E marte, 31.03.2020, 02:53 PM (GMT+1)

Aktualitet

Ramiz Lushaj: Plagët e reja të Plavë-Gucisë

E shtune, 23.08.2014, 08:48 PM


PLAGËT E REJA TË PLAVË-GUCISË

Intervistoi: Ramiz LUSHAJ

-Intervistë me ing. Tahir Gjonbalaj, një nga personalitetet e shquara të botës e kohës panshqiptare; një kreshnik kombëtar modern i trevës së Plavë-Gucisë; një ndër themeluesit e nënkryetar në dekada i të parës parti politike shqiptare në Malin e Zi – i Lidhjes Demokratike (1990); një ndër veprimtarët ma të hershëm të Pavarësisë së Kosovës (4 tetor 1991); antar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi; takime me presidentin Bill Klinton, me presidentë e kryeministra të shteteve të Ballkanit, etj.; kryeorganizator i katër simpoziumeve për historinë e kulturën e Plavë-Gucisë; nismëtar e kryefjalë i Manifestimit tradicional panshqiptar “Alpet Shqiptare” (Vuthaj, çdo 1 gusht), i dekoruar nga AFCES me Çmimin e madh “Pjetër Bogdani”; prej 16 vitesh zyrtar profesional në komunën e Plavës, etj.

-Ing. Tahir Gjonbalaj, prej kohësh në Plavë-Guci kryefjalë e ditës janë rrugët e shkurtëra ndërkufitare panshqiptare e ndërkombëtare që e lidhin krahinën tuaj me Kosovën e Shqipërinë, po edhe me vet Malin e Zi  si me Podgoricën, Tuzin, Ulqinin e Tivarin. Ju, në këto tri dekadat e fundit, pa mëdyshje, jeni një ndër “promotorrët” e hapjes së këtyre rrugëve, përndryshe: një nga flamurtarët e tyre. A po më kallxo’ shkurt për historinë e gjatë të rrugës së vështirë e përparësore Plavë-Deçan?

-Komuna e Plavës, që përfshinte edhe Gucinë me Vuthaj e Martinaj (komuna Plavë-Guci) qyshse në kohën e krizave të shpërbërjes së Jugosllavisë Avnojiste Federaliste (RSFJ), në vitin 1990, i ka pri’ vet andrrës, objektivit e punës sipërmarrëse aktive për hapjen fizike të kësaj rruge nacionale në 45 km gjatësi të saj, nëpër bjeshkë, pa tunel, në kushte jo ideale, po të pranueshme. Gjithashtu, komuna e Plavës, po në vitin 1990, kryesisht me inisiativën e vet, ndërmori edhe një hap tjetër: përgaditjen e Projektit (Vijadukte) të rrugës moderne Plavë-Deçan në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Sarajevë (BH). Ky Projekt cilësor parashikon rrugën e asfaltuar me 33 km gjatësi, me një tunel 4.450 metra, me ura, etj. të kalueshme edhe në stinën e dimrit.

Pas Luftës së Kosovës (1999) u riaktivizua çështja e hapjes së rrugës, e cila pas shpërbërjes së Unionit Mali i Zi-Serbi (2003-2006) dhe shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi (2006) e të Kosovës (2008) trajtohet si “rrugë ndërkufitare”, ndërkombëtare. Kjo rrugë është çështje e përbashkët ndërshtetërore për t’u zgjidhur në mes dy shteteve të reja ballkanike: qeverive të Malit të Zi e të Kosovës, ndoshta me shtysë, fonde, mbikqyrje edhe të Komunitetit Ndërkombëtar si Bashkimit Europian, etj.

Kryeministrave të Kosovës, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku e pothuaj në çdo mandat qeverisës  Hashim Thaçit, ua kemi ngrit’ çështjen e rrugës Deçan-Plavë, si nga ana ime, Tahir Gjonbalaj, në cilësinë e një prej përfaqësuesve të partisë së parë shqiptare Lidhja Demokratike në Mal të Zi (e me veprimtarë të kësaj partie të Plavë-Gucisë e Tuzit), si një nga veprimtarët e Pavarësisë së Kosovës, si një inxhinier e në 16 vite zyrtar profesional komunar i Plavës. Shpesh në këto takime kemi qënë sëbashku me titullar të komunës së Plavës. Herën e fundit, sivjet, ishim me kryetarin e komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviq në takim pune me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Takime të tilla kemi krye edhe në Tiranë dhe në Podgoricë.

Prej kohësh kemi krijue lidhje të mira mes komunës së Plavës (Plavë-Gucisë) e të Deçanit. Ka një vit që dy komunat jemi binjakëzua ndërveti. Kemi pasë takime pune e marrëveshje të përbashkëta edhe për rrugën. E kemi, si po thoni edhe ju: kryefjalë. Në fillim, sëbashku me kryetarin e komunës së Plavës, Adem Jaseviq, jemi takuar me kryetarin e komunës së Deçanit, Ibrahim Selmanin. Vitet e fundit kemi pasë disa takime në Plavë-Guci e në Deçan në mes kryetarëve Orhan Shahmanoviq e Rasim Selmanaj, deri edhe në rang delegacione pune nga dy komunat fqinjë.

Para disa ditësh, më 1 gusht 2014, ministri i Kulturës i Kosovës, nënkryetari i PDK, Memli Krasniqi, në fjalën e tij përshendetëse në Manifestimin “Alpet Shqiptare. Vuthaj, 2014”, siç e ndigjuat edhe ju, tha e dha në emër të Qeverisë së Kosovës premtimin e madh se rruga Deçan-Plavë është paraparë në planin pesëvjeçar të shtetit të Kosovës, ku çdo vit ka të detajuar fondet e veta.

Manastiri i Deçanit e detyron rrugën me u ngjit pak ma lart, po edhe ne, në Plavë-Guci, presim që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Të paktën Qeveria e Kosovës të hapin rrugën deri tek vija e demorkacionit Mali i Zi-Kosovë...

-Zoti Tahir, një atdhetar luftëtar i këtuhit, këto rrugë në shtypin në Amerikë i cilëson si “damarë të zemrës”. Tashti po due me të dvet për “damarin” tjetër tejet të randësishëm: Guci-Vermosh-Hani i Hotit apo, si i thonë këndej në traditë: “Rruga e Shkodrës”, e cila në fakt të çon edhe në Tiranë, po edhe në Podgoricë, në Ulqin e Tivar.

-Rruga Guci-Shkodër po kryhet pas shumë viteve kërkesa e përpjekje, projekte e marrëveshje mes qeverive të Shqipërisë e të Malit të Zi. Interesim të lartë ka dëshmuar edhe komuna e Plavë-Gucisë, si dhe shoqëria civile e personalitete nga diaspora shqiptare në Amerikë e në Europë. Sëbashku me kryetarin e komunës të Plavës, Orhan Shahmanoviq, kemi shkue dy herë në Tiranë gjatë dy viteve të fundit, në takime pune me sukses me ish kryeministrin Sali Berisha e me kryeministrin e sotëm, Edi Rama, ku e kemi pasë kryefjalë bisede rrugën Guci-Shkodër. Për këto takime kanë folë mediat shqiptare e të huaja.

Kjo rrugë drejt Shkodrës ka përfunduar në territorin e komunës së Plavë-Gucisë në parametrat e caktuar prej nga qyteti i Gucisë në Doganë – tek Pika e Kalimit Kufitar Mali i Zi-Shqipëri, kufi që ndan komunat e sotme Guci e Kelmend. Edhe në pjesën e Shqipërisë Londineze, rruga nga Pika Kufitare-Doganore Guci deri në Vermosh (7 km) është krye. Punohet me ritme jo të shpejta në segmentin prej 27.2 km nga Tamara (Kelmend) në Hani i Hotit (Shkodër). Deri tani kanë mbaruar mbi 30 km të rrugës ndërkufitare panshqiptare e ballkanike Guci-Shkodër, e cila ka pasë mbi 26 milionë USD financim nga Tirana e Bashkimi Europian. Në takimin me ish kryeministrin Sali Berisha na është thënë se segmenti rrugor nga Vermoshi në Tamarë njihet si “rrugë ndërkufitare” e, si e tillë, është projekt i përbashkët i dy shteteve: Shqipërisë e Malit të Zi, ka një marrëveshje të firmosur mes dy qeverive përkatëse qyshse në vitin 2012. Pala shqiptare e Tiranës, me vendim qeverie, e ka miratuar projektin, e ka akorduar pjesën e fondit të vet. Tani çështja mbetet për t’u krye nga Qeveria e Malit të Zi në Podgoricë. Në takimin e para disa muajve me kryeminstrin aktual Edi Rama na është premtuar se ky segment rrugor do të përfundoj së shpejti, në parametrat e duhur, në mirëkuptim të plotë dypalësh.

-Zoti Tahir, tue iu shpreh mirënjohje për kontributet e tua për këto rrugë kryesore ndërshqiptare e ndërkombëtare, po due me të dvet’ edhe për një rrugë të tretë: atë Plavë-Çerem (Margegaj) që kalon nëpër Qafën e Vranicës, lidhet me luginën e Valbonës, kalon rrugës ujore liqenore e tokësore përgjatë Bregut të Drinit e bie në Portin e Shëngjinit, që me gjasa, do të jetë “Porti i Kosovës”.

-Komuna e Plavës i ka hap 12 kilometrat e udhës në pjesën e saj. E ka krye detyrën e vet.

Në anën e Shqipërisë, në komunën fqinjë të Margegajt, nga Qafa e Vranicës deri në Dragobi, rruga ka përfunduar me kohë në 14 km e saj, e në disa segmente ka pasë rikonstruksione prej dëmtimeve nga sheu e bora. Prapë në këtë rrugë të projektuar me 6 m. gjerësi ka punë të pambylluna deri tek asfaltimi i saj.

Kjo rrugë ndërkufitare mundëson lidhjet farefisnore, ekonomike, kulturore e turistike të luginës së Valbonës e të rrethit të Tropojës me komunat e sotme të Plavës dhe të Gucisë. Po edhe i lidh Alpet me Detin Adriatik.

Dy kryeministrat: Sali Berisha i Shqipërisë dhe Milo Gjukanoviç i Malit të Zi, para disa vitesh kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për hapjen e Pikë-Kalimit Kufitar të Qafës së Vranicës. Pritet zyrtarizimi i saj, përurimi. Koha po ecën. Puna po vonon.

Në mes dy komunave kufitare, të Plavës (Mali i Zi) e të Margegajt (Shqipëri) kemi pasë takime pune të përbashkëta në vite, deri këto më të fundit në mes Orhan Shahmanoviq dhe Rexhë Biberajt, i cili ka katër mandate si kryetar i kësaj komune të luginës së Valbonës.

Këto tri rrugë, nga Plavë-Gucia drejt Deçanit, drejt Shkodres, drejt luginës së Valbonës, e përgjysmojnë kohën e udhëtimit, krahasuar me rrugët e derisotme rreth e rrotull nga Plava në Rozhajë-Pejë-Deçan dhe nga Plava në Kolashin-Podgoricë-Shkodër apo nga dy krahët e këtyne rrugëve për të shkuar deri në qytetin Bajram Curri të Tropojës.

Para së gjithash, këto rrugë ndërkufitare panshqiptare e mes tri shteteve ballkanike, janë korridore të integrimit euro-atlantik, të paqes ndërshtetërore e ndëretnike, të zhvillimit ekonomik e kulturor, të ruajtjes së shqiptarëve etnik të trevës tonë nga asimilimi sllav e mos shpërngulja e tyre nga trojet e veta.

-Zoti Tahir Gjonbalaj, prej vitesh ka lind e gangrenon një tjetër shqetësim i madh politik, etnik, pronësor, ekonomik në krahinën e Plavë-Gucisë lidhur me të ashtuquajturin “Parku Nacional”. Si është e vërteta e ecurisë së tij zyrtare, e problematikave të tij kundërshqiptare?

- Pesë vjet kemi pasë bashkëpunim të mirë me amerikanët e anglezët, dy miq të mëdhenj të tri shteteve ballkanike: Kosovës, Malit të Zi e Shqipërisë, për me e shpall “Parkun Kombëtar të Paqes”. Me inisiativën e asistencën e tyre ndërkombëtare u mbajt në Prishtinë në fund të vitit 2006 një takim pune final i përbashkët i të gjithë kryetarëve të komunave ku shtrihej ky Park, prej nga Istogu (Burimi) afër Pejës deri në liqenin e Shkodrës. Aty u firmos një marrëveshje. Nënshkruan të gjithë kryetarët e komunave: Skënder Sharkinoviq i Plavës (Plavë-Gucisë), Rexhë Biberaj i Margegajt (Lugina e Valbonës), ai i Pejës, i Deçanit, i Rozhajës, i Tropojës (Ast’), i bashkisë së qytetit të Bajram Currit, etj.

Aty, në atë takim ndërshtetëror të rëndësishëm, u ngrit Zllatko Buliq, përfaqësues i Malit të Zi,  e doli me deklaratë zyrtare: “Nuk do të lejojmë të ngrihet “Parku Ballkanik i Paqes” për arsye se e kontrollojnë shqiptarët...”. Ky, me të shkuar në Podgoricë, ua nisi përgaditjeve institucionale zyrtare për copëtimin fragmentar të Projektit. Mbeti vetëm në bjeshkët e Nemuna, që përfshinte disa komuna në trekëndshin kufitar Mali i Zi-Shqipëri-Kosovë si komunën e Plavë-Gucisë, Margegajt, etj. Ky Projekt do të pagëzohej si “Parku Hapësinor Prokletje” apo “Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna”.

Ky Park Nacional i okupon pronat e shqiptarëve etnik, i pengon shqiptarët në shfrytëzimin e menaxhimin e pronave të veta private të trashëgueshme e të ligjshme, të njoftuna zyrtarisht nga shteti jugosllav i kohës, edhe nga Jugosllavia e Parë e krajlëve. Gjithashtu e pengon edhe zhvillimin e turizmit alpin veror e dimëror në këto troje të shqiptarëve autoktonë, mbajtjen e blegtorisë,  shfrytëzimin e kullotave e pyjeve, etj.

Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna është i madh. I kap 16 mijë hektarë ose 160 km2.  Domethanë sa sipërfaqja e komunës së re të Gucisë (157 km2). Në shtrirjen e tij kap gjithato territore gjeofizike tërësisht etnike shqiptare në shekuj: Hotin (Hotin e Vendit), Zabelin, Jasenicën, Vojnosellën, Hakajt, Vishnjevën, Kukajt, Krushevën (Dardha), Kolinën, Vuthajt e  Dolin.

-Zoti Tahir, një ndërhyrje, ju lutem, një ndërhyrje: E, ju, heshtët përballë kësaj situate kundërshqiptare, kundër praktikave të tilla shovene qeveritare të Malit të Zi?!

- Jo. Kush u ka thënë se kemi hesht. Kemi ngrit zërin tonë shqiptar. Vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve etnikë të rrezikuara nga Parku Nacional, puna për ngritjen e të cilit, siç u thashë më lart, ka nisë në vitin 2006.

Vet personalisht, si nënkryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare në Malin e Zi, si qytetar i Gucisë e i Plavës, si zyrtar profesional komunar i Plavës, si një ndër të prekurit familjarisht e farefisnisht nga ky Park Nacional, kam shkue në janar të vitit 2007 në kryeqytetin shtetëror të Podgoricës. Aty e takova ambasadorin e Bashkimit Europian. Ia kam hap e dorëzuar në zyrën e tij dokumentacionin e plotë, ku dëshmohet se pronarët e sotëm të territoreve ku shtrihet Parku Nacional janë shqiptarët etnik. Ia kam kallxuar dokumentet ku Gjykata e Jugosllavisë qyshse në vitin 1933 ua kishte kthye këto prona qindpërqind shqiptarëve vendali në shekuj, të rritun në ato troje brez pas brezi.

Më 13 shkurt të vitit 2007 e kemi ba një Tubim Proteste tek dhoma e kulturës në qytetin e Plavës, ku e ngritëm zërin qytetar e politik kundër Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna, pasi ky dëmtonte interesat jetike të shqiptarëve autokton, shqiptarët nuk munden t’i shfrytëzojnë pronat e veta, etj. si pasojë shkaktojnë edhe shpërngulje të shqiptarëve nga tokat e fshatrat e veta, i hap rrugë asimilimit e pushtimit të pronave të shqiptarëve.

Kurrkush nuk e ka ndie deri në fund e plotësisht zërin tonë shqiptar. Kërkesat tona kanë lanë gjurmë, po problemet tona nuk kanë marrë zgjidhjen e premtuar prej asaj dite janari 2007 e deri më sot, në gusht 2014. Pra, po bëhen 8 vjet. Veprimtaria kundërshqiptare me Parkun Nacional ka mbet’ pothuaj e njëjtë. Më shumë se problematike.

Më 16 prill 2008  Kuvendi i Malit të Zi (Parlamenti) e miraton “Planin Hapësinor të Malit të Zi”, në të cilin përfshihet edhe “Plani Hapësinor - Prokeltje” (Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna). Për miratimin e këtij Plani i dhanë votat e tyre edhe tre deputetët e Plavë-Gucisë dhe Ferhat Dinosha, deputet i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Malin e Zi.

