E shtune, 20.04.2024, 12:14 PM (GMT+1)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Tri Jo-të jetike të Kosovës

E diele, 24.08.2014, 09:37 AM


TRI JOTË JETIKE TË KOSOVËS

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

1. JO ZGJEDHJEVE TË JASHTËZAKONSHME

Tashmë edhe vetë ndërkombëtarët e Kosovës, përkatësisht qeveritë të cilët ata i përfaqësojnë, janë bindur se Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Kosova nuk mund t'i ndërrojë zgjedhjet e 8 qershorit, të pranuara si të paqortueshme nga të gjithë faktorët e Kosovës dhe të gjithë faktorët e interesuar për Kosovën, me një palë zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat do të ishin pashmangshmërisht kontrasti i plotë i 8 qershorit, do të ishin në çdo sens krejtësisht të papranueshme.

Ata janë të bindur edhe se lojërat e PDK-së nuk mund të vazhdojnë gjatë dhe se koha e lënë atyre në përdorim që të arrijnë numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvendin e ri të Kosovës për të qeverisur më tej, është në mbarim, po ashtu durimi i Kosovës do të ketë një mbarim.

Prandaj edhe faktorët e përmendur ndërkombëtarë janë gjithnjë e më të pajtueshëm për një front gjithnjë e më solid që do t'ia pamundësonte PDK-së lojën e mëtejshme. Kjo kupton konsolidimin e katërshes qeverisëse LDK-AAK-NISMA-VV. Në çdo ditë, çdo orë, çdo minutë që kalon shihet më e mundshme, më e domosdoshme dhe më jetike qeverisja e përbashkët e këtyre katër forcave politike, të cilat kanë të përbashkët vendimtare të tyre pikërisht largimin e PDK-së nga qeverisja dhe nxjerrjen e saj përfundimtare në opozitë.

Pasi kanë në duart e tyre vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, katër forcat politike ish opozitare është urgjente të lëvizin drejt plotësimit të organeve drejtuese dhe përbërëse të Kuvendit të Kosovës, si dhe krijimit të institucioneve të reja që burojnë nga ky institucion sovran i shtetit republikë parlamentare të Kosovës.

Vendosmëria e PDK-së për të mbajtur pushtetin e bën të pashmangshme vendosmërinë e shumëfishtë të ish opozitës për t'ia pamundësuar asaj mbajtjen e mëtejshme të pushtetit.

2. JO ZGJEDHJEVE TË REJA SIÇ I DO THAÇI

Situata që ka krijuar PDK pas zgjedhjeve të 8 qershorit i ka dobësuar më tej institucionet në Kosovë, duke filluar që nga vota e Sovranit, që është institucioni themelor i çdo shteti demokratik apo me synime demokratike, i çdo vendi sovran me shtet ligjor apo që synon shtetin ligjor. Kjo shënon kulmin e veprimtarisë shumëvjeçare kundërinstitucionaliste të PDK-së dhe të Thaçit. Situata, prandaj, gjithsesi e mban të hapur parantezën e zhvillimit të zgjedhjeve të reja, ku votuesi, qytetari i Kosovës me të drejtë vote, sa më i pafrustruar, sa më i pafrikësuar të japë votën e tij sa më të pacënueshme nga makinacionet si ato që krijuan Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të cilët PDK-ja i ka shndërruar tashmë në dy joinstitucione.

Faktorët ndërkombëtarë e kanë theksuar gjithnjë se Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhje të reja pa kryer një reformë zgjedhore sa më të plotë. Prandaj, një nga detyrat e ngutshme të institucioneve të reja do të jetë pikërisht kryerja e kësaj reforme, çka e bën komode vajtjen e Kosovës në zgjedhje të reja në mënyrë të natyrshme, në kohën, kushtet dhe rrethanat sa më optimale për vendin.

3. JO ZGJEDHJEVE TË REJA KUR I DO THAÇI

Nga pika e mësipërme del, pra, se zgjedhjet e reja, në asnjë mënyrë, nuk bën që të imponohen në asnjë rrethanë të tyre nga PDK dhe Thaçi. Do të ishte vërtet një fitore për këta faktorë dhe një humbje për Kosovën çdo përputhje dhe çdo pajtim me interesat e këtyre faktorëve në situatat e ardhshme vendimtare të Kosovës.

Ky kontekst do t'ia krijonte mundësinë e re PDK-së që të reformohet si një faktor institucionalist, në mënyrë që të luajë rolin e saj të opozitës konstruktive dhe të hapë perspektivën e saj konkuruese në çdo garë politike të ardhshme.

* * *

Pra, tri jotë jetike të Kosovës - jo zgjedhjeve të jashtëzakonshme, jo zgjedhjeve të reja si i do Thaçi, jo zgjedhjeve të reja kur i do Thaçi, janë rrugëzgjidhja e vetme e situatës absurde të krijuar, janë rrugëdalja e vetme nga qorrsokaku i këtyre muajve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora