VRASJA BRUTALE E NJË GAZETARI
Nga Frank Shkreli
Të
mërkurën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ndërpreu pushimet
verore për të dënuar në mënyrën më të ashpër dhe më të theksuar vrasjen
makabre, ekzekutimin me prerje koke të gazetarit të rëmbyer amerikan James
Foley nga militantët terroristë, të të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIL), që vepron në territoret e
Sirisë dhe të Irakut. Në një deklaratë
televizive të mërkurën pas dreke, Presidenti Obama, duke venë në dukje
zemërimin e tij, si rrallë herë më parë në publik, tha se vrasja e
gazetarit James (Jim)Foley "ishte
një akt dhune që tronditi botën mbarë", dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara
“do të bëjnë çdo gjë të mundur që të venë drejtësinë në vend”. Presidenti Obama tha se "Jim Foley ka
raportuar nga zona të vështira dhe të rrezikshme lufte, duke qenë dëshmitar i
vuajtjeve të njerëzve anë e mbanë botës".
Presidenti amerikan theksoi se
veprimtaria e gazetarit Foley, i cili ishte marrë peng pothuaj dy vite më parë
ndërsa raportonte mbi vuajtjet e njerëzve të pafajshëm në konliktin në Siri,
"është në kontrast të thellë me ato që bëjnë vrasësit e tij. Le të jemi të qartë për ISIL-in", shtoi Presidenti Obama.
"Ata kanë shkatërruar qytete dhe fshatra të tëra, duke vrarë civilë të
pafajshëm dhe të të pa-armatosur, në akte dhune prej frikacakësh". Ata tha Presidenti Obama, "Kanë rrëmbyer
gra e fëmijë duke i torturuar, duke i dhunuar dhe duke i trajtuar si
skllevër." Z. Obama tha se grupi
terrorist ISIL ka "vrarë edhe myslimanët -- si të sektit sunni
ashtu dhe shia -- me mijëra. Ata kanë
venë në shënjestër të krishterët dhe pakica të tjera fetare, vetëm e vetëm se
pse praktikojnë një fe tjetër. Ata
deklaruan qëllimin e tyre për të kryer gjenocid kundër një populli të
vjetër", deklaroi shtoi Presidenti Obama.
Në prononcimin e tij të ashpër dhe shumë të prerë kundër grupit ISIL, Presidenti amerikan tha se ai
grup, "Nuk flet në emër të asnjë feje.
Numri dërmues i viktimave të tyre janë vetë myslimanët dhe asnjë fe nuk
mëson vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Asnjë Perëndi e drejtë nuk favorizon
masakrën që ata bënë jo vetëm dje por për çdo ditë tjetër. ISIL nuk ka asnjë ideologji, me ndonjë
vlerë njerëzore”, tha udhëheqsi amerikan. Ata deklarojnë", shtoi
Presidenti Obama, "se janë në luftë me Shtetet e Bashkuara ose me Perëndimin,
por fakti është se ata terrorizojnë fqinjtë e tyre", tha Presidenti
Obama në reagimin e tij ndaj lajmit për
vrasjen brutale të gazetarit James Foley.
Presidenti
amerikan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të jenë "vigjilente dhe
të pamëshirshme" në operacionet kundër grupit ISIL të cilat do të vazhdojnë,
nënvijoi ai dhe u bëri thirrje irakianëve që të bashkohen për të përjashtuar
këta terroristë nga komunitetet e tyre. Ai shtoi edhe se "as populli
sirian, për fatin e të cilit raportonte gazetari James Foley, nuk meriton të
jetojë nën hijen e një tirani ose nën kërcënimet e terroristëve" duke
thënë se sirianët dhe irakianët " kanë mbështetjen tonë në luftën e tyre
për një të ardhëme më dinjitoze", përfundoi presidenti Obama.
Vrasësit
e James Foley kërcënojnë të gjithë gazetarët, vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë
vajtur atje për të raportuar mbi
luftërat dhe terrorin kundër vendasve në atë zonë. Këtë javë u publikua edhe një video që tregon
Steven Sotloff, një gazetar amerikan
tjetër, fati i të cilit nuk dihet, por që merret me mendë se edhe ai është i
rrëmbyer.
Në lidhje
me këtë situatë, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një deklaratë të
mërkurën, shfaqi shqetësimin e tij të thellë për të gjithë gazetarët që sipas
tij -- shumica janë sirianë -- por që mbahen gjithnjë peng nga grupi ISIL, i cili ka rrëmbyer, ka vrarë dhe
ka kërcënuar gazetarët në territorin që ai kontrollon. Sipas Nën Drejtorit të Komitetit për
Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Robert Mahoney, "Gazetarët e kanë ditur se Siria
është vendi më i rrezikshëm për të punuar si gazetar, madje edhe para se t'i
pritej koka gazetarit James
Foley-t". Ai citohet në dekaratën e
Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve se,"Pjestarët e Shtetit Islamik, që
vranë James Folye, përdorin dhunë dhe kërcënime me qëllim për të mos lejuar
raportimin e pavarur nga zonat që ata kontrollojnë." Megjithëkëtë, shtoi ai, "Gazetarët
sirianë dhe korrespondentët e huaj si Jim Foley janë të gatëshëm të rrezikojnë
jetën, "në përpjekje për të qenë dëshmitarë", sipas fjalëve të një
gazetarje tjetër amerikane Marie Colvin, gjithashtu e vrarë më heret në Siri.
Organizata
për Mbrojtjen e Gazetarëve e cila ndjekë me vëmendje të drejtat dhe liritë e
gazetrave në mbarë botën, thotë në deklaratën e saj me rastin e vrasjes së
gazetarit James Foley, se gjatë dy viteve të fundit, Siria ishte vendi më i
rrezikshëm në botë për gazetarët, ku përveç tij, thotë ajo, të pakën 69
gazetarë të tjerë janë vrarë gjatë atij konflikti, përfshirë disa që janë vrarë
matanë kufijve të Libanit dhe Turqisë.
Organizata në fjalë nënvijon se gazetarët janë subjekt sulmesh nga të
gjitha palët dhe se në një situatë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, më
shumë se 80 gazetarë janë rrëmbyer në Siri, gjë që nuk është shënuar asnjëherë
më parë në botë. Sipas Komitetit për
Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, përafërsisht 20 gazetarëve --
shumica e të cilëve janë sirianë – sot për sot nuk u dihet fati.
Të gjitha
këto raste, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarve, venë në dukje rrezikun me
të cilin përballen çdo ditë në punën e tyre, gazetarët dhe korrespondentët vendas dhe të huaj në zonat që
kontrollohen nga grupi ISIL. Si rezultat, njerëzit e thjeshtë mund të pyesin, pasi
dihen mirë rreziqet, atëherë pse shkojnë gazetarët në ato zona të njohura mirë për veprimtari terroriste. Ndoshta përgjigja më e mirë, por më e
pabesueshme nga një nënë që posa ka humbur djalin e saj në dorë të
terroristëve, vjen nga nëna e gazetarit James Foley, Diana e cila me lotë në sy
tha për medien se, "Kurrë më parë nuk kemi qenë më krenarë për djalin
tonë. Ai dha jetën duke u përpjekur që
t'i tregojë botës vuajtjet e popullit sirian". Edhe Presidenti Obama lavdëroi gazetarin
James Foley për kurajon e tij gazetareske dhe
për raportet e tija nga Siria, duke thënë se ai ka shërbyer si
"dëshmitar" i vuajtjeve të njerëzve aq larg. Ndërsa babai i James Foley-t, John Foley, kur
u pyet se pse djali i tij kishte vendosur të shkonte në një zonë aq të
rrezikshme për gazetarët, ai u përgjigj: "Pse futen zjarrëfiksit në një shtëpi
të mbuluar nga flakët? Ky, ishte
profesioni i tij."
Ndërsa
Kryetarja e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Sandra Mims Rowe, duke
reaguar ndaj vrasjes së gazetarit James Foley, tha se, “Ai shkoi në Siri për
t’i ekspozuar botës vuajtjet e popullit sirian, për të qenë dëshmitar i
luftimeve në atë vend dhe duke bërë një gjë të tillë, ai luftoi dhe dha jetën
njëkohësisht edhe për lirinë e shtypit.”