E premte, 19.04.2024, 11:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Dhimbja që del nga shpirti

E shtune, 23.08.2014, 07:19 PM


DHIMBJA QË DEL NGA SHPIRTI

Vështrim për librin:

” Gurë të ngulun në Nokshiq”

Autor: Shaban Bali Nokshiqi

Je skulpturë gdhendur në gur

Ku asht shkri gjaku n’flamur.”

(Shaban B.Nokshiqi).

NGA TAHIR BEZHANI

Me 30.korrik 2014 në Bajram Curri,në organizim të “ Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve” Tropojë, u përurua libri i krijuesit 89 vjeçar,Shaban Bali Nokshiqi,me preardhje nga Plava,i cili mbi supet  e tij,bart historinë thuaja njëqindvjeçare,me krenarinë e pa epur,te përjetuar e të mësuar nga përvoja e jetës, në luftëra të pa ndërprera,për liri dhe bashkim të këtij populli, te atdheut të coptuar nga armiqtë e  kohës së kahershme,me orekse thuaja të njëjta, edhe në këtë kohë…

Duke lexuar librin e këtij autori ”Gurë të ngulur në Nokshiq” mendja e njeriut hallakatet në çdo skutë njerzore, nëpër mbamendjen e kthjelltë si uji i Valbonës, përmes së cilës kullon historia në vargje e thurur mjeshtërisht me epin popullor e legjendar.

Lexuesit pa tjetër se i shkon mendja se po takon një Fishtë nga Tropoja,ku figurat historike të këtij trualli, glorifikohen me meritë në luftërat e të kaluarës,në betejat anëkënd trojeve shqiptare për liri.

Nga historia janë të njohura luftat e banorëve të Plavë e Gucisë me çetnikët e Malit të Zi e Sërbisë, ku gjaku u derdh si uji në Limë. Gjithë atyre figurave,autori Shaban Bali Nokshiqi,u këndon me krenari, sepse ata u bënë ballënë mënyrë stoike hordhive barbare çetnike për liri si të gjithë popujt e tjerë në Europë.

Shaban Nokshiqi,përmes vargut epik,qartëson historinë e truallit të tij,me prejardhje nga familja Mekuli e Plavës,derë e njohur per merita atdhetare. Duke e ndier thellë në shpirtin e tij obligimin ndaj të kaluarës së tij të lavdishmedhe moshës në anën tjetër,autori që në vjershën  e parë të librit, “Nuk  po di a muj me kan”,fillon zbrazjen e katarzës:

“Vet me veti po baj çudi

Qysh ja nisa tash n’pleqni

Me shkrue kang e histori

Jam ba shybe mos jam i ri”

Pastaj,vazhdon radha e pëlcitjes në vargje për gjithë trimat  e farefisit të cilët dhanë jetën nëpër fushëbeteja të pandërprera me çetnikët e Malit të Zi.

Poezia “Për  Bali Bajramin”,babain e autorit,për tmeret dhe torturat e shkaktuara nga veshoviqët e Malit të Zi,të cilëve as varret nuk u dihen as sot, rrit vazhdimisht ritmin dhe tonet emocionale:

“Bash sa guri durojka njeri

I ngrim n’akull e i shkrim n’diell

Kokrra e shpirtit mu ka troçkit

Medet vorrin pa ja dit

 

Erdha baë,ka t’lypi jam

Kah Nokshiqi e Vizitori

Nji dite care pa t’gjet s’kam

Pa ty brenda s’më le vorri

Shaban Bali Nokshiqi,reflekton si një mjeshtër i vargut popullor kur di të përfshijë ngjarje historike përmbajtësore.

E tillë edhe poezia(vjersha)“Për Bajram Hazir Rrogamin”,ku ndër të tjera,me një  krenari,përkundër dhimbjes,thur vargje brilante:

“Kaq shumë burrit ju kan’ tut

Edhe eshtnat ja kan hup

Panik t’madh me fut në popull

Barbaria nuk pat’ të sosun

 

Pse s’u kthyen eshtnat e trimit

Ku asht varri I Bajram Hazirit

Ku do e shuajnë familja mallin

Loti i dhimbjes e çan dhe shkamin”

Janë këto vërtetë vargje prekëse,nostalgjike, të thëna nga zemra e mendja e një 89 vjeçari,shkruar pas 70 vitesh të kaluara nga ngjarjet historike,me përjetim, sikur ato të kishin ngjarë dje.

Pra,kemi të bëjmë me një përsonalitet të rrallë të poezisë popullore,të kohës sonë, ku ngjarjet dhe dhimbja kurrë nuk  janë tretur nga memoria e tij.

Lexuesit e zellshëm nga këto vargje,mund të tërheqin një paralele interesante mes autorit dhe politikës ditore,ku politika rrugëton sikur të mos kishte ngjarë asgjë me coptimin e trojeve tona, me gjitha shtet fqinje,bile,shpesh,mbyllin sytë edhe para Europës,thua se bëhet fjalë për toka të huaja e jo për një copë tokë tonën dhe një histori të dhimshme e të larë me gjak .