Për të disatën herë dua të theksoj edhe një problem tjetër tepër shqetësues për shqiptarët në dy komunat e sotme: Plavë e Guci. Ligji mbi shfrytëzimin e Parkut Nacional është një ligj diskriminues ndaj popullatës vendore autoktone shqiptare në hapësirat e Parkut Nacional.

Në elaboratin e Parkut Nacional thuhet se 92 për qind e pronave të territorit të tij janë shtetërore. Në fakt këto janë prona të uzurpuara popullit shqiptar autokton në shekuj, si të kelmendasve, hotjanëve, etj. pasi edhe vendimet e Gjykatës të Mbrëtërisë Serbe-Kroate-Sllovene (1933) e dëshmojnë qartë pronësinë shqiptare nga vet shteti jugosllav i krajlëve e, më vonë, edhe nga ai i Jugosllavisë së Dytë.

Parkun Nacional në Plavë-Guci e menaxhon një firmë shtetërore me seli në Podgoricë. Punëtorët i ka të vetët, jo plavë-gucias. I bien nga larg. Çdo e mirë natyrore e materiale i shkon kësaj firme shtetërore në Podgoricë. Asgjë nuk mbetet për banorët lokal, për shqiptarët etnik në Plavë-Guci.

-Pra, zoti Tahir, shteti malazez me Parkun Nacional paska një strategji oktapode, të kahershme, të thellë, të egër, krejtësisht kundër shqiptarëve të krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë.

- Po. Kjo histori për keq ka nis nga fillimi i viteve ’90, në kohën e shpërbërjes federaliste të Jugosllavisë (RSFJ).

Zona, ku sot shtrihet Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna (Prokletje), në ato vite u kthye në zonë ushtarake jugosllave. Ishte e dyta qendër komanduese e shtetit jugosllav për Malin e Zi. U shpall zonë e ndaluar në 5 km vijë ajrore përgjatë kufirit të Plavë-Gucisë me Shqipërinë. Nuk lejoheshin shqiptarët me dal as në bjeshkët e veta.

Në disa raste pata debate me autoritete civile e ushtarake, lokale e të qëndres, e ngrita shpesh çështjen në rrugë institucionale politike, partiake, etj. Disa zyrtarë edhe dëgjonin, po nuk reagonin në interes të së drejtës, pasi e shihnin veçse një e mirë në interes të shqiptarëve.

Pasi u krye “Lufta në Kosovë” (1999), nën trysninë e Bashkësisë Ndërkombëtare, Ushtria e Malit të Zi u detyrua me u tërhjek në kazermat e veta, në të tjera baza ushtarake të saj.

Shteti i Malit të Zi e ndërmori aktin tjetër: kësaj ushtrie ua ndrruan formën e emërtimit të saj, uniformën e saj, etj., po jo misionin e saj. Vendi ku sot shtrihet Parku Nacional u kthye pothuaj tërësisht në “Polici Kufitare Malazeze”. Njësoj si të parët. Këta qëndruan disa vjet. Edhe këta, prapë, vendosën disa kufizime të ndryshme për shqiptarët etnik të atyshëm. Kjo “Polici Kufitare” u largua vetëm me trysninë ndërkombëtare. Ishin miqtë tanë euro-atlantik të NATO-s e të BE-së që na u gjetën pranë në të dy rastet. Plavë-Gucia mori frymë më lirisht nga kufizimet e ushtrisë jugosllave (malazeze) dhe nga policia kufitare malazeze.

Kohët e fundit u gjet diçka tjetër: Një shpikje ndryshe në formë. Misioni po i njëjtë. U ngrit “Policia e Parkut Nacional”, e cila ka kompetenca më të forta se ato të parat.

Më 19 maj 2013 u miratua Plani Hapësinor i komunës së Plavë-Gucisë. Aty nuk u trajtua Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna. U la jashtë. Për një herë tjetër. Gjatë debateve në mes antarëve të Komisionit për Planin Hapësinor të Plavë-Gucisë, në këtë mbledhje të nxehtë, prapë Zllatko Boliq lëshoi deklaratën tjetër: “E kemi shpall Parkun Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për t’u forcuar kufijtë shtetërorë të Malit të Zi dhe për të bërë të pamundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëpër këto bjeshkë”.

Në Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna, firma menaxhuese e ardhur nga Podgorica, siç ua thashë, nuk ka të punësuar asnjë shqiptarë plavë-gucias. Shqiptarët etnik e kanë Parkun Nacional në tokat e veta, në derën e shtëpisë së vet dhe nuk i lejojnë të jenë pronarë, po nuk i lejojnë të jenë as punëtorë. Kjo ndodh rrallë kund në botë. Ky është diskriminim etnik.

Sikur të mos mjaftonte kjo po ndodh diçka tjetër e jashtëzakonshme: Kjo firmë podgoriciane i ka marrë policët e Parkut Nacional nga Kolashini, Berana, Bijello-Polje dhe i kanë çue në Podgoricë për me u mësua gjuhën shqipe e këta me ardhë mbasandejna në krye të detyrës në Plavë-Guci. Asnjë prej tyre nuk është shqiptar.

Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna po fuqizohet çdo ditë e më shumë duke i dobësuar shqiptarët etnik të Plavë-Gucisë në fuqinë e tyre ekonomike, pasi iu kanë marrë pronat e të parëve, mundësinë për administrimin pronësor e zhvillimin e tyre për turizëm, blegtaori, tregëti, etj.

Ne, në Plavë-Guci, do të bëjmë prapë kërkesa, ankesa, përpjekje për mos dëmtimin e shumanshëm të vazhdueshëm të shqiptarëve nga Parku Nacional, por presim ndihmë e ndërhyrje edhe më të shumta e më të forta, të drejtpërdrejta, nga diaspora jonë në Amerikë e në Europë, nga Tirana e Prishtina zyrtare, si dhe nga Uashingtoni e Brukseli.

-Zoti Tahir Gjonbalaj, ju jeni ndër themeluesit e të parës parti politike shqiptare në Malin e Zi, i Lidhjes Demokratike. Njëherit, ju jeni edhe nënkryetari i parë i saj. Asokohe grupi i veprimtarëve nga krahina e Plavë-Gucisë kishte peshë të madhe në këtë ngjarje historike politike. Përveç kësaj, me sa di unë, ju me shumë të tjerë, në gusht 1990, u shkëputët nga nisma për krijimin e Forumit Demokratik – si organizëm i shoqërisë civile dhe dolët protoganistë të krijimit të partisë politike, pasi e shihnit si detyrë historike, nevojë të kohës. Diçka nga kjo ngjarje panshqiptare, me jehonë ballkanike, euro-atlantike?

- Inisiativa e parë, shpallja e parë publike e organizimit të shqiptarëve në Mal të Zi u ba në shkollën fillore të Tuzit (Malësi) më 1 korrik 1990, në 20 vjetorin e Beslidhjes së Malësisë.

Kuvendi i parë themelues publik i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi u ba më 16 gusht 1990 në shtëpinë e Nuho Kurtit. Kryetar i parë i saj, i Këshillit Nismëtar të saj, u zgjodh Lek Lulgjuraj. Kishte përfaqsues nga Plavë-Gucia, Ulqini, Tuzi, Tivari, etj. Nënkryetar më zgjodhën mua  (Tahir Gjonbalaj) e Ragip Shaptafa.

Kuvendi themelues i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, në mbledhjen e tij të 9 shtatorit 1990 zgjodhi për kryetar Mehmet Bardhin, nënkryetar Lek Lulgjuraj e Tahir Gjonbalaj dhe, me propozim të Lek Lulgjurajt u zgjodh sekretar i LD , Nikollë Camaj.

-Zoti Tahir Gjonbalaj, një sekret që po due ta baj publik: një miku im diplomat më ka tregue në ekran të televizionit të tij një video disaorëshe të rregjistruar në mesnatën e 4 tetorit 1991 deri në ag të ditës tjetër, ku ju u zgjodhët në presidiumin e një kuvendimi kombëtar për Pavarësisnë e Kosovës. Në sallë pashë të jenë kryeministri i sotëm Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli, ambasadori i pritshëm i Kosovës në Tiranë, etj.  Për lexuesit, a mund të thoni diçka ma tepër rreth kësaj ngjarje historike e veprimtarisë tuaj për Pavarësinë e Kosovës?

-Një herë tjetër do të kemi rast të folim për këtë kuvend, për ata burra, për atë ditë. 

-Zoti Tahir, një tjetër kryefjalë e ditës në Plavë-Guci, një tjetër plagë e hapur, është ndarja territoriale. Ju lutem, cili është komenti juaj?

-Në vitin 1992 i janë marrë Plavë-Gucisë një pjesë e territoreve të saj: bjeshkët e Martinajve. Ato janë disa si Zeletina, etj. Ua dhanë komunës fqinjë të Andrejavicës. Po e them që ta dinë edhe të tjerët në treva shqiptare e diasporat shqiptare: Martinajt janë një fshat i madh krejtësisht shqiptar, si territor e popullsi janë etnikisht shqiptare. Ndërsa Andrejavica, sipas rregjistrimit shtetëror të popullsisë më 2011, pothuaj nuk ka shqiptarë etnik të deklaruar. Kjo i tregon qartë synimet shovene të Malit të Zi në ndarjen administrative të këtyre dy komunave, me grabitjen shtetërore të bjeshkëve të Martinajve.

Parlamenti i Malit të Zi, më 26 shkurt 2014, e ndau komunën e Gucisë nga ajo e Plavës. Tani kemi dy komuna. Gucia me 157 km2  është nga komunat më të vogla në krejt Republikën e Malit të Zi. Ajo ka dy bashkësi lokale: Guci e Vuthaj, ku edhe “Krojet e Vuthajve” kanë kaluar me Gucinë (!)

Komunës së Plavës i mbetën “komunat kadastrale” të Hotit (Hotit të Vendit), Rijeka e Gjyriqit (Gjyriqi), një pjesë e Vojnosellës.

Burimet e sotme financiare për ekzistencën e komunës së Gucisë mbetën me komunën e Plavës, si pyjet e larta ekonomike, ujësjellësi i Plavës – i cili e merr ujët nga Jasenica, pyjet e Hotit, Trokuzit, Riblakut, etj.

Komuna e Gucisë, ende pa filluar punën zyrtarisht, po përballet me vështirësitë e fillimit – nga mungesa e selisë së saj të papërfunduar plotësisht, nga mungesa e burimeve financiare të saj, etj.

-Ju, zoti Tahir Gjonbalaj, kryehere ishit kundër ndarjes territoriale të Gucisë nga komuna e Plavës, kundër komunës së re të Gucisë. Cilat ishin shkaqet dhe arsyet?

- Shënoje aty në letër. Numri 1: Mbajtja e pjesës dërmuese të pronave të shqiptarëve në komunë të Plavës. Numri 2: Hupja e ndikimit politik të shqiptarëve në komunën e Plavës. Numri 3: Shkëputja direkte e këtyre qyteteve me Kosovën. Numri 4: Në rast bashkimi me Shqipërinë të bashkohet vetëm komuna e Gucisë (!)

-Zoti Tahir Gjonbalaj, ju jeni një ndër personalitetet kombëtare panshqiptare që luftoni për të drejtat kombëtare etnike, politike, kulturore e ekonomike të shqiptarëve. Para se të vija në takimin e dytë për kit’ intervistë, një miku ynë i përbashkët në Guci, më dëftoi gazetën “Novosti” të 4 dhjetorit 2013 që iu akuzonte si përkrahës e protogonast i “Shqipërisë Etnike”, etj. Një vit ma parë, pas tubimit tuaj në Plavë kundër ngritjes së komunës së Gucisë, pata lexue se shtypi boshnjak, etj. iu sulmonte për përdorimin e parullave që flisnin për Shqipërinë Etnike në manifestimin tuaj, të cilit i pata kushtue edhe një poezi. Ç’ka mund të thoni lidhur me këto komente të shtypit në gjuhët sllave?

- Shtypi kryen detyrën e vet, ka misionin e tij. Ne kemi tonin. Jemi shqiptar etnik të këtyre trojeve. Jemi qytetar të lirë të këtij vendi në një kohë demokratike, njerëz të mendimit e fjalës së lirë, të besimit e veprimit të lirë. Jemi  qytetar e vend euro-atlantik, që po ecim drejt integrimeve në BE e NATO... Kush e don me fuqi magjike vendlindjen e tij, kush punon me fuqi biblike për vendlindjen do të thotë të kapësh lartësi hyjnore, të lidhesh me Zotin. 

-Ju, i nderuari Tahir Gjonbalaj, si rrallëkush, më shumë se çdo institucion shtetëror apo i shoqërisë civile në shtetet e trevat shqiptare në Ballkan apo në Diasporë, keni organizuar çdo 31 korrik nga një simpozium shkencor për historinë e kulturën e Plavë-Gucisë. Katër simpoziume në katër vjet. Si po mundeni kështu? A jeni ju “mbinjeriu” apo “heroi i kohës sonë”?!

- Konferencë, simpozium, sesion, akademi përkujtimore, sipas rastit, i kemi thirr’ veprimtaritë tona shkencore në Plavë-Guci. Nuk janë vetëm simpoziume, si po i cilësoni në pyetjen tuaj.

Në 100 vjetorin e Pavarësisë organizuam veprimtarinë shkencore “Plavë-Gucia në shekuj dhe Çështja Kombëtare Shqiptare” (2012), “Masakra e Previsë” (2013), “Komiteti Kombëtar Mbrojtja e Kosovës dhe Plavë-Gucia” (2014). Në to kanë referuar e kumtuar personalitete shqiptare e të huaja si akademikët Jusuf Bajraktari, Beqir Meta, Marenglen Verli, profesor doktorët Pëllumb  Xhufi, Nevila Nika, Mevludin Dudiq, Seit Mancaku, Frashër Demaj, Zymer Neziri, Admira Muratovica, Isa Bicaj, Izber Hoti, Muhamet Shatri, etj. etj.

Më 31 korrik 2015 do të organizojmë veprimtarinë shkencore të katërt, Akademi Përkujtimore për figurat historike të krahinës së Plavë-Gucisë në shekujt XIX-XXI me kumtime të lira për Ali Pashë Gucinë, Jakup Ferrin, Ahmet Zenelin - Gjonbalaj, Murat Osmani i Hotit, Bali Demën - Martinaj, Ismail Nikoçin e Gucisë, Alush Smajli i Hotit, bajraktarët e Martinajt, Hysen Efendi Vuthaj, Bali Bajram Nokshiqi, Hasan Ferrin, Mulla Agan Koja, Mushak Haxhia – Selimaj, Xhemë Bajraktari i Arzhanicës, Hasan Isufi Kukaj, Avdyl Pepaj, e të tjerë e të tjerë deri tek Jeton Dedushaj, dëshmor i UÇK për lirinë e Kosovës.

-Zoti Tahir Gjonbalaj, më keni dhanë listë të gjatë me emra e kam me i hjek disa për arsye vendi, tue e dit se çdo kullë në Plavë-Guci ka histori e trima që e nderojnë historinë e kombin shqiptar. Prandaj, së fundit, pak fjalë për veprimtarinë tashma panshqiptare, për Manifestimin “Alpet Shqiptare, Vuthaj”, me organizator shoqatën joqeveritare “Alpet Shqiptare” e shoqërinë kulturore “Maja e Karafilit”, ku ju, si e kam thanë edhe diku tjetër, jeni nismatër e kryefjalë i tij.

-  Kjo veprimtari ka arritë atë stad që ne e kemi dëshiruar prej fillimit, qyshse në fund të vitit 1996 kur Lidhja Demokratike në Mal të Zi mori vendim për organizimin e saj. I pari manifestim nisi më 10 gusht 1997, ndërsa i dyti më 1 gusht 1998. Ka 16 vjet që ky manifestim kryhet me 1 gusht. Ju e patë sivjet, që ishin mbi 2.000 vetë nga Plavë-Gucia, Kelmendi, Kosova, Shqipëria, Tuzi e Ulqini, Tivari e Rozhaja, nga Amerika e Zvicra, Belgjika e Britania e Madhe, etj.

Kjo veprimtari tradicionale organizohet në Begllek të Vuthajve, ku me ndihmën e USAID-it Amerikan u ngritën tribuna për koncertin festiv, terrene sportive, etj., ku organizohen edhe gara me kuaj, ndeshje sportive, hedhja e gurit, etj.

Në përmbyllje të kësaj interviste të gjatë, i nderuari Tahir Gjonbalaj, po të them se ju folët për të tjerët e mue më mbetet tua qëndis një portret për veprimtarinë tuaj të formatit të madh. Në se do të banim një intervistë tjetër, pos kësaj, për çfarë do të më flisnit më së shumti, ma së forti?

-Për ato që iu thashë në fillim e fund të kësaj interviste: për hapjen e rrugës Plavë-Deçan, për  përfundimin e rrugës Guci-Shkodër, për Pikëkalimin kufitar të Qafës së Previsë e rrugën e Çeremit, për Parkun Nacional, për ndarjen territoriale administrative të Plavë-Gucisë, etj. Do të flisja për projektet e parealizuara dhe plagët e reja të Plavë-Gucisë, për këtë “Ballkon të Alpeve” apo si e thotë Fishta i madh, si vendi ku rri “Ora e Shqipërisë”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT