Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Fotografët atdhetarë të Shkodrës

| E shtune, 23.08.2014, 07:47 PM |


FOTOGRAFËT  ATDHETARË    SHKODRES ...

Pjesa e II.

Nga Fritz RADOVANI

Qyteti i Shkodres asht djepi i kulturës dhe i artit Atdhetar Shqiptar.

Krahas hapjes së shkollave fillestare private Shqipe dhe atyne të mesme të Jezuitëve dhe Françeskanëve në shek. XIX, në Shkoder, në djepin e artit të Saj u perkund edhe fotografia e parë e ardhun me Studio Marubi, në Trojet tona që në vitin 1850 – 1858.

Pietro Marubi iku nga Italia dhe i mbështetun tek Kleri Katolik Shqiptar e Ai Jezuit në Shkoder, mujti me u vendosë dhe me punue si fotograf në këte qytet, që ishte “syni i principatës”...

Asnjë nga “meritat’ e Klerit Katolik kjoftë Shqiptar apo i “huej” i vendosun që në She. XII në Shqipninë e Veriut, tue fillue nga shkollat Amtare e deri tek muzika, fotografia, muzeumet, sporti, stacioni meteorologjik, kinema, teatri, letersia ynë kombtare e Atdhetare, shtypshkronjat dhe librat apo të përditshmet që lulzuen në Shkoder, endè vazhdojnë mos me u zanë me gojë bashkë me gjenialitetet tona të papersëritshem...që, çdo veper të vet ua dedikuen Atdheut.

Fotografi Pietro Marubi (1834 – 1903) nuk ishte vetem mjeshter i fotografisë, po ishte artist dhe Mik i madh i yni, gja të cilen e verteton ndryshimi i Emnit në Gjuhë Shqipe: “Pjeter Marubi”.

Lidhja miqsore me familjen Shqiptare Kodheli, krijon mundsinë e trashigimit të profesionit dhe gjithë pasunisë së Pjeter Marubit, tek Mati Kodheli dhe trashigimtarët e Tij, të cilët, i trashiguen edhe emnin e Perjetshem të Tij, në “Studjo Marubi” Shkoder, deri tek i fundit Gegë Marubi.

“Studio Marubi” ishte çerdhe edukimi Atdhetar e Rinisë Shkodrane...

Shtëpia plot dritë e Atelies së Parë të fotografisë, shumë shpejtë kthehet në një nga çerdhet ma të besueshme të Atdhetarëve tanë, tue fillue nga Hamz Kazazi, Mati Logoreci, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Frano Ndoja, At Shtjefen Gjeçovi, Don Ndre Mjedja, At Anton Xaxoni, Kolë Idromeno e deri tek “nxanësi” i talentuem Shan (Mark) Pici, mbasardhës i denjë i asaj Studjo, që u edukue me të gjitha tiparet e një artisti dhe mjeshtri të madh të fotografisë së natyrës Shqiptare, kostumeve tona kombtare nder Malet e Bjeshkëve të Nemuna, zakoneve dhe dokeve të Shqiptarit, e deri tek një nga skutat “antishqiptare” të Malit të Zi, në pallatin e Krajl Nikollës apo të Ahmet Zogollit, e ma vonë të Enver Hoxhës, SOT janë dokumentët dhe faktet e Pakundershtueshme të Historisë së Vertetë të Trojeve të Shqipnisë Etnike.

Në moshë fare të re, 11 vjeç e ma vonë, pata fatin me njohë brezin e talentuem të fotografëve të Shkodres nga Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjeter Rraboshta, Angjelin Nenshati, Ndoc Kodheli, Luigjina Perdoda, Augustin Kiçi, etj., ma të rijë, per të cilët ruej kujtime të veçanta...

Nga viti 1970, mbas një vizite në shtëpinë e fotografit Shan Pici, me të cilin më lidhte një hallkë e vjeter nga paraardhësit tanë, me ftesen e Tij, kam shkue një javë në studio dhe kam pa ma shumë se 4000 filma të vegjel, nder zarfa të veçantë të kostumeve kombtare të Shkodres dhe të Malësive, të pejsazheve malore ku shenohej emni i vendit, naltësia dhe prej nga asht ba foto nga mjeshtri Shan Pici. Kur kam pa portretet e Burrave të Malësisë, të nuseve të atyne krahinave apo të stajanicave dhe fëmijëve me fëtyra të vranta nga vorfnia... jam mahnitë me arritjet “bardh’ e zi” të Atij Artisti aq të madh e aq të thjeshtë që kisha fatin me pasë perballë meje: Një gjeni!

Nuk dijshe me kuptue si ka mërrijtë me fotografue në fillim të shek. XX, vajza e nuse malësore, dhoma fjetje të atyne krahinave të mbylluna shekullore, gra që kanë lindë fëmijë dhe porsa kanë “hy nder uratë”, pra, mbas pak ditësh bajnë zakonin fetar dhe fillojnë daljen nga shtëpia, apo vargun e vajzave të bukura që shkojnë tek kroni me buljera... kur vetem me të shkue mendja me i folë rrugës të “ka krisë pushka mu në lule të ballit”, Artisti Shan Pici, i perjetson nder filma!

Pyeta mesen e Tij zj. Vera Zadrima (Kiçi), me të cilen kemi punue në fabriken e Pelhurave, dhe

Veronika, më ka shpjegue se shumë nga fotot e vështira të asaj kohë, madje, edhe të pamujtuna me u mendue me u ba atëherë, Shani i ka krye me anën e miqësisë që kishte formue me priftnit dhe mësuesit e atyne krahinave. Këta dy figura në fshat nderoheshin dhe respektohëshin pa u diskutue fjala e tyne. Ata i siguronin fshatarët se kjo foto nuk ka asnjë qëllim të keq dhe, se, Shani, asht nga ata burra të ndershëm që nuk e shpërdoron besimin e tyne.

Mbas marrjës së këtij thesari nga shteti komunist, Shanit i patne prishë edhe shtëpinë ku banonte, gjoja se i ra plani, kështu, Ai nuk bani ma ditë të mirë. Edhe ky ma shumë plasi, se vdiq!

Lexoj nder shumë shkrime sesi fotografët e Nderuem të Shkodres... Ua “dhuruen” të gjithë ato thesare të kulturës dhe artit që ishte mundi dhe djersa e Tyne shtetit komunist! Të shkruhej atëherë kur fshatarët hynin nder të famëshmet kooperativa bujqësore me “dëshiren” e tyne, edhe mund të pranohej, se nuk mund të thohej e shkruhej ndryshej... Po, me e thanë sot, nuk dij kush mund ta besojë! Një nga pinjollet e Familjes Gegë Marubit asht edhe zj. Tereza Marubi, që e ka tregue vetvetën me 2 Prill 1991. Ajo shpjegon: “Në vitin 1972 me një leter personale të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror Enver Hoxha, Gega ia dorëzon shtetit arkivin e gjithë Marubëve. "Ishte diçka që im atë e beri me dhimbje"... Besoj asht thanë gjithshka! Edhe kjo asht një e vertetë, që “shvlerson” thanjen se, “fotografët i dhuruen arkivat e Tyne shtetit”...

Pak ditë mbasi ia morën edhe fotografit Shan Pici arkivin e Tij, e takova në rrugë e me gjysëgoje i shpreha keqardhjen time per plaçkitjen... Jo, më tha, kanë ba shumë mirë që na hoqne nga shtëpia një telashe të madhe... Sa arrestohej një njeri, mbas dy orësh e shpesh edhe në mesnatë na trokiste dera. Ne ishim të parët që merrshim vesht çdo arrestim në Shkoder e Malësi. Vinin oficerët e sigurimit dhe na kerkonin fotot e tyne nder martesa apo raste të tjera, per me krijue lidhjet e të arrestuemit me miqtë dhe të njohunit e tyne nder foto. Të pakten, tashti flejmë rahat dhe nuk na troket dera ma naten nga ata që vetem mendojnë me ba keq, tash gati 30 vjetë...

Një kuriozitet...

Në vitin 1956 nuk ishe mirë me shëndet.  Në vitin 1957 bana një foto per dokumentin e maturës. Shkova një ditë mbasdreke bashkë me vllaun e madh Alfonsin, tek studjo “Jakova”. Ai kishte bisedue perpara dhe caktue edhe oren kur do të shkonim. Porsa hyme mbrendë, aty ishte një nga mësuesit e mij të muzikës...në vitin 1951 në shkollen 7 vjeçare “Vasil Shanto”, kompozitori i madh Prenkë Jakova, vllau i fotografit Dedë Jakova. Prenka na ftoi mbrendë në studio dhe më vendosi perballë aparatit fotografik. Rregulloi dritat, pozicionin tim dhe mbas pak minutash Ai shkrepi aparatin... E persëriti edhe një tjeter per siguri, dhe na tregoi kur asht foto gati...

Kur dolëm jashtë me vllaun tim, Ai më shpjegoi se Kompozitori Prenkë Jakova, ishte nder ma të mirët mjeshtra të fotografisë në Shkoder dhe se, fotot ma të bukura në vitrinen e Foto Jakovës, i ka ba dhe retushue vetë Kompozitori Prenkë Jakova. Foto e ime siper asht ajo e vitit 1957...

Një kujtim nga një Burrë... nder ma të mëdhejtë Atdhetarë të Shqipnisë!

Vazhdon Pjesa e tretë...

Melbourne, 2014.