur nga ligjvensi John Shimkus, i cili tani pritet të miratohet edhe nga Senati amerikan, që është dhoma tjetër legjislative e Kongresit amerikan, duke iu bashkua kështu një numri shtetesh europiane të cilat kanë vendosur që 23 gushti të jetë dita përkujtimore e viktimave të komunizmit dhe nacizmit.

"Shpresojmë që në të ardhmen, "Dita e Shiritit të zi" e 23 gushtit  (e Paktit Nazi-komunist, Molotov Tibbentrop) të jetë një ditë që do të njihet më mirë dhe të përdoret si një rast për të përkujtuar të gjitha viktimat e komunizmit dhe të fashizmit në Europë", u shpreh të shtunën që kaloi, Z. Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit në Washington dhe njëkohësisht tha ai, të shërbejë si një rast për të "edukuar  brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm, mbi ideologjinë, historinë dhe mbi trashëgiminë e komunizmit", shtoi ai.  Z. Marion tha se është e rëndësishme që kjo ditë të shënohet jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës, pasi komunizmi, shtoi ai, "sundon ende në të pakën 5 vende të botës  dhe se në disa vende që kishim menduar se ishte zhdukur, shohim shënja se po rikthehet".   Kjo, tha ai, ndodhë sepse ekziston një mungesë njohurie mbi realitetin e jetës nën regjimet komuniste, 25 vjet pas shëmbjes së tyre në Europë.  Përveç kësaj,  Fondacioni amerikan për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit  njoftoi  gjithashtu planet për ndërtimin e një Muzeumi të Historisë së Komunizmit Ndërkombëtar në parkun e madh të Washingtonit (National Mall), duke filluar nga viti 2017.  Njohja e së kaluarës, është jetësore, tha ai, për të ruajtur lirinë tonë në të ardhmen dhe shtoi se ndonëse rrymat totalitare mund të marrin forma të ndryshme, ato gjithmonë, pa dallim,  çojnë në vdekje dhe shkatërrim, tha me këtë rast, Drejtori i Fondacionit për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit, Marion Smith.

75-vjetori i Paktit Molotov-Ribbentrop, përveç në Amerikë, u shënua edhe në shumë vende europiane dhe në Kanada.  Madje, Kryeministri i Kanadasë, Z. Stephen Harper, të shtunën bëri një deklaratë të fortë zyrtare me këtë rast, duke thënë se "Kjo është një ditë për të mbajtur zi për viktimat që kanë humbur jetën nën këto dy regjime të këqia e çnjerzore dhe njëkohësisht”, shtoi ai “përulemi para atyre burrave e grave të guximshme, të cilët luftuan kundër shtypjes dhe tiranisë."  Kryeministri Harper u shpreh se, "Qeveria jonë është e vendosur dhe e angazhuar që të nderojë dhe të kujtojë viktimat e komunizmit dhe të nacizmit".  Kjo, u shpreh udhëheqsi kanadez, "është arsyeja që ne jemi duke mbështetur përpjekjet për të ndërtuar një monument në kryeqytetin kanadez, me të cilin do të nderohen qindra miliona burra, gra e fëmij, të cilët vuajtën nën tiraninë komuniste".   Kryeministri kanadez, ditën e përkujtimit të viktimave të komunizmit dhe nacizmit u bëri thirrje bashkatdhetarve të tij që tu bashkohen përpjekjeve të qeverisë kanadeze, për të promovuar dhe për të mbështetur vlerat e lirisë, të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të ligjit, anë e mbanë botës dhe të “bëjmë çdo gjë të mundur të sigurohemi që krimet e bëra gjatë periudhave më të errëta të historisë së njerëzimit, të mos përsëriten më."