Tani, “Në Plavë e Guci,vetëm varret flasin shqip”,perifrazon poeti thënjen e njohur…

Si porosi kohe vjen mesazhi “se është kohë të zgjohemi  të gjithë nga gjumi letargjik…

Nuk anashkalohet asesi “Elegji për Islam Balin”,ndryshe,vëllau i autorit të librit,të cilit i kujtohet fare mirë ngjarja e kobshme e vrasjës së tij te Vrella e Mollit të Gjakovës,nga UDB-a Jugosllave me 1947. Me dhimbje të thellë,pas 70 vitesh rrëfehet sikur ngjarja të ishte e djeshme:

“Tash n’pleqni pak i mërzitur

Më flet shpirti I tronditur

Çka kalova n’jet çka pava

Sikur fëmia me lot kjava

Për vlla Islamin due me shkrue

Historinë me ja ndriçue

Shtatdhjetë vjet kanë kalue

Kët barrë dhimbje tuj durue”

Dhe,kjo elegji prej 32 strofash,më e gjata e këtij libri,shkruar me 28.06.2014 në Bajram Curri,ngërthen në vete çaste tepër tronditëse të vrasjes së vllaut,Islamit,te Vrela e Mollit nga udbashët jugosllav.

Ngjarja ishte e tillë që pas marrjës nga familja në mesnatë.në Llugaj të Tropojës,te Vrela e detyrojnë një komisare serbe që ta rrahë Islamin me dajak,ndërsa Islami me duar të lidhura,ia nxjerr dajakun dhe e godet per vdekje komisaren.

Këtë rast eklatant,me përshkrime fishtiane por shumë reale si ngjarje, autori nxjerr në pah edhe virtytet njerzore duke përshkruar se si disa molliqas e kishin  varrosur Islamin dhe rrobat ia kishin dërguar rrugëve ilegale familjes Nokshiqi në Llugaj të Tropojës.

Shaban B.Nokshiqi, ,edhe sot pas gjitha atyre viteve,mban në brezin e tij rrypin e tirqëve të vllaut të vrarë,Islamit.

Lotët e tij edhe sot dëshmojnë mallin dhe ngjarjen tronditëse,të paharruar kurrë…..

Autori,nuk ka lënë anash figurën e femrës shqiptare,e cila gjatë historise,dha kontributin e saj të barabartë me gjithë të tjerët për lirinë e vendit.

Hyr Bajramja e Bajram Hysenit,ishte një heroinë në vete,e cila shpëton mbi 100 burra në një kullë të ngujuar,ku çetnikët e Malit të Zi ishin bërë gati për t’i djegur të gjallë.

Në poezinë “Hyr Bajramja e Bajram Hysenit”,autori i thur 20 strofa,ku figura e trimëria e kësaj femre  ngjitet lartë bashkë me moralin kombëtar,e cila me shpëtue babain, bashkë me 100 të tjerë, rrezikon edhe jetën vet.Pos të tjerash, shkruan:

  Hyr Bajramja bija e vet

Kur po sheh me sy gazep

Tuj e djeg me kryq të zi

Zemra e saj qaty asht ngi

 

Kodra e vorreve ka krenari

Mbush me lula plot hijeshi

Bajram Hyseni ktu n’dhe ka hi

Me Hyr Bajramen,çiken e tij”.

Mendoj se te kjo poezi studiuesit do merren me detajet e të kaluarës sonë të lavdishme e posaçërisht edhe të femrës shqiptare.

Autori i librit ”Gurë të ngulun në Nokshiq”,zoti Shaban Bali Nokshiqi,ka mbi njezet vite që jeton në SHBA me gjithë familjen e tij dhe  pushimeve nuk e harron vendlindjen e tij,Tropojen,Llugajt e miqtë e tjerë me të cilët ka ndarë gëzimet e hidhërimet që ka jeta .

Si pjesë e mërgatës shqiptare,duke jetuar larg atdheut,duke parë e nuhatur pasojat që bart gurbeti,nuk ka lënë anash edhe këtë segment jete pa e trajtuar në vargjet e veta,si një porosi për brezat,për kohen,për atdheun.

Në fund të librit ”Gurë të nguluun në Nokshiq”,Bac Shabani shkruan:

“Mos harroni trojet arbnore

Historinë tone shekullore

Për liri e për këto troje

Luftat tona me Cërnagore

 

Vendit tuaj rrini ma ngat

Kurrku s’ndihni ma rahat

Mësoni mire gjuhën e babes

Amanetet e Ali Pashës”

Për fund,mendoj se ndaj mendimin me lexuesit e nderuar se ky libër,nga autori në këtë moshë,është një plotësim i lëndës letrare e historike,një pasurim i veçantë shpirtëror e intelektual.

Të cilin duhet vlersuar e përqafuar si një dhuratë të një miku të shtrenjtë,i cili këtë pasuri shpirtnore,na e lë si një amanet.

Si një obligim për të shikuar në mënyrë objektive historinë tonë.

Siç thotë edhe i madhi Hasan Prishtina:

” Ideali është një dramë e shkruar me pika gjaku.”



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora