Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Imam Vehbi Ismaili - patriot...

| E diele, 24.08.2014, 09:12 AM |


IMAM VEHBI ISMAILI -- PATRIOT, NJERI I FESË DHE DISHEPULL I TRADITËS SË TOLERANËS FETARE NDËR SHQIPTARËT

Nga Frank Shkreli

Siç është njoftuar më heret, Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë të Djelën më 21 shtator. Gjatë këthimit të tij me aeroplan nga Seuli për në Romë të hënën, Papa zhvilloi një seancë me gazetarët që e kishin shoqëruar në vizitën e tij Koresë së Jugut.  Ndër pyetjet e shumëta të gazetarëve që kishin të bënin me gjëndjen aktuale në botë, udhëheqsi i Kishës Katolike u pyet edhe se pse kishte zgjedhur të vizitonte Shqipërinë në shtator.  Në përgjigje të pyetjes, Ati i Shënjtë -- sipas Radio Vatikanit -- nënvijoi se ai nuk po vizitonte Shqipërinë, siç kanë supozuar disa, se sipas tyre, është në stilin e Papës për të filluar në “periferi”. Radio Vatikani njofton Papa u tha gazetarëve, se ai po viziton Shqipërinë për dy arsye të rëndësishme: “e para sepse shqiptarët kanë arritur të krijojnë një shtet të unitetit kombëtar midis tri feve kryesore të shqiptarëve, islamizmit, ortodoksisë dhe katolicizmit, falë një Këshilli Ndërfetar që vepron me shumë ekuilibrim”. Kjo tha Papa është një gjë e mirë dhe shtoi se, “Prania e Papës (në Shqipëri) do të shërbejë për t’i thënë të gjithë popujve të botës se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.”  Papa Françesku u tha gazetarve se arsyeja e dytë me rëndësi se pse ai po viziton Shqipërinë në shtator, ka të bëjë me historinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, ishte unike ndër vendet ish-komuniste, kushtetuta e së cilës ndalonte me ligj fenë dhe se ishte shpallur vend ateist. “Të merrje pjesë në meshë, ishte kundër kushtetutës” së regjimit komunist, u tha Papa gazetarëve të huaj.  Sipas Radio Vatikanit,gjatë përgjigjes ndaj pyetjes mbi vizitën e ardhëshme në Tiranë, ai përmendi gjithashtu edhe shkatërrimin e kishave gjatë sundimit komunist dhe si përfundim, ai sot e ndjenë si detyrë që të vizitojë atë vend fisnik, është cituar të ketë thënë Papa.

Duke u bazuar në prononcimet e Vatikanit dhe të deklaratave të vetë Papa Françeskut, është e qartë se njëra prej arsyeve kryesore që ai ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Europë pikërisht në këtë moment të historisë, ka të

bëjë me vlerësimin e madh që Selia e Shënjtë i kushton harmonisë dhe tolerancës fetare ndër shqiptarët.  Është kjo një traditë me të cilën shqiptarët kudo, me të drejtë, mburren.  Por kjo harmoni nuk ka pikur nga qielli, por ka tani dhe ka pasur mbështetsit dhe promovuesit e saj, pikëspari në radhët e udhëheqsve fetarë të tri besimeve kryesore, tani dhe në të kaluarën, si mbrenda trojeve shqiptare ashtu edhe në mërgim.

Njëri ndër ta në mërgim ka qenë Imam Vehbi Ismaili, një udhëheqës i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe i atij mysliman në veçanti. I njohur mirë mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare, i përndershmi Imam Vehbi Ismaili, i lindur në Shkodër, ka shërbyer për disa dekada si udhëheqësi i Qendrës Islame Shqiptare në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si udhëheqës fetar dhe atdhedashës i dalluar, gëzonte një respekt jashtzakonisht të madh nga i mbarë komuniteti, pa dallim feje e krahine.  Jeta dhe veprimtaria e tij është shumë e pasur në shumë fushë, por për qëllimet e këtij shkrimi modest dhe për kohën që jetojmë, e kujtojmë Imamin e ndershëm, sidomos për kontributin e tij të madh dhe të pashkyeshëm në harmoninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve pa dallim feje -- në vigjilje të vizitës së njoftuar të Papës në Shqipëri, siç duket si njëra prej dy arsyeve kryesore që ai po viziton shqiptarët.  Tradita e harmonisë fetare midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme  simbolizohej më së miri nga jeta dhe veprimtraia e Imam Vehbi Ismailit. Ai ndërroi jetë më 2008, por trashëgimia e tij në fushën fetare dhe kulturore është gjithnjë frymëzuese për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve, dhe jo vetëm në Amerikë. Ai gjithë jetën e kaloi në shërbim të fesë dhe të Atdheut, si promovues i harmonisë fetare dhe jo vetëm në radhët e shqiptarëve, por edhe më gjërë.  Ky qendrim i tij vihej në dukje kurdoherë që fliste.

Një rast i tillë që ende mbahet mend nga pjesmarrlsit, ishte pothuaj 30 vjetë më parë, më 1985 kur Qendra Katolike Shqiptare për Informim, në San Francisko të Kalifornisë pat organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste.  Ironikisht, por ndoshta simbolikisht, diktatori Enver Hoxha, shtypësi i fesë dhe i të drejtave dhe lirive bazë të njeriut,  vdiq në vigjiljen e mbajtjes së Përkujtimores, tema e së cilës ishte paqa dhe pajtimi dhe  njëherazi u bë thirrje për një përpjekje të shërimit të plagëve kombëtare.  Në këtë ceremoni përkujtimore pat marrë pjesë edhe Imam Vehbi Ismaili, i cili me fjalimin e tij bëri që i gjithë kongregacioni të ngrihej në këmbë me duartrokitje. Në atë fjalim, përmbajtja e të cilit rezonon aq fuqishëm dhe është profetizues edhe për ditët tona, Imami shqiptar iu drejtua pjesmarrësve, ku përveç shqiptarëve kishte edhe shumë amerikanë dhe përfaqsues të kombësive të tjera, duke thënë se, “Jetojmë në një botë, të rrezikshme – në një botë ku forcat e errëta të fanaticizmit –  politik, fetar dhe racial --  kanë ndërmarrë një sulm frontal kundër vlerave morale dhe shpirtërore, të cilat janë pjesë e përvojave tona, kryesisht e trashëgimisë sonë fetare. Luftërat e ashpëra dhe primitive” tha ai, “konkurojnë me urinë dhe sëmundjet për të zënë vendin e parë, në një garë që po kërcënon themelet bazë të jetës dhe të shoqërisë tonë.  Lufta midis të keqës dhe të mirës ka arritur proporcione të pashembullta” theksoi ai. “Nuk është kjo një luftë e një feje kundër tjetrës, por është vetë feja që po kërcënohet që të zhduket nga faqja e dheut.  Feja është bërë objekt sulmi i forcave të verbëta të së keqës dhe të shaktërrimit”, tha Imam Vehbi Ismaili, 30-vjetë më parë në fjalimin e tij në San Francisko të Kalifornisë.  Duke falënderuar organizatorët e ceremonisë së përkujtimit të persekutimeve fetare në Shqipëri për ftesën që i kishin bërë, Imam Vehbi Ismaili tha me atë rast se kishte dy arsye se pse ai e ndjente si një detyrim të ishte i pranishëm në atë ceremoni.  Njëra arsye për pjesëmarrjen e tij, shtoi ai, si udhëheqës fetar ishte e shënjtë dhe “arsyeja e dytë   ishte njerëzore, e cila ka një vlerë njerëzore universale.”  Ai theksoi se, “Të gjithë ne, pa përjashtim jemi krijesa të Perëndisë, të një familjeje të madhe dhe unike…Si mysliman” vazhdoi ai,  “unë e ndjejë veten pjesë e kësaj familjeje njerëzore, të një familjeje të vetme dhe të pandarë… vëllëzer e motra , pjesëtarë të races njerëzore”.  Imam Vehbiu vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se , “Vrasja e një prifti të krishtërë ose të një imami mysliman në Shqipëri ose në Kinë, ose të një të burgosuri shqiptar në Jugosllavi, ose të një hebreji të torturuar në Bashkimin Sovjetik, ose vrasja e një zezaku në Afrikën e Jugut…të gjitha këto janë plagë të pashërueshme që brengosin dinjitetin tonë njerëzor dhe si të tilla duhet të kundërshtohen me të gjitha fuqitë dhe pa marrë parsyshë pasojat…ne duhet të shohim, të dëgjojmë, dhe të flasim me qëllim për të ndaluar, në të ardhmen, holokauste kundër njerëzimit.  Çdo gjë më pak do të ishte baraz me tardhëtinë kundër njerëzimit”, ka thënë Imam Vehbi Ismaili.

Duke folur për harmoninë dhe tolerancën fetare, që siç tha ai është një subjekt shumë afër zemrës dhe veshit të tij, ai u shpreh se, “Ndoshta shëmbulli më i mirë i bashkpunimit dhe tolerancës midis feve dhe besimeve të ndryshme mund të gjëndet këtu, në këtë shtet të bekuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pikërisht në radhët e besimtarëve shqiptarë në këtë vend.   70-vjetë më parë kur ortodoksit shqiptarë morën iniciativën për të ndërtuar kishat e tyre në Amerikë, myslimanët shqiptarë”, tha ai, “kontribuan bujarisht për ndërtimin e faltoreve ortodokse shqiptare. 35-vjetë më parë kur myslimanët shqiptarë filluan ndërtimin e xhamisë së parë në Detroit, ortodoksit shqiptarë ndihmuan gjithashtu bujarisht. Dhe kohët e fundit2 vazhdoi Imam Vehbiu, “kur vëllezërit dhe motrat tona katolike shqiptare filluan fushatën për ndërtimin e kishave të tyre në New York dhe në Detroit, në xhamitë tona u mblodhën fonde për ndërtimin e kishave katolike në Amerikë.  Kjo është Amerika!  Kjo është Shqipëria në liri.  Kjo është ndërgjegjia më e lartë njerëzore”, përfundoi Imam Vehbi Ismaili fjalimin e tij 30-vjetë më parë, me rastin kujtimit të 40-vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste.

Ky ishte Imam Vehbi Ismaili, shembull fetari dhe patrioti, i cili së bashku me Imzot Fan Nolin dhe me klerikët katolikë shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshin dhe Don Prenk Ndreavshajn, ndër të tjerë, njëkohësisht si patriotë dhe fetarë që ishin, ata e dalluan veten si bartës të traditës shqiptare të tolerancës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, duke mos humbur kurrë dashurinë e tyre për atdheun.

Jetën dhe veprimtarinë e Imam Vehbi Ismailit e përmblodhi më së miri redaktori i Shtëpisë botuese Logos-A në Shkup – e cila ka botuar  përmbledhjen prej disa vëllimesh të veprave të  Imam Vehbi Ismalit,  Z. Afrim Gashi i cili duke pasqyruar, në një intrevistë me Zërin e Amerikës, vlerat fetare dhe patriotike të Imam Vehbiut, u shpreh se, "Ajo që na dallon ne shqiptarëve nga popujt e tjerë, është edhe mënyra si e praktikojmë ne Islamin, sepse tek shqiptarët Islami nuk është përplasur me kulturën shqiptare, kështuqë feja dhe kultura shqiptare kanë bashkëjetuar mes tyre. Veprat e Imam Vehbi Ismailit, jeta dhe veprimtaria e tij në Shtetet e Bashkuara është tregues se Islami te shqiptarët dallohet nga ai te kombet e tjerë", tha Z. Gashi.

Kontributi i Imam Vehbi Ismailit, me  shmbullin e tij dhe me shkrimet dhe veprimtarinë e tij, mbetet tepër i madh edhe gjithnjë mbahet mend si klerik dhe patriot i dalluar në radhët e shqiptarëve të gjitha feve, si promovues  i harmonisë, tolerancës, bashkjetesës dhe respektit ndaj njëri tjetrit, pa marrë parasyshë dallimet fetare ose krahinore që mund të ekzistojnë. Ai është mishërim i i dashurisë së tij për fenë dhe për Atdheun. Ai është cituar të ketë thënë me një rast se, “Një klerik i ndershëm, nuk e tradhëton kurrë atdheun.”

Nderim dhe respekt për trashëgiminë e traditës së harmonisë fetare ndër shqiptarët dhe për kontributin  në këtë fushë të Imam Vehbi Ismailin, kësaj figure të shquar atdhetare dhe fetare të kombit shqiptar, të kësaj tradite dhe trashëgimie ndër shqiptarët, për të cilën edhe Papa Françesku u prononcua para botës se po shkon në shtator në Shqipëri për të adhuruar këtë traditë tolerance dhe harmonie fetare dhe njëkohësisht, siç u shpreh ai vet, që me praninë e tij në Shqipëri, t’u thotë, “të gjithë popujve se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.”

Fotot janë marrë nga Buletini Katolik Shqiptar, botuar me 1985 ku përshkruhet ceremonia me rastin e 40-vjetorit të persekutimit të fesë në Shqipërinë komuniste dhe ku janë botuar edhe fjalimet e rastit të përfaqsuesve të lartë politikë dhe fetarë, përfshirë edhe fjalimin e Imamit Vehbi Ismaili.