Është e pamundur të mos bëhet pyetja: Po Shqipëria dhe shqiptarët, si e kujtuan këtë ditë ?  Duke u bazuar në medien shqiptare, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shënoi  me këtë rast në faqen e tij në facebook thënjen e aq përdorur e të lodhëshme , "se e kaluara nuk duhet harruar, ashtuqë të mos përsëritet", por nuk thuhet se për të cilën të kaluar e ka fjalën, ose çfarë ka ndodhur në atë të "kaluar" dhe pse ajo e kaluar nuk duhet të përsëritet më.   Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëherazi edhe Kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, Z. Lulëzim Basha, njoftoi si me “gjysëm zëri”, planet e Bashkisë për të ndërtuar një monument viktimave të komunizmit, por  mbetet për tu parë nëse edhe kjo iniciativë do mbetet në gjysëm të rrugës si iniciativat e tjera të njoftuara gjatë 24 viteve të fundit, në lidhje me viktimat dhe të përndjekurit e regjimit komunist, përfshirë edhe hapjen e dosjeve dhe dënimin e atyre krimeve.   Ndoshta nuk janë gjithëpërfshirse këto deklarata, por janë simbolike për nga fakti se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Basha, që përfaqësojnë brezin pas komunist të politikanëve dhe si të tillë pritet më shumë prej tyre.  Heshtja e tyre në lidhje me këtë çështje është shqetsuese, për të mos thënë e turpshme.  Kjo heshtje është edhe më e turpshme kur vihen re shënja të rehabilitimit të reputacionit të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, pa u venë vesh fare krimeve të kryera një prej regjimeve më brutale komuniste të asaj kohe.  Si mund të justifikohet kjo heshtje zyrtare e të gjitha partive dhe qeverive të 20-viteve të fundit?  A mos kanë ende frikë nga viktimat e vdekura të komunizmit?  Në çfarë bazash morale, politike a po thjeshtë njerëzore e humanitare mund të heshtet për këtë të "kaluar" që nuk duhet të "përsëritet". Për një përvjetor, për të cilin flet dhe e kujton e mbarë bota e qytetëruar?  Pse këto ngurrime çerek shekullore për të pranuar dhe për të dënuar natyrën shkatërrimtare dhe kriminale të regjimit komunist shqiptar dhe të ideologjisë totalitare të tij, siç ka ndodhur në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës?  A nuk meritonin viktimat e komunizmit në Shqipëri, lirinë dhe dinjitetin njerëzor?  A nuk meritojnë që këto viktima të kujtoheshin dhe të nderoheheshin për sakrifciat e tyre, në të njëjtën ditë me viktimat e tjera të komunizmit ndërkombëtar?  A por viktimat e komunizmit shqiptar, ishin më pak të rëndësishme, sipas Ramiz Alisë, i cili ka deklaruar se dënimet dhe vrasjet e “armiqëve” të “pushtetit popullor”  nuk ishin një mëkat.   Ndalimi i "tufëzave" të bagëtive ishte mëkat më i madh, sepse sipas ish-udhëheqsit komunist shqiptar, ndalimi i tyre varfëroi fshatin.

Heqja dorë nga degradimi politik, mendor dhe moral i komunizmit duket se është një fenomen nga i cili nuk mund të shkëputet aq lehtë, as elita politike shqiptare, as shoqëria shqiptare në përgjithësi.   Mund të thuhet se e gjithë shoqëria shqiptare ishte viktimë e këtij sistemi, por mund të thuhet gjithashtu se – siç ka ndodhur edhe në shoqëritë e tjera të Europës Lindore – shoqëritë edhe atje ishin deri diku  toleruese ndaj atij regjimi, qoftë nga pamundësia për të ndryshuar gjë, qoftë edhe nga indiferenca ndaj krimeve  ndaj kundërshtarve të atij sistemi.  Populli gjerman ishte njëri prej viktimave më të mëdha të nacizmit, por njëkohsisht nuk mund të çfajsohej nga krimet e hitlerizmit. Por populli gjerman, si asnjë tjetër në Europë, ka pranuar fajin dhe është "çliruar" nga e kaluara naziste dhe komuniste, duke I dënuar krimet e këtyre sistemeve, jo vetëm ndaj gjermanëve por edhe ndaj popujve të tjerë. Madje Gjermania ka paguar edhe shpërblime të mëdha gjatë dekadave.  Si përfundim, në këtë 70-vjetor të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, për gjermanët humbja e regjimit nazist solli lirinë për kombin e tyre dhe ashtu festojnë.  Ndërsa për vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore, fitorja kundër fashizmit solli vendosjen e regjimeve totalitare të një ideologjie tjetër shtypëse, atë të komunizmit ndërkombëtar.  Ndryshe nga Gjermania, fitorja mbi fashizmin në vendet e Europës Lindore nuk solli lirinë as nuk u dha fund  krimeve, shtypjeve dhe përndjekjeve në këto vende, përfshirë edhe Shqipërinë dhe trojet shqiptare në Ballkan, të cilat mbetën nën influencën komuniste për pothuaj një gjysëm shekulli.

Por, fatkeqsisht, ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste ku viktimat e regjimeve komuniste kujtohen dhe nderohen për sakrificat e tyre, viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, madje edhe në prak të 70-vjetorit të “çlirimit” të Europës  -- u duhet të jetojnë me idenë dhe justifikimin se torturuesit dhe persekutuesit e tyre gjatë një gjysëm shekulli, duhet të konsiderohen se ishin gjoja çlirimtarët dhe jo ndjekësit dhe persekutuesit e tyre.  Viktimat e komunizmit shqiptar, të përndjekur dhe të vrarë nga njëri prej regjimeve  më të ashpëra komuniste në botë, fatkeqsisht si në asnjë vend tjetër të Europës, janë   të harruar dhe të nepërkëmbur në demokraci.